VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TAP NUK ËSHTË ÇLIRIMI I DYTË I SHQIPËRISËNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 05:39pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
TAP NUK ËSHTË ÇLIRIMI I DYTË I SHQIPËRISË
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 07.29.2013, 06:23am (GMT+1)


Fushata e qeverisë në ikje për glorifi kimin e projektit të gazsjellësit "Transadriatik", TAP, i ngjan në të gjitha drejtimet fushatës së dikurshme të qeverisë komuniste për kombinatin metalurgjik të Elbasanit, që u cilësua çlirimi i dytë i Shqipërisë. Nuk mbeti zyrtar i lartë i qeverisë dhe i partisë pa u lëshuar në periudhën postzgjedhje, që t'i tundë gjithë shqiptarëve autolëvdatën se qeveria humbëse po u linte trashëgim si dhuratë projektin e madh të çlirimit të dytë të Shqipërisë me emrin TAP. Kryeministri në ikje, i cili nga shkolla fillore në fshatin malor të lindjes mban mend vetëm shkallën sipërore të mbiemrave, e cilësoi TAP-in si arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit të saj në NATO. Madje edhe në fjalimin patetik në ditën e simulimit të dorëheqjes nga posti i kryetarit të partisë, ai lëshoi mburrjen: "Theksoj për gjithë shqiptarët se TAP është një arritje historike e jona". Zyrtarë të tjerë e kanë zbërthyer këto ditë direktivën e madhësisë së çlirimit të dytë të Shqipërisë, duke e cilësuar TAP-in si çelësi i zhvillimit ekonomik, industrial dhe energjetik të Shqipërisë. Idiotizmi zyrtar shkon gjer në pretendimin se zgjedhja e projektit TAP në vend të projektit "Nabucco" nga ana e konsorciumit të "Shah Deniz 2" në Azerbajxhan, ka qenë produkt i lobingut të kryeministrit, madje fantazia qeveritare shkoi deri në shpikjen e aftësive të rralla të një ekipi negociator shqiptar. Dalldia diplomatike e qeverisë ngjitet deri atje, sa që edhe për takimet në 22 korrik të kryeministrit në ikje me ambasadorët e Estonisë dhe të Maqedonisë, shkruhet në komunikatat respektive, pa iu përmbajtur asnjë shenje pikësimi diplomatik, se "në takimet u vlerësua projekti TAP", ku as mendja më profane nuk mund të kapë dot një interes të Estonisë për TAP-in apo interes të Maqedonisë, e cila nuk ka lidhje me TAP-in dhe në ditët e ardhshme do të nënshkruajë marrëveshjen me kompaninë ruse "Gazprom" për të lidhur Maqedoninë me gazsjellësin ndërkombëtar të Rusisë "South Stream", i cili ka filluar nga ndërtimi që në dhjetor të vitit të kaluar.

Natyrisht gazsjellësi TAP është një projekt i rëndësishëm, i cili pritet të ketë efekte pozitive ekonomike e financiare dhe rreth dy mijë vende pune për Shqipërinë, territori i së cilës do të jetë pjesë e tranzitimit të gazit, që do të vijë nga Azerbajxhani dhe do të shkojë në Itali. Në këtë kuadër, nuk mund të ketë dyshime se shqiptarët, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, e përkrahin këtë gazsjellës ndërkombëtar, nga i cili vendi do të ketë përfitime, por të cilat nuk duhen veshur me hiperbola. Opinioni shqiptar ka nevojë që qeveria në ikje të mos shesë një fshat të Potjomkinit të llojit të "çlirimit të dytë të Shqipërisë". Ka nevojë të njohë realisht përmasën dhe efektin, që do të ketë gazsjellësi TAP për energjinë dhe ekonominë e Shqipërisë.

Përtej euforisë partiake të tipit komunist, në radhë të parë, opinioni ka nevojë për transparencë dhe të dijë se cilat janë kushtet, me të cilat qeveria shqiptare në ikje ka rënë dakord me konsorciumin financues të projektit. Ka nevojë të dijë nëse Shqipëria do të ketë ndonjë lloj pronësie të segmentit të gazsjellësit, që do të kalojë nëpër territorin shqiptar, dhe nëse do të ketë, cila është përqindja e shtetit shqiptar në këtë pronësi. Sepse Bullgaria i zgjati disa vjet tratativat me kompaninë ruse "Gazprom" lidhur me bashkëpronësinë e segmentit të gazsjellësit "South Stream", që do të kalojë nëpër territorin e Bullgarisë, duke zhvilluar tratativa të gjata për të diskutuar sesi do të bëhet ndarja e paketës së aksioneve , me 51 për qind apo me 49 për qind. Nga ana tjetër, opinioni publik ka nevojë të dijë se cila do të jetë taksa e përvitshme, që Shqipëria do të vendosë për kalimin tranzit të gazit nëpër territorin e saj. Është e natyrshme dhe praktikë e shteteve tranzituese, që ata të përfitojnë nga tranzitimi i gazit, edhe për të kaluar një pjesë të tij në shërbim të konsumatorëve vendas. Ndaj duhet të dihet, nëse është parashikuar, se në çfarë kushtesh do të lejohet lëshimi i gazit brenda vendit, se me çfarë çmimi do të marrë Shqipëria tranzituese këtë gaz, në çfarë sasie vjetore dhe për sa vite planifikohet kontrata.

Në praktikën e shteteve të tjera tranzituese ekziston krijimi i një kompanie vendase të tregtimit të gazit tranzitues brenda vendit, dhe të ndërlidhjes me kompaninë pronare të gazit, që tranzitohet. Qeveria nuk i ka dhënë informacion deri tani publikut, nëse është krijuar apo do të krijohet një kompani e tillë në Shqipëri, dhe kush do ta krijojë atë, shteti apo individë. Sepse opinioni duhet ta dijë nëse do të jetë kompani shtetërore dhe të ardhurat do të shkojnë në buxhetin e shtetit, apo do të jetë korrupsioni qeveritar i radhës dhe atë kompani fitimprurëse të gazit do ta shohim t'u delegohet sejmenëve të qeverisë në ikje.

Për këdo është e qartë se TAP nuk ndërtohet për sytë e bukur të qeverisë shqiptare, por për interesat financiare të konsorciumit financues dhe të konsorciumit furnizues, të cilët gjykuan dhe vendosën se u përshtatet që gazsjellësi të kalojë edhe nga territori ynë. TAP është një projekt biznesi dhe si i tillë fitoi nga parametrat e veta tregtare në garën me konkurruesin tjetër europian "Nabucco West", i cili në planin gjeopolitik e gjeostrategjik kishte më avantazhe se sa projekti TAP. Kjo do të thotë se, duke qenë që projekti TAP fitoi nga parametra tregtarë, qeveria shqiptare nuk ka të drejtë morale ta shesë si projekti më i madh strategjik dhe të krenohet se po na sjell çlirimin e dytë të Shqipërisë.

Qeveria në ikje nxitoi ta cilësonte si arritja më e madhe strategjike pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Por për Shqipërinë si shtet, kalimi i gazit në territorin e saj nuk është ndonjë ekskluzivitet i veçantë, që po ndodh vetëm për Shqipërinë. Në të gjithë shtetet e Ballkanit kalojnë dhe do të kalojnë gazsjellës ndërkombëtare, por deri tani asnjë qeveri e këtyre shteteve, nuk ka shpërthyer në eufori zyrtare për bumin ekonomik dhe të mirëqenies, që do të sjellë tranzitimi i gazit nëpër atë vend. P.sh. gazsjellësi "South Stream", që është projekt më i madh se TAP-i dhe do të kushtojë katër herë më shtrenjtë se TAP-i, do të kalojë në Bullgari, në Serbi, në Bosnjë-Hercegovinë, në Slloveni, në Kroaci dhe në Austri, dhe asnjë qeveri e ndonjërit prej këtyre shteteve tranzituese nuk është lavdëruar se po i bën një dhuratë të madhe popullit, pse po kalon gazsjellësi nëpër territorin e atij shteti. Nuk po përmendim shtetet e tjera ish komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, ku kalojnë tranzit gazsjellës të ndryshëm. Nuk kemi parë ndonjë bum rritje të paparë ekonomike apo të standardit të jetesës nëpër shtetet tranzituese të gazit, sepse tranzitimi është vërtet një aktivitet ekonomik me leverdi, ku shteti merr taksat e tranzitimit, gjë që është pozitive, por jo zgjidhje e problemeve ekonomike dhe e nivelit të ulët të produktit të përgjithshëm kombëtar.

Nuk është e qartë se si mund të fryhet kaq shumë pjesëmarrja e Shqipërisë si vend tranzit në projektin TAP, kur Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që, së pari nuk përdor dhe nuk ka nevojë aktualisht për gaz, dhe së dyti, Shqipëria nuk është e varur nga gazi rus, që të pretendojë se po realizon diversifikimin e burimeve të furnizimit të saj me gaz. Sepse gjëja e parë, që do të duhet të bëjë Shqipëria për t'u shndërruar në konsumator i gazit, është të ndërtojë një rrjet kolosal gazifikimi në të gjithë territorin e vendit, që të shfrytëzojë për nevojat e veta gazin, që do të vijë nga Azerbajxhani. Dhe kushdo e ka të qartë se gazifikimin e kushtueshëm të Shqipërisë nuk do ta bëjë as Norvegjia, as Zvicra dhe as Azerbajxhani, por do ta paguajnë vetë shqiptarët. Qari dhe qederi janë motër e vëlla në biznes, thotë një shprehje e vjetër tregtare.

Ekspertët shprehen se TAP është një projekt, që nuk pakëson varësinë e Europës nga gazi rus në shkallën, që do ta pakësonte këtë varësi energjetike gazsjellësi "Nabucco West". Eksperti Elkhan Shahinoglu, drejtor i Qendrës së Kërkimeve "Atlas" në Baku, shprehej në "Eurasianet" në 23 korrik se "TAP nuk i prek interesat ruse në Europë". Euforia qeveritare për projektin TAP si çlirim i dytë i Shqipërisë harron se ajo bie ndesh me një eufori tjetër të madhe të po kësaj qeverie në ikje dhe që është projekti i "Shqipërisë si superfuqi energjetike". Një superfuqi energjetike, e cila po shpërndan licencat e ndërtimit të hidrocentraleve si fletët e reklamave që vihen falas nëpër makinat e parkuara, çfarë nevoje do të ketë për gazin, nëse një nga objektivat e shfrytëzimit të gazit do të jetë prodhimi i energjisë elektrike. Zyrtarët e kësaj qeverie duhet ta dinë se edhe në Itali disa uzina, që prodhojnë energji elektrike nga gazi, janë mbyllur dhe i janë kthyer prodhimit të energjisë nga qymyri, sepse kushton më lirë.

Fryrja e TAP-it si çlirimi i dytë i Shqipërisë është në vijën e filozofisë së kësaj qeverie në ikje dhe të qeverisë së dikurshme komuniste për ta ushqyer popullin me lugë të zbrazët. Është një produkt i varfërisë së ideve dhe të rezultateve të një qeverisje të lodhshme të stërgjatë, e cila filloi dhe mbaroi me ëndrrat enveriste të çlirimit të dytë të Shqipërisë.

ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LADORISHTI, NJË NDËRGJEGJE E NGARKUAR HISTORIKE...Nga LEBIT MURTISHI (07.28.2013)
PËR HERË TË DYTË DUA TË ZHDUKEM NGA KY VENDNga MENTOR KIKIA (07.28.2013)
MBLEDHJA BALLKANIKE E NIVELIT TË LARTË NË SLLOVENINga FRANK SHKRELI (07.26.2013)
KËRKESAT PËR LULZIM BASHËNNga SAMI REPISHTI (07.25.2013)
NJË MINISTRI PËR DIASPORËNLETËR E HAPUR nga ARTUR VREKAJ, Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI, Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI, Worcester, Massachusetts, SHBA (07.24.2013)
TRI REVOLUCIONET E EGJIPTITNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times (07.24.2013)
SHEKULLI I KLLAPISËNjë film mbi shëmbjen e komunizmit shfaqet në Kongresin amerikanNga FRANK SHKRELI (07.22.2013)
DISA VËREJTJE PËR MIKUN TIMNga RESHAT KRIPA (07.22.2013)
PD TO BE OR NOT TO BE - HUMBËSI I 22 KORRIKUT A DO TA PRANOJË HUMBJEN?Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (07.22.2013)
A KA KUPTIM BASHKIMI EUROPIAN PËR POPULLIN SHQIPTAR!Nga LEBIT MURTISHI (07.22.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]