VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LOJA PËR VOTËN DHE ISMAIL QEMALIN
Nga AFRIM KRASNIQI

E Mërkurë, 09.18.2013, 06:51am (GMT1)


U tha në muajin nëntor 2012, por në lumin e premtimeve patriotike u harrua shpejt. Dhe u ri-tha, më me forcë, më me siguri dhe më konkret: "në zyrat e shtetit, kudo në administratë, ambasada, do jetë e Ismail Qemalit dhe e asnjë Presidenti që zgjidhet sot e ikën nesër". Ky është premtimi i dhënë nga kryeministri në hije që premton shtet ligjor, kryetari i opozitës që premton rilindjen e Shqipërisë dhe kandidati i parë i PS në listën e Vlorës që premton t'i japë qytetit lavdinë e humbur. Vëzhgimi i parë është se nëse në cilësinë e tretë premtimi mund të ketë një sens, sepse prodhon vota lokale, në dy cilësitë e tjera premtimi vjen në kontrast të thellë me pretendimet. Kjo, për disa arsye themelore.


Së pari, Shqipëria është republikë parlamentare dhe ka një President kryetar shteti. Më 1912 ne nuk ishim republikë, por në pritje të monarkisë. Kushtetuta e përcakton kryetarin e shtetit si simbol i unitetit të popullit, gjë që nënkupton, detyrimin e çdo institucioni përtë treguar respekt për simbolin kushtetues të unitetit dhe bashkimit. Zoti Rama nuk pajtohet me këtë përcaktim, me alibinë se Presidenti zgjidhet sot dhe ikën nesër! Me këtë logjikë SHBA nuk do të nderonin asnjë prej 44 presidentëve të tyre "që zgjidhen sot dhe ikën nesër". Edhe Franca do të duhej t'i kthehej nderimittë Napoleonit, Gjermania do të duhej të refuzonte 10-11 Presidentët e tij "që zgjidhen sot dhe ikën nesër" dhe të nderonte ndonjë figurë të shekullit XIX. Italia po ashtu. Por as SHBA, as Franca, as Gjermania, as Italia dhe asnjë shtet tjetër serioz nuk mund të sillet me Presidentin me kaq pak respekt institucional e politik. Alibia se fjala është për cilësitë e Presidentëve shqiptarë gjithashtu nuk vlen. Ne kemi pasur Presidentë të mirë siç kemi pasur modele kritike. Nderimi nuk lidhet me emrin, por me funksionin, përmbajtjen kushtetuese që bart. P.sh, kur Moisiu u zgjodh më 2002 me konsensus edhe vetë Rama ishte kritik i ashpër i tij, por gjatë mandatit ai krijoi një model pozitiv, të cilin sot e nderojnë shumëfish më shumë, përfshirë edhe vetë Rama. Nëse PS sot nuk është dakord me cilësinë nominale të Presidentit, le të ofrojënjë zgjidhje tjetër cilësore, p.sh, të deklarojë se cilat cilësi do të ketë Presidenti i ardhshëm që mazhoranca e 23 qershorit do të zgjedhë në maj 2017! Në dijeninë time, në bazë të një marrëveshjeje të muajit të fundit, më 2017 do të kemi një cilësi shumë herë më pak cilësore sesa ajo aktuale apo modelet e deritanishme presidenciale.


Së dyti, një vend evropian që tenton të rilindë dhe që kërkon të bëjë shtet ligjor modern nuk e nis atë me imitimin e të vetmit model të ngjashëm evropian, - Turqisë, dhe as nga modele unike të sotme në botë (Kuba, Koreja e Veriut, Kirgistani, Kazakistani, Irani, etj), vende në të cilat udhëheqësi histori shtetëror, shpirtëror apo politik është dhe mbetet simbol zyrtar i shtetit. Edhe në Turqi, Ataturk nuk ndodhet në çdo zyrë, por vetëm në vende publike, në pikat kryesore të kontaktit të Turqisë me botën dhe në protokollin e nderimit zyrtar për çdo delegacion të huaj që shkon në Turqi. As kjo praktikë nuk mund të realizohet në Tiranë. Minimalisht për dy arsye: njëra thelbësore, tjetra specifike. Sepse figura jonë më e rëndësishme kombëtare është Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe jo Ismail Qemali dhe së dyti, sepse asnjëri prej tyre nuk ka një përmendore apo mausoleum ku të mund të zhvillohen ceremoni protokollare pritjeje apo nderimi.


Së treti, politika e Rilindjes duhet të heqë dorë nga imponimi i historisë, siç gaboi shpeshherë politika e tranzicionit. Nëse zoti Rama do shprehej se ai ka një ide dhe është gati ta mbrojë, ky do ishte qëndrim dinjitoz. Por e thënë në formën e faktit të kryer, pa debat, pa hapësirë gjykimi, - le shije të hidhur jo vetëm për rastin konkret, por për kulturën politike që ai imponon të zbatojë në mandatin e tij të pretenduar si kryeministër i ardhshëm. Zoti Rama ka kritikuar me të drejtë zotin Berisha se është sjellësi kryetar shteti, duke lënë në hije apo duke ia marrë kompetencat Presidentit. Dhe sot, 45 ditë përpara zgjedhjeve zoti Rama bën të njëjtën gjë si kundërshtari i tij politik, - premton një kryeministër të fortë dhe një president formal, aq formal sa edhe fotografia e tij do të mungojë në zyrat e shtetit.


Së katërti, nuk ka dilemë se Ismail Qemali është dhe mbetet figura kryesore e Pavarësisë dhe ndofta i vetmi personalitet në 100 vitet e shtetit që nuk kontestohet nga askush. Por nderimi për të nuk nis duke printuar ca foto në zyra burokratësh apo nëpunësish, ministrash apo kryetarëkomunash, por duke nderuar aktin tij, - duke bërë shtetin. Ismail Qemali e votoi kabinetin e tij në mënyrë nominale më 1912 kur nuk kishte shtet, sot kur kemi shtet kabineti dhe parlamenti emërohet nga kryetarët e partive. Ismail Qemali u tret në emigrim në kushtet e mbijetesës ekonomike, kurse sot do kemi një parlament të mbushur me biznesmenë të pasur, të krijuar, lidhur e sponsorizuar nga politika. Ismail Qemali bëri marrëveshje me kritikët e tij politikë, kurse sot, mjafton 21 janari për të kuptuar ku të çon refuzimi absurdi dialogut dhe zgjidhjes politike. Ismail Qemali dha dorëheqje nga politika kur projekti politik u konsumua, kurse këta tanët kanë 20 vjet që nuk tunden nga postet drejtuese politike. Ismail Qemali projektoi drejtësi, polici dhe administratë të pavarur, këta sot vijojnë ti trajtojnë ato si seksione partie. Dhe në mënyrë simbolike, asnjëra palë sot nuk është treguar e sinqertë me Ismail Qemalin: ai ka qenë "babai i kombit" edhe kur zoti Rama ishte 11 vjet ministër/kryetarbashkie në Tiranë nuk i bëri asnjë nderim zyrtar nga kryeqyteti, apo edhe kur e djathta pas heshtjes shumëvjeçare krahas shtatores së mbretit në mes të bulevardit nxori nga magazinat edhe një portret simbolik dhe modest për babain e shtetit shqiptar, për ta vendosur në një lulishte anë rrugës.


Së pesti, mungon koncepti i sjelljes serioze politike dhe institucionale. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk kanjë ligj për funksionimin e institucionit të kryetarit të shtetit, nuk ka një ligj mbi statutin e trajtimit të tij pas detyrës, nuk ka strategji dhe as praktikë të përdorimit pozitiv të kryetarit të shtetit në interesa publike siç bëjnë gjitha vendet perëndimore, etj, etj. Në arkivat shqiptare nuk ka ende një kënd të veçantë mbi aktet zyrtare të nxjerra nga çdo kryetar shteti, nuk ka asnjë botim profesional mbi aktivitetin e tyre, nuk ka një kënd në muzeun historik mbi institucionin më të lartë përfaqësues, siç nuk ka ndodhur asnjëherë që të gjithë kryetarët e shtetit të takohen, siç ndodh rëndom në çdo vend normal demokratik. Nëse historinë e bën PS vetëm një president (Meidani) del pozitivdhe katër të tjerë quhen të palës tjetër, nëse historinë e bën PD vetëm një (Berisha) del pozitiv dhe tre të tjerë quhen tradhtarë, nëse pyetet publiku mund të ketë përfundime krejt të ndryshme. Por mungesa e seriozitetit sesi palët u sollën në zgjedhjet e fundit presidenciale (një palë propozoi një ushtarak pozitiv por pa njohje publike, pala tjetër një këshilltar të saj me tregues negativ në të kaluarën por me njohje publike) dhe sidomos mungesa e garancisënë programet e PD-PS për kalimin në zgjedhje direkte të Presidentit të Republikës, janë tregues parademokratikë, jo seriozë, si dhe sinjale negative se dy liderit kryesorë kanë në kokën e tyre një kryeministër me fuqi absolute me ndonjë të deleguar besnik në krye të shtetit. Ndaj edhe në prill 2008 së bashku bënë ndryshimet kushtetuese.


Në këto rrethana deklarata e zotit Rama nuk përbën zhvillim pozitiv, përkundrazi. Heshtja e kryeministrit, e cila komenton edhe darkat private, por jo debatin mbi kryetrarin e shtetit, gjithashtu nuk përbën zhvillim pozitiv, përkundrazi. (Keq)përdorimi i imazhit të Ismail Qemalit nuk përbën gjithashtu zhvillim e trend pozitiv, përkundrazi. Koncepti i palëve për shtetin shqiptar të vitit 2013 mbetet ai i pasdites së 21 prillit 2008, i vakët, parademokratik dhe një kërcënim për demokracinë funksionale, shtetin e së drejtës, parimin kushtetues të ndarjes dhe balancës së pushteteve. Ne kemi nevojë për politikanë që reflektojnë kur janë gabim, që rishikojnë qëndrimet dhe pranojnë kritikat dhe arsyet, përndryshe duhet reagim i mendjeve të qeta, i institucioneve, i atyre që shohin përtej 23 qershorit, dhe portretin e shtetit dhe Ismailit nuk i lidhin me një grusht votash dhe as me fushata e interesa politike të ditës.

AFRIM KRASNIQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.