E Enjte, 03.28.2024, 04:53pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
A ËSHTË BRITANIA NJË ISHULL I VOGËL?
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 09.09.2013, 06:53am (GMT+1)


Një incident diplomatik rusobritanik, i cili u provokua në një mënyrë as diplomatike dhe as etike nga mikpritësit, errësoi klimën e samitit G-20 në Shën Petërburg të Rusisë. Dimitri Peskov, sekretari i shtypit dhe këshilltar i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në ditën e parë të samitit, në 5 shtator, siç njofton BBC, u deklaroi një grupi gazetarësh se "Britania është një ishull i vogël, të cilin nuk e pyet kurrkush". E shqiptuar përpara gazetarëve dhe jo pranë një shishe të zbrazur vodka në intimitet miqsh, e lëshuar pikërisht ditën, kur kryeministri i Britanisë së Madhe, Dejvid Kameron, dhe 18 kryetarë shtetesh e qeverish, po uleshin në tryezën e samitit të G-20, ku presidenti Vladimir Putin ishte mikpritësi, është e qartë se në semiotikën diplomatike deklarata ruse ishte një mesazh politik.

Një mesazh i hidhur i një humori malinj politik dhe diplomatik, jo të zëdhënësit, por të bosit të tij, vetë presidentit rus. Është e natyrshme, që kryeministri i Britanisë së Madhe nuk mund të lejonte të kalonte pa përgjigje kjo mungesë minimale kortezie diplomatike e fyerjes së mysafirit në shtëpinë e mikpritësit. Kryeministri britanik duhet të ketë pasur edhe informacionin se nga mund të ishte origjina dhe qëllimi i një mesazhi të tillë, ndaj të nesërmen, në datën 6 shtator, në Shën Petërburg, në konferencë shtypi, ai e dha personalisht përgjigjen me deklaratën se "Britania mund të jetë një ishull i vogël, por unë sfidoj këdo, që mund të më thotë një vend me histori më të lavdishme dhe me zemër më të madhe". Një përgjigje, jo thjesht për të mbrojtur dinjitetin e shtetit dhe të kombit të vet, por edhe për t'i kujtuar me elegancë Kremlinit nga Leningradi sovjetik disa barra të rënda historike.

Incidenti diplomatik ruso-britanik me sa duket i duhej Kremlinit për të larguar vëmendjen nga dështimi, që pësoi samiti i lartë diplomatik i organizuar nga Rusia. I organizuar formalisht me një temë ekonomike, por i dominuar nga hija e krizës në Siri dhe e përplasjes diplomatike ndërkombëtare rreth saj, Moska nuk arriti të bashkojë pjesëmarrësit me qëndrimin rus as në njërën dhe as në tjetrën temë. Një dështim, që u sanksionua nga mungesa e një takimi zyrtar dypalësh mes presidentëve të SHBA dhe të Rusisë, mungesë që natyrisht errëson autoritetin ndërkombëtar të Rusisë dhe të presidentit të saj si organizatorë të samitit. Një dështim, që u sanksionua edhe nga fashitja e shpejtë e përpjekjeve të diplomacisë ruse për të kundërvënë shtetet anëtare të G-20 me SHBA për qëndrimin ndaj Sirisë. Diplomacia ruse nuk arriti të pengojë deklaratën e posaçme, që nënshkruan në Shën Petërburg 12 nga 20 shtetet pjesëmarrëse të samitit lidhur me Sirinë, ku bashkohen me qëndrimin e SHBA, se Damasku meriton një përgjigje të vendosur ndërkombëtare për shkak të dhunimit të rregullave botërore me përdorimin e armëve kimike kundër civilëve të pafajshëm.

Kremlini e provokoi këtë incident diplomatik për të nënvleftësuar dhe për të dëmtuar imazhin dhe rolin e Britanisë së Madhe në arenën diplomatike europiane dhe ndërkombëtare. Ishte një reagim hakmarrës i Moskës ndaj vendosmërisë së qeverisë së Britanisë së Madhe për t'u bashkuar me qëndrimin e SHBA për ndëshkimin e regjimit të satrapit Bashar El Asad dhe tentoi t'i krijojë një pozitë të dobët diplomatike kryeministrit britanik në samitin G-20, që organizonte vetë Rusia në shtëpinë e saj. Si pretekst shërbeu pamundësia e kryeministrit të Britanisë së Madhe, Dejvid Kameron, që të siguronte miratimin e Parlamentit britanik për një pjesëmarrje të vendit në një aksion të mundshëm ushtarak të SHBA kundër Sirisë. Një president autokrat ish-komunist si Vladimir Putin nuk mund të kuptojë se si funksionon mekanizmi i një demokracie perëndimore dhe parlamentare të vjetër si Britania e Madhe. Nuk mund të arrijë të kuptojë se si një parlament demokratik mund t'ia kthejë mocionet edhe kryeministrit. Sepse autokratët e konceptojnë dhe e kanë parlamentin thjesht një instrument të vullnetit të tyre, siç ndodh në Rusi dhe në një pjesë të mirë të ish- vendeve komuniste të Azisë Qendrore dhe të Ballkanit. Dhe meqë Parlamenti britanik, me një diferencë prej 13 votash, nuk e pranoi mocionin e kryeministrit për pjesëmarrje në një aksion të mundshëm ushtarak, mendësia sovjetike e Kremlinit e klasifikon dhe e interpreton si dëshmi të një qeverie dhe të një shteti të një ishulli të vogël, që nuk e pyet kurrkush.

Udhëheqësit e sotëm ish komunistë të Rusisë nuk mund të kuptojnë se demokracia funksionon nëpërmjet fuqizimit dhe balancimit të të gjitha institucioneve të pavarura të shtetit demokratik. Në bazë të ligjeve britanike, kryeministri nuk është i detyruar të marrë miratimin e parlamentit për të urdhëruar pjesëmarrjen e forcave të armatosura në operacione luftarake jashtë shtetit. Por kryeministri Kameron, si një udhëheqës tipik demokrat i një shteti demokratik, me vullnet të lirë iu drejtua parlamentit për të kërkuar konsensus sa më të gjerë për pjesëmarrjen ushtarake. Pas mosrealizimit të qëllimit të tij vullnetmirë, ai shprehu gatishmërinë e respektimit të votimit të parlamentit, ndonëse legjislacioni britanik i jep liri të plotë dhe bazë ligjore veprimit dhe qëndrimit të tij si kryeministër. Është e njëjta logjikë demokratike, që ndoqi edhe presidenti amerikan Barak Obama, i cili nuk është i detyruar të kërkojë miratimin e Kongresit për ndërhyrjet ushtarake jashtë shtetit, por ai iu drejtua të dy dhomave të Kongresit për miratim, me qëllim që vendimi të ketë mbështetje sa më të gjerë dhe bipartizane.

Ajo, që ndodhi në Parlamentin e Britanisë së Madhe në 29 gusht, duke refuzuar me 13 vota diferencë mocionin e kryeministrit për ndërhyrjen ushtarake, është një ngjarje tepër e rrallë në historinë e parlamentarizmit britanik dhe nuk ka ndodhur kurrë gjatë 100 vjetëve, që parlamenti të kthejë mbrapa një mocion për çështje lufte dhe paqe, të paraqitur nga kryeministri. Ajo që ndodhi, nuk i heq të drejtën kryeministrit t'i drejtohet përsëri parlamentit dhe të kërkojë një votim të ri, gjë që është një procedurë normale.

Çështja shtrohet nëse votimi i Parlamentit britanik ka dhe do të ketë disa efekte në rolin dhe në imazhin e Britanisë së Madhe si një lojtar global europian dhe ndërkombëtar në fushën e diplomacisë dhe në atë ushtarake. Duhet thënë që në fillim se refuzimi i parlamentit për të pranuar pjesëmarrjen në një aksion ushtarak ndërkombëtar nuk e përmbys as rolin dhe as imazhin e Britanisë së Madhe si një nga fuqitë e mëdha në arenën ndërkombëtare. Britania e Madhe gabimisht mund t'i duket Kremlinit një ishull i vogël gjeografik, por ajo është një ishull i madh dhe tepër i rëndësishëm diplomatik. Sepse Britania e Madhe është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB dhe pa votën e saj nuk mund të kalojë asnjë nismë diplomatike apo rezolutë e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB. Britania e Madhe është anëtare shumë e rëndësishme e NATO-s dhe e Bashkimit Europian, pa miratimin e së cilës nuk mund të ecë përpara as bashkëpunimi dhe as marrëveshjet e Rusisë me këto organizata tepër të rëndësishme ndërkombëtare. Britania e Madhe është një fuqi e madhe europiane, pa të cilën nuk mund të realizohet asnjë llogari interesash ruse në kontinentin e vjetër.

A i ka në konsideratë diplomacia ruse këto dhe të tjerë faktorë të influencës diplomatike britanike në Afrikë dhe në Azi? Logjika e do që të kihen në konsideratë, por në shtetet autokratike ish- komuniste, si Rusia, nuk vendoset në plan të parë logjika shtetërore, por voluntarizmi dhe humori i udhëheqësit kryesor të shtetit. Rusia ka interes ta shohë Britaninë e Madhe në statusin e një ishulli të vogël diplomatik e ushtarak, sepse Moska kërkon ta shohë të dobësuar aleatin më të rëndësishëm europian të SHBA dhe të shohë krisje në aleancën historike dhe në marrëdhëniet e posaçme, që ekzistojnë mes SHBA dhe Britanisë së Madhe. Kryeministri britanik është vazhdues i vendosur i politikës klasike dhe të mirënjohur britanike të marrëdhënieve të posaçme me SHBA, politikë me të cilën është konsoliduar roli i Britanisë së Madhe si një aktor i rëndësishëm strategjik i skakierës diplomatike dhe ushtarake ndërkombëtare. Rusia ka interes ta shohë të dobësuar rolin e Britanisë së Madhe në Europë, në Lindjen e Mesme, në Mesdhe, në Afrikë, në Azi, etj, sepse Moska, nga pikëpamja strategjike dhe gjeopolitike, e konsideron çdo fuqi perëndimore si pengesë për realizimin e qëllimeve të shtrirjes së influencës ruse në gjithë rajonet e botës.

Filozofia bizantine e diplomacisë së Rusisë është tepër e prirur drejt simbolizmit dhe teatrit të hijeve. Ndaj metaforat e presidentit rus dhe të zëdhënësve të tij shprehin një aspiratë për një zhvillim, që nuk ekziston, por që ata ëndërrojnë ta shohin, dhe punojnë ta konkretizojnë. Në këtë drejtim, diplomacia dhe udhëheqja ruse do të kenë shumë raste, ngjarje dhe zhvillime europiane, rajonale dhe ndërkombëtare, për të parë dhe provuar se Britania e Madhe nuk është një ishull i vogël, por një shtet i madh, që duhet ta llogarisin ato shtete dhe ata presidentë, që janë të mëdhenj ose duan të bëhen të mëdhenj në punët botërore.
SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
IRANI ËSHTË PËRPARËSIA REALE AMERIKANE NË LINDJEN E MESMENg IAN BREMMER, Reuters (09.08.2013)
Barometri diplomatikBEOGRADI KUNDËR IDENTITETIT DEMOKRATIK TË EVROPËS DHE TË KOSOVËSNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.06.2013)
SIRIA NUK ËSHTË KOSOVËNga JAMES RUBIN, New York Times (09.06.2013)
DEBATI MBI NDËRHYRJEN NË SIRINga FRANK SHKRELI (09.04.2013)
Barometri diplomatikHEQJA E LOGOS - AKT VULLNETAR ANTISHTETËROR DHE VETËMOHUES! - PO BEOGRADI A DO TË PRANONTE HEQJEN E LOGOS SË SERBISË NË PRESHEVË, NË BUJANOC DHE MEDVEGJË?Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.04.2013)
KASOLLET E ROMËVE OSE ATJE KU BËJNË VETËM FOTOGRAFINga MENTOR KIKIA (09.04.2013)
NJË LETËR PËR KRYEMINISTRIN E ARDHSHËMNga RESHAT KRIPA (09.04.2013)
Barometri diplomatik“DIPLOMACIA PROLETARE” KOZMOPOLITE E PASKAL MILOS!!!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.03.2013)
DREJT FITORES ME KEN BIBERAJNga FRANK SHKRELI (09.03.2013)
ORTODOKSIZMI POLITIK I DIPLOMACISË GREKENga SHABAN MURATI (09.02.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]