VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Barometri diplomatik
KOSOVA 'ATDHE I PËRBASHKËT SERBO-SHQIPTAR' - IDE E RREZIKSHME PËR SHQIPËRINË ETNIKE!
Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI

E Enjte, 08.01.2013, 09:27pm (GMT1)


***Të mos keqkuptohemi dhe të moskeqinterpretohemi, se askush nuk po ua mohon të drejtën serbëve e as minoriteteve të tjera që, si shtetas të barabartë me shqiptarët (90%), të jetojnë në shtetin e përbashkët të Kosovës, sepse këtë të drejtë të të gjithë e kanë të garantuar me ligjet, me Kushtetutën e Kosovës (15.06.2008), si dhe me të gjitha konventat dhe protokollet ndërkombëtare. Kjo nuk është e diskutueshme, por atdheu u përket vetëm shqiptarëve ngaqë të të tjerët nuk kanë gjenezën etnike, historinë, tradidtat, zakonet dhe kulturën e përbashkët të të parëve të tyre sikurse shqiptarët që kanë mbi truallin etnik-atdheun e lashtë mijëravjeçar të etërve të tyre.

Kosova shtet i përbashkët, por jo edhe "atdhe i përbashkët"!!!

*** Ja se çfarë "apeli historik" ua ka drejtuar serbëve të Kosovës, (posaçërisht atyre në Veriun e saj, të cilët, ashtu sikurse Serbia nuk po duan ta njohin Republikën e Kosovës, as Presidenten e Kosovës) Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: "...Atdheu juaj është Kosova, vendi i aspiratave dhe mundësive të mëdha. Atdheu juaj është Kosova, vendi i shpresës dhe përgjegjësive të përbashkëta. Ejani që ta ndërtojmë së bashku për mirëqenien tonë dhe për të ardhmen e sigurtë e më të mirë"! (http://besimtari.com/site/2012/12/13/jahjaga-serbeve-ne-veri-kosova-eshte-atdheu-juaj/.

Presidentja Jahjaga nuk ka "atdheun e përbashkët" me serbët, por vetëm shtetin, sepse "atdheu" dhe "shteti" nuk janë nocione të barasvlerëshme as në kuptimin historik, as etnik, as politik, as juridik, as kushtetues e as në kuptimin e përgjithshëm të tyre. Kështu që, pa marrë parasysh dëshirën dhe interesin politik të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të ketë një "atdhe të përbashkët me serbët", siç ka deklaruar më 13 dhjetor 2012, kjo dëshirë është e parealizueshme dhe utopike mbase Kosova është vetëm ATDHE i shqiptarëve dhe, i askujt tjetër! Këtë duhet ta dijnë të gjithë shqiptarët dhe, të gjithë serbët. Ndryshe, luftrat, konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet tyre, nuk ka gjasë që të marrin fund, pavarësisht nga fakti se Kosova, tanimë, është e pavarur dhe sovrane, duke falënderuar Amerikës dhe aleatëve të saj evro-perëndimorë(17/02/2013).

Pavarësisht se çfarë ka dashur të thotë (politikisht dhe diplomatikisht, në frymën e Evropës së re integruese dhe demokratike, që me çdo kusht të pajtohen shqiptarët dhe serbët) me këtë deklaratë zrytare presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duhet të pranojmë të vërtetën si dielli se Kosova kurrë nuk ka qenë, as nuk është dhe, kurrë kurrë nuk do të jetë ATDHE i përbashkët i serbëve dhe i shqiptarëve, edhe përkundër faktit se serbët, që nga koha e krijimit të shtetit të parë serb nga dinastia e nemanjiqve ( së pari, në territorin e Malit të Zi, e pastaj në Rashkën e Serbisë) e, edhe sot (2013), Kosovën e këndojnë dhe e vajtojnë si "atdhe", edhe si"djep", edhe si "zemër", edhe si "kokë" serbe, pa të cilën "nuk mund të ketë Serbi", ndër të tjerë, kështu ka deklaruar, edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej :"Serbia pa Kosovën nuk është Serbi. Për mua Serbia pa Kosovën është një trup pa kokë. Vendi ynë nuk mund të jetë pa kokë dhe pa Kosovën."(Shih: M.Hyseni, UÇK-ja dhe e Drejta Ndërkombëtare, "Kuvendi", tetor 2010, f.207).

Ideja dhe praktika fashistoide "Kosova atdhe i serbëve" ka mbajtur Kosovën peng si koloni të Serbisë, jo më pak se 100 vjet (1912-1999)!

Fatkeqësisht, duke u mbështetur mbi këtë ide të etnonacionalizimit dhe fashizmit paranoid kolektiv serb, edhe regjimi gjenocidal dhe pushtues paramilitar, militar dhe policor i Serbisë së Slobodan Milosheviqit, e riokupoi dhe e dogji Kosovën (1989-1999).

Shkak dhe pasojë e të gjitha luftrave pushtuese koloniale dhe gjenocidale të Serbisë në Kosovë dhe në Anamoravë, pikërisht ka qenë teza e falsifikuar shekullore e shkencës, e shhtetit dhe e kishës serbe, se Kosova "është atdheu i serbëve", kurse Anamorava "Juzna Srbija". Ky është problemi kryesor, që edhe sot, në fillimshekullin XXI(dekada e dytë, viti 2013), është "arrë në fyt" e marrëdhënieve serb-shqiptare ngase as shteti, as akademia e as kisha ortodokse serbe, nuk duan të braktisin tezat e rreme antishqiptare, kur është fjala për Kosovën, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën ngase të gjitha këto territore indigjene të Shqipërisë Etnike, i konsiderojnë si "ATDHE TË SHENJTE" të serbëve në Ballkan.

Për të mos përsëritur gabime të tilla naive, të cilave iu gëzohet vetëm shteti dhe kisha serbe me në krye patriarkun Irinej, se gjoja " Kosova është atdhe serb", Zonjës së nderuar Presidente të Kosovës, Atifete Jahjaga, i sugjorejmë, që të lexojë veprën "Të drejtat e Shqipërisë Etnike", 2004, f.18-22), ku flitet hollësisht për kuptimin etimologjik dhe lëndor të nocioneve "atdhe", shtet dhe "komb". Edhe pse këto terma shpeshherë përdoren dhe quhen sinonime, nuk janë të barasvlerëshme për nga kuptimi i tyre.

Së fundi, asnjë lider politik dhe, asnjë shqiptar, nuk duhet të manipulojë me termin "Kosova atdhe i përbashkët serbo-shqiptar", sepse në këtë mënyrë direkt dhe indirekt përligj, fuqizon dhe riaktualizon idenë famëkeqe "Kosovo je Srbija", që do të thotë justifikimin "paroxysm of terror" të Serbisë mbi shqiptarët dhe Kosovën e Shqipërisë Etnike, sikurse këtu e 100 vite më parë.

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.