VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AMANETI I ÇUAR NË VEND! - KATOVICA - ËSHTË ZBATUAR SI NJË SKENAR PA NDRYSHUAR PIKË E PRESJE Nga FRANK SHKRELI

E Martë, 10.15.2013, 08:32pm (GMT1)

    

Javën e kaluar, Z. Servet Pëllumbi, një ish-funksionar i lartë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në një intervistë televizive zbardhi mëtej dokumentin e Ramiz Alisë, të bazuar në platformën e Mikhail Gorbaçovit, të ashtuquajturën "Katovice" duke rrëfyer vendimin e ish-diktatorit komunist të Shqipërisë për të zbatuar vendimin sekret të Byrosë politike të Shqipërisë, në lidhje me këtë platformë.   Në Shqipëri gjithnjë duket si tabu përmendja e këtij këtij dokumenti, dhe si rrjedhim tërheq vëmendje e interesim sado herë që përmendet.  Është i rëndësishëm fakti që Z. Servet Pëllumbi, i cili ka qenë pjesëmarrës dhe është në dijeni të plotë të ngjarjeve të 20 e sa viteve të jetës politike në Shqipëri, flet për këtë fenomen të rëndësishëm të historisë moderne shqiptare. Deklaratat e tij kanë peshë dhe janë një kontribut në diksursin politik për zbardhjen e së vërtetës së historisë moderne të vendit.  Platforma "Katovice", në të vërtetë, ishte sajuar nga ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçev.  Duke parë se komunizmi si ideologji dhe sistem qeveritar kishte dështuar anembanë ish perandorisë sovjetike, ai në vitin 1987, mblodhi ish-udhëheqsit e partive komuniste në Katowice të Polonisë për t'u paraqitur atyre platformën e kalimit nga komunizmi në "demokraci''. 

Megjithëse Partia e Punës e Ramiz Alisë nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Katowicës, pasi e konsideronte veten gjithnjë si shpëtimtarja e fundit e marksizëm-leninizmit në botë, Zoti Pëllumbi thotë se megjithëkëtë platforma "Katowice" i kishte ardhur Ramiz Alisë nga Gorbaçovi dhe sipas tij, diktatori komunist shqiptar e zbatoi atë me përpikmëri -- në mendimin tim më me përpikmëri se në çdo vend tjetër komunist të Europës. Zoti Pëllumbi drejton gishtin ke Ramiz Alia, si njeriu i cili në bazë të plaformës "Katowice", megjithëse në prapaskenë,   luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit edhe pas vitit 1990 duke caktuar udhëheqsit e partive politike, si dhe reformat që duhen bërë në fushën ekonomike dhe politike të vendit.  Për mua elementi më i rëndësishëm në këtë platformë është amaneti i Ramizë Alisë se si të trajtohen (ose jo) ish-të përndjekurit politikë.   Pyetjes së gazetarit në televizionin "Channel One", nëse Ramiz Alia kishte gisht në zbatimin e platformës "Katovice" në Shqipëri, ish-udhëheqsi socialist, Z. Servet Pëllumbi, ndër të tjera tha këto: "Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri. Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së "˜87.   Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: "Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?", sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë. Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete. Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji. Dokumenti që po ju tregoj është një facsimile e një skeleti të fjalës së Ramiz Alisë në Byronë Politike", tha ai në intervistën televizive për "Channel One".

Në përgjigje të gazetarit, nëse ka ndonjë pikë referimi ndaj këtij dokumenti, Zoti Pëllumbi tha se dokumenti është lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë në vitin 1989, nga i cili ai lexoi në ekran pjesët më thelbësore të dokumentit, bazuar në materialet e Gorbaçovit ku sipas tij, thuhet: "Socializmi ka dështuar. Cila do të jetë strategjia jonë për kalimin në demokraci?" Ndër të tjera thotë: "Do të nxisim të krijojmë parti sa të duam, gjithsesi këto parti duhet kontrolluar nga ne". Dhe kështu u bë. Vijon Ramizi: "Në krye të tyre duhet të vendosen njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin me themel e me çati, në mënyrë që të fitojë simpatinë e perëndimorëve".  Momenti i dytë është ai i të përndjekurve politikë: "Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë do të hakmerren. Ne nuk mund të bëhemi hyzmeqarë të tyre".  Problemi i tretë, lidhet me pronat: "Të shpronësuarve do t'u japim letër në dorë që t'u njihet prona, por asnjëherë nuk do t'ua japim. Pasurinë e kemi krijuar ne dhe na takon ne". Dhe  më në fund, sipas Z. Servet Pëllumbi, Ramiz Alia ka thënë se sipas kësaj strategjie,  "brenda dy tre legjilstaurave do kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste".

Megjithëse kam besim tek deklarata e Z. Servet Pëllumbi, është shumë vështirë të zbulohet e vërteta mbi zbatimin e këtij dokumenti, siç është vështirë të zbulohet e vërteta për shumë gjëra të historisë komuniste dhe post-komuniste të Shqipërisë.  U mbetet historianëve të paanshëm që më në fund të hedhin dritë mbi këtë fenomen dhe të tjerë të kësaj natyre. Por një gjë është e qartë. Në qoftë se Ramiz Alia kishte gisht në vendosjen e udhëheqësve të Shqipërisë post-komuniste dhe në krijimin e partive politike, historia e 20-viteve të fundit tregon se amaneti i ish-udhëheqsit komunist shqiptar në bazë të platformës "Katovice" -- është zbatuar si një skenar i ndjekur me përkushtim,pa ndryshuar pikë as presje.  Mund të ketë qenë kjo një koincidencë, ose mund të ketë qenë një aksident historik, që gjërat në Shqipëri të kenë rrjedhur pothuaj përpikëmërisht në përputhje me strategjinë e platformës "Katovice".

Në vizitën e parë në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991,  me delegacionin e parë zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishim dëshmitarë të një vendi të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, por njëherazi u gjendëm edhe përballë një populli plotë pritje, i cili ëndërronte për një të ardhme më të mirë, për një jetë të lirë dhe në drejtësi. Shqiptarët dëshironin integrimin me Perëndimin, rivendosjen e pronës private, të demokracisë, të zbatimit të ligjit. Dëshironon lirinë e shtypit, gjykata të pavarura dhe privatizim.  Por sot pas 20 e sa vjetësh, megjithë dukjet dhe retorikën demokratike, Shqipërisë fatkeqësisht i mungon substanca e vlerave të vërteta demokratike dhe është kapluar nga një kulturë politike e rrënjosur në mosbesim dhe mungesë tolerance ndaj kundërshtarit politik, që e ka lënë vendin pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.

Sipas Z. Servet Pllumbi, në skeletin e programit të Ramiz Alisë thuhet se "Të përndjekurit politikë, të dënuarit politikë, duhet të përkrahen, por kurrë nuk do të lëmë të marrin pushtetin", një amanet ky që është mbajtur, pasi jo vetëm që ata nuk kishin asnjë mundësi që të merrnin pushtetin, por ata u anashkaluan dhe as nuk u pranuan si pjesë e qeverive të 20-viteve të fundit.  Është e mundur që asnjë përson nga rradhët e të ish-përndjekurve dhe të dënuarve politikë dhe as nga bijtë e bijat e tyre të kësaj shtrese të shoqërisë së vuajtur shqiptare të ketë pasur përgatitjet dhe kualifikimet e duhura për ndonjë detyrë me rëndësi në qeveritë socialiste dhe demokratike të 20-viteve të fundit?  Kombi shqiptar do të përparojë vetëm atëherë kur të gjithë trajtohen dhe gëzojnë të drejta të barabarta. Vetëm atëherë kur nuk bëhen përjashtime, por kur të inkurajohet pjesëmarrja dhe përdorimi i talentit dhe potencialit të plotë të çdo personi pa marrë parasyshë të kaluarën familjare ose bindjet politike të tij. Kombi do të përfitojë dhe të shkojë përpara vetëm atëherë kur të tërheq talentet më të mira nga të gjitha shtresat e shoqërisë pa ndonjë barometër politik me qëllim realizimin e ëndërrave të shqiptarëve të para 20-viteve dhe vetëm në këtë mënyrë Shqipëria dhe Shqiptarët do të jenë në gjëndje të përballojnë sfidat e mëdha tani dhe në të ardhëshmen. A është e drejtë që bijtë dhe bijat e të përndjekurve të mos përfshihen në qeverisjen e Shqipërisë demokratike? Fatkeqsisht praktikat e qeverive të 20-vietve të fundit, më shumë kanë ndarë e përçarë se sa kanë bashkuar e pajtuar.

Trashëgimia komuniste nuk mund të zhduket lehtë, megjithëse kanë kaluar më shumë  se dy dekada ç'prej rënjes së komunizmit zyrtar. Këjo trashëgimi është pjesë përbërse e individëve, e grupeve dhe klasave shoqërore shqiptare dhe si e tillë, kjo trashëgimi fatkeqsisht është vendosëse për fatin e shqiptarëve tani dhe në të ardhmen.  Sidomos në Shqipëri, përballimi me të kaluarën duket se është tepër i vështirë -- mos i pamundur -- pikërisht për ndasitë e mëdha që kanë ekzistuar dhe që ekzistojnë midis viktimave dhe atyre që në emër të regjimit komunist dhunuan dhe shkelën të drejtat njerëzore të këtyre viktimave, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Shoqëria shqiptare ka nevojë për krijimin e një hapsire të lirë publike ku qytetarët mund të debatojnë të pa penguar dhe pa ndërhyrje mbi çështjet e rëndësishme për fatin e tyre. Martin Luter Kingu ka thënë se, "Jeta jonë fillon të marrë fund, pikërisht në ditën kur ne heshtim për gjërat e rëndësishme." 

Z. Servet Pëllumbi hapi një debat për një gjë shumë të rëndësishme të historisë shqiptare të 20-viteve të fundit.  Dhe në një seminar të organizuar ditët e fundit nga Ambasada e Polonisë në Tiranë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe bashkpunimin me shoqërinë civile, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani theksoi se mbrojtja e  të drejtave të njeriut  është problemi kryesor politik dhe ekonomik që pengon zhvillimin normal të vendit duke thënë se "familja europiane, ku dëshirojmë të rikthehemi pas një mungese të gjatë dhe ku aspirojmë të jemi të barabartë mes të barabartëve, kërkon ndërgjegjësim të madh të shoqërisë, promovimin e një barazie, tolerancë dhe gjithpërfshirje më të madhe se ai me të cilin është mësuar shoqëria tradicionale shqiptare".

Si e sheh Shqipëria të ardhmen e saj gjatë 20-viteve të ardhëshme? Cilat janë vlerat dhe objektivat mbi të cilat do të ndërtohet kjo e ardhme.  A do të jenë gjithëpërfshirëse a po do të vazhdojnë të jenë përjashtuese?  Pa vlera dhe pa ideale të përbashkëta dhe pa të drejta të barbarta për të gjithë, përfshirë dhe ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, por sidomos bijtë dhe bijat e tyre, të cilët janë në moshën për të kontribuar -- dhe pa marrë parasysh amanetin e Ramiz Alisë -- duhet të kenë të drejtën e konkurencës që t'i shërbejnë Atdheut në çdo kapacitet dhe detyrë për të cilën kanë kualifikimet e nevojshme. Për ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të çalojë drejtë përparimit, zhvillimit dhe integrimit europian për të cilin ka aq shumë nevojë.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.