VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

INDUSTRIA POLITIKE E TË MAJTËS FLET PËR BASHKËKRYETARËSI “BASHA-BERISHA” PËR TË FSHEHUR RIVALITETIN MBI 15 VJEÇAR RAMA-META
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Mërkurë, 10.30.2013, 08:12pm (GMT1)


E majta e riardhun në qeverisje, me pushtete e struktura të saj, iu ka turr opozitës së djathtë tue kangurue me tepri politike e qytetarie: Basha e Berishabashkëkryetarë të Partisë Demokratike. Në fakt diçka tjetër po duket ashiqare: mazhoranca e ka hallin e vet. Po i tutet duelit politik mbi 15 vjeçar Rama-Meta. "Kali i Trojës" po iu lodron në thelluta e thepnaja të ortakërisë ajzberige. Patjetër, njani prej të dyve, ndoshta dhe pas një shkrirje aliazhore të natyrshme PS-LSI, ka me ia mbrri shpejt për me u ulë në krye të "llozhës rozë" të pushtetit politik të trefishtë. I pari hap, ma i arritshëm: Rama të bahet ish-kryeministër. Hapi i dytë i të (pa)mundurës është yshtja e Ramës nga kreu i PS. I treti vjen vet: kryetar i aleancës të së majtës shqiptare. Duket se nuk ka tjetër rrugëzgjidhje politike, pasi kësisoj ky koalicion ka me ecë si traktori i parë shqiptar. Përndryshe, lypsen të tjera mejdane politike: zgjedhjet lokale të rradhës më 2015 apo ato të (para)kohshme parlamentare, që do të ndryshojnë raportet e forcave politike dhe priten përgjegjësi e angazhime të reja kombëtare politike.

Kryesocialisti e kryeministri Fatos Nano, disi i pa mëvetësuar plotërisht po i motivuar e i (vet)detyruar pothuaj tërësisht nga kushte e rrethana të (prapa)skenës politike të ditës e të perspektivës, si një mjeshtër i sprovuar i skemave kësodore, iu dha Ilir Metës e Edi Ramës poste ministrore në qeverinë "Nano 4" të 24 prillit 1998. Pavarësisht faktit se kjo qeveri e re vinte pas krizës së qeverisë të maparshmes të 25 korrikut 1997, u syshfaq publikisht sikur u riformatua vetëm për këto dy fytyra politike të reja të ekzekutivit shqiptar, Meta e Rama, pasi emrat e ekipit qeveritar 18 antarësh ishin pothuaj të njëjtit.

Rama dhe Meta ishin qeveritar me fat për karrierën e tyre politike, sepse për gjashtë muaj kontribuan dhe mbijetuan në këtë qeveri të përveçuar si tepër aktive, vorbullnajë enigmatike, autokrate ekstreme, mafioze e ashpër, me laryshi politike, tejet problematike. Njëherash, ishte qeveria që ka prit e përcjellë ma shumë personalitete në historinë e tranzicionit shqiptar, si: Nano, Rama, Meta, K. Islamiish kryetar i Kuvendit, A. Imaminjë ndër themeluesit e PD dhe nënkryetar i PD e kryetar i grupit të saj parlamentar (1990-1992), B. Finoish kryeministër i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (1997), ministri A. Malajtashti antar partie jashtë partisë së tij, A. Angjeliish ministër i kahershëm i lekut që në qeverinë "Nano 2" (1991) dhe i rikthyem së vonit deputet i Ramës, etj. Në vite të ardhshme (jo)elektorale 6 ministra të kësaj qeverie të majtë u (ri)kthyen tek PD si në aleanca para e pas zgjedhore, antarë ose deputetë e ministra të saj.

Kësokohe, Nano me të tijët, i la Metën e Ramën në "bangot e fundit" të qeverisë "Nano 4",pasi i duheshin ma së forti për frymë e imazh (ndër)kombëtar. Prania e këtyre dy "pëllumbave"politik flatrahapur në këtë qeveri ishte një farë çertifikate e garancie që Fatos Nano të rrinte në krye të pushtetit të trefishtë: ekzekutiv, partiak e atë të koalicionit qeverisës.

Këta dy lider të së ardhmes, nistue në Qeverinë "Majko 1" dhe "Meta 1" dhe veçmas kur Meta rizgjidhjet për së dyti herë rradhazi kryeministër dhe kur Rama u zgjodh për herë të parë kryebashkiak i Tiranës, u kthyen në "skifterë të politikës", pasi ndaj tyre dhanë ndikimet e veta edhe Lufta e Kosovës (1998-1999), ngjarjet e shtatorit 1998, rivaliteti gjithëfarësh i Nanos për rikthim në krye të ekzekutivit sidomos pasi gjyqësori i dha pafajësi për vitet e burgimit në Bënçë dhe PS e rizgjodhi kryetar të saj në Tiranë, rikthimi konservator e brutal i ish-ëve të PPSH, lufta e hapur e të rinjëve e të vjetërve në qeveri e struktura të larta të PS e të aleatëve të saj, etj.

Mirëpo, Rama e Meta, pos valëve të përplasjeve politike ndërveti, po edhe me të tjerët në PS e jashtë dhe larg saj, të dy mirëditën me ia mbrri të dalin të parët e vendit të shqipeve në elektoriadën e veçantë të qershorit 2013. Sigurisht, Rama dhe Meta, ishin të projektuar, promovuar e faktorizuar qyshse herët për një kohë të tillë të pritshme qeverisjeje të së majtës në Shqipërinë Londineze të shek. XXI.

Këta të dy, Rama e Meta, tashma në këtë mandat të ri qeverisës po bahen "dinosaurë" të rinj të politikës shqiptare. Po i betonojnë klanet e tyre në politikë. Përplasja e re e tyre është në ardhje të frikshme e eksplozive para e drejt nesh.

Edhe këta të dy liderë të rinj, Rama e Meta, jo pak personaliteteve politike shqiptare, ndër ta edhe kryesocialistit e kryeministrit Nano, ua dhanë "faturat" politike me veti. Tani, edhe pas 15-viteve, prapë kanë "llogari" politike ndërveti, aqsa gjithandej e shpeshtas edhe jashtë të majtës shtrohet (krye)pyetja e heshtur apo e hapur: Rama apo Meta? Meta apo Rama? Ndaj industria politike e të majtës aleancore produkton për eksport politik drejt të djathtës shqiptare e në instuticione euro-atlantike hamendësime të qëllimta: Basha apo Berisha në krye të PD, edhe pas 26 qershorit 2013 të dorëheqjes së Berishës si kryetar i saj.

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.