VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LUGINA E PRESHEVËS LIDHET ME MITROVICËN, JO ME LIBOFSHËN
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 10.28.2013, 07:53am (GMT1)



Është interesant se, në gjithë marshimin e Serbisë drejt integrimit me Bashkimin Europian, asnjëherë Brukseli nuk ka ngritur si çështje për zgjidhje, të drejtat e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës. Arsyeja e parë është se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë anëtare të BE-së, që t'i impononin diplomacisë së BE-së trajtimin e çështjes së Luginës së Preshevës, si një nga kushtet që duhet të plotësojë Serbia para se të avancojë nëpër shkallët e integrimit. Së dyti, disa shtete europiane kanë qenë gjithmonë të gatshëm që Serbisë, ndryshe nga shtetet e tjera ballkanike, t'ia hapin dyert e BE-së me indulgjencë, edhe pa plotësuar kushtin e madh të të drejtave të pakicave. Së treti, duhet pranuar se dhe vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kishin qenë më aktivë, për të adoptuar forma më adekuate të presionit më të madh ndaj qeverisë serbe dhe ndaj faktorit ndërkombëtar, sepse faktori ndërkombëtar hyn në lojë vetëm kur ka probleme.

Zhvillimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në nivelin e kryeministrave, me ndërmjetësimin e BE-së, përbën një rast optimal për të hapur dhe diskutuar në planin diplomatik çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ka qenë rast optimal, sepse çështja e Mitrovicës dhe e Veriut të Kosovës, të banuar nga minoriteti serb, ka qenë një temë ndër kryesoret e bisedimeve mes dy kryeministrave në Bruksel dhe çështja e serbëve të Veriut të Kosovës është ndër pikat kryesore të marrëveshjes së arritur mes dy shteteve në 19 prill. Që do të thotë, se çështja e Mitrovicës është bërë çështje ndërkombëtare, përderisa bisedimet zhvilloheshin me praninë, me ndërmjetësimin dhe me pjesëmarrjen aktive dhe vendimtare të diplomacisë europiane. Që do të thotë, se edhe çështja e Luginës së Preshevës duhej të ishte bërë në një formë apo tjetër pjesë e tematikës dhe e rendit të ditës së bisedimeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një trashëgimi e krizës jugosllave, e cila nuk gjeti zgjidhje me shembjen e ish-Jugosllavisë dhe as me krijimin e shtatë shteteve që dolën prej saj. Kjo do të thotë se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është dhe duhet të jetë pjesë e axhendës së diplomacisë së Shqipërisë dhe e diplomacisë së Kosovës në marrëdhëniet me Serbinë. Nga një pikëpamje kjo është një avantazh, sepse diplomacitë e të dyja shteteve shqiptare e kanë detyrë kushtetuese dhe kombëtare të interesohen dhe të angazhohen për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Është avantazh, sepse diplomacisë së Serbisë do t'i duhet të përballet me diplomacitë e të dyja shteteve shqiptare për Luginën e Preshevës, dhe kjo rrethanë e bën më të dobët pozitën e diplomacisë serbe.

Në këtë kuadër, dhe duke pasur parasysh se Lugina e Preshevës duhet të jetë domosdoshmërisht në axhendën e diplomacisë së dy shteteve shqiptare, lind nevoja e një përkufizimi të ri në raportet e koordinimit dhe të prioritarizimit të çështjes së Luginës së Preshevës nga diplomacia e Shqipërisë dhe diplomacia e Kosovës.
Ka një debat të hershëm se cilit shtet i takon të ketë preokupimin kryesor në drejtim të betejës diplomatike me Serbinë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në librin tim "Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës", botuar në vitin 2009, i jam përmbajtur pikëpamjes se çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë në radhë të parë objekt i diplomacisë së Shqipërisë, sepse Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s dhe i OKB-së, dhe është shteti shqiptar, i cili ka marrëdhënie diplomatike dhe zhvillon bisedime dypalëshe me qeverinë e Serbisë dhe ka komoditetin ta ngrejë në tavolinën e bisedimeve. Në këtë mënyrë, për arsye praktike dhe diplomatike, Shqipëria duhej të ishte zëri kryesor shtetëror e diplomatik për t'u angazhuar për realizimin e kësaj çështjeje. Por zhvillimi i bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës në nivelin kryeministror, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe me pjesëmarrjen direkte në këto bisedime të përfaqësueses së lartë për politikën e Jashtme, Ketrin Eshton, ka krijuar një situatë të re politike, taktike dhe strategjike, kur kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë bisedojnë direkt për të gjitha çështjet, që kanë mes dy vendeve. Marrëveshja e 19 prillit 2013, mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ka hapur një mundësi, një hapësirë dhe një kapitull të ri, për përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës. Drejtimi i ri është që tani të drejtat e shqiptarëve të Luginës duhet të jenë pjesë e tratativave diplomatike mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Serbisë, për pakicat reciproke në territorin e njërit dhe tjetrit shtet.

Por pikërisht këtu në këtë pikë, përballë këtij zhvillimi dhe kësaj alternative të re shqiptare, konstatohet një manovër diplomatike e Serbisë, e cila, me gjithë situatën e re të krijuar pas marrëveshjes së 19 prillit, po kërkon që ta adresojë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës si çështje për t'u hedhur në tavolinën e bisedimeve jo me Prishtinën, por me Tiranën, dhe për ta barazuar me një grup në Shqipëri, i cili e shpall veten me origjinë serbe. Në fakt, përpjekja e Beogradit synon që ta largojë veten nga detyrimi që të zbatojë për shqiptarët e Preshevës të njëjtin nivel të drejtash që kërkon për serbët e Veriut të Kosovës. Në këtë detyrim do ta vinte Serbinë shtrimi i çështjes së Luginës së Preshevës në bisedimet me Kosovën. Diplomacia serbe tenton ta minimizojë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ta shtrojë tani çështjen e trajtimit të minoriteteve jo me Kosovën, por me Shqipërinë, duke barazuar artificialisht Luginën e Preshevës me një numër tepër të vogël shtetasish në Shqipëri, të cilët, për arsye të ndryshme, e shpallin veten se kanë origjinë serbe. Janë dy anë të pakrahasueshme si gjenezë dhe histori, në numër dhe në organizim, në përkufizimin juridik dhe në peshë politike dhe administrative. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ose të Kosovës Lindore, jetojnë në trojet e veta etnike në kufijtë shtetërorë të Serbisë, dhe deri në vitin 1948 kanë qenë pjesë e Kosovës, nga e cila Beogradi e shkëputi arbitrarisht, pikërisht për të mbajtur nën kontroll Luginën edhe nga pikëpamja administrative, si dhe për të dobësuar sa më shumë Kosovën.

Burime të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë bëjnë të ditur se diplomacia serbe po kërkon që ta sanksionojë edhe me një marrëveshje mes Serbisë dhe Shqipërisë këtë status "barazie" mes popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës dhe grupit të vogël të disa shtetasve të Shqipërisë, të cilët e kanë shpallur veten me origjinë serbe. Natyrisht, kushdo që njeh historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit, e ka të ditur se historia nuk jep asnjë dëshmi apo fakt që në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore apo në mes dy luftërave botërore të kenë ardhur refugjatë nga Serbia dhe të kenë ndenjur në Shqipëri. Refugjatë apo muhaxhirë kanë ardhur nga Bosnja dhe nga Mali i Zi, pasardhësit e të cilëve i gjen sot banorë në mesin e shqiptarëve. Duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë boshllëk historik, diplomacia dhe institucionet e specializuara serbe kanë ushtruar veprimtari dhe presione të shumëllojta në territorin e Shqipërisë për të bindur disa muhaxhirë boshnjakë apo malazezë, që të paraqiten si me origjinë serbe për shkak të afërsisë së gjuhës. Në këtë aksion zyrtar serb në Shqipëri, janë shpikur edhe serbë të fesë myslimane, ndonëse në çdo enciklopedi apo libër për Serbinë nuk përmendet kurrë se ekzistojnë grupe serbësh të fesë myslimane. Qëllimi strategjik i Serbisë është edhe t'i shmanget detyrimit për reciprocitet me Kosovën për minoritetet përkatëse, por edhe të krijojnë një kartë presioni ndaj Shqipërisë.

Këtë lojë diplomatike, qeveria e Serbisë po tenton ta zbatojë aktualisht në marrëdhëniet me qeverinë e re të Shqipërisë. Është pozitive, ndjeshmëria që ka demonstruar qeveria e re e Shqipërisë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në të njëjtën kohë, ajo ka përcaktuar orientimin dhe qëndrimin diplomatik, se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të trajtohet në barazi me çështjen e serbëve të Veriut të Kosovës. Një qëndrim i tillë diplomatik i vendosjes së korrelacionit Lugina e Preshevës-Mitrovica, mbështetet nga historia, nga lidhjet gjenetike të territorit dhe të popullit, nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e pakicave, dhe nga perspektiva e qetësimit të rajoneve dhe të vatrave të tensioneve të pazgjidhura në rajonin tonë.

Në fjalën që mbajti në parlamentin e Kosovës në 13 shtator, Kryeministri i ri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi: "Përse të mos bëhen të drejtat e pacenuara dhe mirëqenia në Luginën e Preshevës dhe në Veriun e Kosovës lajtmotivi i epokës së re, që u hap me firmosjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi këtë vit?" Kjo tezë paraqet kuintesencën e qëndrimit dhe të veprimit diplomatik shqiptar, që Lugina e Preshevës duhet të barazohet me çështjen e Veriut të Kosovës dhe shqiptarët e Luginës të kenë të njëjtat të drejta si ato që kërkon Serbia për pakicën serbe në Kosovë. Këtë qëndrim të drejtë e theksoi dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili në 10 tetor deklaroi se Serbia duhet të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, ashtu si Kosova respekton të drejtat e serbëve në Kosovë.

Unë e kam theksuar disa herë, se Lugina e Preshevës meriton dhe ka të drejtën për një autonomi politiko-administrative, për të cilën ka votuar në mënyrë plebishitare para 21 vjetësh. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të kenë as më pak e as më shumë të drejta se serbët e Veriut të Kosovës. Ndaj edhe për diplomacinë e Shqipërisë, edhe për diplomacinë e Kosovës, mendoj se vlen këshilla që Presheva lidhet me Mitrovicën dhe jo me Libofshën. Tirana dhe Prishtina duhet t'ia bëjnë të qartë këtë Beogradit.

SHABAN MURATI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.