"Me ditë hyjt me bisedue,

Me pasë sy që me derdhë lot,

Vajin tand ju kishin prue

T'kishin kja për jet'e mot."
(Ndre Mjeda)

*** Edi Rama: "Marrëveshja Kosovë-Serbi ka mbyllur historinë e përgjakshme mes dy popujve...". Kështu ka pohuar edhe ish-kryeministri i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, të cilën Marrëveshje e quajti hiq më pak se "historike"(!) -Mirë u bë që i humbi zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, sepse as ai nuk bëri asgjë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, edhe pse atë e kishte obligim kushtetues).

-Ja kjo është politikë dhe diplomaci "e hollë", që nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen e interesit të përgjithshëm kombëtar, territorial dhe shtetëror të Kosovës, sepse Marrëveshja Thaçi-Daçiq, bërë në Bruksel, më 19 prill 2013, përligj vetëm interesat vitale të Republikës së Serbisë, jo të Kosovës, në asnjë kuptim. Ajo Marrëveshje është instrumenti më oportun politik, diplomatik, ligjor dhe paqësor, që Serbia, kurrë të mos e njohë Republikën e Kosovës.

Kush e shpalli "historike"vizitën e Ramës?!


Vizita e Edi Ramës, që i bëri Kosovës, më 13 shtator 2013, pa dyshim se, do të kishte qenë historike sikur Ai, do të kishte sjellë lajmin e ri dhe të gëzueshëm se qeveria e tij në Programin e saj ka sanksionuar kërkesën historike shekullore për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën si hap të parë drejt zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan. Ky do të kishte qenë lajm i vërtetë historik, politik, diplomatik, kombëtar, patriotik dhe ndërkombëtar, që para së gjithash, do të jusitifikonte parullën parazgjedhore dhe zgjedhore "Rilindja e Shqipërisë", e cila sipas kryesocialistit dhe kryeministrit Edi Rama: "është detyrë historike e Partisë Socialiste të Shqipërisë".( http://time.ikub.al/Lajme/dbb766b3d3/Rama-Rilindja-detyre-historike-e-Partise-Socialiste.aspx).

Megjithëkëtë, si "eureksistët" , ashtu edhe mbështetësit e saj, duhet të mbajnë parasysh faktin se, vetëm pasi të jetë zgjidhur problemi kolonial i shqiptarëve në Ballkan, i cili do bënte të mundur realizimin e së drejtës së vetëvendosjes, që do të garantonte pavarësimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike brenda kufijve të saj natyralë historikë dhe gjeopolitikë, do të vinte shprehje jetësimi i sintagmës "Rilindja" e Shqipërisë Etnike, jo vetëm i kësaj gjysmë Shqipërie të Edi Ramës. Ndryshe, ajo do të mbetet vetëm një parullë politiko-propagandistike sa për t'i fituar votat, duke i mashtruar zgjedhësit. Asgjë më shumë, as më pak! Dhe, dorën në zemër, ajo parullë deklarative ka ndikuar, që Rama së së bashku me socialistët dhe me aleatët e tij, edhe t'i fitojë votat e zgjedhësve, jo për shkak të Programit të "noveluar" të Partisë Socialiste, të cilin, votuesit, as që e kanë lexuar fare.

As me Ramën, nuk do të ketë bashkim të Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht se çfarë ka deklaruar ai në Parlamentin e Kosovës!

Kjo nuk ndodhi dhe, nuk do të ndodhë as gjatë mandatit të tij katërvjeçar, sepe vizita e tij e parë në rolin e kryeministrit të Shqipërisë, nuk ishte në fokus të shpërpalljes së bashkimit kombëtar shqiptar, as të Kosovës me Shqipërinë, por kishte vetëm një qëllim-informimin lidhur me programin katërvjeçar të qeverisë së tij të re, të dalë nga zedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Si rrjedhim, vizita e Edi Ramës, nuk mund të cilësohet si "vizitë historike", sepse nuk solli asgjë të re, as historike për Kosovën, por vetëm për fitoren e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Kjo ishte e tëra e vizitës politike e Edi Ramës, që i bëri Kosovës.

Pavarësisht se Edia Rama nuk solli, as nuk tha asgjë të re për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, shqiptarët e Kosovës, gjimonë i kemi mirëpritur dhe, do t'i mirëpresim vizitat e bashkëpunimit vëllazëror dhe miqësor me përfaqësuesit zyrtarë të Tiranës, pavarësisht nga ngjyrat ideologjike dhe partiake, si dhe nga pozitat e tyre në pushtet (demokratë, socialistë, republikanë...etj.).

Mirëpo, duhet të pranojmë faktin se në Kosovë (2000-2013), vizitat e shtetarëve dhe të kryeliderëve politikë të Shqipërisë, vazhdimisht i kemi quajtur si "historike", mirëpo, në thelb, asnjëra prej tyre, nuk kanë qenë historike (sepse të gjithë e dimë se Shqipëria nuk e shpëtoi Kosovën nga zjarri dhe nga flaka e gjenocidit të Serbisë gjatë viteve 1989-1999, por Amerika dhe NATO-ja. Kjo vërtet, është histsoria e Kosovës së sotme), por vetëm vizita të zakonshme politike, ekonomike, tregtare dhe kulturore. Ndaj, edhe vizita e Edi Ramës, nuk ka pati kurrfarë karakteri, as përmbajtjeje historike, sepse vajtja e tij nga Tirana në Prishtinë për të shpaluar objketivat strategjike të programit katërvjeçar të qeverisë së tij, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 ( të dekretuar nga presidenit Bujar Nishani), nuk ishte kurrfarë vizite historike, sepse asgjë të re nuk solli për Kosovën, as për Shqipërinë, kur është fjala për ribashkimin e tyre në një shtet të përbashkët.

Vizitat historike

-Vizita të përjetshme historike, që i bënë Kosovës së pavarur dhe sovrane, ishin ato të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, Hillary Clinton (ish-sekretare e Departamentit Shtetëror të Amerikës), Madeleine Albright (ish-sekretare e Departamentit Shtetëror të Amerikës, e cila ishte forca FORCA CENTRIFUGALE, që e vuri në lëvizje presidentin e saj Bill Clinton për të ndërhyrë ushtarakisht kundër Serbisë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit), të William Walker (diplomat amerikan, i cili si shef i misionit paqësor të OSBE-së në Kosovë, i pari, e alarmoi Uashingtonin zyrtar për masakrën makabër të 44 shqiptarëve të Raçakut, të kryer nga forcat terroriste serbe në Kosovë), të Wesley Clark (komandant supreme i forcave të NATO-s për bombardimin e Serbisë, më 24 mars 1999), si dhe të Tony Blair (ish-kryeministër i qeverisë britanike), sepse këta ishin iniciatorët, protagonistët dhe vendimarrësit kryesorë, që morën vendimin e përbashkët historik për t'i shpëtuar mbi 2 milionë shqiptarë dhe Kosovën nga gjenocidi dhe agresioni pushtues i regjimit çetniko-fashist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, jo ata (që vizitat e tyre të gostisë në Kosovë, po i quajnë "historike") që UÇK-së i shisnin pushkë të ndryshkura kineze dhe ruse..., e vetë si armatë dhe si shtet "rrinin në terur", duke bërë sehirë dhe, duke mos prerë lidhjet diplomatike, politike, ekonomike dhe tregtare me Serbinë(!)

Ja, kjo është arsyeja kryesore, pse asnjë vizitë e deritashme, që shtetarët e Shqipërisë i kanë bërë Kosovës së lirë dhe të pavarur(2000-2013) nuk ka pasur karakter historik, por vetëm politik, ekonomik, tregtar, miqësor, kulturor dhe vëllazëror "ngre dreka e shtro darka"!

Kjo është e vërteta mbi "vizitat historike" të burrave shtetërorë të Shqipërisë, bërë Kosovës, të cilët, së bashku me Edi Ramën, kurrnjëherë deri më sot, nuk kanë guxuar të pohojnë para botës, se Kosova është e Shqipërisë, jo e Serbisë!- Ose, të paktën t'ia thoshin të vërtetën se Kosova ishte vetëm një koloni ilegale e Serbisë, përkatësisht e Jugosllavisë (1912-1999).

Kush, dhe pse e "hangri"besën e bashkimit për më se një shekull (1912-2013)?

Kryeministri i sapoemëruar i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e vizitës së papritur, që i bëri Kosovës më 13 shtator 2013, në fund të fjalës së tij, deputetëve të pranishëm në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, u tha: " -U mbetem i Juaji me Besë"!

Çfarë bese, vetëm ai e di, por në politikë nuk ka dashuri, as besë, por vetëm interes. Sikur të ishte ndryshe, gjysma e Shqipërisë Etnike, nuk do të ishte edhe sot, në fillimshekullin XXI (dekada e dytë, viti 2013) plaçkë koloniale e vendeve fqinje sllave (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia).

Fundja, çfarë po na duhet "besa" e cituar nga Faik Konica (1921), kur ajo që me se 100 vjet, është davaritur, duke harruar më se gjysmën e shqiptarëve dhe të territoreve të Shqipërisë Etnike nën çizmen e hekurt tiranike të kolonializmit dhe të gjenocidit të shteteve fqinje sllave.Ky është fakt, që biron sytë dhe të zërë frymën, nuk duron tirada flertuese dhe "freskuese" politiko-propagandistike me përmbajtje të antibashkimit. Bashkimi i shqiptarëve nuk bëhet me " letra dashurie" të shkruara nga "qatipët e dovletit", me vizita dhe me përshëndetje solemne, të ashtuquajtura "historike), duke shqyer mish viqash dhe, duke pirë raki rrushi dhe verë të kuqe cilësore të Rahavecit!

Këtë farë lloj "bese" më nuk e hanë shqiptarët e kolonizuar, të terrorizuar dhe të izolouar në gjysmën e Shqipërisë Etnike, sepse ajo ka vdekur që këtu e njëqind vite më parë(1912-2013).

-Edi Rama në Parlamentin e Kosovës, fjalimin e tij e përfundoi me këto fjalë: "U jam me besë"! Ky premtim, emocionoi disa deputet të pranishëm në sallën e Kuvendit, saqë menjëherë, vizitin e Ramës, e cilësuan si "vizitë historike",edhe pse ajo nuk kishte kurrfarë karakteri historik, por vetëm karakter politik të paraqitjes së programit katërvjeçar të qeverisë së Edi Ramës, në të cilin program, në asnjë fjali, nuk figuron bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht i zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.

Mirëpo, shikuar politikisht, edhe Programi i Ramës nuk është kurrfarë përjashtimi, sepse kur është fjala për bashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, për asnjë milimeter nuk ka dalë jashtë kornizave politike dhe kombëtare të programeve paraprake të ish-kryeministrave të tij(1992-2013).

Ky është argumenti kryesor, që përgënjeshtron"vlerësimin politik" të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se vizita e kryeministrit Edi Rama, bërë Kosovës, më 13 shtator 2013 "ishte historike" dhe për t'u"mbajtur në mend" si antitezë e vizitave të derisotme të ish-kryeministrave dhe shtetarëve të tjerë të Republikës së Shqipërisë.-Jo, kursesi, nuk ishte kurrfarë antiteze historike e vizitave të mëparshme të shtetarëve të Republikës së Shqipërisë, por plotësisht ishte simterike me to-nuk ka bashkim të Kosovës me Shqipëri
Pra, sikurse më parë ish-kryeministrat e Shqipërisë, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko etj., edhe Edi Rama, erdhi në Prishtinë, doli në foltoren e Parlamentit të Republikës së Kosovës, por nuk pati guximin, ta thotë asnjë fjalë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Nuk tha asgjë historike për të nesërmen e bashkimit Kosovës me Shqipërinë, as për bashkimin gjithëkombëtar shqiptar.

-Politikisht veproi drejt (sikurse ish-ministrat e tij), sepse edhe ky kryeministër i ri i qeverisë së Shqipërisë, me vizion të bashkimit evropian, u tha kosovarëve se, së pari, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Evropën e integruar! Asgjë e re, as historike për ribashkimin e shqiptarëve dhe për Shqipërinë Etnike, sepse këtë dëshirë dhe vision të axhendës evropiane të Edi Ramës, jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por të të gjithë shqiptarët e kanë dëgjuar me dhjetra e dhjetra herë (brenda dy dekadave të shkuara) nga ish-presidentët dhe nga ish-kryeministrat e Republikës së Shqipërisë (Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta etj.). Pra, përsëritja e kësaj teze nga Edi Rama, dëshmon se edhe ky kryeministër i ri i Republikës së Shqipërisë, u mbeti besënikë presidentëve dhe kryeministrave të mëparshëm të tij, se nuk do ua prish axhendën strategjike të politikës së deritashme të Shqipërisë ndaj mosvënies në "rend dite" të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, e as të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo strategji e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, do të thotë "nuk ka ndryshim të kufijve gjeopolitikë në Ballkan", përkundër faktit se ndryshime të tilla kanë ndodhur që nga përmbysja dhe shparatallimi i ish-RSFJ-së, më 1990, sepse u krijuan shtete të reja sovrane (Slovenia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës).

Pra, sikurse kryeministrat e mëparshëm të Shqipërisë(1992-2013), ashtu edhe kryeministri aktual Edi Rama (gjatë mandatit katërvejçar të qeverisë së tij) nuk do të bëjë asgjë të vlefshme e as të dobishme për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përkatësisht për riaktualizimin e zgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan, por do të veprojë dhe, do të justifikohet përpara opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar se, nuk ka ndryshim kufijsh, do të thotë nuk ka zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme paqësore dhe ligjore të problemit kolonial më se 100-vjeçar të shqiptarëve në Ballkan.

Mirëpo, heshtja dhe "konservimi" i moszgjidhjes së çështjes koloniale shqiptare në Ballkan nga ana e qeverive të Shqipërisë së sotme, është në shpërputhje të plotë me të drejtën historike dhe legjitime të shqiptarëve mbi territoret e tyre të Shqipërisë Etnike. Gjithashtu, është në kundërshtim flagrant edhe me Kushtetutën në fuqi të Republikës së Shqipërisë (1998), ku flitet për të drejtën e bashkimit kombëtar shqiptar (preambula).

Ku mbeti "besa"?

-Qe më se 100 vjet Kosova ka jetuar në robërinë shekullore serbosllave(1912-1999), kurse, edhe sot, shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit, të Medvegjës(Aanamoravës), të Iliridës, të Malësisë së Madhe të mbi Shkodrës nën Mal të Zi, ende kanë ngelur nën tutelën kolonialiste dhe neokolonialiste të serbëve, të malazezëve dhe të sllavomaqedonëve (1912-2013)!?

-E, ku është ajo besë, Edi Rama? Edhe sa vjet, edhe sa shekuj, duhet të presin vëllezërit tanë shqiptarë, atë "besën" juaj, që të skapullohen përgjithmonë nga tirania dhe robëria kolonialiste dhe neokolonialiste e Aleancës serbosllave ballkanike? Kush, dhe, pse e hangri BESËN e lidhur në Prizrenin historik (1878) të Abdyl Frashërit..., BESËN e Lidhjes së Pejës (1899) të Haxhi Zekës, BESËN e Kuvendit të Përbashkët Shqiptar të Junikut (maj 1912), BESËN e SHQIPËRISË SË PAVARUR ETNIKE të ISMAIL QEMALIT (Kryeministër i parë dhe i fundit i saj) , të shpallur më 28 Nëntor 1912?

Ismail Qemali ishte Kryeministër i Shqipërisë Etnike, jo i kësaj gjysmë Shqipërie londineze(1913)

-Edi Rama, duhet të ketë parasysh faktin se, përmbushja e AMANETIT HISTORIK për RIBASHKIMIN GJITHËKOMBËTAR SHQIPTAR, nuk bëhet me vendosjen e FOTOGRAFISË së ISMAIL QEMALIT në zyrën e qeverisë së tij, sepse ai akt, do të ishte i turpshëm, absurd, ilegal, antihistorik, antikombëtar dhe, thellësisht provokues për gjithë historinë e deritashme të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, kur dihet se ISMAIL QEMALI ishte Kryeministri i parë dhe i fundit i Qeverisë së SHQIPËRISË ETNIKE dhe i gjithë shqiptarëve të saj, jo kryeministër i qeverisë së Shqipërisë së sotme (50%), në krye të së cilës ndodhet Edi Ram. Edia Rama, urime! vota e shumicës së zgjedhësve, të solli në kolltukun e ish-kryeministrit Sali Berisha, jo në karrigën e kryeministrit Ismail Qemali, BABAIT- THEMELUESIT të shtetit të parë modern shqiptar të pavarur dhe sovran-SHQIPËRISË ETNIKE ( 28 Nëntor 1912).

Besa e cituar dhe fjalët boshe nuk të bëjnë hero, as personalitet të famshëm historik, por vetëm VEPRA!

- Edi Rama qofshi me besë, por derisa nuk keni guxim të kërkoni bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (si hap i parë garantues i zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare), ajo besë është vetëm një fjalë boshe, një shkronjë e vdekur në letër, sikurse këtu e njëqind vjet më parë (1912-2013). Derisa Shqipëria nuk bashkohet brenda kufijve të saj etnikë, historikë dhe gjeopolitikë natyralë, nuk do të ketë kurrfarë RILINDJE TE DYTË as për KOMBIN SHQIPTAR e as për SHQIPËRINË ETNIKE, por vetëm cirk politik dhe tregtar, "vëlla, vëlla, kosi me pare", siç thonë dilerët politikë.

- Më vjen mirë që kryeministri i gjysmë Shqipërisë etnike, e ka cituar atë "besë", të Faik Konicës, të pohuar në vitet e njëzeta të shekullit XX, por tanimë, ajo nuk të shitet as në Kosovë e as në trevat e tjera të Shqipërisë Etnike, sepse nëse "është hangër pitja, tepsia ka ngelur", gjysma e kombit dhe e territorit të Shqipërisë Etnike, ende psherëtinë në shpellat pirateske të sundimit të egër kolonial sllavo-rus të Ballkanit. Kjo është"besa" juaj? Kjo është "besa" e "Rilindjes" (1912-2013)!

Gjatë vizitës jo historike që i bëri Kosovës, kryeministri Rama,do të duhej, të shpërpallte Programin strategjik kombëtar dhe shtetëror të ribashkimit të Shqipërisë me Kosovën, jo t'i përsërite tiradat, të cilat, tanimë qe dy dekada, pothuajse janë konsumuar nga ish-garniturat qeveritare shtetërore të Shqipërisë: "Do bashkohemi në Evropë, do bashkohemi në Evropë...,do.."!!!

-Kur do hymë në Bashkimin Evropian(BE)?

-Kur do bashkohemi në shqipërinë Etnike , "kur të bëjë shelgu rrush", A?!

-"U jam me besë"! -Ndoshta gjatë mandatit katërvjeçar të qeverisë socialiste të Edi Ramës 2013-2017?