VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHOQËRIA CIVILE - OPOZITA E VËRTETË NË SHQIPËRI
Nga Dr. GËZIM ALPION, Birmingham, Angli

E Shtunë, 11.16.2013, 10:36pm (GMT1)


 
Protestat popullore kundër shkatërrimit e armëve kimike nga Siria dëshmojnë forcën e shpërfillur të demos-it si dhe afirmimin e shoqërisë civile si opozita e vërtetë në Shqipëri.

Zemërimi popullor është një favor që i bëhet z. Rama në fillim të mandatit të tij, si dhe një paralajmërim për këdo që lakmon drejtimin e vendit në të ardhmen, se pazarllëqet në kurriz të interesave të vendit nuk do të tolerohen më.

Përsa i përket Partisë Demokratike, fatkeqësisht, kjo forcë politike akoma nuk po e kupton se, më shumë se zgjedhjet, ajo ka humbur kredibilitetin për aq kohë sa do të dirigjohet nga z Berisha i cili nuk pati kurajon që të largohet përgjithmonë nga politika pas mësimit që i dha elektorati më 23 qershor.

Z. Basha ngelet nje figurë e mjergullt në politikën shqiptare për disa arsyje por veçanërisht për aq kohë sa nuk është sqaruar roli i tij në ngjarjet e 21 janarit 2011. Për një ish-kryeministër dhe ish-ministër të punëve të brendshme, gjatë mandatit të të cilëve dikush dha urdhër të qëllohej ndaj demonstruesve, vendimi për tu futur mes protestuesve më 14 nëntor 2013, më tepër se budallallëk, është një maskarallëk dhe akt sadist.

Shqiperisë i duhet sa më shpejt një opozitë e shëndoshë. Jam i sigurtë së një pjesë e mirë e brezit të ri të anëtarëve të Partise Demokratike e kuptojnë se sa e rëndësishme është që të dëshmojnë me vepra se partia e tyre e meriton të quhet "˜demokratike' për të mirën e popullit tonë që aspiron për më shumë se dy dekada për një shtet demokratik funksional në të cilin askush, përfshirë politikanët, nuk është mbi ligjin.

Fëmijëve, dhëndurëve, nipërve dhe mbesave të pronarëve të partive politike, të cilët me sa duket e konsiderojnë atdheun si çiflikun e tyre, do t'ju këshilloja të qëndrojnë jashtë politikës pasi edhe një "˜mbret' që patëm ja mbathi kur Shqipëria ishte në pikë të hallit.

Uroj që lajmi që po qarkullon se armët kimike të Sirisë tani mund të dërgohen në Kosovë  nuk është i vërtetë. Po qe se kjo gjë konfirmohet, jam i bindur se populli i Kosovës do të dij t'ia shkulë veshin z. Thaçi sa nuk është vonë po qe se ai akoma nuk ka mësuar se gjuha shqipe ka edhe fjalën JO, të cilën politikanët shqiptarë, kur është në të mirën e atdheut, duhet ta pëdorin me shpesh me miqtë, kushdo qofshin ata.
Dr. GËZIM ALPION


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.