E Enjte, 03.28.2024, 10:10pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
GJEOPOLITIKA TREGTARE E RUSISË
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.14.2013, 12:01pm (GMT+1)


Një nga format dhe fushat e përplasjes gjeopolitike mes interesave të BE dhe interesave të Rusisë janë marrëdhëniet tregtare të secilës palë me shtetet e treta në Europën Qendrore dhe në Azinë Qendrore, të cilat kanë qenë pjesë e federatës së dikurshme komuniste sovjetike. Ka një acarim, të shkaktuar nga ambiciet gjeopolitike të Rusisë, për të rifituar dominimin në hapësirën gjeografike të ish-Bashkimit Sovjetik, që Moska e konsideron sferë të saj natyrale të influencës. Ambiciet ruse përplasen me politikat dhe me interesat e disa shteteve, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe të cilat kërkojnë në një mënyrë ose tjetër të gjejnë rrugën e zhvillimit dhe të modernizimit në lidhjet gjithnjë e më të ngushta me Bashkimin Europian. Prirjen e tyre drejt Perëndimit Kremlini e konsideron një burim kërcënimi të interesave ruse dhe kjo konsideratë gjeopolitike po prodhon tensione në marrëdhëniet e atyre shteteve me Rusinë. Një demonstrim i qartë janë tensionet e reja, që Rusia po krijon me shtetet të cilat bëjnë pjesë në nismën "Partneriteti Lindor" të Bashkimit Europian, një nismë e krijuar nga Brukseli në vitin 2009 dhe që përfshin gjashtë shtete të ish-Bashkimit Sovjetik, si Ukraina, Bjellorusia, Moldavia, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia, me qëllim promovimin e lidhjeve ekonomike, tregtare, infrastrukturore, të demokracisë etj. të këtyre shteteve me Bashkimin Europian.

Për të bllokuar përparimin e marrëdhënieve të BE me këto shtete të Partneritetit Lindor dhe për t'i detyruar ato të refuzojnë institucionalizimin e marrëdhënieve me BE, Moska ka ndërmarrë një ofensivë të goditjes së interesave dhe të marrëdhënieve tregtare të këtyre shteteve me Rusinë. Në 28 nëntor, në Vilnius të Lituanisë do të mbahet samiti i tretë i vendeve të Partneritetit Lindor me BE. Lituania ka aktualisht presidencën e radhës të BE dhe është vendi organizator i këtij samiti, dhe ajo, duke qenë një anëtare e BE, e cila dikur ka qenë ish-Republikë sovjetike dhe duke kuptuar më mirë problematikën e shteteve ish-Republika sovjetike, e ka planifikuar zhvillimin e Partneritetit Lindor si një nga prioritetet e presidencës së saj të BE. Samiti i Vilniusit pritet të shënojë një avancim të shkallës së marrëveshjeve mes BE dhe vendeve të Partneritetit Lindor. Ukraina do të nënshkruajë në këtë samit me Bashkimin Europian Marrëveshjen e Asocimit dhe të Tregtisë së lirë, marrëveshje të cilat do të kenë në Vilnius fillimin e tyre edhe për Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Lëvizja e këtyre tri shteteve, ish-Republika sovjetike, drejt institucionalizimit të marrëdhënieve tregtare dhe politike me BE, ka shkaktuar një alarm të vërtetë gjeopolitik në Moskë. Udhëheqja ruse po përdor të gjitha mjetet e presionit për të ndaluar bashkëpunimin dhe afrimin e marrëdhënieve të këtyre shteteve me BE. Në datën 15 gusht, Rusia, si masë hakmarrëse ndaj Ukrainës, e cila njoftoi se do të nënshkruajë marrëveshjen e mësipërme me BE, vendosi kontrolle restriktive të reja dhe të ashpra në kufirin me Ukrainën për produktet nga ai vend, duke u shkaktuar biznesmenëve ukrainas miliona dollarë humbje. Në datën 10 tetor, këshilltari i presidentit rus, Sergej Glazjev, paralajmëroi Ukrainën se Moska mund të vendosë taksa të rrepta shtesë mbi produktet ukrainase, nëse Kievi forcon marrëdhëniet me BE, dhe se Rusia mund të vendosë gjithashtu regjimin e vizave për shtetasit ukrainas, të cilët deri tani udhëtojnë pa viza për në Rusi. Në 11 shtator, në shenjë presioni ndaj Moldavisë dhe për ta kërcënuar atë që të mos nënshkruajë marrëveshjen e asocimit dhe të tregtisë së lirë me BE, Rusia vendosi ndalimin e importit të verërave dhe të pijeve alkoolike nga Moldavia, duke e goditur rëndë ekonominë e këtij shteti. Zëvendëskryeministri rus, Dimitri Rogozin e kërcënoi ashpër Moldavinë, e cila merr 100 për qind të gazit nga Rusia, me prerjen e furnizimit të gazit, duke deklaruar me cinizëm se "shpreson që Moldavia të mos ngrijë këtë dimër". Dhe për ta bërë akoma më të qartë se goditjet tregtare ruse synojnë prishje të marrëdhënieve të shteteve të Partneritetit Lindor me Bashkimin Europian, Rusia ndërmori në 12 shtator masa të rrepta restriktive kufitare kundër Lituanisë. Në 18 shtator, Komisioneri i lartë i Komisionit Europian për Tregtinë, Karel de Gucht, njoftoi në parlamentin europian se ai i ka dërguar një letër ministrit rus të zhvillimit ekonomik, ku i kërkon shpjegime për masat kufizuese të Rusisë ndaj Lituanisë, dhe i kërkon heqjen e menjëhershme të këtyre kufizimeve. Por deri në datën 8 tetor, kur Komisioneri po raportonte në Parlamentin Europian, qeveria ruse nuk kishte dërguar asnjë përgjigje. Dhe për më tepër, në datën 7 tetor, Rusia ashpërsoi qëndrimin dhe shkallëzoi acarimin, duke vendosur ndalimin e importit të produkteve blegtorale nga Lituania, dhe duke goditur rëndë eksportin dhe ekonominë e këtij shteti, sepse 80 për qind e prodhimit blegtoral lituanez eksportohet në Rusi. Gjeopolitika tregtare e Rusisë ose përdorimi i marrëdhënieve tregtare për qëllime politike dhe strategjike, po demonstrohet me një agresivitet impresiv. Dome-thënia politike dhe gjeopolitike e masave restriksioniste, e presioneve tregtare dhe e politikës shtrënguese ruse, shprehin zbatimin e një strategjie të përdorimit dhe keqpërdorimit të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike për vendosjen e ndikimit rus. Komisioneri i Komisionit Europian për Tregtinë, Karel de Gucht, deklaroi në 9 tetor se nuk ka dyshim që kufizimet tregtare ruse mbi Lituaninë janë ndërmarrë për qëllime politike. Duke analizuar veprimet e Rusisë për të ndaluar prodhimet blegtorale lituaneze, kryeministri i këtij vendi, Algirdas Butkevicius, deklaroi në 10 tetor se kjo dëshmon se Moska i trembet se mos humbet influencën në Ukrainë dhe në shtetet e tjera ish-Republika sovjetike.

Sanksionet tregtare, që Rusia po ndjek ndaj shteteve të Partneritetit Lindor të BE, provojnë se Moska po ashpërson qëndrimin dhe politikën e saj të konsolidimit me të gjitha mënyrat e sferës së saj të influencës në shtetet, që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik. Si kundërpërgjigje ndaj nismës së BE për Partneritetin Lindor, Rusia ka projektuar krijimin e organizatës së Unionit Doganor të shteteve, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Unioni doganor është një formë e organizimit të kontrollit dhe të dominimit ekonomik rus në ekonominë dhe në marrëdhëniet tregtare të shteteve anëtare. Me gjithë presionin e fortë të Moskës, deri tani vetëm dy shtete ish-Republika sovjetike, Bjellorusia dhe Kazakistani, kanë pranuar të bëhen anëtare të këtij Unioni Doganor, të kryesuar nga Moska. Kohët e fundit edhe Armenia ka deklaruar se do t'i bashkohet Unionit Doganor rus.

Midis perspektivës së një bashkëpunimi të ngushtë tregtar dhe institucional me një organizatë demokratike si BE, dhe asaj të futjes në rrethin e kontrollit ekonomik të Moskës, që ish- Republikat sovjetike e dinë mirë se çfarë do të thotë dhe çfarë pasojash ka për sovranitetin dhe për identitetin e tyre, duket se disa shtete lindore, ish-Republika sovjetike, po ndjekin rrugën e bashkëpunimit me Bashkimin Europian. Kjo rrugë e bashkëpunimit me BE vlerësohet si një kërcënim nga strategjia sovjetike e udhëheqjes së sotme të Rusisë, e cila kërkon me çdo kusht të bllokojë dhe të ndryshojë statuset gjeopolitike të shteteve, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik, nga shtete të pavarura në shtete të kontrolluara përsëri nga Moska. Qoftë marrëdhëniet tregtare, qoftë marrëdhëniet energjetike, janë shndërruar në mjetet e preferuara të presionit mbi këto shtete nga ana e Moskës.

Politika ruse e shantazheve dhe e presioneve tregtare ka si qëllim që t'i kundërvihet orientimit të integrimit europian, të cilin, disa shtete të ish-Bashkimit Sovjetik po e shohin si rrugën më të drejtë të perspektivës së zhvillimit të tyre ekonomik e social. Rusia ndërmerr presione të drejtpërdrejta tregtare, ekonomike, energjetike, kufitare, ushtarake, dhe të tjera, me qëllim që të pengojë çdo formë orientimi dhe bashkëpunimi me Bashkimin Europian. Rusia e ndjek këtë politikë jo vetëm me shtetet, që kanë qenë dikur pjesë e federatës komuniste sovjetike, por edhe ndaj shteteve të tjera, që nuk kanë qenë, si për shembull shtetet ballkanike. Shembull i qartë është presioni i vazhdueshëm, që Moska po ushtron në nivelet më të larta politike mbi Malin e Zi dhe mbi Serbinë, për t'i penguar dhe bllokuar ata në rrugën e integrimit europian, edhe tani që të dy këto shtete kanë marrë statusin e shtetit kandidat për në BE.

Mësimi, që del nga gjeopolitika tregtare ruse dhe nga praktika e marrëdhënieve aktuale të Rusisë me ish-Republikat komuniste sovjetike, shkon përtej raporteve mes Rusisë dhe atyre shteteve. Ky realitet sjell një kujtesë të vazhdueshme për kujdesin, që qeveritë dhe shtetet duhet t'u kushtojnë marrëdhënieve dhe orientimeve të politikës së jashtme ekonomike. Sepse varësia tregtare nga shtete si Rusia, që kanë objektiva dhe ambicie të kontrollit rus në gjithë rajonet, mund të çojë në dobësimin e parametrave të sigurisë dhe të sovranitetit kombëtar. Ndaj nuk do ishte keq që ata qeveritarë, që kanë përgjegjësi për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë, të ruhen pak më tepër nga marrëdhënie të tilla, që prodhojnë vartësi energjetike, elektrike, ushqimore, apo të tjera, nga shtete si Rusia apo Serbia.
SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GOJA TË RRJEDHTË MJALTË, PO PUNA ËSHTË BËRË BALTËNga RAMIZ LUSHAJ (10.14.2013)
TË NDËRTOJMË SHTETIN APO TË JETOJMË ME RREZIKUN MAJTAS SHILA DJATHTAS KARIBDA?!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.13.2013)
SHUMË ZHURMË NË TIRANËNga AFRIM KRASNIQI (10.12.2013)
STOP FRIKËSIMIT DHE KËRCËNIMIT NDAJ SHTYPIT TË PAVARURNga FRANK SHKRELI (10.10.2013)
MIRADMINISTRIMI I SHTETIT PËRBALLË SYNIMEVE JAKOBINISTENga ROMEO GURAKUQI* (10.10.2013)
SHBA DHE MESAZHET PËR SHQIPËRINËNga AFRIM KRASNIQI (10.09.2013)
'GJENERATA E RE' - PROBLEME TË VJETRA!Nga Dr. PËRPARIM KABO (10.09.2013)
AKUZË GJENOCIDI PËR KRIMET KOMUNISTE NË RUMANINga FRANK SHKRELI (10.08.2013)
Kushtuar motrës sime Drita Kripa PelinguMIRUPAFSHIM MOTËRNga RESHAT KRIPA (10.08.2013)
POLITIKA SHQIPTARE NË HIGH HEELS PËRPARA TRAGJEDISË LIVE TË SOFIE QENDROS Nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.08.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]