E Martë, 10.23.2018, 03:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ASIMETRIA NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI SERBI
SERBIA SPONSORIZON NJË LOB TË FUQISHËM SERB NË TIRANË
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 07.08.2013, 06:24am (GMT+1)



Marrëveshja e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në 19 prill 2013 mund të merret si shenjë me interes e një prirje ndryshimi në mënyrën e veprimit të diplomacisë dhe të shtetit serb në raportet me shqiptarët dhe me formacionet e tyre shtetërore. Kjo tendencë pozitive konsiston në fillimin e një procesi drejt heqjes dorë gradualisht nga pozicioni asimetrik, që Serbia ka mbajtur dhe mban në marrëdhëniet me Shqipërinë, me Kosovën dhe me kombin shqiptar.

Mendoj se marrëveshja e kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin dhe garancinë e BE, duhet lexuar si një marrëveshje mes dy shteteve dhe jo marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve. Në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare domosdoshmëria dhe prioriteti janë pajtimet dhe marrëveshjet mes shteteve dhe pastaj vijnë pajtimet mes popujve. Mjafton t’i referohemi shembullit klasik të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Francës pas luftës së dytë botërore, ku pajtimi i shteteve solli pajtimin e popujve.

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë karakterizuar nga fenomeni i asimetrisë dypalëshe, që do të thotë se të dy shtetet, ndonëse nga pozicione dhe koncepte diplomatike të ndryshme, kanë aplikuar një lloj asimetrie, e cila ka gjeneruar vazhdimisht tensione, pabarazi dhe jo mirëkuptim. Kjo asimetri ka prodhuar efekte negative në dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat aktualisht mund të karakterizohen si të ngrira. Këtë status e vulosi deklarata patetike në janar të këtij viti e kryeministrit në ikje, me paralajmërimin se ai do të rishikonte të gjitha marrëdhëniet me Serbinë, për shkak të ngjarjes së monumentit të Preshevës. Në këtë proces stanjacioni dhe fazë ngrirje e merr stafetën e marrëdhënieve dypalëshe qeveria e re e kryeministrit të sapozgjedhur, Edi Rama.

1-Asimetria e sjelljes. Serbia ka aplikuar në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë sjelljen e shtetit me status superior, i cili kërkon të krijojë dhe të zhvillojë raportin hierarkik me formulën 1 para 2, dhe jo 1 i barabarte me 1. Ajo që e bën disi të paqartë këtë sjellje serbe, është fakti se Serbia ka patur, ka dhe do të ketë, interesa të rëndësishme strategjike në Shqipëri, pavarësisht se, si rregull, diplomacia serbe nuk i shpreh në programin e saj publik. Provë është për këtë sponsorizimi i vazhdueshëm nga ana e Serbisë i një lobi të fuqishëm serb në Tiranë. Serbia ka praktikuar një vijë mospërfillje dhe neglizhence diplomatike dhe publike për marrëdhëniet me Shqipërinë. Unë kam qenë anëtar i delegacionit të MPJ të Shqipërisë, në Vjenë, në janar të vitit 2001, në bisedimet me delegacionin e MPJ të Serbisë, të cilat rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Mund të rrëfej se kam mbetur i habitur që, shteti i cili kishte ndërprerë marrëdhëniet me Shqipërinë, jo vetëm nuk kërkoi falje dhe as u tërhoq nga motivet, për të cilat preu marrëdhëniet, por e vlerësoi të nevojshme që në mbledhjen konstatuese të marrëdhënieve të shtronte çështjen e një peshkatari shqiptar, që kishte shkelur ujërat territoriale në Liqenin e Shkodrës. Ndërsa delegacioni i Shqipërisë nuk shtroi asnjë kërkesë apo kusht, madje as kërkesën për të hequr minat, që mbolli ushtria serbe në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998-1999 dhe as kërkoi reparacione për dëmet e shkaktuara nga këto mina në Shqipërinë Veriore.

Mospërfillja diplomatike e shtetërore e Serbisë ndaj Shqipërisë dëshmohet nga raporti i shkëmbimeve politike. Në vitin 2012, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, e la detyrën pas tetë vjetësh në atë post, kryeministri i Serbisë pas katër vjetësh në atë post dhe ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, pas pesë vjetësh në atë post, dhe asnjeri prej tyre nuk begenisën të vinin një herë, qoftë edhe për disa orë në vizitë zyrtare në Tiranë. Është një bilanc i paprecedent në marrëdhëniet dhe në historinë diplomatike moderne të rajonit. Është rezultat i asimetrisë së ndjekur nga Serbia, me mospërfilljen e saj diplomatike ndaj Shqipërisë dhe i asimetrisë së ndjekur nga Shqipëria, me inferioritetin e saj diplomatik ndaj Serbisë.

Nuk mund të mos konsiderohet e pakuptueshme sjellja diplomatike e Beogradit, në kohën kur në vitet 2005-2012 Serbia ka patur një penetrim ekonomik në Shqipëri, në gjerësi e thellësi, si asnjëherë më parë, qoftë dhe e krahasuar me kohën e lulëzimit të marrëdhënieve dypalëshe të qeverive të Zogut dhe të Enverit. Serbia fitoi në këtë periudhë pozicione dominuese në energji, në infrastrukturë, në telekomunikacion, në industrinë ushqimore, etj. Por edhe ky pozicion preferencial ekonomik dhe zemërgjerësi tenderësh shtetërorë, për të mos e quajtur “statusi i vendit më të favorizuar”, nuk përmirësoi pozitën e Tiranës në vëmendjen shtetërore të Serbinë. Madje për ta plotësuar më shumë pamjen, mund të shtojmë se Serbia zyrtare dhe mediatike nuk denjoi t’u kushtonte interesin më të vogël zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri.

2-Asimetria e strategjisë. Serbia, pas gjysëmrevolucionit demokratik, që largoi Millosheviçin nga pushteti, afishoi strategjinë e saj ballkanike të arritjes së rolit të liderit në Ballkan. Të gjitha qeveritë serbe, që nga viti 2000 e deri tani, e kanë profesuar hapur këtë strategji të arritjes së rolit lider, e cila në një farë kuptimi do të thotë rol hegjemon. Kjo strategji ka një shtrirje gjeografike, që përkon me termin politiko-gjeografik “Ballkan Perëndimor”, i cili në fakt është ish-Jugosllavia, pa Slloveninë, plus Shqipërinë. Tirana zyrtare nuk e ka kundërshtuar asnjëherë zyrtarisht këtë strategji të Serbisë. Kroacia është i vetmi shtet, që e ka hedhur poshtë në mënyrë të vendosur, si dhe i është kundërvënë zyrtarisht çdo lloj përpjekje të Serbisë për të ringjallur ish-Jugosllavinë në forma të reja, për të krijuar jugosfera e jugoballkanika me Serbinë si pol qendror. Tirana ka heshtur për këtë strategji serbe dhe i është ofruar Beogradit me idetë absurde të një boshti apo faktori serbo-shqiptar në rajon. Është një formulë inefiçente, së pari inferiore, sepse i ofron një pozicion shërbimi një strategjie antiballkanike. Së dyti, është një pozicion, që pa nevojë krijon acarime me shtetet dhe popujt e tjerë të rajonit. Por as këto përçapje përunjëse të diplomacisë shqiptare nuk kanë patur begenisjen e diplomacisë serbe.

3-Asimetria e angazhimit diplomatik për çështjen e Kosovës. Duhet pranuar se pas pavarësisë së Kosovës, lufta e diplomacisë serbe për të trajtuar në arenën ndërkombëtare Kosovën si pjesë të çështjes së saj kombëtare, ka qenë shumë më e fuqishme dhe më e organizuar se sa përpjekjet apo pretendimi i diplomacisë së Shqipërisë për ta paraqitur Kosovën pjesë të çështjes së saj kombëtare. Diplomacia e Shqipërisë ka patur predispozicionin negativ, të ndërgjegjshëm apo të pandërgjegjshëm, për të pranuar tezën serbe, sipas të cilës, çfarëdo që të bëjë Serbia ndaj Kosovës, kjo gjë nuk duhet të prekë marrëdhëniet mes dy shteteve. Kjo ka shkaktuar që diplomacia e Shqipërisë të mos paraqesë asnjë kusht për Kosovën në tratativat dhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Tirana bëri gabimin e pashpjegueshëm, që pas shpalljes së pavarësisë, në një periudhë prej më shumë se një vit, nuk dërgoi një ambasador në Prishtinë. Në kohën që Kosova dhe faktori perëndimor luftonin dhe luftojnë për njohjet ndërkombëtare të saj, qeveria e Shqipërisë regjistron gabimin tjetër të madh dhe të pafalshëm, duke dalë me tezat e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe “të gjithë shqiptarëve në një shtet”, çka zhvleftëson aktin e madh historik të krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës në sytë e opinionit publik ndërkombëtar dhe të diplomacisë ndërkombëtare. Hezitimi i qeverisë së Tiranës për ta konsideruar Kosovën si kusht të zhvillimit të marrëdhënieve me Serbinë, e nxiti Beogradin që t’i bënte Tiranës ofertat për ndarjen e Kosovës mes tyre. Presidenti Boris Tadiç ofroi të pranonte edhe formulën e “Shqipërisë së Madhe”, pikërisht mbi bazën e ndarjes së Kosovës mes dy shteteve. Asnjë qëndrim nuk ka pasur Tirana për këto çështje. Kompleksi i inferioritetit shpjegon edhe inaktivitetin e Tiranës dhe mungesën e një diplomacie serioze për të integruar Kosovën në veprimtaritë dhe në organizimet ballkanike. Madje në këtë çështje, e krahasuar me qëndrimin e Kroacisë dhe të Sllovenisë, Shqipëria ka qenë në bisht të diplomacisë rajonale.

Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie të rëndësishme, por nuk mund të jenë më të rëndësishmet në rajon, aq më tepër po të kemi parasysh perspektivën europiane të rajonit. Marrëdhëniet duhet të ndërtohen si marrëdhënie të barabarta, partneriteti e bashkëpunimi dhe si të tilla duhet të zhvillohen. Por që të arrijnë këtë nivel normal, ato duhet të çlirohen nga vargojt e kësaj asimetrie diplomatike, shtetërore e strategjike, që zbatojnë si njëra, ashtu dhe tjetra qeveri. Vetëm mënjanimi i asimetrisë “mospërfillje-inferioritet” mund të ndihmojë të krijohen marrëdhënie të barabarta, në të mirë të dy shteteve dhe të stabilitetit në rajon. Le të shpresojmë se fryma që vjen nga ecuria e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do ta përmirësojë edhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Serbisë. Por kjo kërkon një diplomaci të re edhe në Tiranë, edhe në Beograd.


SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHËNJTËRIMI I NJË PAPE TË MADH, MIK I GJITHË NJERËZIMIT - E VEÇANËRISHT I SHQIPTARËVENga FRANK SHKRELI (07.08.2013)
SEVDALLINJTË MANJAKË TË PARTIVE - DIVERSION EDHE KUNDËR MEDIAVE ONLINENga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.07.2013)
A DO TË FUNKSIONOJË MARRËVESHJA PËR VERIUN E KOSOVËS?Nga QAZIM TEPSHI (07.07.2013)
KOVA ME VRIMA - GJASHTË RRJEDHJET E FRIKSHME TË VJESHTËS 2013Nga SHENASI RAMA (07.05.2013)
NJË VLERËSIM PËR PRAGUN E REPUBLIKËS SË PESTËNga ROMEO GURAKUQI* (07.04.2013)
DASHURIA E MADHE MIDIS PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË DHE PARTISË KOMUNISTE TË KINËSNga SHABAN MURATI (07.03.2013)
101... E TUTJENga ALBINOT MALOKU (07.02.2013)
PËRVJETORI I MASAKRËS SË ÇAMËVENga FRANK SHKRELI (07.02.2013)
GENTJAN, ENDRIT, JU LUTEM MOS E LEXONI LETRËN E SALI BERISHËS (UPDATED) Nga ELIDA BUÇPAPAJ (07.01.2013)
MANDELA DHE OBAMANga BILL KELLER, New York Times (06.30.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2018  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]