VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Faktori ekonomik përcaktues i politikave shtetërore…
ME NDËRRIMIN E PUSHTETEVE FITOJNË MAFIOZËT DHE HUMBET PËRHERË POPULLI
Nga LEBIT MURTISHI

E Shtunë, 07.20.2013, 06:59am (GMT1)



Pas rrëzimit të sistemit socialist, në të gjithë bllokun e ashtuquajtur lindor, krijohen elitat e pathyeshme ekonomike, që kryesisht vijnë nga radhët e ish elitave politike të ,,përmbysura", të cilat i patën të gjitha mundësitë të,,transformohen" brenda natës në kundërshtarë (madje shumë ekstremë) të sistemit të përmbysur, dhe të krijojnë nga brumi i vjetër, elitat e reja ekonomike dhe rrjedhimisht edhe ato politike...Pa kapërcyer kufijtë kombëtar dhe pa përmendur emra të perveçëm, elita e tashme politike, pavarësisht deklaratave nacionaliste dhe patriotike të kohëpaskohëshme, ka të njëjtën origjinë, ka të njëjtën fytyrë, dhe ka të njëjtin synim: mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, por natyrisht ne kushte te tjera...

Dhe perderisa dje, ne sistemin e shembur socialist, e financonte drejtpërdrejt shteti totalitar, sot financohet nga bosë të rinj, që kryesisht vijnë nga bota e krimit... Analizat janë të tepërta, gjithashtu, kur kemi parasysh ngritjen dhe kontrollin enorm të të gjitha kompanive të fuqishme ekonomike, (nafta, energjetika, minierat, kompanitë telefonike, transportet etj,etj...) nga njerëz të lidhur ngushtë me njerëzit e pushtetshëm, që do të thotë me krimin e organizuar shtetëror...Jemi popull i vogël për të fshehur gjurmët e krimit, për të fshehur pasuritë marramendëse, të krijuara brenda një nate të vetme...Ky shqetësim bëhet dhe më i tmerrshëm, kur ,,detyrohemi" nga miqtë e mëdhenj të pranojmë për përfaqësues këtë garniturë kriminale të quajtur,, elitë politike" !..

Tash, pas një pasqyrimi kaq modest të politikave përfaqësuese të hapësirave gjithëkombëtare, kush beson edhe më tej se kalimi i pushtetit nga një parti ,,e djathtë" tek një ,,e majtë" dhe anasjelltas do të sjellë ndonjë ndryshim qenësor në jetën e qytetarit shqiptar, shumë shpejt do të zhgënjehet... Populli ynë ka nevojë për një vetëdijësim të gjithanshëm, për një ,, katarsis" rrënjësor të brendshëm, që të mund të ,,konkurojë" në botën e madhe të ,,lojërave" politike...Me këto lëvizje pushtetesh fitojnë të njëjtit dhe humbin të njëjtit, fitojnë mafiozët dhe humb përherë populli...

LEBIT MURTISHI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.