VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHQIPËRINË NË EUROPË E ÇOJNË VEPRAT E JO FJALËT
Nga FRANK SHKRELI

E Djelë, 09.15.2013, 09:17pm (GMT1)


Të hënën, Kryeminsitri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama fillon një vizitë dy ditëshe në Bruksel, për takime me udhëhqsit e komunitetit europian. Ndërsa, javën që kaloi, u mblodh kuvendi i ri i Shqipërisë në seancën e tij të parë. Ndër deklaratat e para pozicionuese nga të dy palët kryesore në kuvend -- Partisë Socialiste që do udhëheqë vendin për katër vitet e ardhëshëm dhe Partisë Demokratike në opozitë -- u theksua dëshira nga të dy forcat kryesore politike të vendit, për të shpejtuar procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Z. Edi Rama u citua të ketë thënë se inaugurimi i qeverisë së tij të re, "Është një moment jashtzakonisht i rëndësishëm -- është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë..." u prononcua, Z. Rama, madje duke bërë integrimin europian të vendit, pikën e parë të programit të qeverisë së re, si një objektiv që, sipas tij, i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptare, bazuar në "vlerat europiane".

Edhe udhëheqësi i ri i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha u shpreh se, "në opozitë do të japim të gjithë mbështetjen për proceset e integrimit europian, dhe jo duke e bllokuar atë siç bëri e majta", tha kryetari i ri i demokratëve. Në mesazhin e parë si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta gjithashtu u shpreh se, "Synimi ynë është që të arrijmë integrimin e vendit në Bashkimin Europian".

Kësaj fryme entuziazmi të pro-integrimit europian të Shqipërisë, nga zyrtarët më të lartë të vendit, ndonëse i kanë dëgjuar këto premtime edhe më parë nga politikanët shqiptarë, iu bashkuan edhe përfaqsuesit më të rëndësishëm perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan, Z. Aleksandër Arvizu dhe përfaqsuesi i Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi. Të dy këta i bënë thirrje --për të njëqintën herë -- klasës politike shqiptare që të përqendrohet seriozisht tek integrimi i Shqipërisë në Europë. Madje, përfaqsuesi i lartë europian Sequi, me të drejtë e cilësoi integrimin europian të Shqipërisë, "një përparësi kombëtare".

Të gjithë flasin me ngulm që sa më parë të hipin në ''trenin'' e Evropës, në të vërtetë flitet kështu për 20-vjetë tani, nga të gjitha palët dhe nga të gjitha qeveritë e dy dekadave të fundit. E duam Shqipërinë si Evropa, thuhej dikurë. Por për të hipur në trenin e Europës, duhet paguar bileta. Pjesë e kësaj "bilete", ndër të tjera, është ndarja e vlerave të përbashkëta dhe rregullave të lojës me Europën. Një prej këtyre vlerave të Europës është edhe ballafaqimi me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, duke kujtuar viktimat e regjimit komunist. Ndryshe nga Shqipëria, shumica e vendeve ish-komuniste europiane, tani anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, kanë treguar gatishmërinë e tyre duke marrë masa konkrete për t'u përballur me trashëgiminë tragjike të historisë së vet komuniste të shekullit të kaluar, dhe njëkohsisht kanë dënuar masakrat e regjimit komunist dhe në emër të shtetit u kanë kërkuar falje viktimave dhe familjeve të tyre. Shqipëria, fatkeqsisht, megjithëse kishte regjimin më të egër komunist në Europë, falë interpretimeve të kundërta të kësaj historie, nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet për t'u përballur seriozisht me këtë histori. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend europian, ku shteti dhe qeveritë e ndryshme shqiptare të të dy palëve, nuk kanë kërkuar asnjëherë falje për krimet monstruoze të komunizmit. Për më tepër, klasa e përndjekur nga komunizmi, disa nga anëtarët e së cilës janë ende gjallë, por duke u shuar dita ditës falë moshës dhe vuajtjeve, nuk janë trajtuar aspak mirë nga qeveritë dhe parlamentet e mëparshme shqiptare. Madje ata janë denigruar dhe janë cilësuar, si "plehra" dhe si "mbeturina", nga disa politikanë shqiptarë. Megjithëse Europa e konsideron dhe e kërkon si një detyrim moral përballimin e saj me të kaluarën komuniste dhe fashiste, qeveritë e një pas njëshme shqiptare kurrë nuk dënuan krimet, dhunën dhe torturat e regjimit komunist ndaj shqiptarëve. Duket sikurë politika shqiptare ka rënë në një kllapi morale, megjithëse temperaturat e kësaj kllapie vazhdojnë të jenë në një nivel të lartë, me pasoja të dëmshme për zhvillimin dhe përparimin e demokratizimit të shoqërisë, bazuar në standardet dhe vlerat europiane.

Bota Përendimore, të cilës klasa politike shqiptare pretendon se dëshiron t'i bashkohet, kurrë nuk pushon së kërkuari të vërtetën historike duke vazhduar të hedhë dritë mbi vërtetën, duke kujtuar publikisht viktimat e krimeve të nacizmit dhe të komunizmit. Zbulimi i së vërtetës është një proces të cilit kurrë nuk i skadon afati. Dy raste të kohëve të fundit më tërhoqën vëmendjen. Gjatë vizitës para disa ditësh në Rusi, Presidenti amerikan Barak Obama, në takimet e tija me zyrtarët rusë, u interesua për fatin e diplomatit suedez, Raoul Wallenberg, fati i të cilit nuk dihet ende, ndonëse në vitin 1944, ai ishte arrestuar nga forcat sovjetike në Hungari, pasi shpëtoi dhjetëra mijëra hebrejë nga nazistët duke u dhënë atyre pasaporta për tu larguar nga vendi. Rusët kurrë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme ndaj arrestimit dhe zhdukjes së këtij heroi, por këjo nuk i pengon udhëheqsit amerikanë, që edhe pas 70-vjetësh të përpiqen të zbulojnë të vërtetën duke kërkuar gjithnjë shpjegime nga Moska. Zbulimi i së vërtetës mbi fatin e këtij heroi, sipas Presidentit Obama, është e nevojshme jo vetëm për të kujtuar një dëshmi humbje jete të një heroi, por edhe si një angazhim, që raste të tilla të mos përsëriten më. Rasti tjetër i kohëve të fundit, ishte ai në Gjermani, ku prokurorët gjermanë, 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore njoftuan javën e kaluar se ata do të ndjekin penalisht një numër ish rojesh që janë ende gjallë në Gjermani dhe gjetkë, e të cilët dyshohen se kanë shërbyer në kampet e vdekjes në Auschwitz. Gjermania, në të vërtetë, është shembëll për të gjithë botën, si vendi që është përballur dhe vazhdon të përballet me historinë e saj naziste dhe komuniste, si një proces i vazhdueshëm pajtimi me veten dhe me të tjerët.

Në të vërtetë, Gjermania dhe e gjithë Europa kanë caktuar 23 Gushtin si ditën zyrtare për të përkujtuar anembanë kontinentit europian, viktimat e deportimeve, masakrave dhe burgjeve, si dhe të kampeve të përqendrimit të komunizmit dhe të nazismit. Parlamenti europian i ka cilësuar krimet e komunizmit dhe të nazizmit si "krime lufte dhe krime kundër njerëzimit".

Për më tepër, Parlamenti europian me një rezolutë tjetër mbi "Ndërgjegjën Europiane dhe Totalitarizmin" të vitit 2009, ka dënuar krimet e regjimeve totalitare komuniste dhe naziste të Europës Lindore duke u bërë thirrje vendeve të kontinentit europain që të njohin dhe të pranojnë, "trashëgiminë e përbashkët historike të komunizmit dhe nazismit" dhe njëherazi parlamentarët europianë kërkojnë që në çdo vend të zhvillohet "një debat i ndershëm dhe i gjithanshëm, mbi të gjitha krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar." Njëkohësisht, rezoluta u bën thirrje vendeve anëtare që të marrin masa për të informuar vazhdimisht publikun dhe për ta bërë atë të vetdijshëm mbi krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar në Europë. Një gjë e tillë, sipas rezolutës së Parlamentit Europian, është e nevojshme për të treguar respekt për të gjitha viktimat e regjimeve komuniste në Europë, duke theksuar, "rëndësinë për të ruajtur të gjallë kujtimet e së kaluarës pasi, sipas rezolutës europiane, "nuk mund të ketë pajtim shoqëror pa zbulimin e së vërtetës dhe pa kujtuar viktimat", e komunizmit. Rezoluta e Parlamentit Europian gjithashtu rithekson qëndrimin e përbashkët kundër çdo regjimi totalitar dhe njëkohësisht u "shpreh viktimave të këtyre krimeve dhe familjeve të tyre, simpatinë, mirëkuptimin dhe njohjen e vuajtjeve të tyre."

Europa e ka deklaruar disa herë seriozitetin e saj ndaj nevojës për dënimin e krimeve të komunizmit përfshirë edhe Deklaratën e Vilnius-it, të vendeve anëtare të OSBE-së të vitit 2009, e cila ndër të tjera dënon gjithashtu, edhe "glorifikimin e regjimeve totalitare".

Europa pra, të cilës Shqipëria si objektiv kombëtar -- dëshiron t'i bashkohet, si kontinent por edhe vendet e anëtare të saj, individualisht, e kanë thënë me kohë fjalën e tyre duke dënuar dhe duke kërkuar falje për krimet e komunizmit dhe nazismit, si një shprehje e vullnetit të fortë që ato krime kundër njerëzimit të mos përsëriten më. Po Shqipëria?

Për të mirë të Shqipërisë, kryeministrit të ri dhe qeverisë së tij, i duhet uruar sukses në punën që e pret. Kryeministri Rama ka thënë, me të drejtë, se Shqipëria meriton më shumë, pasi sipas tij, ajo ka vuajtur, "kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë e jo natyrë, radhë e jo zakon, vend e jo model."

Këtë nuk e meriton Shqipëria! Madje si asnjë vend tjetër, kur të merren parasyshë vuajtjet e shqiptarëve. Por nuk mund të fshehi skepticizmin që kam unë, por edhe shumë të tjerë që ia duan të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, se si Zoti Rama do të ndërtojë, "Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër" me gjeneratën e vjetër.

Unë bashkohem me Profesor Sami Repishtin, i cili në një letër të botuar kohët e fundit, drejtuar Kryeministrit të ri Z. Rama, shkruan se që Shqipëria me të vërtetë të rilindë, Profesori i nderuar dhe i ish-burgosuri i regjimit komunist hoxhist, me të drejtë thotë se në Shqipëri, "Duhet ndërtue nji shoqëni shqiptare bashkëjetese harmonike dhe vlerash e parimesh të gjithëpranueme! Nji lumë gjaku, nji moçal çnjerëzimi, nji mal vuejtjesh të pameritueme, e nji frymë e thellë hakmarrjeje akoma ndanë Atdheun tonë dhe gozhdon në vend përparimin e frymën e qytetnueme të shoqënisë shqiptare. Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit për fajin dhe falja e fajit, duhet përqafue bashkëpunimi për të mirën e përbashkët. E kundërta do të sjellë mallkimin e nji popullsie të pafajshme për ju... dhe për të gjithë ata që sot heshtin!", përfundon ish i burgosuri Profesor Sami Repishti letrën e tij drejtuar Kryeministrit të ri të Shqipërisë, Z. Edi Rama.

Mos heshtni, pushtetarë të ri dhe të vjetër, pozitë dhe opozitë. Por mbani gjallë kujtesën, çoni zërin lartë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit njerëzor për viktimat e komunizmit. Këjo është vlerë europiane! Por mbi të gjitha duhet të jetë edhe vlerë kombëtare. Nëqoftse integrimi i shqiptarëve në Europë, është çështje numër një në programin e qeverisë së re, atëherë le të trajtohet si e tillë. Drejtë Europës shkohet me vepra dhe jo me fjalë, se fjalëve u doli boja tash 20-e sa vjetë. Nuk ka rrugë tjetër drejtë Europës! Shqipëria e ndarë dhe e përçarë politikisht nuk do të pranohet kurrë si e tillë në Europën e bashkuar.



Monumenti i Lirisë në Uashington, kushtuar, "më se 100 milionë viktimave të komunizmit dhe të gjithë atyre që duan lirinë".

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.