VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KNSH - PA PJESËTARË TË DIASPORËS?!
Nga XHELADIN ZENELI

E Djelë, 10.06.2013, 08:21pm (GMT1)



Me 29 Shtator 2013 u zhvilluan zgjedhjet e reja të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, me ç'rast u zgjodhën edhe 16 anëtarë të rinj të kuvendit të elektorëve.Që në fillim, iu uroj zgjedhjen anëtarëve të rinj të KNSH-së dhe iu dëshiroi suksese në punën e tyre në realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi.

Megjithate, nuk mund dhe të mos vërehet një mangësi në përbërjen e anëtarësisë së kuvendit të elektorëve. Kjo mangësi,sipas mendimit tim, është se në kuvendin e KNSH-së nuk ka asnjë anëtarë apo përfaqësues të diasporës shqiptare(!?).

Diaspora shqiptare përbën afër gjysmën e popullsisë shqiptare në Mal të Zi (kryesisht në SHBA) dhe deri më sot nuk është e përfaqësuar në asnjë organ legjitim në vendin e origjinës së vet. Pse gjithë ky anashkalim i diasporës në aspektin e përfaqësimit të saj?

Mendoj se të gjithë pajtohemi me faktin se diaspora shqiptare , respektivisht diaspora shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike në Mal të Zi, ka dhënë dhe gjithënjë vazhdon të japë një kontribut të çmuar për atdheun dhe vendlindjen dhe tashmë është koha që po e njëjta diasporë të përfaqësohet me dinjitet dhe të jetë prezent me zërin e vet në proceset ku vendoset apo këshillohet e ardhmja dhe fati i kombit,si pjesë e cilit eshtë edhe vetë diaspora.

KNSH u themelua në vitin 2008 në përputhje me standardet eurupiane për drejtat e popujve pakicë dhe është organi më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi i cili në përbërjen e vet ka, përveç përfaqësuesve të faktorit politik, edhe përfaqësuses të profileve të ndryshme që nga fusha e arsimit, informimit, artit e kulturës e deri tek sektori joqeveritar dhe i pavarur.Njikohësisht në Këshillë janë të përfaqësuar pothuajse të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.

Gjysma e elektorëve të Kuvendit të KNSH-së (16 anëtarë ), sipas pozitës dhe funksionit që mbajnë në skenën politike shqiptare në Mal të Zi,me automatizëm janë pjesë e kuvendit të elektorëve, kështu që do të ishte e udhës që ,gjithashtu me automatizëm, disa anëtarë të diasporës shqiptare të jenë po ashtu pjesë e këtij kuvendi.Kjo do ti shërbente marrëdhenieve të mirëfillta në mes diasporës dhe vendlindjes si dhe do të dëshmonte respektin e merituar të vendlindjes ndaj diasporës së vet.Përmes përfaqësuesëve të vet diaspora shqiptare do të ishte në gjendje të komunikonte drejtë për drejti çështjet që në rend të parë preokupojnë vetë diasporën por njikohësisht edhe çështjet që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve në përgjithësi në Mal të Zi.

Vetë Statuti i KNSH-së potencon bashkëpunimin me diasporën.Në pjesën ku përshkruhen qëllimet e Këshillit ( neni 8), në mes tjerash thuhet : "... Bashkëpunimi dhe avancimi i marrëdhënieve me shqiptarët në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre qytetare dhe politike, si dhe avancimi i identitetit të tyre nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar...".Gjthashtu,në kuadër të KNSH-së egziston edhe "Komisioni për bashkëpunim me shqiptarët në vendet e tjera".

Pra, ky bashkëpunim dhe avancim i marrëdhënieve me shqiptarët e diasporës mund të arrihet në atë mënyrë që diaspora të kenë përfaqësuesit e vet në KNSH. Vërtetë që KNSH është vetëm organ këshillëdhënës dhe nuk ka kompetenca vendim-marrëse, megjthate pjesëmarrja e diasporës në kuvendin e këtij Këshilli do të ishte shumë domethënëse.

E kam cekur edhe në shkrimet e mëparshme se është tepër e rëndësishme që diaspora mos të shikohet ekskluzivisht si burim i ndihmave financiare ndaj vendlindjes ,por njokohësisht edhe si partner i vërtetë në marrjen e vendimeve të përbashkta.Rruga e bashkëpunimit nuk duhet të jetë rrugë një drejtimi por gjithëmonë rrugë dy drejtimesh. Inkuadrimi i diasporës shqiptare në proceset vendim-marrëse për çështjet me rëndësi jetike për popullin shqiptar është ,jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm ,posaçërisht tani kur pozita e shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon gjithënjë të jetë e pafavorshme dhe kërkohen forca dhe energji të përbashkta në angazhimin e zgjidhjes së saj.


Xheladin Zeneli

6 Tetor 2013
Nju Jork

XHELADIN ZENELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.