VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHQIPËRIA DHE KUADRI JURIDIK NDËRKOMBËTAR PËR ARMËT KIMIKENga AGRON ALIBALI

                                                                                      

E Martë, 03.19.2024, 10:37am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
SHQIPËRIA DHE KUADRI JURIDIK NDËRKOMBËTAR PËR ARMËT KIMIKE
Nga AGRON ALIBALI

E Shtunë, 11.09.2013, 10:34am (GMT+1)



- Konventa e Armëve Kimike hyri në fuqi në 29 prill 1997 dhe pikërisht atë muaj të vështirë u ratifikua edhe nga Shqipëria. Konventa kurorëzoi përpjekjet shumëvjeçare për kufizimin dhe shkatërrimin përfundimtar të armëve kimike në rruzullin tokësor. Provë e rëndësisë dhe gjithë pranimit të saj është edhe fakti se vetëm 4 shtete në botë nuk e kanë ratifikuar ende atë dhe pikërisht, Izraeli, Egjipti, Angola dhe Sudani i Jugut. Këtu natyrisht nuk numërohet Kosova, që me siguri do ta ratifikojë atë menjëherë sapo të vijnë rrethanat e duhura. Konventa parashtron detyrime të përgjithshme ndaj shteteve anëtare, ku themelor është shkatërrimi i plotë dhe i verifikueshëm i impianteve të prodhimit si dhe i armëve kimike brenda 10 vjetësh nga hyrja e saj në fuqi (Neni 4.6 dhe 5.8). Konventa i dha jetë edhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) me qendër në Hagë, e cila fitoi sivjet çmimin Nobël të Paqes dhe që mbahet me kontributet financiare të të gjitha shteteve anëtare.

Parimet e Konventës dhe Shqipëria


Falë vullnetit të përbashkët politik të faktorit të brendshëm në Shqipëri, ku duhet përmendur roli i kryeministrave Nano, Majko dhe Berisha, si dhe ndihmës së vyer të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria u bë shteti i parë në botë në vitin 2007 që realizoi shkatërrimin e plotë dhe të verifikueshëm të armatimit të vet modest kimik. Sikurse dihet, problem gjithsesi mbeten mbetjet e rrezikshme të përftuara nga ky proces, të cilat ende dergjen në bazën ushtarake të Qafë Mollës, pasi Shqipëria ende nuk ka vend depozitimi (landfill) të mbetjeve të rrezikshme në territorin e vet. Përveç ndalimit të prodhimit dhe përdorimit të armëve kimike, një ndër parimet themelore të Konventës është parimi territorial, ose detyrimi i çdo shteti palë që të shkatërrojë pa vonesë, brenda afatesh dhe në mënyrë të verifikueshme, të gjithë armatimin kimik dhe impiantet përkatëse që ndodhen brenda dhe vetëm brenda territorit të vet (Neni 1.2 dhe Neni 4.6, nënvizimi imi, A.A). Nga kjo rrjedh që Shqipëria nuk ka kurrfarë detyrimi në bazë të Konventës, dhe për rrjedhojë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, për të shkatërruar armatimin kimik të shteteve të tjera palë. Një parim tjetër i rëndësishëm është se Konventa ndalon "përftimin" dhe "transferimin", drejtpërdrejtë ose tërthorazi, të armëve kimike. (Çdo shtet palë...askurrë dhe në asnjë rrethanë (nuk mund) ...të përftojë [acquire në anglisht, acquerir në frëngjisht]...armë kimike, ose t'i transferojë ato drejtpërdrejtë ose tërthorazi drejt kujtdoqoftë [Neni 1.1, nënvizimi imi, A.A.]). Me fjalë të tjera, Shqipëria as nuk mund "të përftojë" dhe as "të transferojë" në territorin e vet armë kimike të huaja, përndryshe ky veprim i saj do të përbënte shkelje të Konventës. Këtë mendim ka edhe profesoresha amerikane Faiza Patel. Meqenëse Konventa, shkruan ajo, "ndalon një vend që të "˜përftojë' armë kimike, çdo shtet që i merr armët kimike do të shkelte Konventën". ("A shkel Konventën e Armëve Kimike Rezoluta e OKB-së për Sirinë?"-Faiza Patel, Bashkë-drejtore e Programit të Lirisë dhe Sigurisë Kombëtare në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Nju Jorkut, Nju Jork, laëfareblog.com).

Përplasja midis Konventës dhe Rezolutës 2118 të KS të OKB

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare ndodhemi përpara një përplasje midis Rezolutës 2118 e datës 27 shtator 2013 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë dhe detyrimeve sipas Konventës së Armëve Kimike, çka ka ngjallur debat në ambientin e studiuesve të së drejtës ndërkombëtare. Rezoluta e KS-së të OKB-së autorizon "Shtetet Anëtare të OKB-së" të përftojnë, kontrollojnë, transportojnë, transferojnë dhe shkatërrojnë" (Pika 10 e Rezolutës), armët kimike jashtë Sirisë, kurse Konventa, si traktat shumëpalësh, e ndalon transferimin dhe shkatërrimin jashtë territorit sirian. Prof. Patel mendon se kjo mund të arrihet duke e kategorizuar lëvizjen për t'i shkatërruar armët si diçka të ndryshme nga "transferimi", ose që transferimi të mos kryhet nga "një vend", por nga një organizatë ndërkombëtare. Kurse studiuesi holandez Jens Iverson mendon se Rezoluta 2118 e KS të OKB-së ka epërsi ndaj Konventës shumëpalëshe të Armëve Kimike dhe madje ai mendon se transferimi për shkatërrim, për shembull, në poligonet ruse në Gorny dhe Kambarka nuk do të përbënte shkelje të Konventës. (Për transferimin e armëve kimike të Sirisë, Jens Iverson, Fakulteti i Drejtësisë, University Leiden, Holandë, laëfareblog.com). Shkurt, askush nuk mohon se fryma dhe përmbajtja e Konventës përcaktojnë se vetëm shteti palë, i cili zotëron armët dhe impiantet e armëve kimike, ka detyrimin për t'i shkatërruar dhe eliminuar ato brenda territorit, dhe këtë duhet ta bëjë në mënyrë të verifikueshme, brenda afateve të caktuara, si dhe duke mbuluar vetë koston e procesit. Pyetja është se si duhet vepruar me rastin e jashtëzakonshëm që kemi përpara.

Parimi i shëndetit publik dhe i mbrojtjes së mjedisit


Një tjetër parim tejet i rëndësishëm i Konventës është zbatimi i standardeve më të larta për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjes së mjedisit "gjatë transportimit, marrjes së mostrave, magazinimit dhe shkatërrimit të armëve kimike". (Neni 4.10). Edhe pse Konventa ia dërgon legjislacionit të brendshëm nivelin e standardeve përkatëse, ky parim përbën detyrim "parësor" dhe përmendet shtatë herë në nene të ndryshme të Konventës, çka është diçka e pashembullt në të drejtën e traktateve. Konventa përcakton se "është përgjegjësi e secilit shtet të mbajë parasysh impaktin që do të ketë procesi i shkatërrimit në të gjithë spektrin mjedisorajër, ujë, tokë, dhe më pas të zbatojë opsionin më të mirë mjedisor". Duke përmbledhur, Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta si shtet palë ndaj Konventës, duke shkatërruar tërësisht dhe në mënyrë të verifikueshme arsenalin e vet modest. Për mungesë të landfillit, Shqipëria është në mospërmbushje të detyrimeve ndaj Konventës vetëm sa i takon dispozitave në lidhje me shëndetin publik dhe mjedisin, sa i takon mbetjeve të rrezikshme në Qafë Mollë. Në këtë kuadër, ardhja dhe shkatërrimi në Shqipëri i armëve kimike siriane, sipas interpretimit tonë, do të përbënte shkelje të vetë Konventës dhe të së drejtës ndërkombëtare, pasi do të cenohej parimi territorial (armët kimike shkatërrohen në vendin e tyre), parimi i ndalimit të transferimit, si dhe parimi i ruajtjes së shëndetit publik dhe mbrojtjes së mjedisit (Shqipëria thjesht nuk ka kapacitetet për zbatimin e duhur të këtij parimi përparësor). Pa patur landfill as për mbetjet e veta të rrezikshme, Shqipëria do të kryente shkelje të hapur dhe të rëndë të Konventës nëse  do të pranonte lëndë helmuese luftarake nga jashtë. Sa i takon nenit 10 të Rezolutës 2118 të KSOKB, ai është thjesht nen inkurajues e autorizues, dhe aspak detyrues, çka del edhe nga terminologjia e përdorur: ("The Security Council ...encourages Member States...etj.). Mirëpo ka edhe elemente të tjera që e bëjnë opsionin e Shqipërisë të pamundur. Sipas Nenit 7.4 të Konventës, Shtetet Palë janë të detyruara të caktojnë një Autoritet Kombëtar {National Authority} si qendra kombëtare e kontaktit për t'u lidhur efektivisht me ONAK. Nga faqja e internetit të ONAK rezulton se Shqipëria nuk ka deklaruar një Autoritet të tillë. Për më tepër, Neni VIII.8 i Konventës parashikon që Shtetet Palë që nuk kanë paguar kuotizacionin e anëtarësisë, nuk kanë të drejtë vote. Shqipëria nuk ka deklaruar Autoritet Kombëtar me Konventën, dhe përgjithësisht ajo i ka përmbushur detyrimet ndaj Konventës. Rrjedhimisht, ka gjasë që Shqipëria tê mos ketë paguar as kuotizacionin e anëtarësisë. Nëse hipoteza qëndron, atëherë del se Shqipëria nuk është anëtare me të drejta të plota në Konventë, çka është tjetër arsye që asaj të mos i kërkohet të marrë përsipër një barrë që nuk e mban dot.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë pengon ardhjen e LHL


 

Propozimi për sjelljen e armëve kimike ka edhe pengesa kushtetuese. Neni 56 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton të drejtën e kujtdo për t'u informuar për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij. Kjo e drejtë e rëndësishme gërshetohet me objektivin kushtetues social të shtetit shqiptar për "një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm". (Nenin 59. d i Kushtetutës). Duke i vërejtur këto dispozita të rëndësishme kushtetuese, së bashku me parimin e shëndetit publik dhe të mbrojtjes së mjedisit të Konventës së Armëve Kimike, si dhe me dispozitat e gjera të Konventës së Aarhusit, nga pikëpamja juridike mund të arrijmë në përfundimin se qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vetëm dy opsione para saj: ose ta refuzojë kategorikisht propozimin e paraqitur para saj, pasi bie në kundërshtim me kushtetutën, ligjet e vendit dhe me të drejtën ndërkombëtare të zbatuar në Shqipëri; ose, nëse mendohet se Rezoluta e KS, Nr. 2118 vërtet ka epërsi ndaj Konventës, çka mbetet e diskutueshme,  të vendosë me referendum. Propozimi për sjelljen dhe shkatërrimin e armëve kimike të huaja dhe depozitimi i mbetjeve të tyre të rrezikshme në territorin shqiptar, si marrëveshje ndërkombëtare që ka të bëjë me territorin e vendit, miratohet vetëm me ligj, dhe jo me vendim qeverie. )Nenin 121.1.a, i Kushtetutës). Mirëpo, në rastin konkret, meqë do të kemi delegim të kompetencave të caktuara shtetërore drejt një organizate ndërkombëtare, Kushtetuta kërkon që rregullimi ligjor duhet të miratohet me referendum kombëtar (Nenit 123.3). Përveç këtij argumenti teknik, ka edhe një argument doktrinar që lidhet me institutin e demokracisë së drejtpërdrejtë. Një  ndër parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është se sovraniteti i përket popullit (Neni 2.1). Po ashtu, pranohet se çështja e shtruar, për vetë rrezikshmërinë e tejskajshme të lëndëve kimike luftarake, ka rëndësi mbarëkombëtare për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, pra në terminologjinë kushtetuese ka "rëndësi të veçantë" (Neni 150). Rrjedhimisht, ushtrimi i sovranitetit në bazë të Nenit 2.2 të Kushtetutës në rastin  e "veçantë" para nesh, nuk i takon as qeverisë, as parlamentit, por vetëm popullit, i cili duhet ta ushtrojë atë "drejtpërdrejtë", dhe pra me referendum. Përfundimisht, qeveria shqiptare ose duhet ta refuzojë propozimin, sikurse veproi qeveria norvegjeze, ose t'u përgjigjet miqve të huaj se tagrin për ta miratuar këtë propozim e ka vetëm populli me referendum, çka do të kërkojë procedurat dhe afatet e veta normale sipas së drejtës së brendshme të vendit. Meqenëse afatet kohore të kërkuara nga komunitetit ndërkombëtar janë shumë më të ngushta se sa hapësirat që lejon ligja shqiptare, atëherë propozimi bie automatikisht dhe nuk mbetet rrugë tjetër veç refuzimit të tij.
AGRON ALIBALI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
OPOZITA AS NË FACEBOOK ASNJË RRADHË PËR TRAGJEDINË E 7 VIKTIMAVE – ALTERNATIVA E VETME OSE SHTET LIGJOR DHE HUMANIST, OSE TË SHPORRET KJO KLASË POLITIKENga ELIDA BUÇPAPAJ (11.08.2013)
A KA VLERË JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI?Nga FRANK SHKRELI (11.07.2013)
NE DUHET TA NDIHMOJMË LUGINËN KONKRETISHT[Letër publike kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edvin Rama.]Nga UK LUSHI* (11.07.2013)
A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (11.06.2013)
PRESIDENTI GREK, KAROLOS PAPULIAS, KUSHEDRINI IM?!Nga RAMIZ LUSHAJ (11.05.2013)
DERI KUR DO TË FRYJË TORNADOJA E RAMËS?Nga MENTOR KIKIA (11.05.2013)
'PROBLEMI ÇAM' KËRKON NJOHJE TË MIRË DHE MIRËKUPTIMNga SAMI REPISHTI* (11.05.2013)
A PO SHKON GREQIA DREJT LINDJES?Nga SHABAN MURATI (11.04.2013)
Barometri diplomatikESAT STAVILECI - NJË JETË E TËRË NË SHËRBIM TË SHKENCËS DHE TË KOMBIT SHQIPTARNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (11.04.2013)
MONOPOLI I VEPRIMTARISË PLURIPARTITISTE NË POLITIKËN PARAZGJEDHORENga ISUF BAJRAMI (11.02.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]