E Martë, 10.15.2019, 11:31am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Barometri diplomatik
ESAT STAVILECI - NJË JETË E TËRË NË SHËRBIM TË SHKENCËS DHE TË KOMBIT SHQIPTAR
Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI

E Hënë, 11.04.2013, 08:49am (GMT+1)


*** Nuk ka shkencë të mirëfilltë (politike, juridike, diplomatike, historike etj.) e as politikë kombëtare të drejtë, të suksesshme, demokratike dhe realiste, nëse nuk përfillet interesi nacional i kombit si në shkallë vendore (të brendshme), ashtu edhe në atë ndërkombëtare (të jashtme).

Mbi këtë parim (që nuk njeh mëdyshje, trysni, diktat, shkallëzim, improvizim, lakmi egoiste dhe ambicie egocentrike negative për elitizëm dhe për pushtet etj.), është ndërtuar e gjithë krijimtaria shkencore (juridike, politike, historike dhe filozofike) e Akademikut Esat Stavileci. Natyrisht, ky parim është rezultat i drejtpërdrejtë i objektivit jetësor, që në mënyrë koherente dhe kohezive u qëmtua me ndjenjen dhe me sjelljen e vetëpërgjegjësisë dhe të vetintegritetit të pathyeshëm të tij moral dhe profesional, si njeri modest dhe, me një horizont të gjerë të dijes dhe të kulturës , si pedagog i dalluar universiteti dhe si personalitet publik e shkencor i ajkës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë Etnike (1960-2013).

Këto vlera të paçmueshme të kredos së autorit si personalitet dhe si veprimtar i dalluar i shkencës juridike, i provojnë edhe këto të dhëna të pakundërshtueshme, që dalin nga biografia origjinale, e shkruar nga vetë Akademik Stavileci në web faqen elektronike (www.esat.stavileci.com/October/07/2011), të cilat po i citojmë në ligjëratën e drejtë, pa asnjë ndërhyrje: “ Esat Stavileci u lind në Gjakovë, më 11 korrik 1942.Në vendlindje, kreu shkollimin fillor dhe të mesëm,ndërsa në Prishtinë,kreu studimet në Fakultetin Juridik, ku dhe u zgjodh për asistent (1965).Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin Juridik të Zagrebit,ndërsa Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimore në Francë, Itali,Holandë dhe Venezuelë.Doktor i shkencave juridike u promovua në Fakultetin Juridik të Sarajevës(1974).Ushtroi funksione të rëndësishme shoqërore-politike, brenda dhe jashtë Fakultetit Juridik.Ishte zevëndësdekan i Fakultetit Juridik,drejtor i Entit për Hulumtime Juridike të Fakultetit Juridik,kryeredaktor i revistës shkencore “Përparimi”,kryeredaktor i revistës shkencore”E Drejta-Pravo”, shef i Katedrës së Shkencave Politike – Administrative,kryetar i Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, etj.Është profesor ordinar i Fakultetit Juridik të Prishtinës. Ka ligjeruar në Fakultetin Juridik të Tetovës dhe në Fakultetin e Administratës Publike të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë dhe në Departamentin e Shkencave Sociale të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ndërsa ka ligjeruar edhe në universitetet e Tiranës,Jenës dhe të Sofjes.Ishte i angazhuar edhe në Universitetin Amerikan, në Blagoevgrad të Bullgarisë.Ka kryer specializime në disa nga qendrat më të njohura universitare të botës.Ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Është laureat i Shpërblimit të Dhjetorit të Kosovës,për kontributin e tij në shkencë(1978).Është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Eshtë autor i shumë artikujve,studimeve dhe monografive. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të dijes,veçanërisht në fushën juridike-kushtetuese,në fushën e sistemeve politike krahasimore,në fushën e administratës publike dhe të qeverisjes vendore,në fushën e gjuhës dhe të çështjes kombëtare,në fushën e metodologjisë të shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike. Ka botuar 34 libra autorialë dhe 5 libra si bashkëautor.” (www.esat.stavileci.com).

Sa më sipër, nuk ka dyshim se, pohimi dhe mbrojtja kombëtarisht dhe botërisht e së vërtetës univesale (qoftë në rrethana normale a të jashtëzakonshme), nuk është vetëm detyrë dhe përgjegjësi individuale profesioniste, revolucionarizëm, racionalizëm, kombëtarizëm dhe humanizëm, por, para së gjithash, është parimi thelbësor i ndërtimit të themelit, të trupit dhe të kulmit të vlerave të një shkence të mirëfilltë dhe, të një shoqërie të shëndoshë dhe të së suksesshme.

Këtë postulat e gjejmë, të pasqyruar me vërtetësi në veprat e Akademikut Esat Stavileci, sepse atij, asnjëherë nuk i ka munguar guximi, ndërgjegjja e lartë kombëtare, përgatitja, vizioni dhe aftësia profesionale, që ta pohojë dhe ta mbrojë të vërtetën qoftë në jetën e përditshme, qoftë në aspektin shkencor me rastin e trajtimit të temave të “nxehta” politike, juridike, diplomatike dhe historike (qoftë në opinionin e brendshëm publik, qoftë në atë ndërkombëtar përmes ligjëratave dhe debatave të tij në sfondin e simpoziumeve, të forumeve dhe të paneleve të ndryshme lidhur me të drejtat dhe liritë e shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë), të ndërlidhura me të drejtën e vetëvendosjes dhe me të drejtën historike legjitime të shqiptarëve mbi Kosovën, përkatësisht mbi Shqipërinë Etnike.

Kjo është vlera kulmore që përbën syzheun analitik dhe sintetik të trajtimit të lëndës së këtij kompleti shumëvëllimësh. Prandaj, botimi i këtij kompleti, është i mirëseardhur dhe i pranueshëm, jo vetëm për shkencën juridike dhe politike në dimensione të brendshme dhe, në ato ndërkombëtare, por edhe për interesin e përgjithshëm nacional dhe shtetëror të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Nxjerrja në dritë e kompletit të njëzet veprave shkencore të Akademik Esat Stavileci, me përmbajtje juridike, politike, historike dhe publicistike, të shkruara në etapa të ndryshme kohore dhe, në rrethana të ndryshme politiko-shoqërore në Kosovë dhe në trojet e tjera indigjene të Shqipërisë Etnike (1960-2013), është dëshmi autentike e një jete të tërë dhe kuptimplotë, e shkrirë në dobi të lëvrimit dhe të avancimit të vlerave të njëmendta shkencore jo vetëm nga fusha juridike, politike dhe diplomatike, por edhe nga ajo historike, pedagogjike dhe filozofike, duke përfshirë në radhë të parë mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike si në kontekstin e politikës së brendshme të sistemeve të ndryshme politiko-shoqërore, ashtu edhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, si dhe të sistemit pozitiv juridik ndërkombëtar.

E gjithë kjo dëshmon gamën shumëdimensionale të veprimtarisë së suksesshme më se dyztevjeçare, edhe si pedagog-profesor i së Drejtës Publike Administrative, i së Drejtës Krahasimtare dhe i së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Univeristetit të Prishtinës dhe, si shkencëtar i shquar me integritet dhe me energji të pashtershme të punës së palodhshme dhe sistematike si në edukimin dhe në arsimimin e shumë brezave të studentëve juristë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në hapësirat e tjera të Shqipërisë Etnike (Anamoravë, Iliridë, Ulqin etj.), ashtu edhe në novelimin dhe në përparimin e shkencës juridike jo vetëm brenda kornizave kombëtare, por edhe të atyre evropiane ndërkombëtare. Natyrisht, duke mos e lënë asnjëherë jashtë kontekstit të tyre përmbajtësor trajtimin e argumentuar objektiv dhe realist shkencor të interesit nacional dhe shtetëror të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Këtë e dëshmojnë edhe këta tituj të cituar të veprimtarisë shkencore (në gjuhën shqipe, angleze, frënge ) të Akademikut Esat Stavileci:

“”Kosova dhe shqiptarët-ndërmjet kërcënimeve dhe premtimeve”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë,1991; "Çështja shqiptare në udhëkryqin e zgjidhjeve paqësore”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1995; ”The Albanian Question At The Crossroads of Peaceful Solution”, The Intependent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina,1995; ”Kosova and Albanians,Between Negation And Independence”, The Intependent Association of Laywers of Kosova, Prishtina,1995; ”Çështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit", Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1997; ”Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës,Prishtinë,1998; ”Kosova nën administrimin ndërkombëtar”, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë,2000;”Truths on Kosova”, Albanian World Federation, Prishtina, 2000(bashkëautor Pajazit Nushi);”Të vërteta për Kosovën” ,Lidhja Shqiptare në Botë,Prishtinë,2000(bashkëautor Pajazit Nushi);”Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare”, Lidhja Shqiptare në Botë, Prishtinë, Tiranë, Tetovë,2001; ”Kosova dhe çështja shqiptare në udhëkryqet e kohës” (Political history of the Kosova issue) Instituti për Studime Bashkëkohore, Prishtinë, 2005; “Nocione dhe parime të administratës publike” (Aspekte metodologjike dhe shqyrtime krahasimtare), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2005; “The Truth About Kosova, Arguments and Facts in support of its Independence”, Dardania University, Prishtina, 2007; “Shteti, shqyrtime të përgjithshme me vështrim rasti I Kosovës”, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2008; “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të Shqiptarëve”-Pavarësia e Kosovës- fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet- Testimony for Kosova, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2009”(Shih: www.esat.stavileci.com).

I gjithë ky opus i këtyre veprave publicisitike dhe shkencore të Akademikut Esat Stavileci, dëshmon këmbëngulësinë, vendosmërinë dhe largpamësinë e një patrioti, demokrati dhe dijetari të shquar në mbrojtjen e së drejtës së vetëvendosjes dhe të identitetit kombëtar dhe shtetëror të Kosovës, gjithnjë duke e fokusuar në kontenkstin e së drejtës historike legjitime të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

Është plotësisht e kuptueshme dhe e justifikueshme, pse në gjithë veprimtarinë shkencore, publicistike dhe jetësore të Esat Stavilecit, Kosova ishte në plan të parë ngase këtë prioritet të objektivit të tij studimor në sfondin e arsytimit teorik ia imponuan rrethanat historike dhe politike në të cilat Kosova ndodhej që nga viti 1912 e deri më 1999 (si plaçkë koloniale e Serbisë), kur ajo përfundimisht, duke falënderuar luftës çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) me në krye heroin legjendar kombëtar shqiptar Adem Jashari, fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj (17 shkurt 2008),të cilën e mbështetën pa rezerevë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatët e saj evro-perëndimorë (NATO).

Krijimi i kushteve dhe i rrethanave të jashtëzakonshme politiko- ushtarake dhe sociale në Kosovë, si shkak i riokupimit të saj nga ana Serbisë më 1989 (me ç’rast Kosova zhvishet nga autonima që kishte pasur në kuadrin e Federates jugosllave sipas Kushtetutës së vitit 1974), bëri që i gjithë populli shqiptar liridashës dhe atdhedashës i Kosovës, të ngrihej në këmbë kundër agresorit shekullor serb, duke kërkuar Republikën e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Kjo kërkesë e drejtë e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe për pavarësi,si dhe për bashkimin me Shqipërinë, u përligj dhe u vlerësua drejt, edhe nga elita akademike atdhetare shqiptare e Kosovës: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Mark Krasniqi, Gazmend Zajmi, Zef Mirdita, Pajazit Nushi,Esat Stavileci, Anton Çeta, Skender Rizaj…etj., të cilët me veprimtarinë e tyre shkencore, publicistike, politike dhe kombëtare shqiptare frymëzuan, edukuan, arsimuan, mobilizuan dhe trimëruan shqiptarët e robëruar të Kosovës, që me ngulmë, me unitet, me urti, me luftë dhe me paqe, të mbronin kërkesat e tyre të drejta për liri, për pavarësi dhe për bashkim kombëtar, sepse e drejta historike ishte në anën e tyre.

Një solidarizim, një mbështetje dhe një kontribut i këtillë mësimdhënës atdhetar me përmbajtje të vlefshme historiko-politike, diplomatike, demokratike dhe kombëtare e kërkesës së popullit për të dalë nga sundimi shekullor kolonial serbomadh (1912-1999), zgjoi idenë e vegjetimit në shkallë gjithëkombëtare, që të përshpejtohej lufta për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga kthetrat e përgjakshme të tiranisë shekullore serbe. Këtë domosdoshmëri strategjike dhe këtë imperativ të kërkesës së mbi 2 milionë e gjysmë të shqiptarëve të Kosovës, e bëri të ditur para gjithë botës, edhe Deklarata Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), shpallur nga deputetët e ish-Kuvendit të KSAK; Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), si dhe Referendumi gjithëpopullor për Republikën e Kosovës (26-30 shtator 1991). Këto dokumente juridiko-politike dhe kushtetuese (në hartimin e të cilave, kontributin e merituar e dha, edhe akademiku Esat Stavileci) përbëjnë bazën themelore të historisë dhe të lirisë së Kosovës së sotme të pavarur.

Kjo është arsyeja kryesore, pse akademiku ynë i nderuar Esat Stavileci, në plan të parë (me theks të posaçëm) të studimeve të tij të deritashme, me plot arsye e ka vënë zgjidhjen e statusit të Kosovës, sepse ishte çështje urgjente gjithëkombëtare dhe ndërkombëtare ngase në vitet e 90-ta të shekullit XX(1989-1999), Serbia hegjemoniste dhe kolonialiste, e drejtuar nga regjimi çetniko-fashist militar, paramilitar dhe policor i Slobodan Milosheviqit-Hitlerit të Ballkanit, bëri agresion dhe gjenocid mbi Kosovën dhe mbi dy milionë e gjysmë shqiptarë, ku mbi 20 mijë prej tyre i masakroi në format më atavike dhe më barbarike, si dhe mbi 1 milion të tjerë, me dhunë, me terror dhe me deprotime kolektive, duke iu djegur shtëpitë dhe pasurinë e tyre të luajtshme dhe të palujtshme, i shpërnguli jashtë kufijve të Kosovës, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Turqi, si dhe në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës (Amerikë, Australi etj.).

Të gjitha këto mizori të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, të kryera mbi shqiptarët dhe mbi Kosovën, autori (jo vetëm përmes veprave, por edhe në formë ditari kronologjik kohor 1989-1999; përmes debateve të ashpra me akademikët serbomëdhenj në panelet rajonale dhe evropiane, si dhe përmes ligjëratave të mbajtura në tribuna, në fakultete dhe në universite të ndryshme evropiane dhe botërore ) i ka denoncuar me fakte dhe me argumente të qëndrueshme (historike, juridike dhe politike) si akte dhe veprime antinjerëzore, antiligjore, antimorale, antihumane, që bien ndesh jo vetëm me të drejtën historike legjitime të popullit shqiptar mbi Kosovën, por edhe me parimet dhe me rregullat e së drejtës ndërkombëtare publike, të drejtës humanitare ndërkombëtare, si dhe me parimet dhe me objektivat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse Serbia ka kryer agresion direkt dhe indirekt, si dhe gjenocid mbi Kosovën shqiptare (1989-1999).

Një vlerësim të këtillë të drejtë të akademikut Stavileci, katërcipërisht e mbështet edhe ky konstatim i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton: “Kriza e Kosovës ishte një gjenocid në zemër të Evropës”.(Shih: Citat i cituar në veprën “UÇK-ja dhe e Drejta Ndërkombëtatre”, Tiranë, 2010:161, shkruar nga autori Dr.Mehdi Hyseni).
Gjithashtu, një konstatimi të tillë të peshuar gjithanshmërisht të Stavilecit në demaskimin e agresionit dhe të gjenocidit serbomadh ndaj Kosovës, i jep të drejtë, edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë së Slobodan Milosheviqit (24 mars 1999) për të shpëtuar Kosovën nga spastrimi total etnik dhe nga varrezat masive.

Ashtu, sikurse akademikët e lartpërmendur të dalluar shqiptarë në mbrojtjen e çështjes së Kosovës, edhe Stavileci përgënjeshtroi dhe përtrollisi “tezat jusitifikuese” pseudoshkencore dhe pseudopolitike serbomëdha të akademikëve shovinistë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë ( Vasa Qubriloviq, Ivo Andriq, Dobrica Qosiq, Milorad Ekmeçiq, Mihajlo Markoviq, Vasilije Kërstiq, Dimitrije Bogdanoviq…etj.), të politikës policore, militare dhe paramilitare të regjimit fashist pushtues të Slobodan Milosheviqit, të Kishës Ortodokse Serbe, si dhe të politikës propagansitike antishqiptare të regjimit mediatik serb të Beogradit, me rastin e invadimit ushtarako-policor dhe paramilitar të Kosovës nga ana e Serbisë kolonialiste(1989-1999).

Mbështetja e idesë së bashkimit kombëtar shqiptar, është apogjeu vleror i veprës shkencore dhe jetësore të akademikut Esat Stavileci!

Këtë të drejtë morale, kombëtare dhe profesionale E.Stavilecit ia garanton e drejta historike si një domosdoshmëri objektive e “ aspiratës së drejtë të gjithë shqiptarëve, ashtu siç e kanë përcaktuar rilindësit tanë gjatë shekujve XIX dhe XX-bashkimin e mbarë trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. Mirëpo, deri sot ky bashkim ende nuk është arritur jo për faj të shqiptarëve. Përkundrazi, gjysma e trojeve etnike shqiptare ndodhet ende nën zgjedhën e disa shteteve të huaja fqinje. Si rrjedhim, çështja kombëtare shqiptare është një çështje ende e pazgjidhur.”( Akademia e Shknecave e Shqipërisë, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, Tiranë,1999, f.50).

Pra, duke qenë se, edhe sot, çështja kombëtare shqiptare ka ngelur e hapur, duke pritur zgjidhje si në rrafshin e politikës së brendshme shqiptare, ashtu edhe të asaj ndërkombëtare, ideja e bashkimit kombëtar shqiptar brend akufijve natyralë të Shqipërisë Etnike, në asnjë mënyrë ( politike, juridike apo diplomatike), nuk mund të konsiderohet si “çështje e mbyllur” qoftë nga politika zyrtare e Tiranës, e Prishtinës, apo qoftë nga politika neokolonialiste e qarqeve zyrtare të boshtit Beograd-Podgoricë-Shkup-Athinë, por ajo kërkon zgjidhje urgjente dhe immediate, nëse Evropa dëshiron ta ruajë ekuilibrin e marrëdhënieve politike dhe strategjike me një Ballkan të integruar, të qetë dhe paqësor. Ndryshe, do të vazhdojë “drama” shekullore e konflikteve dhe e mosmarrëveshjeve ndërmjet shqiptarëve të dënuar në robëri dhe imperialistëve serbosllavë, të cilët shkolonizimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve, e konsiderojnë si ambcie dhe pretendim territorial ndaj vendeve të tyre. Këtë akuzë të paqëndureshme në disfavor të interesit nacional dhe shtetëror të shqiptarëve, e dëshmon edhe shpifja e parullës antishqiptare “Shqipëria e madhe”, e cila është arma më e fuqishme politiko-propagandistike dhe diplomatike e amalgams serbo-sllave për mbrojtjen e “Serbisë së madhe” dhe të “Megal idesë” greke.
Me gjithë kundërshtimet dhe anatemat e politikës së brendshme dhe të jashtme në adresën e bashkimit kombëtar shqiptar, që është një nga faktorë kryesorë për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, ideja dhe aspirata shekullore e bashkimit kombëtar dhe e territoreve të Shqipërisë Etnike, jeton dhe, është e gjallë, edhe sot ( edhe pas pavarësimit të Kosovës më 17 shkurt 2008) në mendjen dhe në zemrën e mbarë popullit liridashës shqiptar. Këtë sheshit e provon edhe dalja në dritë e këtij kompleti prej njëzet veprash të akademikut Esat Stavileci, në përmbajtjen e së cilave, autori ka analizuar dhe sintetizuar shkaqet, pasojat dhe faktorët e brendshëm dhe të jashtëm politikë, që kanë ndikuar në copëtimin e territoreve të Shqipërisë Etnike gjatë viteve 1878 (Kongresi i Berlinit), 1912-1913 (Konferenca e Ambasadorëve të Londrës),si dhe vitet e mëpastajme 1915, 1919, 1920, 1939 e 1943, që vulosën verdiktin imperialist dhe kolonialist mbi Shqipërinë Etnike në Ballkan.

Veç kësaj, duke u mbështetur në parimet pozitive të metodologjisë dhe të mendimit shkencor përparimtar të traditës historike të ndritshme kombëtare, atdhetare dhe liridashëse të Rilindësve shqiptarë (XIX dhe XX), si dhe, duke marrë për bazë gjendjen e mejrueshme faktike në “terren” të shqiptarëve të kolonizuar dhe të gjysmës së territoreve të Shqipërisë Etnike(1912-2013), Akademiku Stavileci ka pasqyruar dhe sugjeruar edhe kahet dhe opcionet strategjike (politike, juridike, ekonomike dhe diplomatike) se si kombi shqiptar mund ta artikulojë dhe realizojë të drejtën e tij për bashkim në një shtet të unitar brenda kufijve natyralë, historikë, gjeopolitikë dhe etnikë të Shqipërisë Etnike.

Pra, pavarësisht se çfarë “llomotisin” dishepujt e politikës së sotme ditore shqiptare (duke u viktimizuar dhe, duke iu nënshtruar verbërazi diktateve, ultimatumeve dhe interesave të huaja, me qëllim që ta varrosin interesin e përgjithshëm nacional të kombit shqiptar, që edhe më tej, të ngelë “monedhë kusuri” e politikave hegjemoniste dhe imperilaiste në Ballkan) se kinëse ideja e bashkimit kombëtar shqiptar na “qenka vjetëruar” dhe, tanimë, si e papërdorshme iu përket vetëm sirtarëve të arkivave historike dhe politike të shekullit XX.

Këtë konstatim të verbër politik antishqiptar, e përgënjeshtron gjendja e pandryshueshme në terren e statusit kolonial ngase gjysma e shqiptarëve, ende nuk ka fituar të drejtën e vetëvendosjes (ashtu sikurse Kosova më 17 shkurt 2008), që të dalë nga robëria shekullore serbosllave.
Duke e marrë parasysh këtë gjendje të status quo-s së shqiptarëve në territoret e tyre etnike nën sundimin e shteteve të huaja kolonialiste fqinje, edhe akademiku Esat Stavileci, ashtu sikurse Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si dhe Kushtetuta e sotme e Shqipërisë (1998, Preambula), idenë e bashkimit kombëtar shqiptar, nuk e konsideron të perënduar dhe të “ndryshkur” (ashtu siç ka deklaruar “jerëm” presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga) derisa të mos zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe përfundimtare çështja kombëtare shqiptare në Ballkan.

Kosova është çelësi i bashkimit kombëtar shqiptar

Fatbardhësisht, tanimë, Kosova ka fituar pavarësinë (17 shkurt 2008), mirëpo, kjo nuk nënkupton mbylljen e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare në Ballkan. Përkundrazi, pavarësimi i saj, do të duhej të shërbente si bazë e qëndrueshme dhe e pranueshme jutridike dhe politike për riaktualizimin dhe rindërkombëtarizimin e çështjes kombëtare shqiptare mbase kjo, që nga viti 1878 e, edhe sot, në fillimshekullin XXI (dekada e dytë, viti 2013) ka ngelur e pazgjidhur, në “mëshirën” e politikave kolonialiste dhe neokolonialiste të vendeve grabitçare fqinje, të cilat, edhe sot, në kohën e Evropës moderne integruese, pluraliste, demokratike dhe paqësore(1990-2013), nuk njohin të drejtën historike të shqiptarëve mbi territoret e tyre indigjene të Shqipërisë Etnike, por ende po i sundojnë dhe shfrytëzojnë si “pronë legale” të tyre, edhe pse e vërteta është në anën e shqiptarëve. Mirëpo, kjo e vërtetë dhe e drejtë e pakundërshtueshme, ende nuk ka gjetur mbështetjen përkatëse politike, diplomatike dhe juridike ndërkombëtare për shkak se politika propagandistike antishqiptare e aksit të sllavëve të Jugut të Ballaknit me në krye Moskën, ende nuk kanë braktisur strategjinë njëqindvjeçare të përthithjes së territoreve etnike shqiptare në Ballkan (1878-2013). Kushtu që, edhe në ditët e sotme ( Moska, Beogradi, Podgorica, Athina, Shkupi) çdo përpjekje të ligjshme të shqiptarëve për të dalë nga sundimi i egër kolonial njëqindvjeçar sllav, e karakterizojnë si orvatje për krijimin e një “Shqipërie të madhe”, e cila ipso facto do të paraqiste “rrezik potencial” për destabilizimin dhe për ndryshimin e kufijve gjeopolitikë të Ballkanit. Kjo është gënjeshtra më e madhe, më absurde dhe, akuza më e rëndë politiko-propagandistike, që po u bëhet shqiptarëve në sy të Evropës, kinëse ata kanë pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje (Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë).

Shikur në prizmin e retrospectives historike të marrëdhënieve të derisotme serbo-sllavo-shqiptare në Ballkan, kjo tezë antishqiptare, është e vjetër sa edhe vetë historia dhe politika falsifikatore shtetërore dhe kishtare e Serbisë së madhe, të krijaur me copa territoresh shqiptare, kroate, hungareze etj., në saje të të ashtuquajturit “program nacional” të Ilia Garashaninit, të njohur me emrin “Naçertganie” (1844).

Ashtu sikurse tezat e tjera antishqiptare serbëdha, edhe tezën “Shqipëria e madhe”, autori Esat Stavileci, në mënyrë ballore e kaundërshtuar dhe hudhur poshtë si të pavlerë, duke e cilësuar si fikcion dhe trillim të kuazishkencës historike dhe të politikës propagandistike shtetërore-kishtare( kakofonike dhe simfonike), që do të thotë mbrojtjen me çdo kusht të Serbisë së Madhe në kurriz të territoreve autoktone shqiptare, duke manipuluar me togfjalëshin politik “Shqipëria e madhe”, që është në funksion të drejtpërdrejtë të shpërfytyrimit dhe të mohimit të ribashkimit të kombit shqiptar dhe të territoreve të Shqipërisë Etnike.

Këtë opinionin tonin lidhur me çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare, të cilën autori E. Stavileci në mënyrë shkencore e ka shoshitur nga të gjitha aspektet e saj (historike,juridike, diplomatike, gjeopolitike dhe ekonomike etj.), duke e konsideruar si çështje relevante, që kërkon vëmendje të merituar për përshpejtimin e zgjidhjes së saj, po e përmbyllim me këtë konstatim të ideologut, të luftëtarit, të patriotit, të demokratit dhe të vizionarit të bashkimit kombëtar dhe të Shqipërisë Etnike, Abdyl Frashëri: “Në rast se Fuqitë e Mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes në Gadishullin Ballkanik”.(Shih Akademia e Shkencave e Shqipërisë: “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, Tiranë, 1998, f.50).

Boston, më 22 gusht 2013

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MONOPOLI I VEPRIMTARISË PLURIPARTITISTE NË POLITIKËN PARAZGJEDHORENga ISUF BAJRAMI (11.02.2013)
KADELIZMI NË PD, PARLAMENT DHE SHOQËRINga ELIDA BUÇPAPAJ (11.01.2013)
TIRANA ZYRTARE NË UDHËKRYQNga AGRON ALIBALI* (11.01.2013)
NJË FLAMUR KOMBËTAR NGA SHOQËRIA BASHKIMI E BUKURESHTIT - DHURATË PËR NOLINNga ARTUR VREKAJ (10.31.2013)
DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGUTNga FRANK SHKRELI (10.31.2013)
INDUSTRIA POLITIKE E TË MAJTËS FLET PËR BASHKËKRYETARËSI “BASHA-BERISHA” PËR TË FSHEHUR RIVALITETIN MBI 15 VJEÇAR RAMA-METANga RAMIZ LUSHAJ (10.30.2013)
E MAJTA SHQIPTARE KONSOLIDON LULINNga SKËNDER BUÇPAPAJ (10.30.2013)
MOS HARRONI, JEMI EDHE NE!Nga RESHAT KRIPA* (10.29.2013)
FALEMINDERIT, Z. CAMPBELL, KEMI EDHE MODELIN BERISHANga RAMIZ LUSHAJ (10.29.2013)
LUGINA E PRESHEVËS LIDHET ME MITROVICËN, JO ME LIBOFSHËNNga SHABAN MURATI (10.28.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]