VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PËR HERË TË DYTË DUA TË ZHDUKEM NGA KY VENDNga MENTOR KIKIA

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 09:25am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
PËR HERË TË DYTË DUA TË ZHDUKEM NGA KY VEND
Nga MENTOR KIKIA

E Djelë, 07.28.2013, 09:06am (GMT+1)


Unë personalisht i përkas atij brezi, që rininë e kaloi në kapërcyell të dy epokave. Në agoninë e komunizmit dhe agimin e demokracisë që në fakt nuk ishte se ndryshonin shumë. Dëshpërimisht të varfër dhe dëshpërimisht të traumatizuar kur morëm kontaktet e para me botën e madhe dhe mësuam se kishim qenë të rrethuar në një vathë, si të ishim një kope kavjesh eksperimentale për botën tjetër. Asgjë nuk mund ta shëronte atë traumë që përjetuam në mënyrë kolektive. Ndaj dhe për ne studentët e asaj kohe, ëndrra nuk ishte të bëheshim mjekë apo inxhinierë, apo thjesht të ushtronim profesionin për të cilin po studionim. Jo, ne kishim vetëm një ëndërr. Të ikim nga Shqipëria. Madje jo thjesht të iknim, por të iknim nga sytë këmbët. "Dua të zhdukem", thonim tërë mllef asokohe. Me anije, me gomone, me këmbë nëpër male e pyje në verë e në dimër, të ngrirë nëpër kamionë frigoriferikë, të lidhur pas shasive të kamionëve nga Parisi deri në Londër.... Historitë e arrative kolektive e të çmendura të shqiptarëve të dëshpëruar nuk ka regjisor t'i sjellë në përmasat e tyre reale. Unë isha njëri prej atyre që ishin përbetuar se nuk do të ktheheshin kurrë nëse shkelnin njëherë Amerikën. Por unë e shkela disa herë......

Por përse po e risjellim këtë kujtim të frikshëm e të dhimbshëm të shoqërisë sonë, tashmë kur ata që emigruan si shpellarë janë shndërruar në qytetarë të botës së madhe e të lirë, të rriturit u integruan dhe janë socializuar, të rinjtë janë shkolluar, ndërsa ne të tjerët që jemi ende këtu, mund të ikim ku të duam Europës mbarë, pa u rreshtuar pas dyerve të ambasadave e të shikojmë tërë mëshirë një nëpunës spurdhjak ambasade, nga humori i të cilit varej fati ynë.

Një kolegu im më ngacmoi sot për të rikthyer temën e arratisë. "Dua të iki nga ky vend, nuk mund të jetoj më në Tiranë, e në mos iksha larg, të paktën deri në Lushnje, në Rrogozhinë a ku di unë, por dua të iki. Të ndërtoj atje një shtëpi e të qëndroj i qetë".

Në fakt sot nuk është më Shqipëria e 23 viteve më parë, kur njerëzia vinin nga jashtë me televizorë e frigoriferë në kurriz. Shqiptarët i ndërtuan (shumica po, dhe madje shumë të bukura bukur) shtëpitë e reja dhe e kanë modernizuar jetën.

Kolegu im nuk kërkon të "emigrojë" për arsye ekonomike, as jashtë dhe as brenda vendit. Jo jo, arsyeja e tij është fare "banale". Ai nuk po zë vend në pallatin ku jeton, në një apartament shumë të mirë dhe të shtrenjtë që e ka blerë me paratë e tij. Në tarracë dikush ndërton, po shton një kat më shumë. Në kat të parë dikush po ndërton sërish për të bërë një lokal dhe anash një tjetër po zgjeron ballkonin për të fituar hapësirë. Asnjëri nuk ka leje. Të gjithë punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, me matrapik e mjete të tjera, pa pyetur se ai është një mjedis ku njerëzia jeton dhe ka nevojë të pushojë e qetësohet. Pasi në fund të fundit, shtëpitë ndaj janë shpikur. Ata ndërtojnë pa pyetur se shkatërrojnë hapësirat publike, parkun, trotuarin, pemët e stolat, se shkatërrojnë madje edhe vetë strukturën e pallatit. I gjithë kryeqyteti është shndërruar në një kantier ndërtimi dhe kudo ndërtohet pa leje, ose me leje, që janë edhe me keq se ato të paligjshmet. Qytetarët denoncojnë, por askush nuk reagon. Asnjë strukturë policie nuk i përgjigjet telefonatës se atij që ankohet. Askush nuk i përgjigjet atij qytetari që kërkon të jetojë në një vend me rregull e me disiplinë, ku zbatohet ligji njësoj për të gjithë.

"Nuk e kuptoj dot, çfarë po ndodh? Përse nuk ndërhyjnë? I telefonoj çdo ditë policisë dhe i them se në pallatin tim po shtohet një kat dhe po na terrorizojnë. Por asnjëri, askush nuk ndërhyn", më thotë kolegu im. Çfarë duhet bërë? Në fakt çfarë duhet bërë? Kësaj pyetjeje nuk i japim dot përgjigje. Atë që mund ta bëjmë, ne e bëjmë, denoncojmë pranë zyrave të shtetit. Por shteti nuk reagon. Por nuk është vetëm çështja e ndërtimeve pa leje. Shteti nuk reagon për asgjë, duke i hapur udhë paudhësisë dhe të paligjshmes, duke i hapur udhë një bashkëpunimi mes të inkriminuarve dhe të korruptuarve, bashkëpunim që këtë vend po e shndërron në ferr për ata që duan të jetojnë ndryshe. Dhe kjo është një arsye e fortë se përse unë dua sërish të iki nga sytë këmbët nga vendi im. Tashmë jo për të punuar kanaleve të Greqisë apo Italisë, apo qoftë edhe Amerikës, për të mbajtur familjen me bukë e për të blerë televizor me ngjyra. Jo, por sepse dua të jetoj në një vend me rregull. Dua te iki tani, të zhdukem nga këtu, të iki në një vend ku edhe për të krasitur pemën në oborr duhet të marrësh leje në bashki, edhe për të ndërruar dritaren, edhe për të kositur barin, edhe për të ndërruar ngjyrën e murit dhe të gardhit të shtëpisë, edhe për të ndërtuar koliben e qenit duhet të njoftosh dhe marrësh leje në bashki.

Kjo nuk është thirrje e një njeriu fatalist, por është thirrje e një njeriu që dëshiron të jetojë në vendin e tij. Por jo në pisllëk, jo në kaos, jo në një vend ku nuk funksionon asnjë element shteti dhe ku kudo vendos ligji i xhunglës dhe paraja që korrupton çdo nëpunës sharlatan. Nuk e ndërroj vendim tim me askënd në botë, por nuk dua ta shtyj jetën duke denoncuar ata që hedhin plehrat nga dritarja, ata që presin pemët, ata që më lënë tërë natën pa gjumë se bëjnë aheng tek lokali poshtë pallatit, ata që shkatërrojnë mjedisin, ata që s'të lënë të qetë të pushosh në plazh nga zhurmat, ata që të bllokojnë rrugën duke parkuar makinën ku tu teket, ata që të shesin ushqime të skaduara sepse nuk i kontrollon askush, ata që mashtrojnë e vjedhin në çdo veprim që bëjnë, ata që të shesin naftë me vaj makinash të përdorur e të shkatërrojnë makinën.....Nuk dua të jetoj më në një vend, ku për të kaluar tek vijat e bardha duhet të pres e të vë dorën në zemër duke falenderuar shoferin që më lejoi të kaloj.

Nuk po flas këtu për korrupsionin e madh, pasi ai është i tillë edhe në vendet më të zhvilluara e me shtet funksional. Por po flas për këto "gjërat e vogla" që na e bëjnë jetën të padurueshme. Pikërisht për këto më është neveritur vendi im dhe dua tani, më shumë se atëherë kur isha student dhe ëndërroja të kisha një palë atlete dhe një palë xhinse. Dua të jetoj në një vend ku sundon rregulli dhe shteti. Dhe nëse dikush do të ndjehet i ofenduar për mllefin që po derdh ndaj vendit tonë të përbashkët, atëherë po e zbus, duke thënë se dua të arratisem nga ky vend, duke neveritur me tërë fuqinë e shpirtit tim këtë shtet dhe një grusht horrash politikanë të cilëve në mënyrë sistematike u kemi besuar të bëjnë shtetin tonë, por që në fakt ata kanë bërë vetëm shtetin e tyre.
MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MBLEDHJA BALLKANIKE E NIVELIT TË LARTË NË SLLOVENINga FRANK SHKRELI (07.26.2013)
KËRKESAT PËR LULZIM BASHËNNga SAMI REPISHTI (07.25.2013)
NJË MINISTRI PËR DIASPORËNLETËR E HAPUR nga ARTUR VREKAJ, Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI, Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI, Worcester, Massachusetts, SHBA (07.24.2013)
TRI REVOLUCIONET E EGJIPTITNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (07.24.2013)
SHEKULLI I KLLAPISËNjë film mbi shëmbjen e komunizmit shfaqet në Kongresin amerikanNga FRANK SHKRELI (07.22.2013)
DISA VËREJTJE PËR MIKUN TIMNga RESHAT KRIPA (07.22.2013)
PD TO BE OR NOT TO BE - HUMBËSI I 22 KORRIKUT A DO TA PRANOJË HUMBJEN?Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.22.2013)
A KA KUPTIM BASHKIMI EUROPIAN PËR POPULLIN SHQIPTAR!Nga LEBIT MURTISHI (07.22.2013)
FILLIMI I RI NË PD, NJË SHANS I HUMBURNga AFRIM KRASNIQI (07.21.2013)
DUHET PËRKUSHTIM TË JESH VEPRIMTAR I DIASPORËS SË AMERIKËSNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA-SHBA (07.21.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]