E Shtunë, 08.08.2020, 05:02am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DASHURIA E MADHE MIDIS PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË DHE PARTISË KOMUNISTE TË KINËS
Nga SHABAN MURATI

E Mërkurë, 07.03.2013, 09:08am (GMT+1)



Nëpër botë është folur dhe vazhdon të flitet shumë për mrekullinë kineze, që nga ritmet e larta të rritjes ekonomike e deri tek komplekset  gjigante të ndërtimeve. Siç ndodhte dendur me shtetet komuniste, gjë të cilën e kemi provuar vetë nga përvoja e regjimit komunist, mrekullia duket më shumë si mall për eksport, se sa një zhvillim real, që përfshin tërë popullin, shoqërinë dhe shtetin. Përtej fuqisë së makinës propagandistike, të cilën regjimet komuniste dhe udhëheqësit komunistë duket se dinë ta përdorin më mirë se sa kolegët e tyre perëndimorë, është e pamundur të mos shohësh se ana e ndritur e mrekullisë kineze ka si pjesë të pandarë edhe një anë të errët, që e shoqëron atë. Protestat e fuqishme, që shpërthyen këtë javë nga popullsia ujgore në provincën Sinkiang të Kinës, evidentuan një plagë dhe një fenomen negativ të shoqërisë së sotme kineze, që hedh hijen e dyshimit mbi vetë mrekullinë kineze. Në 26 qershor në qytetin Lukqun dhe në datën 28 qershor në qytetin Hotan të kësaj province, popullsia ujgure zhvilloi protesta të mëdha, të cilat u kthyen në përleshje të përgjakshme me forcat e policisë dhe ato speciale të qeverisë kineze. Radio amerikane "Azia e Lirë" njofton se ditën e mërkurë u vranë 46 persona në këto përleshje.

Këto zhvillime tragjike nuk mund të fshihen dot në botën e sotme të teknologjisë informative dhe depërtuan edhe murin e madh kinez të bllokadës dhe të territ informativ shtetëror. I dhanë agjencitë, stacionet televizive dhe gazetat më të mëdha të të gjithë botës. Vetëm mediat shqiptare nuk gjetën një rresht apo një sekondë për të informuar opinionin për këto ngjarje të dhimbshme. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze paraqiti versionin qeveritar, sipas të cilit ato ishin një sulm i dhunshëm terrorist dhe nuk dha identitetin etnik të protestuesve. Përfaqësuesit e Kongresit Botëror Ujgur, me seli në Suedi, paraqitën versionin e tyre, sipas të cilit protestat dhe përleshjet erdhën si rezultat i bastisjeve masive, që zhvilloi policia dhe forcat speciale nëpër shtëpitë e banorëve ujgurë dhe akuzoi për shtypjen e vazhdueshme të asaj popullsie.

Përveç nevojës së hulumtimit të këtyre versioneve, e vërteta e thjeshtë është se ka një problem të madh, që ekziston në shoqërinë e sotme kineze dhe që ka të bëjë me trajtimin dhe me hapësirën e lirisë, që pushteti komunist kinez u lejon pakicave etnike. Ngjarjet e tanishme në provincën Sinkiang me popullsinë ujgure nuk janë incidente të befasishme apo të reja. Protesta dhe përleshje të popullsisë ujgure me policinë ka pasur edhe në muajin prill të këtij viti, kur u vranë 21 vetë. Ka pasur edhe në vitet e kaluara dhe kulmi i përleshjeve të përgjakshme për pak ditë mbush katërvjetorin e protestave masive ujgure në kryeqytetin e provincës, në Urumçi, në 5 korrik të vitit 2009, ku u vranë 200 vetë dhe u plagosën 1700 vetë. "Euronews" theksonte në 28 qershor se vitet e fundit ujgurët vazhdimisht janë ankuar për shtypjen dhe diskriminimin.

Kina ka një problem të pazgjidhur ujgur dhe politika nacionale e ndjekur nga qeveria qendrore ndaj popullsisë ujgure nuk ka rezultuar në zbutjen apo në zgjidhjen e problemit. Politika e qeverisë ndaj minoriteteve, të drejtave, kulturës, gjuhës dhe feve të tyre ka dështuar të sigurojë barazinë dhe ka provokuar këto situata të pakënaqësisë së përgjithshme dhe të vazhdueshme, të cilat marrin herë pas here forma kaq të ashpra. Popullsia ujgure kap një numër prej 10 milionë banorësh, me racë, gjuhë dhe fe të ndryshme nga shumica kineze. Ajo ka kundërshtuar diskriminimin, mungesën e lirive dhe ka kërkuar gjithmonë barazi të drejtash me shumicën kineze. Kanë kërkuar barazi sociale dhe respektimin e identitetit, të kulturës, të gjuhës dhe të fesë së tyre. Pekini ka ndjekur rrugën e padrejtë të kufizimit të hapësirës së lirisë, të mundësive dhe të shprehjes për popullsinë ujgure. Në mënyrë të veçantë ka shkaktuar reagim të ashpër politika e Pekinit për të ndryshuar artificialisht hartën demografike të provincës, duke vendosur në mënyrë masive prej vitesh miliona kinezë hanë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë së Kinës. Vendosja e kinezëve hanë, të cilët kanë pushtetin në dorë, ka krijuar situatën që popullsia ujgure të ndjehet e margjinalizuar dhe të mos jetë në gjendje të sigurojë barazinë e të drejtave të saj sociale, etnike dhe fetare. Mjafton të përmendim se në industrinë energjetike të provincës, e cila është një rajon i pasur në naftë dhe gaz, vetëm një për qind e forcës punëtore janë ujgurë dhe pjesa tjetër janë kinezë hanë. Ky raport ndodh në një kohë që zyrtarisht ujgurët përbëjnë gjysmën e popullsisë së provincës, kurse sipas të dhënave të shoqatave ujgure, ata janë shumë më tepër. Vetëm në qarkun e Shanshanit, ku ndodhi masakra e 26 qershorit, 88 për qind e popullsisë janë ujgurë. Është një situatë jo normale, e cila nuk mund të mos prodhojë konflikte e tensione të herëpashershme sociale, etnike dhe fetare.

Këto zhvillime të brendshme negative krijojnë bindjen se imazhi i familjes së madhe multikulturore dhe të lumtur të Kinës komuniste është një produkt propagandistik, që nuk reflekton realisht atë, që ndodh brenda asaj shoqërie tradicionalisht të mbyllur. Arsyetimet e paraqitura nga përfaqësuesit zyrtarë të qeverisë qendrore u ngjajnë konstruksioneve propagandistike tipike të shkollës së vjetër komuniste. Së pari, kërkohet që në trazirat dhe protestat, të cilat kanë shkaqe të brendshme, të kërkohet dora e armikut të jashtëm. Është një sindromë klasike e gjithë regjimeve komuniste, që nga ato sovjetike, shqiptare, kineze e koreane, që shkakun e vështirësive të brendshme ta gjejnë tek armiku i jashtëm. Gazeta qeveritare kineze "The Global Times" shkruante se "shumë forca të huaja do të donin të shihnin turbullira në Sinkiang". Mirëpo historia e regjimeve komuniste, qofshin atyre të përmbysura tashme të Europës Lindore, qofshin të atyre që janë akoma në fuqi si në Kinë e Korenë e Veriut, tregon se fshehja pas "ndërhyrjes së reaksionit të jashtëm" nuk ka zgjidhur dhe nuk i ka mbyllur dot problemet reale, nacionale, etnike apo sociale, të shoqërive komuniste. Edhe arsyetimi tjetër qeveritar për "sulmet terroriste", që përdoret për të qenë në rezonancë me modën terminologjike ndërkombëtare, nuk duket se e shpjegon dhe aq më pak ndihmon, zgjidhjen e problemit. Sepse problemi me popullsinë ujgure ka të bëjë me politikën nacionale, që Pekini ndjek ndaj popullsive jokineze, që jetojnë në Kinë.

Është e kuptueshme se ana e errët e mrekullisë kineze arrin të depërtojë dhe të shikohet edhe nga bota e jashtme. Ky është një trend, të cilin qeveritë komuniste nuk mund ta mënjanojnë dot, sepse është pjesë e atij zhvillimi, që sjell sot ekonomia dhe pa të cilin nuk mund të mendohet një shoqëri moderne. Ajo që ndodh në shoqërinë kineze nuk është dhe nuk mund të mbahet mbyllur në kuti si një çështje e brendshme. Ajo përbën një interes ndërkombëtar, sepse Kina, që është një aktor i rëndësishëm i fuqisë globale dhe i ekonomisë botërore, ka ndikimin e vet pozitiv ose negativ, edhe sipas modelit, që ajo paraqet, edhe sipas politikës, që ndjek ndaj popujve jokinezë brenda territorit të saj. Ndaj dhe shtetet demokratike dhe opinioni ndërkombëtar formuan një shqetësim masiv për zhvillimet e fundit negative në Kinë. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Patrik Ventrell, deklaroi në 26 qershor se "Uashingtoni mbetet thellësisht i shqetësuar për raportet mbi diskriminimin dhe kufizimet ndaj kinezëve ujgurë dhe myslimanë". Ai vuri në dukje se administrata e presidentit Barak Obama po ndjek nga afër raportet për dhunë në Sinkiang dhe u bëri thirrje autoriteteve kineze të bëjnë investigim transparent dhe t'u ofrojnë të ndaluarve mbrojtjen e duhur ligjore në bazë të Kushtetutës kineze dhe të ligjeve e angazhimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ka diçka që nuk ecën në shoqërinë dhe në politikën kineze. Për këtë dëshmojnë Sinkiangu dhe Tibeti. Janë çështje që kërkojnë një rregullim ligjor dhe real në praktikë dhe Pekini ndodhet përpara kërkesës për të dhënë një model demokratik në zgjidhjen e këtyre problemeve nacionale, etnike, njerëzore, fetare dhe kulturore. Ideologjia dhe politika komuniste nuk janë zgjidhje, sepse u provua historikisht se nuk ishin politika dhe ideologjia komuniste, që sollën hopin e madh të tanishëm ekonomik kinez.

Është për t'u vënë në dukje një element. Zhvillimi i vrullshëm i Kinës në planin industrial dhe ekonomik është reklamuar shumë si model, sidomos nga disa qeveri, disa parti apo disa personalitete politike, të cilët kanë një nostalgji të hapur apo të fshehtë për komunizmin. Suksesin e Kinës ata duan ta servirin si një sukses të komunizmit. Kjo shpjegon dukurinë e çuditshme që konstatohet në disa vende ish- komuniste të Europës Lindore, ku disa udhëheqës kanë një afeksion të pashpjegueshëm për politikat e Partisë Komuniste të Kinës. Nuk shpjegohet ndryshe, veçse si një dëshmi e nostalgjisë për komunizmin dashuria e madhe, që lulëzon mes Partisë Demokratike të Shqipërisë, zyrtarisht antikomuniste dhe drejtuesit të saj, kryeministrit, që ndodhet në ditët e tij të fundit, me Partinë Komuniste të Kinës dhe aleanca e ngushtë dypalëshe partiake, që kanë vendosur. Shqipëria është i vetmi shtet anëtar i NATO-s, ku një qeveri e djathtë "antikomuniste" është e inamoruar me Partinë Komuniste të Kinës.

Mrekullia kineze nuk është produkt i politikës dhe i regjimit komunist. Komunizmi në 100 vjet në pushtet nëpër botë as ka bërë e as mund të bëjë mrekullira ekonomike. As mrekullia ekonomike kineze nuk mund të jetë e vërtetë dhe as shoqëria kineze nuk mund të jetë e përparuar, pa zgjidhur problemet nacionale dhe etnike në bazë të parimeve, normave dhe standardeve demokratike ndërkombëtare. Pa ndriçuar edhe anën e errët të mrekullisë kineze, ajo mrekulli nuk mund të ketë as efektin dhe as besimin në botë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë mrekulli ekonomike pa mrekulli demokracie, lirie dhe të drejtash.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
101... E TUTJENga ALBINOT MALOKU (07.02.2013)
PËRVJETORI I MASAKRËS SË ÇAMËVENga FRANK SHKRELI (07.02.2013)
GENTJAN, ENDRIT, JU LUTEM MOS E LEXONI LETRËN E SALI BERISHËS (UPDATED) Nga ELIDA BUÇPAPAJ (07.01.2013)
MANDELA DHE OBAMANga BILL KELLER, New York Times (06.30.2013)
E DJATHTA DHE E MAJTANga RESHAT KRIPA (06.29.2013)
VOTA PARANDALUESENga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.28.2013)
LUFTA E FTOHTË KTHEHETEdward Snowden shton ftohjen në raportet SHBA, RusiNga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (06.28.2013)
A MUND TË KETË NDRYSHUAR DIÇKA NË SHQIPËRI?Nga FRANK SHKRELI (06.27.2013)
RTCG DISKRIMINON SHQIPTARËTNga ALBINOT MALOKU (06.27.2013)
DEMOKRACIA SHQIPTARE DHE NDËRGJEGJËSIMI I ELEKTORATITNga GËZIM ALPION (06.27.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Gusht 2020  
D H M M E P S
            1
2 3 4 5 6 7 8
9 10 11 12 13 14 15
16 17 18 19 20 21 22
23 24 25 26 27 28 29
30 31          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]