E Enjte, 03.28.2024, 09:50am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
NJË VLERËSIM PËR PRAGUN E REPUBLIKËS SË PESTË
Nga ROMEO GURAKUQI*

E Enjte, 07.04.2013, 06:52am (GMT+1)



Shqipëria hyri në zgjedhje në një klimë të acaruar politike, me një sistem elektoral të papërputhshëm me veçoritë e një vendi me dallueshmëri kulturore dhe një shteti unitar, në një vend në të cilin përgjegjësia shtetërore, cilësia e shtetit, ndarja e pushteteve, interesat e publikut gjenden ende në fazat e veta embrionale dhe të pazhvilluara ngjashmërisht me vendet e tjera europiane. Shqipëria është një vend ku partitë politikë garuese në zgjedhje nuk përfaqësojnë ende interesa të gjëra nacionale, por para së gjithash janë përgjithësisht organizata jodemokratike, vende-vende private deri edhe familjare, pa boshte ideologjike dhe politike të përcaktuara dhe pa programe të sendërtuara mbi shqyrtimin profesional të realitetit ekonomik, politik, kulturor dhe institucional të vendit. Një pjesë e tyre kanë krijuar mbështetje rastësore e të paqëndrueshme, të ndërvarur nga paraja e shpërndarë në momentet e këmbimeve elektorale, sidomos në periferitë rurale dhe në suborget e varfra të qyteteve kryesore. Segmente brenda tyre kanë krijuar ndërlidhje deri në pjesët me të kriminalizuara të shoqërisë shqiptare, duke i përfshirë ato drejtpërdrejt në fushata, duke ndotur rëndë procesin zgjedhor dhe rotacionin politik.

Zgjedhjet 2013 u zhvilluan në një mjedis social, kulturor, urban dhe krahinor të diversifikuar politikisht në mënyrë të skajshme, në rrethanat e një përdorimi abuziv e disproporcional të lirisë, një presioni jo të ndershëm ndaj administratës nga ana e pushtetit dhe një etje të verbër për rimarrje e revansh, të pangjashëm për një sistem politik të europianizuar. Gjatë katër viteve të fundit vendi pësoi një ngushtim të lirive individuale, një përpjekje për kontroll të sjelljes dhe qëndrimeve publike të faktorëve të rëndësishëm intelektualë të vendit, një shpërndarje të padrejtë të pasurive që çoi në polarizimin e skajshëm të shoqërisë dhe në ngushtimin e shtresës së mesme; në një korrupsion galopant që u fut në të gjitha poret e shoqërisë, shtetit dhe administratës dhe që asfiksoi çdo përpjekje për shërbim ndaj qytetarit. Më e keqja e të këqijave ka qenë kapja e shtetit nga klientelat me origjina të dyshimta, përsa i përket raportit me ligjshmërinë dhe sendërtimi i një boshti ekonomik me suport politik që priret të qëndrojë në pushtet përmes taktikave transformative të një pozite të përhershme që synon të kontrollojë përhershmërisht shtetin.

Cili është produkti i zgjedhjeve të fundit?

Shqipëria besoj se arriti ta shmangë kolapsin që mund të shkaktonte mungesa e arbitrit të procesit zgjedhor dhe e arbitrave të tjerë të brendshëm ndërinstitucionalë, për shkak të dorëzimit të klasës politike përballë sovranit dhe rregullave të shtetit të së drejtës, falë angazhimit madhor të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe mbështetjes së treguar nga aleatët e popullit shqiptar në NATO.

Por, përzgjedhja klienteliste, jo demokratike nga maja e partive politike e kandidatëve për deputetë, për shkak të implementimit me zemërngushtësi të një ligji absurd elektoral, nuk mund të prodhonte gjë tjetër veçse deputetë (një përfaqësi) të pilotuar, jo përfaqësuese e përputhshme e vullnetit dhe e veçorive të elektoratit, shpeshherë antivlera të qytetarisë dhe frymës europianizuese në të cilën duhet të priret orientimi strategjik i vendit. Mbi të gjitha, deformimet që pësoi procedura e votimit, për shkak të listave jofidable, disa përdorimeve të administratës dhe blerjeve të votave dhe thyerjes së procedurave të Kodit Zgjedhor në hapësirën e lirë dhe të shenjtë të qendrës së votimit, shkaktuan dëmtimin e procesit, deformimin e votës e të fitores së forcave të mirëfillta socialdemokratike dhe liberale brenda gjirit të opozitës mirëfilltë, krijimin e një përfaqësie me përmbajtje nepotike dhe me konflikt të qartë interesash që hipotekisht premtojnë vetëm një shtet të deformuar edhe në të ardhmen.

Fjalimi i parë, më i lavdërueshëm i një fituesi në zgjedhje në historinë e pluralizmit shqiptar, mbajtur nga zoti Edi Rama, është një sinjal shprese që pushteti i ardhshëm nuk do të jetë një pushtet krahinarist, klientelist, korrupsionist, antieuropianist dhe, mbi të gjitha, ai fjalim ngjall një gëzim se e ardhmja do t'i përkasë së drejtës dhe qytetarëve të lirë. Por kjo shpresë më errësohet menjëherë kur kujtoj mënyrën me të cilën u orientua taktika zgjedhore e opozitës së mirëfilltë në qytetin tim të Shkodrës. Ardhja në Shkodër e një europianisti të qytetëruar, e një liberali e socialdemokrati, duhet të ishte e çliruar nga simbolika e pushtimit të Shqipërisë së Veriut nga komunistët, e pastruar nga punizmi, nga taktikat e përdorimit të forcës dhe e mbrujtur me një kualitet përfaqësimi të spikatshëm. Vërtet ndodhi në atë pjesë një ndryshim i dukshëm, por atje ka pasur edhe një infiltrim të padukshëm që ka deformuar besoj rezultatin. Këmbimi i lirë e demokratik i pushteteve është një fenomen i qëndrueshëm i vendeve demokratike, përndryshe përdorimi i strukturave jopolitike për ndikim në proces dhe heshtja para një fenomeni të qartë infiltrues është një goditje e rëndë për demokracinë shqiptare, nga e cila mund të vuajmë për një kohë të gjatë, mbasi mund të sjellë riforcimin në prapaskenë të kundërligjit, që askush mund të mos i bëjë ballë në të ardhshmen. Është një fakt për t'u shënuar, të cilit i duhet dhënë zgjidhje përparësore në të ardhmen më të afërt dhe qyteti dhe rajoni duhet të orientohen nga vendosja me ndershmëri e ligjit dhe e rendit.

Për të arritur deri te Shqipëria e pastër e Republikës së Pestë, është i nevojshëm neutralizimi i gangrenave që gërryen pushtetin dhe që hipotekisht dhe praktikisht po transformohen djallëzisht në pushtetin e ri; është i nevojshëm frenimi i revanshistëve të rinj krahinaristë e punistë dhe ndarja e qartë me falangat militante dhe ato të kundërligjit; është i nevojshëm një balancim i mirëfilltë krahinor dhe kulturor i Ekzekutivit, administratës, sistemit të drejtësisë dhe i shtyllave ndërtimore të piramidës shtetërore; është i nevojshëm një rindërtim i Republikës, duke e pastruar nga hijet e konservatorizmit të shekujve të shkuar, duke riformuluar Kushtetutën, duke e bërë atë më të detajuar dhe pa asnjë zbrazëtirë të lirë për ata që hedhin grushte ndaj së Drejtës, Balancës dhe Kontrollit ndërinstitucional, duke rritur rolin korrektiv, ndërmjetësues dhe drejtues të kreut të shtetit; duke e stabilizuar qëndrueshmërinë qeverisëse, jo duke e bërë atë despotike dhe jokolegjiale, por duke e bërë atë të përgjegjshme dhe të shpjegueshme para publikut dhe institucioneve të Drejtësisë. Republika e Pestë e nesërme ka nevojë të ecë drejt prirjeve aktuale modernizuese të sistemeve qeverisëse, drejt një parlamentarizmi me President korrektiv, ose edhe drejt një gjysmë presidencializmi, nëpërmjet rritjes së pushteteve presidenciale, forcimit të funksioneve kontrolluese parlamentare dhe sendërtimit të institucionit të qeverisë hije. Sistemi ynë ndien të nevojshme rindërtimin nga e para të piramidës së sistemit të drejtësisë, mbi bazën e një modeli më efektiv perëndimor, që së bashku me rritjen e pavarësisë, të profilizimit dhe ekspertizës, do të forcojë paralelisht edhe Institutin e Impeachment-it; duke rindërtuar nga e para, bazuar në profesionalizëm dhe modernizëm, institucionet e rendit publik dhe mbrojtjes së jetës dhe lirisë së qytetarëve.

Shqipëria ka nevojë për një reformim të sistemit partiak në vend, mbi bazën e forcimit të imponuar të demokracisë së brendshme, ndërrimit të pakëmbyeshëm të elitave drejtuese dhe nxjerrjes jashtë ligjit të partive që promovojnë dhunën. Ndalimi me ligj i nepotizmit dhe i konfliktit të interesit, është një prej vuajtjeve më të mëdha në rrugën e bërjes së shtetit. Në mënyrë definitive ky ndalim mendoj se duhet të fillojë nga kupola e shtetit, në të gjitha institucionet paralele dhe duhet të zbresë deri në hallkat bazë të tij, ku dëmi i ndërlidhjeve farefisnore po vdes të drejtën dhe ligjin. Jemi një vend aq i vogël, sa nuk ka hapësirë më për dy familjarë apo kushërinj në një institucion të lartë apo në institucionin paralel kontrollues dhe balancues. Ka ardhur momenti që zgjidhja e çështjeve të nepotizmit dhe e konfliktit të interesit të bëhet një herë e mirë sot dhe jo nesër kur do të jetë tepër vonë.

Hapi tjetër përmbyllës i reformës institucionale do të duhet të jetë ajo administrative, që do të synojë rikompozimin administrativ të Shqipërisë, bazuar në ndarjet tradicionale krahinore paradiktatoriale, reformë e cila mendoj se duhet t'i paraprijë reformës elektorale që do ta shndërrojë rendin elektoral në një sistem maxhoritar një-emëror me një raund që imponon paraprakisht formimin e dy aleancave elektorale të dallueshme, të prira nga një lidership i paracaktuar. Kjo e fundit është e rëndësishme për të rritur qëndrueshmërinë politike dhe përparimin e vendit në paqe.

Kryeministri i Shqipërisë së nesërme do të duhet të mendojë edhe një herë mirë mbi këtë bazë këta dy muaj, për shtetin, sistemin e qeverisjes, formën e organizimit shtetëror, parimet qeverisëse dhe tipin, formatin e koalicionit që do t'i duhet të formulojë nga shtatori e tutje. Për ta filluar nga fundi, pyetja më imediate që shtrohet para atij është konceptimi i koalicionit: a do të jetë ky një aliazh politik i ngritur mbi bazën e modelit otomanist të ndarjes qesim së plaçkës së fitores, siç ishim mësuar ta shikonim 45 muajt e shkuar, apo do të jetë një koalicion programor europianist që nuk ndan dikasteret ndër titullarë të etur për çifligje, por bën fuzionin programor dhe e lë drejtimin dikasterial në duart e profesionistëve të afirmuar dhe të mbështetur nga partitë? Pyetja e dytë, e cila kërkon një përgjigje të argumentuar, ka të bëjë me administratën shtetërore: si do të jetë e mundur të realizohet premtimi i bërë në fjalimin e së premtes parazgjedhore dhe atë të fitores, për një shtet të të gjithëve, në rrethanat e objektivave të ndryshëm të segmenteve përbërës të koalicionit për administratën e nesërme? Si do të mbrohen profesionistët e administratës aktuale të shkolluar në Perëndim dhe ata të formuar në shkolla universitare cilësore me cikël të plotë nga furia e listave të militantëve të organizatave bazë të partive politike të koalicionit? Pyetja e tretë ka të bëjë me periodën e reformës institucionale që do të duhet të shndërrojë Republikën e Katërt, në Republikë të Pestë: A do të shpenzojë ajo reformë gjithë mandatin dhe do të shkojë deri në harresë, apo do të marrë vetëm kohën e nevojshme që i duhet një vendi normal europian me ngutësi integruese për t'u shndërruar në demokraci të mirëfilltë? Cila do të jetë qasja me sovranin në këtë reformë të gjerë institucionale? A do ta kënaqë pozita e re publikun, duke ia vjelë edhe atij mendimin duke i dhënë ngurtësi Kushtetutës? A do të ketë një hap tranzitor me një rikonfirmim të dytë? Pyetja e katërt ka të bëjë me raportin e shtetit me komunitetet: a është e gatshme pozita e re të respektojë veçantitë formative të bashkësive të caktuara shqiptare me botëkuptim historikisht krejt të ndryshëm me botëkuptimin bazës themelore mbështetëse militante të pozitës së ardhshme dhe të ndërtojë marrëdhënie normale në një shtet të të gjithëve? Si do ta bëjë njohjen në shtet të të drejtave të tyre të përfaqësimit adekuat? Si do ta materializojë ndjesinë e bashkësive për të qenin në një shtet që nuk do të persekutojë e margjinalizojë më asnjëherë askënd? Si do të frenojë shtrirjen e strukturave që në disa segmente imponuan fiksim rezultati dhe që tani kërkojnë shpërblim, mbi të drejtat e bashkësive tradicionalisht opozitare?

Dhe pyetja e fundit, por që në rendin e gjërave mbetet vuajtja më e madhe e demokracisë shqiptare, pengu më i madh i pandershmërisë së Republikës së Katërt ka të bëjë me lustracionin dhe përmirësimin e mbrojtjen e mëtutjeshme të pasardhësve të të persekutuarve politikë të regjimit enverist: a është i gatshëm Kryeministri i ri i Shqipërisë europianiste t'i shkojë së vërtetës deri në fund dhe të pastrojë politikën shqiptare nga mëkatarët e djeshëm? Si është konceptuar mbrojtja e praktikave integruese të ndërmarra deri në këtë kohë nga qeverisja demokratike? A është i gatshëm Kryeministri i ri të gjejë dhe të promovojë një ekuilibër të ri politik në vend dhe të frymëzojë paqen ndër shqiptarët e traditave të përkundërta politike, në mënyrë që brezat e rinj të Shqipërisë të njohin të djeshmen jo të lavdishme dhe të ndërtojmë mbi mësimet nga gabimet e së shkuarës, të ardhmen e përbashkët të një kombi të ri modern europian? Si e mendon Kryeministri i ri të bashkojë një komb aq të ndarë politikisht për shkak të trashëgimisë së djeshme dhe të pardjeshme?

Vetëm dy fjalë për pozicionin e Shkodrës në këtë qershor elektoral.

Shkodra e traditës kulturore dhe patriotike ka një arsenal të pashfrytëzuem dhe nji traditë të djathtë, njëkohësisht edhe liberale, që nuk mund të shuhet sot, edhe mbas 50 vjet terrori komunist e pro-komunist dhe deformimit të frymës demokratike në periudhën e tranzicionit. Ky është një fakt që duhet të çmohet e të njihet nga qendra dhe që meriton me u transpozue në sipërfaqe të politikës shqiptare. Drejtimi i ri politik në Tiranë do të duhet të kuptojë atë që s'e kuptuan mirë pararendësit, se ka të bëjë me një qytetari të vetëdijshme për vendin e saj në vllazninë ndërshqiptare, me një bashkësi qytetare të qartë dhe të orientuar, me të cilën do të duhet të bëhet llogari në LIRI, në SHËRBIM PUBLIK, duke ruajtur arritjet e deritanishme, në aspektet e respektimit të normave elementare qytetare dhe duke i çuar arritjet e viteve të fundit më tej: transformimin e qytetit dhe të rajonit në aspektin zhvillimor. Ajo çfarë ndodhi në Shkodër është e lexuar, e kuptuar, e analizuar dhe dokumentuar në detaje nga njerëzit që mendojnë mbi fakte, numra dhe sjellje, të vendosura përballë tyre qartazi, e ndërlidhur me të shkuarën që ka nevojë për analizë të thellë dhe me momentin që detyron reflektim shtetarësh. Gjithsesi, çfarë ndodhi është krejtësisht e ndryshme nga pretendimi fillestar i një rotacioni edhe në Shkodër, dhe për këtë mjafton të vlerësohet rezultati në kompleksitet, duke mos harruar në llogaritje edhe forcat e djathta jashtë koalicioneve. shih: http://result.cec.org.al/Results.aspx?UnitID =72&IsPS=0& Turnout=0& LangID=1). Ky rezultat kërkon lexim të kujdesshëm, vlerësim pa ngutje dhe ai sugjeron politika të matura në të ardhmen, bashkëpunim me bashkësinë qytetare dhe organet e saj të zgjedhura demokratikisht, dhe asnjëherë në kundërvënie me ata, konsulencë dhe ekspertizë para çdo emërimi të varur nga pushteti qendror dhe mbi të gjitha mbyllje e çdo hapësire tash e tutje për çdo listim të kotësisë.  Instituti i Kundërfirmës së Ekzekutivit Krahinor, të zgjedhur me votë të lirë, për emërimet nomenklaturë centrale, duhet të jetë një procedurë që duhet ndërtuar nga e para. Reformat që përmenda më lart do të duhet t'u japin fund edhe në këtë hapësirë imponimeve me sfond jodemokratik, diletantizmit e pilotimit të përfaqësisë. Shkodra ka nevojë për kujdes maksimal në trajtim dhe gabimet e shkuara nuk duhet të përsëriten. Kryeministri i Shqipërisë së nesërme mban përgjegjësinë për ta çliruar mushkninë shkodrane nga hijet e kundërrymës liberale, që nesër mund të bëhen edhe kockat e paasimiluara në gojën e pushtetit të ri. Ky çlirim mund të vijë vetëm përmes seriozitetit të implementimit të politikave centrale demokratizuese në të gjithë hapësirën, përmes pranisë në përmasë të plotë të shtetit në kontrollin e territorit dhe me largimin e çdo segmenti paragjykues nga vendimmarrja regjionale. Sot është koha e shtetit për të gjithë, e trajtimit të barabartë dhe e punës për mirëqenien e qytetarëve.

Vendi tashmë ka nevojë për paqe, përmes njohjes dhe korrigjimit të gabimeve të së shkruarës, së largët dhe të afërt, bashkimit të shqiptarëve në një aksion të përbashkët modernizues të ahtetit, të forcimit të lirive dhe të demokratizimit të mirëfilltë.

-

*Universiteti Europian i Tiranës
Instituti i Historisë Bashkëkohore
Anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës


ROMEO GURAKUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DASHURIA E MADHE MIDIS PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË DHE PARTISË KOMUNISTE TË KINËSNga SHABAN MURATI (07.03.2013)
101... E TUTJENga ALBINOT MALOKU (07.02.2013)
PËRVJETORI I MASAKRËS SË ÇAMËVENga FRANK SHKRELI (07.02.2013)
GENTJAN, ENDRIT, JU LUTEM MOS E LEXONI LETRËN E SALI BERISHËS (UPDATED) Nga ELIDA BUÇPAPAJ (07.01.2013)
MANDELA DHE OBAMANga BILL KELLER, New York Times (06.30.2013)
E DJATHTA DHE E MAJTANga RESHAT KRIPA (06.29.2013)
VOTA PARANDALUESENga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.28.2013)
LUFTA E FTOHTË KTHEHETEdward Snowden shton ftohjen në raportet SHBA, RusiNga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (06.28.2013)
A MUND TË KETË NDRYSHUAR DIÇKA NË SHQIPËRI?Nga FRANK SHKRELI (06.27.2013)
RTCG DISKRIMINON SHQIPTARËTNga ALBINOT MALOKU (06.27.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]