VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TIRANA ZYRTARE NË UDHËKRYQ
Nga AGRON ALIBALI*

E Premte, 11.01.2013, 09:16am (GMT1)


Një ndër arsyet ende të pahulumtuara të fitores zgjedhore të PD-së në vitin 2005 ishin premtimet e Dr. Berishës për bllokimin e projekteve ndotëse dhe të panevojshme energjitike në Gjirin e Vlorës. Siç dihet, zgjedhësit në Vlorë besuan dhe PD mori dy vende shumë të vlefshme deputetësh në rrethin tradicionalisht të majtë, çka mundësoi krijimin e shumicës dhe formimin e qeverisë. Sa për premtimet, ato u harruan shpejt. Kryeministri Berisha kapitulloi para trysnisë së bankave ndërkombëtare të zhvillimit si dhe lobimit të qarqeve industrialiste italiane. Rezultatet e asaj politike dritëshkurtër duken sot e gjithë ditën dhe pasojat janë thuajse katastrofike. TEC-i famëkeq i Vlorës, i ndërtuar në plazhin historik të Treportit qysh më 2009, nuk ka prodhuar asnjë kwh energji ndërsa sot qeveria shqiptare e gjen veten në Arbitrazh Ndërkombëtar me kompaninë ndërtuese italiane. Nga ana tjetër, grupi "˜Petrolifera' pretendon se ka në xhep një prej koncesioneve më të pashembullta favorizuese në historinë e vendit, që siguron thuajse kushte ekstra-territorialiteti për të dhe që madje tejkalon ato të periudhës së Mbretit Zog, ndërkohë që një analizë e ftohtë e ligjit përkatës nxjerr në pah shkelje të rëndësishme të Kushtetutës së vendit dhe madje edhe të së drejtës ndërkombëtare.

Mirëpo le të vijmë tek zgjedhjet e vitit 2013. Një ndër arsyet që votuesit ndëshkuan në mënyrë plebishitare qeverinë e z. Berisha ishte pa fjalë gjendja alarmante e mjedisit, shkatërrimi i territorit të Shqipërisë dhe shndërrimi i tij - nën pretekstin e nxitjes së industrisë ricikluese - në kazan plehrash për vendet fqinj.

Dhe dihet se kryeministri i ri, z. Rama e mbajti fjalën. Ai ktheu në realitet premtimin e shpallur botërisht se vendimi i parë i qeverisë së tij kur të vinte në fuqi do të ishte ndalimi në mënyrë absolute i importimit të të gjitha mbetjeve, të rrezikshme apo jo të rrezikshme.

Mirëpo as 60 ditë nuk kanë kaluar nga ai vendim historik dhe qeveria shqiptare ndodhet para një udhëkryqi aspak të dëshiruar. E ballafaquar me njëmijë e një probleme të brendshme nga më të ngutshmet, Tiranës befas i kërkohet të zgjidhë hallet e botës. Fjala është për propozimin aspak të gjetur të raportuar në shtyp për sjelljen dhe shkatërrimin në Shqipëri të arsenalit sirian të armëve kimike. Nuk është shumë e qartë se kujt i lindi ideja, por ajo çka mund të thuhet është se duket se propozimi është qarkulluar fillimisht, në mjediset e OKB-së në Nju Jork. Nëse pas propozimit qëndron pala amerikane, mik i madh historik dhe aleat strategjik i Shqipërisë, atëherë problemi ndërlikohet pa dashje, çka e ve administratën shqiptare në udhëkryqin se kujt duhet t'ia prishë (d.m.th. popullit të vet) e kujt duhet t'ia ndreqë?

Mirëpo, sikurse dihet, në Pallatin e Qelqtë qarkullojnë çdo ditë dhjetëra e qindra propozime dhe është detyra e diplomatëve të vendit përkatës t'i filtrojnë e përpunojnë ato, shpesh edhe pa pasur nevojë për instruksione nga qendra. Në rastin konkret do të mbeteshim të habitur nëse Përfaqësuesi i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OKB nuk do të kishte mbajtur menjëherë qëndrim të prerë dhe mohues ndaj një propozimi të tillë, pa pasur madje as nevojën e marrjes së instruksioneve nga Tirana, duke ditur qëndrimin e qartë të Tiranës zyrtare për ndalimin e importimit absolut të të gjitha mbetjeve e plehrave nga jashtë. Të mos harrojmë këtu edhe qëndrimet e "Aleancës kundër importit të plehrave", si shprehëse e vullnetit të gjerë të shoqërisë shqiptare.

Arsyeja është fare e thjeshtë: edhe sikur Shqipërisë t'i ofroheshin 5 miliardë dollarë para në të holla, si dhe t'i faleshin të gjitha borxhet ndaj Bankës Botërore, përfshirë borxhin e TEC-it famëkeq prej 120 milionë dollarësh, pranimi i një propozimi të tillë do të ishte krejt i papranueshëm politikisht për qeverinë "˜Rama'. Sepse një qeveri e ardhur në pushtet me premtimin për të pastruar vendin nga plehrat nuk mundet kurrsesi të pranojë lëndë kimike luftarake nga një vend i tretë. Kaq do të mjaftonte që Përfaqësuesi i Përhershëm pranë OKB-së të thoshte "˜JO' dhe kësisoj të kursente kohën e çmuar të qeverive në Tiranë dhe në kryeqytete të tjera aleate.

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Konventa e OKB-së kundër Armëve Kimike. Dihet se më 11 korrik 2007, nën qeverisjen e kryeministrit Berisha, Shqipëria u bë vendi i parë që shkatërroi plotësisht dhe në mënyrë të verifikueshme arsenalin e vet modest prej 16 tonësh armë kimike. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, ambasadorit Rogelio Pfirter, Shqipëria u ndihmua në atë rast prej shteteve anëtare të Konventës si Greqia, Italia, Zvicra dhe SHBA. Atëherë përse u dashka që arsenali i një vendi të tretë të përpunohet në Shqipëri dhe jo, ta zëmë, në vendet që e ndihmuan atë para 6 vjetësh?

Ndërkohë, edhe pse procesi i shkatërrimit të armëve kimike të Shqipërisë përfundoi me sukses, raporte të besueshme njoftojnë se mbetjet e rrezikshme kimike dergjen sot e gjithë ditën diku në Qafë-Mollë, pranë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe kontejnerët përkatës kanë filluar të rrjedhin, duke vënë në rrezik serioz mjedisin dhe shëndetin publik përreth dhe më gjerë.

E pra, e gjendur midis kërkesave të vendeve mike dhe aleate për pranimin e arsenalit sirian të armëve kimike dhe vullnetit të deklaruar politik të pastrimit të plotë dhe rrënjësor të territorit të vendit, qeveria "˜Rama' duhet tashmë të ballafaqohet edhe me gjendjen e rëndë aktuale të mjedisit në depozitat e mbetjeve kimike në Qafë-Mollës.

Në këtë kuadër, duket se opsionet para Tiranës zyrtare duken jashtëzakonisht të kufizuara: ose ajo duhet të pranojë arsenalin sirian dhe t'u kthejë shpinën zgjedhësve të vet, ose t'i thotë një "˜JO' të prerë propozimit të OKB-së, duke u shpjeguar miqve të huaj se qoftë politikisht, teknikisht, financiarisht, ekonomikisht dhe qoftë nga ana mjedisore, hyrja, shkatërrimi dhe depozitimi si mbetje i arsenalit sirian të armëve kimike të rrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë është krejtësisht i pamundur dhe i papranueshëm.
-
Agron Alibali, jurist, autor i përmbledhjes "Kushtetuta, Europa dhe Minoritetit Çam", burim i Institutit të Studimeve Çame, Tiranë 2013.

AGRON ALIBALI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.