VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DIPLOMACIA TELEFONIKE SHBA-IRANNga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Martë, 04.16.2024, 05:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DIPLOMACIA TELEFONIKE SHBA-IRAN
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 09.30.2013, 04:48pm (GMT+1)


Biseda e parë telefonike, që zhvilluan mes tyre presidenti amerikan, Barak Obama, dhe presidenti iranian, Hasan Ruhani, në 27 shtator në Nju Jork, shënon jo vetëm komunikimin e parë të këtij niveli në 34 vjet, por edhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet deri tani të ngrira dhe të acaruara mes SHBA dhe Iranit. Është një ngjarje simbolike, që mund të quhet diplomaci telefonike, dhe për të cilën mund të thuhet qysh tani se ka siguruar vendin në manualet e diplomacisë moderne, si një model veprimi dhe kapërcimi situatash. Si model mund të krahasohet me diplomacinë e pingpongut, që mori emrin nga turneu i skuadrës amerikane të pingpongut në Kinë në vitin 1971, që shënoi hopin e madh të marrëdhënieve të ngrira amerikano-kineze.

Është nga ato ngjarje të shënuara të kalendarit diplomatik, të cilat kanë rëndësinë e tyre në hapjen e derës për zhvillime të reja, pavarësisht se çfarë përmasash apo drejtimesh mund të marrin ato zhvillime. Normalizimi i marrëdhënieve mes SHBA dhe Iranit është një perspektivë e mirëpritur dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare. Si presidenti amerikan, ashtu dhe presidenti iranian, kanë meritën, që kanë kuptuar nevojën dhe sidomos momentin historik, për të ndërmarrë kthesën e madhe në marrëdhëniet mes dy vendeve. Gazeta amerikane "Nju Jork Tajms" shkruante në 27 shtator se "Presidenti Obama dhe presidenti Ruhani i Iranit treguan udhëheqje këtë javë, duke angazhuar veten në zgjidhjen e debatit për programin bërthamor të Iranit".

Rëndësia e marrëdhënieve mes SHBA dhe Iranit e tejkalon kufirin dypalësh dhe ka rëndësi për stabilitetin në rajon, ashtu dhe në një shkallë më të gjerë. Për SHBA, normalizimi i marrëdhënieve me Iranin do të thotë një klimë më e favorshme dhe më inkurajuese për zgjidhjen e debatit shumëvjeçar lidhur me programin bërthamor të Iranit, për të cilin Teherani ka këmbëngulur se është për qëllime paqësore, ndërsa Uashingtoni ka këmbëngulur se ka qëllimin të realizojë armët bërthamore. Obama tha në një deklaratë të tij pas bisedës telefonike, se tema kryesore e bisedës me homologun iranian ishte arritja e një marrëveshjeje për programin bërthamor të Iranit. Edhe presidenca iraniane theksoi në një komunikatë të saj se të dy presidentët insistuan në vullnetin politik për zgjidhjen e shpejtë të çështjes bërthamore. Një predispozicion i tillë i niveleve presidenciale krijon kushte më të mëdha dhe mund të merret si shenjë premtuese për pritjen e disa rezultateve, në bisedimet që do të zhvillohen për programin bërthamor iranian në Gjenevë, në 15-16 tetor, në formatin 5+ 1, (Irani me pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së plus Gjermania). Futja e çështjes bërthamore të Iranit në rrugën e zgjidhjes dhe të marrëveshjes, shënon mundësinë e fshirjes nga axhenda e diplomacisë botërore të një prej debateve më të mprehta dhe më tensionuese të marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë viteve të fundit.

Normalizimi i marrëdhënieve mes SHBA dhe Iranit ka dhe do të ketë efektet e veta në një plan më të gjerë dhe duhet parë i lidhur edhe me zhvillimet e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në radhë të parë me luftën civile në Siri. Komunikata e presidencës iraniane për bisedën telefonike nënvizonte se të dy presidentët diskutuan edhe për shtrimin e një baze për zgjidhjen e çështjeve të tjera dhe për bashkëpunimin në çështjet rajonale. Irani është deri tani aleati kryesor në rajon i regjimit të Bashar al Asadit dhe pesha e ndikimi i Teheranit janë të nevojshëm për t'u konsideruar në realizimin e çdo plani të zgjidhjes së krizës në Siri, dhe veçanërisht për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Pasi SHBA u angazhuan në 14 shtator në një plan ruso-amerikan të likuidimit të armëve kimike të Sirisë, është e kuptueshme se ndjejnë nevojën për një kuadër më të gjerë faktorësh për të parë ndryshimet e duhura në Damask.

Normalizimi i marrëdhënieve mes SHBA dhe Iranit duhet parë edhe në një kontekst më të gjerë gjeopolitik e gjeostrategjik. Ekuilibri i fuqisë në rajone të ndryshme të botës është vazhdimisht në lëvizje dhe në ndryshim, proces që kërkon adaptime dhe apdejtime nga aktorët dhe faktorët rezidentë apo të interesuar. Kjo po konstatohet sidomos në zona si Lindja e Mesme apo Azia Qendrore, dhe sidomos kontinenti aziatik po bëhet fokus i ndryshimeve të shpejta në raportet e fuqisë globale. Në stinën e këtyre ndryshimeve, SHBA si superfuqia e vetme botërore, nuk mund të neglizhojnë për një kohë të gjatë rëndësinë e një faktori të rëndësishëm strategjik rajonal dhe energjetik ndërkombëtar, siç është Irani. Nga ana tjetër, lëvizjet e Rusisë në krizën e Sirisë dhe sidomos në çështjen e armëve kimike, me dashje apo pa dashje, krijuan një raport të ri fuqie diplomatike për Rusinë, e cila i dha vetes një rol dhe hapësirë të re në rajon si fuqi globale, gjë që nuk e kishte para një viti. Në këtë situatë, SHBA e kuptojnë paradoksin e një situate rajonale, ku Rusia rivale ka luksin të jetë i vetmi partner i madh i Iranit. Ndaj lëvizja e SHBA mund të shihet edhe si një kundërpërgjigje amerikane për kundërbalancimin e agresivitetit të ri diplomatik të Rusisë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Diplomacia telefonike SHBA-Iran shënon fillimin e fundit të qëndrimeve ideologjike apo emotive në filozofinë politike të diplomacisë së dy shteteve kundrejt njëri-tjetrit. Për presidentin e ri të Iranit, Hasan Ruhani, tani Amerika është një komb i madh, klasifikim që shpreh një intonim të ri të qëndrimit zyrtar të Teheranit ndaj SHBA, në krahasim me të kaluarën. Për presidentin amerikan, normalizimi i marrëdhënieve me Iranin kapërcen disa qëndrime emotive, që kanë karakterizuar disa herë diplomacinë amerikane në drejtim të Teheranit. Duhet theksuar se presidentit Barak Obama i duhet njohur merita, që edhe në periudhën e tensioneve më të larta me Iranin për çështjen bërthamore, ai ka ditur që me një vizion largpamës të mbajë larg dhe të refuzojë kërkesat dhe presionet radikale dhe aventureske, që vinin nga qeveria nacionaliste izraelite e Beniamin Netaniahut për të sulmuar Iranin. Uashingtoni ka frenuar që prej dy vitesh sirenat luftënxitëse të skifterëve të Tel Avivit në drejtim të Iranit.

Diplomacia telefonike SHBA-Iran lidhet me interesat e të dyja shteteve, por dhe me momentet e reja të zhvillimeve ndërkombëtare. Por lidhet edhe me disa ndryshime në modelet politike dhe diplomatike dhe më konkretisht edhe me ardhjen në post të presidentit të ri të Iranit, Hasan Ruhani, në muajin gusht. Presidenti i ri i Iranit ka kuptuar se për interesat dhe për nevojat e vendit të tij është i domosdoshëm një riparim i marrëdhënieve të Iranit me SHBA dhe me Perëndimin. Sanksionet e vendosura ndaj Iranit nga OKB, me insistimin e SHBA, kanë dëmtuar ekonominë iraniane, ku eksporti i naftës ka rënë 60 për qind dy vitet e fundit. Presidenti i ri, që në ditët e para, ka ofruar një imazh të ri të koncepteve dhe të qëndrimeve të diplomacisë iraniane, të cilat premtojnë një nisje të re në marrëdhëniet, deri tani të bllokuara, me SHBA dhe me vendet perëndimore.

Normalizimi i marrëdhënieve mes SHBA dhe Iranit mund të konsiderohet një fitore e realdiplomacisë dhe e mendimit pragmatist shtetëror. Ai evidenton domosdoshmërinë dhe efikasitetin e përdorimit të diplomacisë në zbutjen dhe në zgjidhjen e tensioneve dhe të konflikteve ndërkombëtare. Diplomacia e dialogut është rruga më efikase dhe me kosto më të ulët për ndërtimin e marrëdhënieve të dëmtuara dypalëshe ose ndërkombëtare. Ndaj janë për t'u përshëndetur këto zhvillime. Ato janë një shkollë e madhe për diplomacitë dhe qeveritë e të gjitha shteteve. Janë një mësim i madh edhe për profanët e diplomacisë shqiptare, ku në dritën e këtyre zhvillimeve duken mjerane qëndrime të tilla intransigjente si ai i Kryeministrit të fundit të Shqipërisë, i cili gjatë gjithë kohës së dy mandateve të tij qeveritare nuk priti dhe nuk i dha dorën asnjë ambasadori iranian në Tiranë.

Presidenti Obama demonstron një shembull të madh prej udhëheqësi, sepse gjatë mandateve të tija presidenciale ai i dha diplomacisë një rol prioritar, më të madh se paraardhësi i tij. Ai ka meritën që në shërbim të paqes, ka ndërmarrë nisma të tilla revolucionare diplomatike si, zhvillimi i bisedimeve edhe me talebanët në Afganistan dhe tani diplomacia telefonike me Iranin. Bota nuk ka parë asgjë të keqe nga dialogu.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARËNga FRANK SHKRELI (09.30.2013)
FUQIZIMI I LOBIT SHQIPTAR NË SHBA - DOMOSDOSHMËRI PËR INTEGRIMIN DHE ARDHMËRINË E KOMBITNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA) (09.29.2013)
DY FJALË PËR AMBASADORIN ARVIZU DHE POLITIKËN SHQIPTARENga ELIDA BUÇPAPAJ (09.27.2013)
GRUEVSKI, MOS E PREK GAZETËN 'ZHURNAL PLUS'MALI MA I LARTË EDHE I MAQEDONISË SË SOTME NUK ËSHTË GRUEVSKI, POR KORABI I PËRJETSHËMNga RAMIZ LUSHAJ (09.27.2013)
NJË SQARIM PËR MIKUN TIM PËLLUMB KULLANga RESHAT KRIPA (09.27.2013)
KONICA DHE FATI TRAGJIK I KUJTESËS HISTORIKENga AFRIM KRASNIQI (09.26.2013)
'GJYQI I KAFEVE' TË NEXHMIJES DHE VC-ja ALLATURKA E BERISHËSNga MENTOR KIKIA (09.26.2013)
DASVIDANIA MARRËDHËNIEVE RUSO-AMERIKANE?Nga FRANK SHKRELI (09.25.2013)
ANTIKORRUPSIONI - NJË PERSPEKTIVË PESIMISTE?Nga AFRIM KRASNIQI (09.24.2013)
COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIANNga SKËNDER BUÇPAPAJ (09.23.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]