VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

101... E TUTJE
Nga ALBINOT MALOKU

E Martë, 07.02.2013, 01:46pm (GMT1)



Në një intervistë ish-ministri i punëve të jashtme i Serbisë dhe kryesuesi aktual i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq pat thënë se kishte vizituar më shumë se njëqind e dyzet vende të botës, për të lobuar kundër pranimit të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur e sovran. Duket që, të gjitha ato para të buxhetit të Republikës së Serbisë të cilat janë shpenzuar nga ana e ish-ministrit të punëve të jashtme Vuk Jeremiq, në ato udhëtime kanë shkuar huq, kur është në pyetje lobimi kundër pranimit të pavarësisë së Kosovës. I vetmi fitim nga ato udhëtime ishte lobimi për ta votuar Jeremiqin në zgjedhjen e tij si kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Njohjet në adresë të Republikës së Kosovës kurrë nuk u ndaluan, ato po vazhdojnë edhe sot.

Pas shpalljes së pavarësisë, Kosovën menjëherë e pranuan SHBA, Britania e Madhe, Franca, Turqia, Kosta Rika, Afganistani, Shqipëria dhe në afat kohor prej 10 ditësh asaj i erdhën edhe 13 njohje. Nga vendet e rajonit vetëm Bosnja dhe Hercegovina e Serbia formalo-juridikisht ende nuk e njohën Republikën e Kosovës. Mirëpo, pas marrëveshjes së Brukselit, në mes të Serbisë dhe Kosovës, këto dy shtete të cilat dolën nga shkatërrimi jo-konsensual i ish-Jugosllavisë, i ndërruan përfaqësuesit e tyre mes vete. Prishtina zyrtare dërgojë shefin e misionit të Kosovës në Beograd, po ashtu edhe Beogradi zyrtar shefin e misionit të Serbisë në Prishtinë. E vetmja është shteti i Bosnje dhe Hercegovinës e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejtë përmirësimit të raporteve në mesë të Sarajevës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare. Për dallim nga, për shembull, Greqia e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë, por që komunikon në baza zyrtare me Kosovën. Fakt i kësaj, është vizita e ministrit të punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, si i ftuar nga ana e homologut të tij Grek.

Para 17 Shkurtit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në koordinim me Brukselin dhe Uashingtonin, ishin shumë zëra që thonin se në momentin kur Kosova shpallë pavarësinë, do të bëhet shumë keq, e ndoshta do të destabilizohet edhe rajoni, e edhe Evropa, kurse për serbët e Kosovës, mos e dhëntë Zoti, ferr. Gjatë gjithë kësaj kohe, rrugë e vështirë e përcolli, jo vetëm Kosovën, por edhe ato vende të cilat argumentonin që pavarësia është zgjidhja e vetme e cila do të sjellë paqe e stabilitet në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Asgjë nga të thënat e këtyre zërave nuk u bë! Sfidat për shtetin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj ende janë të mëdha, nga të gjitha aspektet, por çdo ditë Prishtina zyrtare, dhe çdo garniturë politike e cila ka ardhë në Qeveri, edhe ato të cilat pretendojnë Qeverinë, janë treguar të interesuara për perspektiven Evropiane për Kosovën dhe tërë rajonin.

Deri më sot, Republika e Kosovës është njohur nga më shumë se njëqind vende, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe ky numër po vazhdon tutje të rritet, pavarësisht të gjitha pengesave që po i provon Beogradi. Angazhimi parësor i Prishtinës duhet të jetë ngritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, nepotizmit dhe të gjithë virusëve që e dëmtojnë shtetin e Kosovës.


ALBINOT MALOKU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.