VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË DHE MIRËNJOHJA E NJË SHQIPTARO-AMERIKANI NDAJ KËTIJ VENDI
Nga FRANK SHKRELI

E Enjte, 11.28.2013, 09:18am (GMT1)


Dita e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festohet çdo vit, të Ënjtën e katërt të muajit Nëntor. Kjo festë e ka origjinën në vitin 1621 dhe simbolizon ardhjen e pelegrinëve të parë nga Europa në Masaçusets, me qëllim për të praktikuar fenë e tyre pa ndërhyrje nga askush. Pas një dimëri të fortë, gjatë të cilit thuhet se gjysma e tyre gjetën vdekjen nga dimëri i ftohtë dhe nga mungesa e ushqimeve, ata kërkuan ndihmën e indianëve vendas, të cilët i mësuan ata se si të mbjellnin dhe të grumbullonin të korrat. Një vit më vonë, pothuaj 400-vjetë më parë, kur ata korrën të lashtat e tyre të bollëkshme, pelegrinët vendosën të festojnë grumbullimin e të korrave duke falënderuar Perendinë për dhuratat. Këjo traditë ka vazhduar në Shtetet e Bashkuara me shekuj dhe tani, ajo që quhet Dita e Falënderimeve, gjatë së cilës amerikanët e herëshëm dhe të ardhur më vonë, festojnë jo vetëm mirëqenjen materiale dhe begatinë që ky vend mundëson për ata që punojnë rëndë, por për më tepër është këjo një ditë e cila simbolizon gjithashtu sakrificat e mëdha që pësuan pelegrinët si dhe përpjekjet e tyre, që me çdo kusht, të jetonin në liri.

Është bërë traditë që çdo vit, që në këtë ditë, presidenti i Shteteve të Bashkuara lëshon një deklaratë. Edhe sivjet, Presidenti i tanishëm, Barak Obama, tha në deklaratën e tij me këtë rast se, "Dita e Falenderimeve na jep rastin që të tregohemi mirënjohës për bekimet që kemi marrë si dhe për lirinë që gëzojmë", duke shtuar se ''këjo traditë na kujton secilit prej nesh, pa marrë parasyshë prejardhjen tonë, fenë ose kush jemi, ose nga vimë -- në thelb -- ne jemi pikëspari dhe mbi të gjitha, Amerikanë."

Edhe unë si njëri nga këta amerikanë i ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshë të re, 43 vjetë më parë me frymëzimin e vetëm për të jetuar në liri dhe në dinjitet, si shumë shqiptaro-amerikanë dhe miliona të tjerë nga e mbarë bota, në këtë ditë të Falënderimeve, ofroj mirënjohjen këtij vendi dhe falënderimet e mia ndaj Perëndisë për strehimin dhe për lirinë që unë dhe secili prej nesh gëzojmë në këtë vend.

Ashtu si edhe pelegrinët e pare, pothuaj 400-vjetë më parë në Masaçustes, edhe unë me të arritur në Shtetet e Bashkuara para më shumë se katër dekadash dhe me shijimin e parë të jetuarit në liri, gjithmonë kam qenë dhe vazhdojë të jemë mirënjohës për ato që më ka ofruar ky vend, mbi të gjitha lirinë dhe trajtimin e barabartë para ligjit, si dhe mundësitë për të zhvilluar talentin, pa marrë parasyshë prejardhjen ose fenë. Jo se rrugët e këtij vendi janë të shtruara me flori, përkundrazi, kërkohet mund e djersë për të përparuar, por ajo që e dallon këtë vend, është fakti se mundësitë dhe liria janë të barabarta për të gjithë, pa marrë parasyshë se nga cili kënd i botës vjen. Me atë arritur në këtë vend më 1970, unë e ndjeja veten si pelegrinët e parë, i frymëzuar për të falenderuar Perendinë dhe për të festuar mundësitë që më dha ky vend, si shumë bashkatdhetarve tonë shqiptaro-amerikanë. Fatbardhësisht, si shënjë e pare e kësaj lirie, unë kisha mundësinë që këto ndjenja t'i shprehja me shkrim duke mbrojtur liritë dhe vlerat si dhe mundësitë që ofronte ky vend për imigrantët e ri, siç isha unë në atë kohë. Ndjenjat e mia të falenderimit dhe mirënjohjes ndaj këtij vendi janë njësoj sot si në fillim të viteve 1970-ave. Në një prej artikujve të parë modest që kisha shkruar për gazetën e kolegjit si student i viteve të para, në një kryeartikull në anglisht (bashkangjitë këtij shkrimi), se "unë erdha në këtë vend me qëllimin për të bërë një jetë më të mirë në botën e re, në një vend ku mbizotëron liria dhe e drejta e barabartë për të gjithë." Vetëm më pak se tre vjet në këtë vend, kisha shkruar se "Unë nuk jam i zhgënjyer" me Amerikën, duke shtuar se, "nuk po nguli këmbë se ky vend është një shoqëri e përsosur, për arsyen se nuk besoj në një shoqëri të përsosur", andaj edhe Amerika ka të meta. Ashtu si edhe pelegrinët e parë, në shkrimin e vitit 1973, për gazetën e kolegjit Lehman, isha shprehur se me ardhjen në Amerikë, "e ndjeja veten dhe kisha besimin e patundur se në këtë botë të re, bekimet e lirisë do të viheshin në pah, do të konkretizoheshin dhe do të provoheshin. Me të zbritur në këtë kontinent, zemëra ime u mbush me ndjenja pavarësie personale....''

Megjithëse kur i kisha shkruar këto rreshta isha në një moshë tepër të re, e vërteta është se edhe sot pas 43 vitesh në këtë vend, ndjenjat e mia të mirënjohjes dhe të falenderimit për lirinë që gëzojmë dhe për mundësitë që Amerika më ka dhënë mua dhe familjes time -- nuk kanë ndryshuar aspak. Në të vërtetë do e shkruaja edhe sot të njëjtin artikull, ndoshta vetëm me ndonjë ndryshim të vogël drejtëshkrimor, aty këtu, duke përfunduar tani në Ditën e Falendërimeve 2013 -- si dhe atëherë se, "Jam krenar dhe e ndjejë veten të privilegjuar që jetoj në këtë vend. Sa fat dhe kënaqësi është që të jetosh në liri". Për këtë falënderoj, mbi të gjitha, Perëndinë.



FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.