VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Barometri diplomatik
ASGJËSIMI I ARMËVE KIMIKE TË SIRISË NË SHQIPËRI NUK ISHTE VENDIM I AMERIKËS!
Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI

E Djelë, 11.17.2013, 11:26am (GMT1)


Këtë të vërtetë duhet ta dinë të gjithë shqiptarët si brenda Shqipërisë Etnike, ashtu edhe në diasporë, në mënyrë që fajtori të mos kërkohet në adresën e gabuar (do të thotë brenda qeverisë amerikane), por në adresën e saktë të ndonjë ofertuesi vullnetar të aparatit shtetëror të qeverisë aktuale socialiste të Edi Ramës. Aty "fshihet lepuri i madh", i cili incognito ka tentuar "të bëjë nder" në kurriz të ndotjes së florës dhe të faunës së Shqipërisë e jo assesi në radhët e opozitës demokratike apo djathtiste.

Pavarësisht nga observimet dhe nga trajtimet meskine të gabuara, të njëanshme dhe tendencioze sipas rreshtimit, dashurisë, simpatisë dhe prirjes ideologjike partiake kryesisht në anën e Partisë Socialiste në pushtetin aktual të Edi Ramës, mbi të gjitha, na gëzon fakti se protestat e zhvillluara anembanë Shqipërisë dhe në diasporë kundër sjelljes së armëve kimike për t'u asgjësuar në Shqipëri, janë një akt i shprehjes së pjekurisë së lartë politike dhe i ndërgjegjës së patundshme patriotike atdhetare shqiptare i rinisë shqiptare (nxënës dhe studentë), mbështetur nga të të gjitha shtresat e popullit. Kjo, vërtet, është fitore historike, kur dihet se trabantët e tredhur politikë dhe mafiozë (për fat të keq të popullit dhe të Shqipërisë Etnike), ende e kanë fjalën kryesore në marrjen e vendimeve politike dhe të drejtimit të shtetit, pa e pyetur popullin fare.

Mirëpo, kësaj radhe, pa përfillur "axhendën" e politikës ditore të tuxharëve politikë (me ambicie të përjetshme të sundimit absolut të tyre mbi popullin dhe Shqipërinë Etnike), si llava e vullkanit, shpërtheu fuqia e rinisë së bashkuar migjeniane cep më cep hapësiarve etnike shqiptare dhe në diasporë, e cila me plot të drejtë, i tha, -JO, JO helmimit dhe "vrasjes" së territorit dhe të qenies shqiptare nga armët kimike dhe biologjike të Sirisë.

Pra, pavarësisht se çfarë thonë disa "senilë politikë", të cilëve qe më se njëzet vjet u ka skaduar afati i "produkteve politike" të tyre, nuk ka asnjë dyshim se ky unitet, kjo vigjilencë, ky guxim dhe ky vizion i rinisë shqiptare, është shpresa dhe garanti kryesor i mbrojtjes së interesit të përgjithshëm dhe i ardhmërisë së gjithë kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike, jo parullat boshe dhe tinzare politiko-propagandistike dhe indoktrinuese të qeverisë socialiste të Edi Ramës.

Së fundi, jo vetëm politikat e brishta shqiptare dhe liderët e konsumuar politikë shqiptarë (pozitë dhe opozitë), por e gjithë bota mori vesh se rinia e bashkuar migjeniane dhe ismail qemaliste shqiptare evropiane, është një nga forcat motorike centrifugale kryesore, që vendosin dhe kanë në duart e tyre fatin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, jo asnjë parti politike qoftë djathtiste, majtiste, socialiste apo komuniste etj., të cilat qe më se dy dekada luftn kryesore e kanë bërë vetëm për pushtet dhe për pasurim të paligjshëm, jo për popull e as për Shqipëri.

Pra, kësaj here, le të na falin partizanët e Edi Ramës, sepse medalia shpërblyese për ambient të pastër dhe të shëndetshëm antitoksikologjik shqiptar i përket rinisë së bashkuar shqiptare, e cila me organizimin e protestave të bashkërenduara, botërisht ngriti zërin kundër importimit të armëve kimike dhe biologjike të Sirisë, që të asgjësohen në territorin e Shqipërisë.

Merita i përket rinisë së bashkuar protestuese gjithëshqiptare, jo Edi Ramës, në asnjë mënyrë!

Pra, pa u lakuar majtas apo djathtas, merita kryesore, pse qeveria socialiste e Edi Ramës miratoi vendimin JO asgjësimit të armëve kimike të Serisë së Bashar El Asadit, i takon vetëm rinisë së bashkuar shqiptare e jo, as kryeministrit Edi Rama, as kryekuvendarit të Shqipërisë, Ilir Meta, sepse si qeveria, ashtu edhe kuvendi së bashku me dy drejtuesit e tyre, reaguan me vonesë të madhe, disa ditë pas shpërthimit të valës së protestave të rinisë së bashkuar shqiptare në të gjitha trojet etnike shqiptare, si dhe në diasporë në Evropë dhe në Nju-Jork të Amerikës. Si rrjedhojë "vendimi jo" i qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ishte i imponuar dhe i diktuar me të drejtë nga protestuesit e bashkuar shqiptarë.

Ndryshe, (sikur të mos protestohej me guxim, me dinjitetit dhe në mënyrë paqësore dhe demokratike në shkallë mbarëkombëtare shqiptare) qeveria shqiptare me në krye Edi Ramën, do të nxirrte vendimin skandaloz në favor të asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.

Një gjë e tillë antihumane, antiligjore dhe antidemokratike, mirëfilli, do të ndodhte sikur të mbretëronte heshtja, indiferenca dhe apatia e varrit e opozitës dhe e forcave progresive demokratike të Shqipërisë.

Fundja, si thotë populli, të mos e humbasim shpirtin "të rrimë shtrembër e të flasim drejt", duke e shikur në sy vetëm të vërtetën, pavarësisht nga prirjet dhe rreshtimet partiake, ishte Edi Rama ai, që i ngriti në këmbë protestat gjithëpopullore (studentë, nxënës, profesorë, arsmitarë, mësues, prindër etj.) kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, apo ishte Sali Berisha dhe Lulëzim Basha së bashku me Partinë Demokratike?

Këtë shkrim, do e përfundoja me këto vargje kuptimpolte të poezisë me vlerë antologjike të poetit shqiptar Millosh Gjergj Nikolla:

Kanga e Rinisë:

"Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
************
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote."

Prof. Dr. MEHDI HYSENI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.