VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FUQIZIMI I LOBIT SHQIPTAR NË SHBA - DOMOSDOSHMËRI PËR INTEGRIMIN DHE ARDHMËRINË E KOMBITNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 09:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
FUQIZIMI I LOBIT SHQIPTAR NË SHBA - DOMOSDOSHMËRI PËR INTEGRIMIN DHE ARDHMËRINË E KOMBIT
Nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)

E Djelë, 09.29.2013, 07:29am (GMT+1)


Lobimi i Shqiptarëve në SHBA përfshin më shumë se bindjen e ligjvënësve Amerikanë. Ai përfshin edhe hulumtimin, analizën e legjislacionit, propozimet rregullatore, ndjekjen e seancave të Kongresit, por më kryesorja është edukimi i qeveritarëve apo të zgjedhurve të popullit Amerikan për çështje të rëndësishme të integrimit tonë ( si shtete dhe komb) në BE, NATO dhe OKB për Kosovën apo në BE për Shqipërinë në kuadër të Çështjes Kombëtare Shqiptare apo edhe për mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve të Ballkanit në tërësi, përfshi edhe ata në Greqi. Por mos të harrojmë se puna më e madhe është sigurimi i fondeve financiare për lobim të fortë.
Çfarë është një lobist Shqiptar në SHBA? Një lobist mund të jetë një aktivist vullnetar (një drejtues organizate Shqiptare) , një agjenci private ( që ne nuk kemi) apo një organizatë joqeveritare ( LQSHA ose KKSHA) që kërkon të bindë anëtarët e qeverisë, Kongresit apo Senatit Amerikan për të miratuar legjislacionin apo veprimin diplomatik Amerikan në vënd apo edhe në arenën ndërkombëtare që të përfitojnë grupi i tyre, kauza apo vendet e origjinës që përfaqësojnë. Lobimi është një pjesë integrale e ligjshme e procesit demokratik që nuk është kuptuar shumë mirë edhe nga ne Shqiptarët se si funksionon. Ka lobistë vullnetarë ( indivdët dhe organizatat), por edhe profesionistë ose agjenci private të paguara.

Më herët, 135 vjet më parë, këndohej kënga : Abdyl shite pasurinë,/ një barrë flori.../. Kjo këngë është një dëshmi për Rilindasin Abdyl Frashëri që loboi në kancelaritë Europiane për Shqipërinë e të katër vilajeteve. Dhe kjo flet shumë se sa e deshi Shqipërinë Abdyli!

Lobimi Shqiptar në Amerikë ka filluar me VATRA, me Nolin dhe Konicën dhe patjetër ka kushtuar para! Po nuk ka rrugë tjetër! Ka vazhduar pastaj me DioGuardin si Kongresman Arbëresh që udhëheq Lidhjen Qytetare që megjithëmënd është ndjerë për Kosovën edhe pse shtetarët Shqiptarë nuk e kanë nderuar për meritat që i takojnë! Dhe më pas kemi lobim edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan apo edhe me VATRA.

Po të ketë shpirt e zemër të bardhë nga qeveritë Shqiptare dhe Diaspora, për lobimin Shqiptar në SHBA do ketë dhe mënyra për të financuar, jo fshehurazi siç ndodh rëndom me Shqipërinë! Sepse në fillim të këtij viti Shqipëria me qeverinë e Berishës firmosi një kontratë të re me Patton Bogs, agjenci private që të rregullonte imazhin e saj përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013. Dhe Berisha humbi zgjedhjet, por humbën edhe paratë. Është e dyshimtë kjo kontratë, sepse Berisha me një shtet në borxhe me mbi 60 për qind, nuk u tregua i hapur me popullin shqiptar për shpenzimin e afër 2 milion dollarëve për lobim me agjenci private Amerikane si Podesta Group, Podesta Group etj. Vetëm në dy vjet ( 2009 dhe 2010 Berisha shpenzoi 1.38 milionë dollarë për lobim në SHBA. ( Mendo këto para ti kishte në përdorim lobi Shqiptaro-Amerikan...)

Ardhja e Ramës për herë të parë në SHBA si Shtetari numër Dy, patjetër që ngriti problemin e lobimit për tani dhe për më tej. Kryeministri Rama nuk erdhi me një axhendë përbashkuese të faktorit Shqiptaro-Amerikan! Pra, tu bënte një ftesë vëllazërore të gjitha shoqatave, organizatave aktive të Shqiptaro-Amerikanëve për tu takuar e pleqëruar së bashku, jo vetëm programin e Rilindjes, por edhe ajo që është më e rëndësishmja se çfarë mund të bëjmë së bashku për Shqiptarët e Ballkanit dhe për Çështjen Kombëtare Shqiptare - dy shtetet shqiptare dhe Diaspora. Pra, shkurt, sa takat kemi për tu bashkuar e lobuar së bashku! Me një zë të vetëm!Për më shumë ti inkurajonte edhe Shqiptaro-Amerikanët të përbashkohen për më shumë përfaqësime elektorale në qytetet ku baojnë që ta kemi lobimin Shqiptar më të fortë.
Darka lobiste e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ( 350 dollarë bileta minimum deri edhe 1000 dollarë) në programin e të cilës ishte nderimi i diplomatit Philip Riker, nderimi i Kongresmanit Engel nga presidenti Nishani dhe prezantimi i Ramës si kryeministër tregoi për një thyerje akulli të shtetarëve më të lartë të Shqipërisë që darkuan bashkë për një syrreth më të mirë ndër Amerikanët se ne Shqiptaro-Amerikanët kemi dijeni më shumë, sepse na erdhën dy delegacione të ndara.

Sa për fjalët e bukura e në përgjithësi për Shqipërinë dhe kombin që tha Rama në Amerikë këto janë të mira për qoka, por jo për Shqiptaro-Amerikanë të shkolluar. Ai u përshëndet për fjalën në OKB, për mbështetjen botërisht të Kosovës! Ajo që Diaspora donte të shihte tek programi i Ramës do të ishte: ta shihte Ramën dhe Nishanin bashkë në Boston tek Kisha e Nolit! Sepse Rilindja u frymëzua dhe u vu në jetë nga Njerëzit e Mëndjes së Ndritur Shqiptare siç janë Noli dhe Konica dhe shokët e tyre që bënë gjithçka mundën për ta bërë Shqipërinë Zonjë! Është minus kjo mungesë koordinimi e paraqitjeje! Le më që shtypi i Diasporës nuk kishte as edhe njoftim për axhendën e Ramës! Duken detaje pa vlerë, por mediat shqiptare janë më të ndjeshme kur vjen një titullar Shqiptar në Amerikë. Sepse komunikimi tregon pjekurinë dhe seriozitetin e qeverisë së re.

Mosdëgjimi i zërave të Diasporës për ngritjen në rang Ministrie të përfaqësimit të Diasporës tregon edhe një sjellje jo fort vëllazërore karshi Diasporës kur vjen në Amerikë. Se më ndryshe do kishim, si edhe Kosova që e ka një Ministri të tillë aktive, edhe një kordinim punësh më efiçent. Pra, ka një boshllëk të madh, sepse edhe shërbimi diplomatik i Shqipërisë pothuaj nuk funksionon për hir të fondeve minimale.

E vetmja porosi që duhet të mbajë shënim Rama është fuqizimi i Shqiptarëve të Amerikës si faktor lobimi për Shqiptarët e Ballkanit në tërësi. Sepse, sikur edhe një çerek milion dollarë Amerikanë të shpenzojë Rama për 4 vjetët e ardhshme ( mos tu duket çudi se pa para nuk ka lobim!) është mirë tu jepen lobistëve Shqiptaro-Amerikanëve që janë afirmuar tashmë si të zgjedhur nga komuniteti Shqiptar apo edhe nga Amerikanët në qytete apo dhe shtete.

Darka lobiste ku mori pjesë Nishani dhe Rama u quajt si ngjarje e madhe e Diasporës, por aty nuk u nënvizua se çfarë do të bëhet në të ardhmen, çfarë Strategjie Kombëtare Përbashkuese do të kenë Shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora. Fotot në këtë darkë u bënë të bukura, por ato janë kujtime jo shumë të suksesshme për ardhmërinë e Shqipërisë nëse ndarja e Ramës me institucionin e Presidentit thellohet.

Rama nuk premtoi se do të ndahet përfundimisht nga komunizmi si praktikë, sepse Partia e Ramës dhe vetë Rama nuk kanë kërkuar falje për krimet e komunizmit akoma. Hapja e dosjeve të komunizmit nuk duhet të jetë pengesë më për Ramën me fuqinë Kushtetuese të Parlamentit që ka, sepse ende ka shtetarë apo dhe deputetë Shqiptarë majtas dhe djathtas që kanë emrat në këto dosje. Por kjo duhet bërë. Pa vonesë. Themi diktatura më e egër në Shqipëri po as Berisha, as Nano nuk e bënë këtë gjë sepse ishin komunistë e më vonë ish-komunistë. Se nuk ka hije për Shqipërinë të integrohet në BE a do marrë status për në BE edhe me spiunët në parlament, në shtet a në institucione. Ndryshe, çfarë Rilindje do jetë kjo ? Për fasadë vetëm?

DioGuardi, udhëheqës i lobizmit Shqiptar për 25 vjet në Amerikë, për Çështjen e Kosovës në veçanti, ja kërkoi këtë ndarje përfundimtare nga komunizmi Berishës kur mori pushtetin që më 1992, por Berisha refuzoi. Dhe nënkupton shumë ky refuzim i Berishës.

VATRA, organizatë 101 vjeçe, për herë të parë i nënvizoi edhe Ramës në një takim kalimthi (të kërkuar nga Rama) se: kjo organizatë nuk do të mbajë më krahun e asnjë rryme politike në Shqipëri, gjë që flet se është e hapur për bashkëpunim me qeverinë Shqiptare në shërbim të kombit. Ramës nuk i duhen kundërshtarë Shqiptaro-Amerikanë në Amerikë, sepse nuk i shkon përshtat as ardhmërisë së kombit të ndodhë që segmente të shtetit dhe politikës së Shqipërisë apo Kosovës të përkrahin veças segmente të Diasporës sipas rrymave a bindjeve politike.

Çdo Shqiptaro-Amerikan që tashmë ka një profil publik në qytetin Amerikan ku jeton ka kontakte me të zgjedhurit Amerikanë në Kongres dhe Senat. Pra, bën njëfarë lobimi pa ndonjë kredi për vete, por sepse i dhëmbet atdheu. Dhe kjo mos ti duket pak Ramës, sepse Shqiptarët e Amerikës kanë treguar me qytetari dhe shqiptari se i duan njëlloj të gjithë Kongresmenët dhe Senatorët Amerikanë, pavarësisht se ata përfaqësojnë Demokratët apo Republikanët.

Prandaj, Rama duhet që vëllazërisht të ulet në një kohë (të duhur) me të gjithë faktorët Shqiptaro-Amerikanë në Tiranë apo në Amerikë për të hartuar një Strategji Kombëtare për një faqe të Re të Shqiptarisë dhe Shqiptarëve të Ballkanit. Ndryshe do kërkojë agjenci private për lobim në Amerikë si Berisha, për vete, jo për Shqipërinë! Pra ti shmangemi klientelizmit dhe sekserllëkut financiar me paratë e Shqiptarëve të varfër për lobimin në veçanti.

Nëse Rama do të tregojë vendosmëri për vëllazërim me bashkëpunim ekonomik, arsimor dhe kulturor për gjithë Shqiptarët e Ballkanit, luftë pa kompromis për korrupsionin ekonomik ( ndëshkimin me ligj të shpërdorimit të detyrës shtetërore si nga paraardhësit dhe të vetët), hapjen e dosjeve të komunizmit, respektin për të përndjekurit politikë, e probleme që kanë cënuar sovranitetin e Shqipërisë nga Greqia ( si varrezat Greke, kufijtë detarë, etj) patjetër që do të ketë më shumë përkrahje edhe ndër faktorë lobistë siç është Lidhja Qytetare Shqiptare me DioGuardin, KKSHA apo edhe VATRA. Rama nuk duhet të harrojë se një shumicë e mirë e Kongresmenëve dhe Senatorëve Amerikanë kanë moshën e DioGuardit apo drejtuesve të komunitetit Shqiptar në New York dhe duhet të kuptojë se fitimi i respektit për Ramën fillon me vënien në praktikë të një regjimi puro demokratik në Shqipëri.

Thirrja që ju bë nga Rama Shqiptaro-Amerikanëve në darkën lobiste, më 27 Shtator 2013, që të investojnë në Shqipëri do të tingëllonte më mirë po qe se do të kishte dhe një takim më të zgjeruar të Dhomave të Tregëtisë të shteteve Amerikane ku janë me shumicë Shqiptarët bashkë me faktorin Shqiptaro-Amerikan për ta bërë sa më konkrete se çfarë infrastrukture ofron Rama që këto biznese që vijnë nga Shqiptaro-Amerikanët të ndihmojnë dhe lobimin. Se ndryshe, kjo thirrje bie erë klientele ose sa për të kaluar radhën.

Shqipëria është vend me rrisk politik dhe korrupsioni është tashmë praktikë e njohur edhe për arsyen se militantizmi partiak është parë si e vetmja mundësi punësimi për të zënë një vend pune në shtet që bën para. Dhe mendo kjo klasë kapitaliste Shqiptare me imunitet nga populli ka kapur jo pak hapësirë në Parlament dhe Institucionet Shqiptare për tu majmur shpejt. Kurse në Diasporë paratë fitohen me djersë dhe veprimtaria atdhetare është më shumë ndjeshmëri shpirtërore për ta mbajtur gjallë Identitetin Kombëtar si një mundësi për tu treguar Amerikanëve se ne Shqiptarët jemi krenarë që kemi lindur në Shqipërinë që u thirr në Prizren më 1878 dhe në Vlorë më 1912!

Prandaj, duhet të mendojmë më me vizion se çfarë do bëjmë së bashku - Shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora me një Strategji Kombëtare! Dhe para kombit janë më shumë përgjegjës qeveritë dhe klasa politike Shqiptare ashtu sikundër çdo Shqiptar. Dhe të jemi të gjithë një hap nëse duam integrim me bashkim dhe përparim. Ky proces do të ndodhë më shpejt nëse shtetet Shqiptare ( në veçanti shteti amë që duhet edhe të udhëheqë) e përkrahin Diasporën dhe e shohin lobin Shqiptar të SHBA si faktor të rëndësishëm. Jo ta shohin vetëm nga ana folklorike, sepse asimilimi i Diasporës do të jetë dhe asimilim i kombit tonë të shumëvuajtur edhe si rrjedhojë e armiqësive që ushqejmë ndërmjet nesh ne Shqiptarët, pa qënë nevoja.

ARTUR VREKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DY FJALË PËR AMBASADORIN ARVIZU DHE POLITIKËN SHQIPTARENga ELIDA BUÇPAPAJ (09.27.2013)
GRUEVSKI, MOS E PREK GAZETËN 'ZHURNAL PLUS'MALI MA I LARTË EDHE I MAQEDONISË SË SOTME NUK ËSHTË GRUEVSKI, POR KORABI I PËRJETSHËMNga RAMIZ LUSHAJ (09.27.2013)
NJË SQARIM PËR MIKUN TIM PËLLUMB KULLANga RESHAT KRIPA (09.27.2013)
KONICA DHE FATI TRAGJIK I KUJTESËS HISTORIKENga AFRIM KRASNIQI (09.26.2013)
'GJYQI I KAFEVE' TË NEXHMIJES DHE VC-ja ALLATURKA E BERISHËSNga MENTOR KIKIA (09.26.2013)
DASVIDANIA MARRËDHËNIEVE RUSO-AMERIKANE?Nga FRANK SHKRELI (09.25.2013)
ANTIKORRUPSIONI - NJË PERSPEKTIVË PESIMISTE?Nga AFRIM KRASNIQI (09.24.2013)
COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIANNga SKËNDER BUÇPAPAJ (09.23.2013)
NJË JUGOSLLAVI E RE ME DY SHTETE SHQIPTARENga SHABAN MURATI (09.23.2013)
Barometri diplomatikISH PRESIDENTI I SHQIPËRISË ALFRED MOISIU APELON KOSOVËN DHE SHQIPËRINË PËR BASHKIMNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (09.23.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]