VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGUT
Nga FRANK SHKRELI

E Enjte, 10.31.2013, 07:13am (GMT1)


Këtë javë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama emëroi drejtorin e ri dhe të 7-të të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zotin Xhejms Komi (James Comey), duke e paraqitur atë në kryeqendrën e FBI-së si një njeri dhe profesionist që e dallon mirë të drejtën nga e padrejta dhe si i tillë gjithmonë vepron në mbështetje të së drejtës. Drejtori i ri i FBI-së më parë ka shëbyer si Zevëndës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në adminstratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush. Presidenti Obama iu drejtua agjentëve dhe nëpunësve të FBI-së duke thënë se "Ju, çdo ditë punoni pa u lodhur duke përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat përballet kombi ynë." Ju, tha Presidenti Obama, e kryeni këtë detyrë me guxim dhe me integritet, duke mbrojtur amerikanët mbrenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore dhe duke respektuar ligjin. Presidenti Obama duke u kujtuar atyre se motoja e FBI-së është, "Besnikëria, Guximi dhe Integriteti", paraqiti drejtorin e ri të këtij institucioni, Zotin Xhejms Komi, i cili sipas Z. Obama "çdo ditë jeton dhe vepron bazuar në këto parime". Presidenti Obama shtoi se, drejtori i ri i FBI-së ia ka dedikuar jetën e tij mbrojtjes së ligjeve, duke siguruar në këtë mënyrë që "të gjithë amerikanët të mund të besojnë në sistemin tonë ligjor dhe të drejtësisë, në mbështetje të të drejtave dhe mirëqenjes së tyre".

Edhe Drejtori i ri i FBI-së, Xhejms Komi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar zbatimin e fjalëve të motos së entit që ai do të kryesojë për dhjetë vitet e ardhëshme, dmth., "Besnikërinë, Guximin dhe Integritetin". Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i FBI-së tha se do t'u kërkojë agjentëve të ri të FBI-së që të vizitojnë monumentin e posa ndërtuar të ish-udhëheqsit të të drejtave civile, Martin Luther King në Uashington, me qëllim për tu sjellur në mendë dhe për tu kujtuar atyre kufizimet e detyrës si edhe përgjegjësitë që kanë ndaj mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Këjo për arsye se marrëdhënjet e FBI-së me ish-udhëheqsin e të drejtave civile në Amerikë gjatë 1960-ve dhe 1970-ave, mbetet gjithnjë një pikë e zezë në historinë e këtij enti qeveritar. Ish-drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgard Huver, kishte urdhëruar jo vetëm përgjimin e aktiviteteve të Martin Luther Kingut, por kishte dhënë urdhër për minimin e veprimtarive dhe lëvizjes së tij në mbështetje të të drejtave civile të barabarta për të gjithë, përfshirë zezakët.

Para-ardhësi i drejtorit Komi, gjatë 1990-ave, drejtori Luis Fri kishte urdhëruar agjentët e ri të FBI-së, që si pjesë e trajnimit të tyre të vizitonin Muzeumin e Holokaustit në Uashington, sipas tij, për të parë se ç'ndodhë kur abuzohet pushteti i qeverisë dhe shtetit. Drejtori i ri i FBI-së njoftoi se po e mbështetë këtë traditë duke detyruar agjentët e ri dhe analistët që edhe këta si pjesë e trajnimit të tyre, të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, në një kohë kur po shprehen shqetësime serioze nga Kongresi, media dhe nga populli amerikan, mbi përgjimet nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar, e të cilat u zbuluan kohë më parë nga Eduard Snouden, një ish-kontraktor i këtij enti qeveritar. Zoti Komi tha gjatë fjalimit të tij se do të urdhëroj agjentët e rij të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, ashtuqë që ata të reflektojnë mbi "abuzimet dhe masat e tepëruara" nga FBI-ja në të kaluarën, duke cituar paradhësin e tij Luis Fri, që kishte urdhëruar agjentët e rij të vizitonin Muzeumin e Holokaustit, "me qëllim që ata të shohin, të dëgjojnë dhe të ndjejnë në një mënyrë të prekshme pasojat që rrjedhin nga abuzimi i pushtetit në një shkallë masive dhe pothuaj të pa-imagjinueshme."

Drejtori i ri i FBI-së tha se vitet e para të agjensisë që ai do kryesojë tani, ishin një periudhë "progresi dhe arritjesh të mëdha", por më vonë reputacioni dhe historia e FBI-së u mjegullua nga "abuzimet dhe masat e tepruara të agjentëve të saj, sidomos përsa i përket Martin Luther Kingut dhe të tjerëve që në atë kohë konsideroheshin si kërcënues ndaj sigurimit të mbrendëshëm të këtij vendi."

Qëllimi i këtij urdhëri, që agjentët e FBI-së dhe analistët e rijë të këtij enti qeveritar të vizitojnë monumentin ish-udhëheqsit amerikan të të drejtave civile, Martin Luther King dhe Muzeumin e Hollokaustit në fillim të trajnimit, është sipas fjalëve të ish drejtorit të FBI-së Lui Fri, që tu "kujtojmë atyre tmerret dhe të keqën që rezulton kur, jo vetëm, qeveria por edhe agjensi që me ligj duhet të jenë mbrojtëse të zbatimit të ligjit si FBI-ja, heqin dorë nga misioni i tyre kryesor, që është mbrojtja e të drejtave të barabarta të qytetarëve dhe përkundrazi bëhen mjete të shtypjes".

Shtetet e Bashkuara si shtet dhe si shoqëri nuk kanë dhe as nuk pretendojnë të kenë një histori pa probleme në fushën e të drejtave civile dhe të barabarta për të gjithë. Në të vërtetë, janë vet udhëheqsit e këtij vendi që kanë pranuar dhe pranojnë se Amerika nuk është një vend i perfeksionuar. Ka të meta dhe probleme sa të duash, historikisht dhe tani. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të kësaj bote -- siç ka thënë edhe Presidenti i tanishëm amerikan, Barak Obama në një fjalim në Moskë më 2009 -- "Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të demonstruar, ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të protestojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta, në një kohë kur ato iu mohoheshin atyre. Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit. Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë qeverinë." Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, "na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre. Nëqoftse demokracia jonë nuk do të mbronte dhe të avanconte këto të drejta, atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara. Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta ... por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë historisë së tyre, nuk kanë bërë gabime mbrenda dhe jashtë vendit. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është fakti se ajo i pranon gabimet historike kundër të vetëve dhe kundër të tjerëve. Mëson nga këto mangësi e gabime dhe vazhdon të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta për të gjithë. Urdhëri i drejtorit të ri të FBI-së që agjentët dhe analistët e rijë gjatë trajnimit të tyre, që të vizitojnë muzeume si ai i Holokaustit dhe monumentin e Martin Luther Kingut --është pikërisht në përputhje dhe pjesë e këtij reflektimi që Amerika bën gjithmonë në mbështetje të vlerave universale për të drejta të barabarta për të gjithë, mbrenda dhe jashtë vendit.





Muzemi I Holokaustit në Uashington

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.