VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - REVOLTA VERORE E PRESIDENTIT NISHANINga AFRIM KRASNIQI

                                                                                      

E Martë, 04.16.2024, 07:23am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
REVOLTA VERORE E PRESIDENTIT NISHANI
Nga AFRIM KRASNIQI

E Djelë, 08.18.2013, 08:26am (GMT+1)


Presidenti i Republikës ka reaguar për herë të parë ndaj debateve publike që lidhen me funksionin e tij. Një ditë më parë eksponentë politikë, civilë dhe media kritikuan vendimin e tij për dekretimin e kalimit të SHQUP si seli e PD pa miratimin e Shtabit të Përgjithshëm, hodhën dyshime për konflikt interesi në procesin e kthimit të selisë aktuale të PD tek pronarët, si dhe një vendim jo-transparent të qeverisë për shtesa në fondin financiar të presidencës. Presidenti reagoi ashpër, tha se ndjehet nën sulme, shantazh dhe presione nga mazhoranca e re (e cila nuk ka ardhur ende në pushtet) dhe më poshtë sqaroi pikën e tretë të kritikës, atë që lidhet me fondin rezervë.

Për dy pikat e tjera nuk pati sqarim. Siç nuk ka pasur informim transparent publik për shkarkimet në fushatë në krye të Shtabit të Përgjithshëm, për emërimet e fundit të dyshimta në hierarkinë e gjyqësorit dhe Shkollës së Magjistraturës, etj. Gjithsesi, vendimi i Presidentit për t'iu kundërvunë publikisht frymës kritike të mazhorancës së re (të majtë) përbën risi, një zhvillim interesant dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet institucionale midis kreut të shtetit, partive politike dhe veças, mazhorancës së re. Nëse vërtetë do kishte akte të tilla kundër presidentit unë do të isha dhe do të jem një prej atyre që do të flisja me zë të lartë kundër tyre. Sepse një shoqëri serioze duhet të mendohet mirë kur e zgjedh kreun e shtetit, por pasi e zgjedh, duhet ta respektojë në integritetin dhe simbolikën e tij.

Le të shohim faktet. "Revolta" e Presidentit përbën risi sepse vjen si zhvillim i nxitur, i panevojshëm, pa ndonjë përfitim dhe pa pritshmëri. Ai nuk e ka uruar ende publikisht mazhorancën e re, siç do të duhej të ndodhë në çdo vend demokratik, dhe pa e bërë këtë, ndërmerr një akt denoncimi publik e institucional kundër saj. Presidenti e priti në takim kryeministrin në pritje dhe publikut nuk iu shpreh ndonjë shqetësim rreth këtij takimi. Publiku mbeti i painformuar edhe për takime të tjera të shumta me kryeministrin në detyrë, me eksponentë politikë etj, ndërkohë që në asnjë relacion formal dhe informal të diplomatëve perëndimorë në Tiranë, nuk është përmendur nevoja për mbrojtjen e institucionit presidencial nga ndonjë presion.

Përkundrazi. Edhe në rastin konkret: kur kreu i shtetit ankohet se është "kërcënuar" dhe "shantazhuar", dy akte që përbëjnë vepra penale dhe dënohen me ligj, - pakkush e mori seriozisht. Presidenti nuk bëri padi penale, as nuk ndoqi rrugën ligjore ndaj autorëve që bëjnë kërcënime e shantazhe, por vendosi ta bëjë denoncimin në mënyrën më iracionale, përmes një pamfleti politik "en bloc" kundër mazhorancës së re. Duke rikujtuar se kur flitet për simbol të unitetit kombëtar, në asnjë rast nuk mund të dalin deklarata politike presidenciale kundër një pale politike, për më tepër, duke i nisur nga zëra të lirë subjektivë, jo zëra institucionalë. I nxitur nga të tjerë, i këshilluar keq, prekur nga fakti se fondi shtesë realisht lidhej me takimin presidencial rajonal, i ndjerë i fyer nga ndonjë metaforë populiste të medias, i prirur për një raport të ri politik, etj, etj, - thelbi i aktit mbetet i njëjtë. Në çdo analizë akti i fundit presidencial dëshmon nervozizëm ta panevojshëm,  nuk është kushtetues, as ligjor, as moral, - është tërësisht politik dhe si i tillë, është i nxitur dhe jashtë formatit kushtetues që përfaqëson dhe duhet të prezantojnë kreu i shtetit.

Duke iu referuar reagimeve politike të cilat kanë shqetësuar Presidentin, vlen të theksohen disa detaje. E para, zyrtarisht nga nuk ka asnjë deklarim politik nga mazhoranca e re. E dyta, kryetarët e PS-LSI nuk kanë dhënë asnjë deklarim denigrues ndaj Presidentit. E treta, disa deklarime anësore nga eksponentë që bëjnë luftë politike në FB apo protagonistë vullnetarë në studio televizive, nuk mund të merren seriozisht për të marrë përgjigje nga Presidenti, me deklarim zyrtar. E katërta, duhet bërë një ndarje e qartë midis kritikave, akuzave dhe kufirin ndarës të tyre me kërcënimin, shpifjen apo shantazhin. Kritika dhe akuza ka të drejtë të bëjë kushdo, edhe ndaj kreut të shtetit. Edhe z. Nishani ka bërë me shumicë të tilla ndaj paraardhësve të tij kush ishte ministër apo politikan aktiv. Nga kjo nuk vjen asgjë e keqe. Ndodh kudo, në çdo vend dhe përbën një mekanizëm të demokracisë.

Pjesa tjetër që lidhet me shpifje, kërcënime e shantazh meritojnë rivlerësim. Kur ka shpifje ka gjithnjë sqarim publik ose nismë për padi në gjykatë. Kur ka kërcënim e shantazh ka vetëm rrugë ligjore të denoncimit të tyre. Nga deklarimet e ditëve të fundit bërë nga deputetë të rinj apo të vjetër, politikanë anësorë apo media, - përveç ndonjë rasti të gjuhës fyese (tipike për vende me kulturë politike minimale si Shqipëria), është folur për komision hetimor parlamentar, nisma për ndryshim të kompetencave apo ligj të ri organik për Presidentin. Asnjëra prej këtyre nismave nuk është antiligjore apo antikushtetuese, përkundrazi. Në raste të tilla kreu i shtetit duhet të nxisë palët të përdorin pikërisht mekanizma të tilla kushtetues për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, - jo të investohet në ndalimin e tyre në embrion.

Në këtë debat iracional mbetet disi më problematikë sjellja publike e institucionit të Presidentit ndaj akuzave që bëhen. Le të marrim çështjen e pronësisë së selisë së PD. Pjesa më e madhe e saj ka qenë Ministria e Komunales në kohën e regjimit komunist, më shumë se 50% e saj është ndërtuar nga poseduesi i ri. Ky është rasti i parë kur shteti vendos që ndërtesën e një ministrie ta kthejë tek pronarët, kur vetë Ministritë kanë mungesa të theksuara ambientesh. Rezidenca qeveritare në Vlorë i është kthyer pronarëve me vendim gjykate, por nuk zbatohet prej vitesh, - një standard i dyfishtë për të njëjtët aktor politikë e institucionalë si në rastin e shtëpisë së partisë.

Nga ana tjetër, pronarët kanë të drejtë ligjore të kërkojnë kthim pronësie, dhe kushdo qoftë ai, duhet ti bëjë publike dokumentet, - jo të fshihet pas pushtetit aktual dhe imunitetit që shoqëron atë. P.sh, në vend të deklaratës politike kundër mazhorancës së re do të duhej të informohej publiku nëse vërtetë ka pasur konflikt interesi në këtë çështje, apo nëse vërtetë kreu i shtetit (kryekomandanti) ka firmosur pa marrë parasysh mendimin e Shtabit të Përgjithshëm. Në dy rastet mund të mos ketë vend për shkelje ligjore apo kushtetuese, por gjithnjë ka vend për transparencë publike. Detyrimi për transparencë është detyrim kushtetues, normë demokratike, cilësi udhëheqjeje dhe praktikë bashkëkohore, - ndaj çdo institucion e zyrtar vendimmarrës duhet të aplikojë atë, edhe kur është jashtë orarit zyrtar të punës.

Mësimi që nxirret nga ky rast nuk është vullneti për të krijuar mure ndarës me konotacion të dyanshëm militant dhe të dëmshëm për vendin, por aftësia për të dëshmuar sjellje institucionale dhe për të bërë transparencë publike, për gjithçka dhe në çdo kohë. Kjo vlen për Presidentin, për qeverinë në ikje, për Shtabin e Përgjithshëm, për qeverinë në pritje dhe për këdo tjetër që paguhet me taksat tona dhe është aty edhe për të përmbushur detyrimet e normat kushtetuese të një demokracie funksionale. Kur ka transparencë nuk ka vend për spekulime, kur ajo mungon, kujtdo i lind e drejta e spekulimit publik, sidomos kur bëhet fjalë për vendime që kanë ndikim direkt ose indirekt në debatin politik, stabilitetin politik, klimën politike apo interesat publikë.

Në aspektin kushtetues Presidenti aktual ka mbrojtje të fortë kushtetuese dhe me siguri, nëse gëzon shëndetin e plotë dhe s'ka ndërmend të japë dorëheqje, - do ta konsumojë plotësisht mandatin presidencial. Çdo nismë hetimi është pozitive, por çdo nismë shkarkimi do të ishte naive, e gabuar, jashtë çdo konteksti "rilindës" apo reformator. Madje, çdo nismë e tillë do të kthehej disfavor afatshkurtër, në dëm të institucionit presidencial e legjislativ, si dhe ironikisht edhe në dëm të interesit afatgjatë të vetë mazhorancës së re. Një eksponent i saj ka kërkuar të jetë pasues i Presidentit në mandatin tjetër, kërkesë që do të mund të diskutohej në pranverën e vitit 2017, por që ironikisht askush nuk do të donte ta diskutonte/realizonte tani. Dhe kështu, "fati" real i Presidentit aktual, tej mandatit kohor kushtetues, është pikërisht mazhoranca e re, marrëveshjet brenda saj, dhe praktikat e deritanishme të rasteve të tilla.

Ngjarje të tilla duhet krijojnë hapësirë reflektimi për të gjithë, për evitimin e tyre por edhe për një fillim të ri në marrëdhëniet institucionale e politike në vend. P.sh, mazhoranca e re bëhet zyrtare në shtator, atë muaj ata do të betohen përpara Presidentit, i cili ndërkohë i ka para-akuzuar ata për shantazh e kërcënim!!! Kjo skenë absurde do vijojë me dekrete presidenciale për ndryshime në SHISH dhe vende vakant në disa institucione të tjera, sipas vullnetit politik real të mazhorancës së re. Bashkëjetesa e detyruar zgjat 4 vjet, dhe në kohë rotacioni politik, është një rast i mirë për të provuar nëse ne dimë të ndërtojmë vetëm parti-shtet, apo edhe të bashkëjetojmë sipas frymës kushtetuese dhe modelit të një demokracie funksionale.

Vetë kreu i shtetit ka gjithashtu vend për reflektim. Në staturën e tij publike, në cilësinë e deklarimeve, në aktet e sjelljes publike, në pozicionin e qartë jashtë partiak, në seriozitetin e akteve shtetërore, në respektin thelbësor ndaj germave dhe frymës kushtetuese, në respektin e traditave më të mira presidenciale dhe në promovimin e dialogut institucional e politik, larg notave denigruese e përçarëse të lejuara paradoksalisht të bëhen ndonjëherë edhe nga stafi i tij. Presidenti duhet tu flasë qytetarëve për shqetësimet e tyre, duket të respektojnë institucionet ndërkombëtare për kritikat dhe sugjerimet e tyre, duhet të jetë aktiv për të mbushur hapësirat përfaqësuese qytetare që nuk i arrijnë dot mazhorancat e radhës, siç duhet të dëshmojë standarde të njëjta sjelljeje, reagimi dhe vlerësimi. P.sh, kritik mbetet fakti se Presidenti aktual nuk ka komentuar deri më tani ngritjen në parlament dhe zyrtarisht mbetjen ende në fuqi të një komisioni parlamentar që akuzon paraardhësin e tij për "grusht shteti" me 21 janar, madje si deputet e ka votuar, - një akt tipik kërcënimi e shantazhi politik, siç është pranuar nga çdo raport politik e diplomatik ndërkombëtar.

Kritik mbetet edhe dyzimi në rastin e premtimit e dështuar tashmë elektoral për shtetësinë masive, sjellja tej staturës republikane ndaj aksionit elektoral për rehabilitimin e monarkisë, cenimi elektoral i protokollit shtetëror në festën zyrtare të 100 vjetorit, përdorimi elektoral i një akti politik të refuzuar nga ambasada e shtetit kryesor partner me Shqipërinë, heshtja miratuese ndaj sistemit të gjobave politike mbi median kritike të qeverisë, praktika e nxituar e emërimeve në/nga KLD përmendur edhe nga raporte ndërkombëtare, injorimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare apo kërkesave e kritikave permanente për abuzimet në Ministrinë e Mbrojtjes, hierarkinë ushtarake apo institucionet e sigurisë kombëtare, etj, etj.

Së fundi, në të gjithë këtë debat veror lexoja një ide të shprehur keq, por që mund të jetë e dobishme, e nevojshme dhe madje e detyrueshme nga Kushtetuta (1998): - nevoja për një ligj organik për Presidentin e Republikës. E nisi Presidenti Meidani më 2000, mazhoranca e refuzoi. E nisi Presidenti Moisiu më 2003, 2004, 2006 dhe dy mazhorancat e refuzuan. E nisi Presidenti Topi në fillimet e mandatit dhe përsëri u refuzua. Shqipëria është vendi i vetëm pa ligj organik të Institucionit të Presidentit dhe pa status presidencial. Ana "e keqe" e idesë ndodhet në atë nëse kjo nismë keqpërdoret për të kufizuar kompetenca kushtetuese, protokollare apo administrative të Presidentit (siç ka dashur të bëjë çdo mazhorancë).

Ata e mirë e saj është se duhet bërë, sa më parë, sa më cilësor, sa më integral dhe sa më transparent. Alibia që e lidhin statutin presidencial me emra të veçantë, është qesharake dhje fyese. Statuti presidencial është i përjetshëm, nuk jep privilegje trajtimi për ata presidentë që janë aktivë në politikë, por i jep dinjitet shtetit, historisë dhe simboleve të tij. Shqipëria sot ka disa ish presidentë (Berisha, Meidani, Moisiu, Topi), ka në detyrë një President (Nishani) dhe meriton të ketë status presidencial, të ketë memorie presidenciale, ligj organik funksional si dhe sjellje serioze analize, kritike apo vlerësimi për trashëgiminë e secilit prej tyre.
AFRIM KRASNIQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ATHINA ZYRTARE DHE SEGMENTE TË POLITIKËS DHE SHTETIT SHQIPTAR MBAJNË TË NGRIRA MARËDHËNIET SHQIPTARO-GREKENga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA, SHBA (08.17.2013)
MOMENTI I VËRTETËSISËNga PAUL KRUGMAN, New York Times (08.17.2013)
ROTACIONI NUK MJAFTON, AI VETËM JEP SHANSINNga AFRIM KRASNIQI (08.16.2013)
"LE TË USHTOJË KAMBANA E LIRISË" - 50 VJET NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING-UTNga FRANK SHKRELI (08.16.2013)
STRUGËS I MUNGON LASGUSHI...Nga LEBIT MURTISHI (08.15.2013)
'MATRIARKATI' ÇALAMAN I JOZEFINËSNga AZGAN HAKLAJ (08.14.2013)
PAPA FRANÇESKU DHE BOTA MYSLIMANENga FRANK SHKRELI (08.14.2013)
'MAQEDONIA' NUK PUNON PËR EVROPËN, KOHA NUK PUNON PËR 'MAQEDONINË'Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (08.13.2013)
DREJTËSI PËR DREJTËSINËNë vend të një refleksioni për drejtësinë e munguarNga NAMIK SLEMANI (08.13.2013)
SHTETI E HARROI 25 VJETORIN E VRASJES TË HAVZI NELËS NGA DIKTATURANga ELIDA BUÇPAPAJ (08.12.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]