VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - TREG PANSHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E EKONOMISË KOMBËTARENga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 10:11am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
TREG PANSHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E EKONOMISË KOMBËTARE
Nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)

E Enjte, 10.03.2013, 07:52am (GMT+1)



Në kuadrin e Draft-Strategjisë Europa 2020 që është në prezantim e sipër, Shqiptarët e Ballkanit kanë nevojë jo për prezantime kompjuterike në Tiranë dhe Prishtinë, por për tryeza të përbashkëta për të projektuar e bashkëpunuar, për të ndërtuar një ekonomi kombëtare të integruar me kërkesat jetike e bashkëkohore të të gjithë Shqiptarëve të rajonit në radhë të parë,( jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës) si dhe të integruara me ato të fqinjëve e më gjerë me BE.

Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri-Kosovë sot për sot është simbolik. Kosova në Shtator 2012 ka të regjistruar 16.6% ( ose 3.3 milionë Euro) të eksportit për në Shqipëri, kurse importi po nga Shqipëria zë vlerën 4.3%.

"Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri veprojnë 386 biznese kosovare, prej të cilave 197 janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, kurse 180 kanë statusin e personit privat. Për nga prejardhja e kapitalit, 339 janë me kapital kosovar, kurse 50 me kapital të përzier",- transmetoi Radio Europa e Lirë më 14 Shtator 2013.

Gazeta Dita e datës 29 Nëntor 2012 nënvizon, se tregu Shqipëri- Kosovë është një treg që nuk funksionon. Ndërkohë, shënon se janë dhjetë kompani (nga Shqipëria në Kosovë) që zotërojnë 53.187.866 euro kapital, apo 98,9 për qind të kapitalit që kanë të gjitha kompanitë nga Shqipëria që operojnë në Kosovë. Për nga veprimtaria, dominojnë ndërmarrjet tregtare. Janë gjithsej 139 të tilla, me një kapital prej 2.272.531 eurosh.

Kosova importoi nga Maqedonia për vitin 2012, mallra në vlerë 392 milionë dollarë, krahasuar me 29 milionë dollarë për eksport.

Shihet që Rruga e Kombit nuk ka ndikuar shumë në tregëtinë ndërshtetërore Shqiptare, përveçse gjatë verës më shumë, për pushime verore. Por e ardhmja, patjetër që do të flasë pozitivisht. Më shumë se kurrë janë kërkesë e ditës vënia në zbatim e projekteve për një infrastrukture rrugore ndërlidhëse në trojet Shqiptare, me qëllim lidhjen e të gjitha krahinave Shqiptare të rajonit përfshi Shqiptarët e Malit të Zi, sidomos zonën e Plavës dhe Gucisë me Shqipërinë dhe Kosovën, apo edhe Shqiptarët e Maqedonisë me bregdetin e Adriatikut nëpërmjet projektit të rrugës së Arbrit.

Mundësimi i një tregu të mirëfilltë panShqiptar, për të gjithë Shqiptarët e rajonit pa dallim duke ndërlidhur bizneset lokale e ndërshtetërore me njëri-tjetrin është baza e një ekonomie kombëtare. Kjo mund të arrihet edhe me marrëveshje ndërshtetërore, me ekonomi të mirëplanifikuar bazuar në kërkesat jetike, burimet e lëndëve të para dhe mundësitë prodhuese të Shqiptarëve të rajonit duke bërë të mundur promovimin e çdo prodhimi të markës Shqiptare sa më afër konsumatorit Shqiptar të rajonit.

Ekspertë të qeverive Shqiptare bashkë me agjenci zhvillimi vendore, grupe biznesi të Shqiptarëve që jetojnë në vendet Perëndimore apo edhe agjenci të huaja duhet të konsultohen e konkludojnë për hapjen e bizneseve industriale në trevat Shqiptare, me qëllim prodhimin e produkteve që vijnë nga industria e lehtë tekstile apo edhe si rezultat i konservimit apo përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale që tregëtoheshin me sukses edhe dekada më parë gjer para luftës së Dytë Botërore.
Ka shumë iniciativa individuale Shqiptare që janë të suksesshme edhe në këtë treg të egër të Ballkanit, edhe pse jo të gjithë janë të favorizuar njëlloj, por ajo që është më e rëndësishmja është krijimi i një klime politike biznesi nga vetë qeverisjet Shqiptare qëndrore apo lokale, që sot për sot janë të korruptuara brenda tyre, me qëllim që në rajon e më gjerë në BE të rritet besueshmëria e partnerëve ekonomikë dhe financiarë ndaj nesh.

Krijimi i monopoleve për fusha të veçanta si dhe favorizimi i një klientele të tipit mafioz e ka dëmtuar jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por më shumë Shqiptarët e trojeve jashtë kufijve të këtyre dy shteteve. Prandaj, duke parë me përparësi edhe lëvizjet e Shqiptarëve të Kosovës Lindore, Malit të Zi dhe Maqedonisë drejt Kosovës apo Shqipërisë për hir të një politike konstante diskriminuese karshi tyre nga regjimet Serbo-Malazeze e Maqedonase nëse vërtet qeveritë Shqiptare kanë një program kombëtar zhvillimi duhet të bashkërendojnë për çdo projekt zhvillimi në të mirën tonë të përbashkët, për tu dhënë jetë zonave ku popullsia është më nevojtare për zhvillim, sidomos qytetet dhe zonën urbane pas vijës bregdetare Shqiptare deri më në thellësi të komunave Shqiptare të Malit të Zi, Maqedonisë apo gjer në Kosovën Lindore për të ruajtur një integritet të territorit të banuar nga Shqiptarët,.

Shqiptarëve të rajonit duhet tu jepet mundësia e konkurimit në një proces tenderimi më të hapur për nevoja shtetërore apo publike ku të marrin pjesë me përparësi kompani Shqiptare për të shmangur praktikën korruptive të favorizimit të vetëm disa emra pranë klasës politike Shqiptare apo edhe klientëve fqinjë me kombësi jo Shqiptare.

Hapja e qëndrave të edukimit teknollogjik me perspektivën e zhvillimit të një industrie të lehtë për mësimin e proceseve teknologjike të prodhimit për të mbuluar nevojat që do të paraqiten për prodhim me cilësi e standarte ndërkombëtare do të përmbushë edhe një vizion të ri për ardhmërinë e shoqërisë Shqiptare që endet qyteteve më shumë duke hamëndësuar për të ardhmen e brezit të ri.Kjo vlen për këdo nga Shqiptarët kudo që ndodhen të marrin përsipër hapjen e këtyre qëndrave mësimore, sidomos atyre që kanë eksperiencë edukimi dhe prodhimi ngaqë jetojnë në Perëndim.

Punësimi me përparësi i brezit të ri me edukim managerial të modelit Perëndimor në kompanitë Shqiptare të prodhimit si dhe procedurimi me trajnime të drejtpërdrejta nga specialistë të huaj në vënd apo edhe me trajnime pranë fabrikave prodhuese në vëndet e Bashkimit Europian do tu jepte shanse të barabarta të gjithë studentëve Shqiptarë që mbarojnë suksesshëm studimet në universitetet e vendeve Perëndimore më së shumti për të vënë ekonominë kombëtare mbi baza të shëndosha drejtimi e projektimi për të arritur prezantimin në tregun rajonal dhe BE me produktet e markës Shqiptare që kanë parametra cilësie bazuar në çertifikimin sipas standarteve ndërkombëtare.

Zhvillimi i një bujqësie bashkëkohore me plan afatgjatë të ndërlidhur me nevojat si dhe të bazuar me kontrata për nevojat e tregut panShqiptar në radhë të parë si garanci, e pastaj me vëndet e Bashkimit Europian për zgjerim prodhimi do të çelte një perspektivë suksesi të një zhvillimi e punësimi më të motivuar për kushtet klimaterike mesdhetare që kemi.

Riçelja e veprimtarisë prodhuese të plehrave kimike për nevojat e tregut panShqiptar apo edhe të rajonit duke e studjuar dhe evidentuar kapacitetet prodhuese në rajon do të jetë edhe një mundësi më shumë për efiktivitetin e prodhimit bujqësor, por edhe për rritjen e fuqisë punëtore dhe kapaciteteve prodhuese industriale, sepse ne Shqiptarët kemi eksperiencë prodhuese që ishte konkururese edhe me vëndet e BE. Sot plehrat kimike importohen nga vëndet e Lindjes së Mesme apo edhe nga veriu i Afrikës.

Shqiptarët tashmë kanë filluar ti drejtohen tokës bujqësore si që lashtë, si e vetmja mundësi për të përballuar nevojat e jetesës, edhe pa mjete e teknikë bujqësore në më të shumtën, por atyre duhet tu gjendemi në krahë me objekt fuqizimin e fermave që janë e ngritjen e fermave të reja për ndryshimin e përparimin e jetës së tyre edhe për tu shërbyer me politika agrare e infrastrukturë ligjore që ndihmojnë edhe investitorët e huaj për të shfrytëzuar tokën me qera, sipas mënyrës perëndimore për të garantuar kështu një treg pune të qëndrueshëm për Shqiptarët e rajonit, gjë e cila do të sillte edhe një kooperim e prezantim më të mirë të emrit Shqiptar në produktet tona bujqësore dhe blegtorale.

Inkurajimi për shtimin e fermave blegtorale dhe të bletarisë do të përbëjë një nga synimet më të arrira nëse shtetet Shqiptare angazhohen më shumë për të sjellë në takimet me vëndet e BE edhe këtë fushë që meriton vëmëndje, sepse natyra Shqiptare është ende e virgjër dhe garanton prodhime me cilësi të lartë të mishit, qumështit e nënprodukteve të tij , mjaltit etj.

Ngritja e një Dhome Ekonomike Kombëtare që të bëjë kordinimin e tregut panShqiptar me një treg më të drejtpërdrejtë me partnerët ndërkombëtare të BE apo edhe SHBA do të jetë patjetër një kërkesë e kohës në udhë e sipër.

Një nga burimet vetfinancuese të ekonomisë kombëtare është rritja e kapacitetit të industrisë nxjerrëse të mineraleve dhe zgjerimi i industrisë rafinuese e përpunuese në vënd për metalet si magnezium, krom, hekur, bakër etj duke rritur kështu të ardhurat prej tyre, por edhe fuqinë punëtore dhe çeljen e perspektivës për përftimin e metaleve të rralla për të plotësuar nevojat e shteteve Shqiptare apo edhe të kërkesave në rritje në tregun botëror.

Ka vlerësime ekspertësh në qindra milionë dollarë vetëm për Magnezin në Tropojë dhe Kukës, po po kaq janë edhe për qymyrin në Kosovë, apo edhe në Shqipëri, si dhe të ardhurat nga vendburimet naftë dhe gaznxjerrëse etj.

Nuk është më sekret të thuhet se qindra milionë dollarë presin të realizohen nga industria nxjerrëse e përpunuese e mineraleve, naftës, gurit dhe mermerit etj në trevat Shqiptare. E rëndësishme është të tregojmë, se sa të aftë jemi ne Shqiptarët të marrim maksimumin nga to pa e shitur lirë këtë lëndë të parë që trondit bursat e botës financiare dhe ta vëmë në shërbim të kombit tërë këtë pasuri.

Trevat Shqiptare me nëntokën e tyre të pasur janë lakmi e kahershme e fqinjëve tanë ardhacakë për të shtënë në dorë territore që edhe i përkasin shtetit të pavarur të Kosovës siç është rajoni i Mitrovicës (nënkupto Trepçen).

Ndaj edhe Veriu i Kosovës u cilësua në Bashkësinë e Komunave Serbe në marrëveshjen Serbi-Kosovë për qëllime ekonomike të shfrytëzimit të zonave mineralmbajtëse nga Serbia, si edhe Greqia që do si e si të marrë me shumë pjesë detare duke lëvizur kufijtë detarë për interesat e saj ekspansioniste ekonomike.
Prandaj, lipset maturi në diplomaci me fqinjët dhe ndërkombëtarët.

Shfuqizimi i kontratave të përpunimit të plehrave të importit nga Shqipëria apo edhe tërheqja e vëmëndjes për mosrritjen e ndotjes së tokës Shqiptare të rajonit me projekte industriale ku janë të favorizuar fqinjët do të përbëjë edhe një standart të ri në marëdhëniet me fqinjët apo vende të BE që flirtojnë me fqinjët në dëmin tonë.
Tregu panShqiptar duhet të lulëzojë nga përdorimi i një sistemi energjitik të përballueshëm lehtas financiarisht nga çdo familje Shqiptare nëse do të shihen e inkurajohen edhe metodat e përfitimit të energjisë me anë të erës, paneleve diellore ( këto për ndërtesa publike apo shtetërore) apo edhe prej projekteve energjitike nga burimet lokale ujore duke i bërë qëndrat e banuara nga Shqiptarët më të pavarura dhe duke krijuar kështu më shumë kapacitet prodhues nga hidrocentralet për eksportin e energjisë elektrike në rajon e më gjerë.

Krijimi i një klime politike atdhedashëse do të ndihmonte për shkëmbime tregtare më të lira e më konkuruese jo vetëm brenda tregut PanShqiptar, por edhe pranë qyteteve ku ka me shumicë Shqiptarë në Europë apo edhe në SHBA. Kjo do të sillte edhe zgjimin e dëshirës nga Shqiptarët e mërguar për të hedhur sytë nga vëndlindja për të investuar për një biznes të sukseshëm edhe në dobi të tregut Perëndimor por gjithmonë duke patur parasysh një klimë të kënaqshme biznesi që nuk i ushqen praktikat korruptive si deri më sot.

Nëse vërtet do të kemi qeverisje (Shqiptare) në shërbim të rritjes ekonomike në trevat Shqiptare të Ballkanit, atëherë çdo gjë është e mundur. Emigracioni masiv i Shqiptarëve do të ndalet. Dhe me patjetër Shqiptarët e mërguar edhe do të kthehen, sepse Shqiptarët e Ballkanit kanë të ardhme vetvetiu sepse janë komb vital dhe e duan punën dhe vëndin e tyre!

Por nëse përsëri ne akoma do përdorim Fazlliçërinë si kontakt dhe kontraktor në Tiranë apo edhe Prishtinë, apo edhe skema klienteliste që ngrejnë oborre apo klane të reja Shqiptare ( me lidhje politike në Tiranë dhe Prishtinë të ndikuara nga Beogradi apo Athina) mos të kërkojmë të bëjmë be e rrufe se Ideologjia e Rilindasve do gjejë zbatim edhe këtë shekull.

ARTUR VREKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHENJTËRIA E FONDACIONIT PLAVË-GUCINga RAMIZ LUSHAJ (10.02.2013)
NJË SHKRIM PËR VETE DHE PËR TË TJERËTNga RESHAT KRIPA (10.02.2013)
Barometri diplomatikCILAT JANË ATO 'TROJE FILOOSMANE SHQIPTARE' NË BALLKAN?!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (10.02.2013)
GABOVE Z.KRYEMINISTËR Nga FRANK SHKRELI (10.01.2013)
HASANI KRYEN PUNË NË MANHATTANNga THOMAS FRIEDMAN, New York Times (10.01.2013)
DIPLOMACIA TELEFONIKE SHBA-IRANNga SHABAN MURATI (09.30.2013)
SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARËNga FRANK SHKRELI (09.30.2013)
FUQIZIMI I LOBIT SHQIPTAR NË SHBA - DOMOSDOSHMËRI PËR INTEGRIMIN DHE ARDHMËRINË E KOMBITNga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA) (09.29.2013)
DY FJALË PËR AMBASADORIN ARVIZU DHE POLITIKËN SHQIPTARENga ELIDA BUÇPAPAJ (09.27.2013)
GRUEVSKI, MOS E PREK GAZETËN 'ZHURNAL PLUS'MALI MA I LARTË EDHE I MAQEDONISË SË SOTME NUK ËSHTË GRUEVSKI, POR KORABI I PËRJETSHËMNga RAMIZ LUSHAJ (09.27.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]