E Enjte, 03.28.2024, 01:22pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
RUSIA PO MBUSH VAKUMIN GJEOPOLITIK NË LINDJEN E MESME
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 11.25.2013, 07:34am (GMT+1)


Një kundërsulm strategjik rus ka nisur në Lindjen e Mesme, i cili po kulmon me rikthimin e bujshëm të influencës së Rusisë në shtetin kryesor të Lindjes së Mesme, në Egjipt. Ky zhvillim lidhet me dy rrethana të reja të rëndësishme gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

Rrethana e parë është tërheqja e Perëndimit nga përkrahja aktive dhe nga nxitja e pranverës arabe në Siri, dhe vendosja e prioritarizimit të armëve të dëmtimit në masë mbi parimin e mbështetjes për demokracinë dhe transformimin demokratik në vend. Rrethana e dytë është hezitimi i Perëndimit për mbështetjen e arritjeve të revolucionit demokratik në Egjipt, neutraliteti ndaj grushtit të përgjakshëm të shtetit, që junta e gjeneralëve ndërmori në 3 korrik, për të përmbysur presidentin e parë në historinë e vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe bashkë me të, edhe çdo program e shenjë të pranverës egjiptiane.

Këto rrethana krijuan një vakum gjeopolitik, i cili, në përputhje me ligjet e zhvillimit shoqëror dhe ndërkombëtar, nuk mund të mbetej bosh dhe do krijonte kushtet që ta mbushnin shtetet "antipranverë arabe". Shteti kryesor i këtij grupi, me ambicie rajonale dhe globale, i cili mezi priste të krijohej një vakum gjeopolitik në Lindjen e Mesme, është Rusia, e cila mund të thuhet se ndodhet në kulmin e një ofensive të suksesshme diplomatike dhe gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Suksesi i parë i kësaj ofensive ruse është Siria, ku diplomacia dhe qeveria ruse arritën që të fitojnë kohë dhe t'i zgjasin jetën regjimit barbar të Bashar al Asadit, dhe të detyrojnë Perëndimin që ta spostojë objektivin e politikës së tij siriane nga përmbysja e Asadit tek marrëveshja me atë regjim për asgjësimin e armëve kimike. Dhe dihet që çdo autokrat, për hir të ruajtjes së pushtetit personal, është gati të japë armët kimike, armët bërthamore, sovranitetin kombëtar, tokën dhe detin e vendit të vet.

Suksesi i dytë dhe më spektakolar i diplomacisë dhe i strategjisë së Rusisë në Lindjen e Mesme është Egjipti, ku në mënyrë të hapur dhe të sigurt po konstatohet një spostim i rëndësishëm gjeopolitik i shtetit më të madh arab drejt Rusisë. Në 13-14 nëntor, në Kajro u zhvillua vizita e njëkohshme e ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Rusisë, dhe bisedimet e tyre të përbashkëta me kreun e juntës ushtarake egjiptiane dhe me ministrin e Jashtëm egjiptian. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Egjiptit u zhvilluan bisedimet në formatin 2 plus 2, format që deri tani junta ushtarake nuk e ka aplikuar me asnjë shtet perëndimor. Në prag të këtyre bisedimeve, në Kajro zhvilloi një vizitë të gjatë shefi i shërbimit sekret ushtarak rus. Bisedimet ruso-egjiptiane, për nga dinamika, përmbajtja dhe rezultatet e tyre, klasifikohen në radhën e atyre lëvizjeve dhe ndryshimeve strategjike, të cilat pritet të kenë pasoja, jo thjesht në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në krejt rajonin e Lindjes së Mesme, dhe madje në një shtrirje më të gjerë të arenës ndërkombëtare. Për të vulosur aleancën e re, presidenti rus Vladimir Putin pritet që të zhvillojë edhe një vizitë së shpejti në Kajro.

Spostimi gradual strategjik i Egjiptit drejt Rusisë shihet edhe në planin politik, edhe në planin ushtarak. Krerët e juntës ushtarake egjiptiane parashtruan hapur qëllimin e tyre për të rikthyer kohërat, kur Egjipti ishte aleati kryesor i Rusisë në Lindjen e Mesme, në vitet "˜60 dhe "˜70, kur në Egjipt kishte 20 mijë këshilltarë ushtarakë rusë dhe luftanijet ruse kishin bazat e tyre atje. Ministri i Jashtëm egjiptian, Nabil Fahmi, deklaroi pas bisedimeve se "Ne duam t'i kthejmë marrëdhëniet tona në të njëjtin nivel që ekzistonte me Bashkimin Sovjetik". Kreu i juntës ushtarake, Abdel Fatah al Sisi deklaroi se vizita e ministrave rusë tregon vazhdimin e marrëdhënieve historike strategjike nëpërmjet fillimit të një ere të re të bashkëpunimit të frytshëm ushtarak. Referenca strategjike e përfaqësuesve diplomatikë dhe ushtarakë të juntës së Kajros nuk është e rastit. Nuk bëhet fjalë vetëm për zhvillim dhe forcim të marrëdhënieve dypalëshe, por për një rikthim të boshtit strategjik të kohërave sovjetike. Kjo do të thotë që në planin strategjik, Egjipti piketon kursin e një aleati të ngushtë të Rusisë në Lindjen e Mesme, siç ishte për Kremlinin në kohën e udhëheqësit historik egjiptian, Gamal Abdel Naser.

Zhvillimet e reja në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Egjiptit përbëjnë një mesazh të rëndësishëm gjeopolitik për SHBA, për BE dhe për NATO-n, duke paralajmëruar dhe demonstruar kursin e ri gjeopolitik të Kajros. Në disa qarqe diplomatike perëndimore po shprehen pikëpamjet se ky ndërrim kursi është një lëvizje jostrategjike, por taktike e Egjiptit, me qëllim që t'i bëhet presion SHBA, të cilët në muajin tetor pezulluan ndihmat dhe furnizimet ushtarake për juntën e gjeneralëve, duke e kushtëzuar me progresin e reformave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe me normalizimin e jetës politike dhe civile të vendit. Ky këndvështrim nuk duket se ka një bazë, po të analizosh përmbajtjen e kthesës së tanishme të Egjiptit. Së pari, Rusia nuk është shtet që mund ta lejojë veten të instrumentalizohet nga Egjipti. Së dyti, kur të kujtohet Perëndimi se Egjipti po rrëshqet, do ta gjejë Kremlinin në shtratin e Kajros. Nuk duhet harruar se Egjipti e ka kthyer disa herë timonin e strategjisë së vet të aleancave dhe të politikës së jashtme. E ktheu në kohën e Naserit drejt Moskës, e ktheu në kohën e Sadatit drejt Uashingtonit. Duhet përmendur se kthesën drejt SHBA Egjipti e ndërmori kur Rusia ishte superfuqi, kështu që nuk mendoj se mund të cilësohet pengesë nga junta e gjeneralëve fakti që SHBA është sot superfuqia e vetme. Autokratët egjiptianë e kanë një traditë të kthesave strategjike dhe gjeopolitike në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në këtë kuadër duhet veçuar dimensioni i nxituar ushtarak, që dy kryeqytetet po i japin kësaj kthese në marrëdhëniet mes tyre. Në datën 18 nëntor, agjencitë e lajmeve njoftonin se Moska dhe Kajro kanë arritur një marrëveshje për furnizimin e mbrojtjes ajrore të Egjiptit me sisteme raketash në vlerën 2 miliardë dollarë, raketa që në rrezen e tyre kapin gjithë shtetet e Lindjes së Mesme. Në fakt, vlera e marrëveshjeve të arritura gjatë bisedimeve dypalëshe të nëntorit për blerjen e armëve ruse është 4 miliardë dollarë. Në bisedime u vendos që të zhvillohen edhe manovra të përbashkëta ushtarake ruso-egjiptiane. Elementi më interesant i rezultatit të bisedimeve është plani për akordimin e një baze për flotën ushtarako-detare ruse në portet e Egjiptit. Në një intervistë me "Rosiskaja gazeta" në 20 nëntor, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, pohon se "baza ushtarake ruse është e sigurt dhe unë e them me zë të lartë. Ne duam të kemi një prani në Mesdhe, sepse është e rëndësishme për Rusinë". Gazeta ruse "Njezavisimaja gazeta" shkruante se furnizimet me armë për Egjiptin do të jenë të mundshme, sapo Kajro të nënshkruajë me Rusinë një marrëveshje, që lejon flotën ruse të përdorë portet egjiptiane. Është një sinjal i rëndësishëm, fakti që për herë të parë në 21 vjet, që nga viti 1992, një kryqëzor rus hyn në një port egjiptian, siç ndodhi në 11 nëntor, me kryqëzorin rus "Varjaga", të pajisur me raketa, i cili hyri në portin e Aleksandrisë, pikërisht në prag të bisedimeve ruso-egjiptiane.

Kundërsulmi strategjik rus në Lindjen e Mesme, i përqendruar në vendet të cilat u shndërruan në vatra të pranverës arabe, është një zhvillim i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të situatave dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon. Ai shënon një rikthim të Rusisë në Lindjen e Mesme, pas një largimi dyvjeçar për shkak të pranverës arabe, dhe një shfaqje të forcës dhe të peshës së re të Rusisë në punët e atij rajoni. Pas komplikacioneve siriane dhe hyrjes në Egjipt, Rusia shndërrohet në një aktor akoma më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme dhe në pellgun e Mesdheut. Sido që shumë gjëra janë ende në fazën e parë, e vërteta është se ofensiva gjeopolitike dhe strategjike e Rusisë në vendet e pranverës arabe shënon një zhvillim negativ edhe për proceset demokratike dhe përparimtare në atë rajon. Moska dhe presidenti Vladimir Putin kanë qenë përkrahës të vendosur të autokratëve të këtyre vendeve dhe gjatë kryengritjeve e protestave popullore në vendet e pranverës arabe, Moska ka qenë kundër forcave dhe aspiratave demokratike, duke u rreshtuar hapur me Mubarakun, Gadafin, Ben Alinë, Asadin. Kremlini i dha përkrahje të menjëhershme juntës ushtarake egjiptiane dhe grushtit të saj të shtetit, sepse e sheh si faktor të një kthese egjiptiane drejt Rusisë. Është e kuptueshme se duke përkrahur Asadin e Sirisë dhe Al Sisin e Egjiptit, Moska bashkohet me forcat më regresive dhe më represive në shtetet arabe. Alibia me etiketat për fondamentalizmin islamik apo për terrorizmin islamik është tepër e çngjyrosur për të mbuluar zhvillimet negative dhe për të justifikuar aleancat e reja strategjike, që po kristalizohen mes Rusisë dhe regjimeve autokratike arabe. Dimri rus po sjell akull në pranverën arabe.

Kundërofensiva gjeopolitike dhe strategjike ruse në Lindjen e Mesme përbën një sfidë të qartë ndaj Perëndimit, ndaj interesave dhe vlerave që Perëndimi ka profesuar dhe të cilat u bënë motori lëvizës i mendimit dhe i forcave rinore e demokratike, që shpërthyen revolucionet demokratike në kryeqytetet e Lindjes së Mesme.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
50-VJETORI I VRASJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDINga FRANK SHKRELI (11.21.2013)
TË MOS SHNDËRROHEMI NË HORDHINga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.20.2013)
A ËSHTË KY BREZI I NDRYSHIMEVE?Nga FRANK SHKRELI (11.17.2013)
Barometri diplomatikASGJËSIMI I ARMËVE KIMIKE TË SIRISË NË SHQIPËRI NUK ISHTE VENDIM I AMERIKËS!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (11.17.2013)
OKSIGJEN OPOZITËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.17.2013)
SHOQËRIA CIVILE - OPOZITA E VËRTETË NË SHQIPËRINga Dr. GËZIM ALPION, Birmingham, Angli (11.16.2013)
NJË RINI SHQIPTARE E KTHJELLËT PËR FATIN E ATDHEUTNga ARTUR VREKAJ (11.15.2013)
TË PROTESTOSH ËSHTË LEGJITIME! TË JESH ANTIAMERIKAN JO!Të protestojmë por t’i themi jo histerisë antiamerikane të tipit të Fatos Lubonjës me shokëNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.15.2013)
GJUKANOVIÇI ËSHTË NDOTJA MË E MADHE EKO-POLITIKE E KRAHINËS ETNO-HISTORIKE TË PLAVË-GUCISËEsé nga RAMIZ LUSHAJ (11.14.2013)
AMERIKA NUK DO T'I IMPONOJË SHQIPËRISË SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISËNga FRANK SHKRELI (11.13.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]