VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRGJIGJE BASHKËVUAJTËSIT TIM AGIM HAMITI
Nga RESHAT KRIPA

E Enjte, 11.28.2013, 09:24am (GMT1)


Para dy ditësh një miku im më njoftoi se në faqen e tij të facebook-ut një bashkëvuajtësi im, madje edhe bashkëqytetari im, zoti Agim Hamiti, kishte bërë një shkrim. Shkrimi ishte bërë disa ditë më parë por unë nuk e kisha lexuar pasi nuk isha në dijeni për një gjë të tillë. Hapa faqen në fjalë dhe e gjeta shkrimin. Me kureshtje e lexova. Gjithmonë kam qenë i prirur të lexoj shkrimet e bashkëvuajtësve të mi. Për të thënë të vërtetën u deziluzionova për këtë shkrim. Jo se ai ishte një kundërvënie e qëndrimit tim për çështjet e kohës, por sepse unë e kam parim që të mos cënoj dinjitetin e bashkëvuajtësve të mi pamvarësisht nëse mendimet e tyre përputhen me ato të miat. Ndoshta mund ta kem gabim, këtë e lë në dorë të lexuesve, por jam i mendimit se sot nuk është koha të merremi me njeri-tjetrin dhe të harrojmë ata që ishin shkaktarët e kësaj katastrofe. Sidoqoftë duke lexuar shkrimin jam i detyruar t'u përgjigjem çështjeve të ngritura në të. Në krye të tij lexoj:

Rreth "THIRRJES"për bashkim drejtuar kryesive të shoqatave të (ish) të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Mendova se bashkëvuajtësi im kishte prekur një temë shumë të ndjeshme që u takon të përndjekurve politikë (unë nuk do t'i quaja "ish të përndjekur politikë" pasi bashkohem me mendimin e tij se ata janë ende te përndjekur). Mendova se në këtë shkrim do të tregoheshin rrugët nëpër të cilat duhej të kalonin shoqatat e të përndjekurve politikë për të arritur këtë bashkim. Por nuk vura re askund një gjë të tillë. Për më tepër vura re një sulm të shfrenuar kundër shoqatës në të cilën unë bëj pjesë, Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë. Ja çfarë thotë zoti Hamiti në shkrimin e tij:

Kryesia e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë (me kryetar z. Reshat Kripa) mban përgjegjësi të plotë politike, morale shoqërore e historike, para shtresës së sakrifikuar antikomuniste dhe gjithë popullit shqiptar, për bashkëfajsi të vullnetshme me enveristin fanatik Sali Berisha misionarin e Ramiz Alisë në këto krime me përmasa kombëtare.

Dhe më poshtë vijon me gjashtë pika si gjoja:

Ruajtja faktike nga ana e shoqatës e titullit "Hero i Popullit" të diktatorit Enver Hoxha,
Mohimi i së drejtës legjitime të mijra të pushkatuarve antikomunstë, me ose pa gjyq, për të pasur një varr në tokën amtare.
Mashtrimi i të burgosurve politikë për dëmshpërblimin financiar.

Mosdistancimi i shoqatës nga Sali Berisha dhe partia e tij pas ngjarjeve të vitit 1997.

Dhe hipoteza të tjera që, në të vërtetë, nuk kanë asnjë bazë. Më lejoni t'ju përgjigjem këtyre kërkesave një për një:
Pikësëpari dua t'ju bëj me dije se unë nuk jam kryetari I kësaj shoqate por vetëm kryetari I degës së Tiranës.

Për çështjen e heqjes së titullit "Hero i Popullit" diktatorit të përmbysur, shoqata e jonë nuk ka lënë asnjë rast pa ngritur zërin me forcë për realizimin e kësaj kërkese. Nuk e di nëse do të ketë ndonjë shoqatë tjetër që ta ketë ngritur zërin më shumë se ne për këtë çështje. Nuk e di nëse zoti Hamiti i ka lexuar shumë artikuj të mi të botuar në shtypin e përditshmë, madje edhe në internet, lidhur me këtë temë. Nëse një gjë e tillë nuk është realizuar, ky nuk është faji ynë por i politikës shqiptare që vepron në vendin tonë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për çështjen e gjetjes së eshtrave të të rënëve tanë. Ne e kemi deklaruar se kjo është një detyrë urgjente e shtetit shqiptar. Është në nderin e tij të bëjë një veprim të tillë, por zëri ynë, deri tani, ka rënë në vesh të shurdhër. Edhe ky nuk është faji ynë.

Po ashtu për çështjen e dëmshpërblimit kemi ngritur zërin për mosrealizimin e kësteve të dëmshpërblimit brenda afateve të caktuara në ligj. Por ne jemi në gjendje të bëjmë diferencimin ndërmjet qeverisë socialiste dhe asaj demokrate. Ndërsa qeveria socialiste me anën e një ligji të përgatitur nga ana e saj na ofronte vetëm një kafe 50 lekshe në ditë, gjë që u hodh poshtë nga gjykata kushtetuese, qeveria demokratike na dha 200 lekë të reja për një ditë burgu. Është e vërtetë që në zbatimin e këtij ligji ka patur zvarritje të pajustifikuara, por sidoqoftë dy këste tashmë janë shpërmblyer dhe kjo është një meritë edhe e shoqatës tonë.

Për çështjen e mosdistancimit nga Berisha dhe partia e tij ju bëjë me dije (ndoshta ju nuk e dini se jeni larg Shqipërisë), se Partia Demokratike, me në krye Berishën, është në aleancë me shumë parti të tjera të djathta, midis të cilave edhe partitë e vjetra nacionaliste siç janë ato të Ballit Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit. Ne, sikurse dhe ju, jemi të djathtë dhe nuk mund të lidhemi veçse më një forcë të djathtë. Ju pretendoni se ky grupim nuk qenka i tillë. Atëherë, ju lutem, na thoni se me cilin grupim tjetër duhet të jemi ne.

Në asnjë rast ne nuk kemi thënë se i përkasim Partisë Demokratike apo Berishës. Ne kemi deklaruar se i përkasim këtij blloku partish të djathta dhe mendoj se nuk kemi gabuar. Madje edhe kur kemi vërejtur shkelje të ndryshme të demokracisë apo çështje të tjera të jetës së përdtëshme nuk kemi nguruar të shprehim mendimin tonë të lirë. Në shoqatën tonë bëjnë pjesë individë me bindje të ndryshme politike. Ne, në asnjë rast nuk ndërhymë në zgjedhjet e tyre. Ky është parimi bazë i demokracisë dhe ju, që aktualisht banoni në një vend demokratik, duhet ta kuptoni një gjë të tillë.

Dua t'ju bëj me dije edhe me pretendimin tuaj se edhe Shoqata Ndërkombëtare e të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, qenka krijuar me nismën e Sali Berishës. Të arrish në një përfundim të tillë është një miopi politike e një njeriu që nuk di se ku e ka edhe kokën e tij. Unë nuk e di se, sipas jush, influenca e Sali Berishën qenka kaq e fortë sa të veproka edhe për krijimin e një shoqate të tillë që shtrihet në 16 vendet e ish-Europës komuniste. Lexuesit le ta gjykojnë vetë.

Për t'i ilustruar këto që thashë më lart po ju rishkruaj disa të dhëna të nxjerra nga disa artikuj të botuar në shtypin e kohës. Ja një artikull i botuar më datën 27 shtator në gazetën "Dita":

Më datën 22 shkurt 2007, lidhur me humbjen e shumë kryetarve demokratë të bashkive të mëdha në zgjedhjet lokale të zhvilluara atë vit, në gazetën "Telegraf" kam botuar artikullin "Fitimtarët e pakicës" ku midis të tjerave shkruaja:

"Por së fundi dua t'i drejtohem edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë ku bëjë pjesë dhe në mënyrë të sinqertë t'i shpreh mendimin tim për këto çështje. E çmoj së tepërmi kontributin tuaj në drejtimin e Partisë Demokratike dhe të qeverisë, por dua të shtoj se përgjegjësinë kryesore në këtë humbje e keni ju. Pushteti i gjatë i konsumon njerëzit. Nuk e di se si do të veprojnë vartësit tuaj, ajo është e drejta e tyre, por mendoj se është në nderin tuaj të tregoni fisnikërinë që ju ka karakterizuar. Bëni xhestin që ju takon burrave të shquar të politikës botërore. Jepni dorëheqjen. Partia Demokratike ka plot burra të tjerë të ndershëm dhe të zotë që mund ta drejtojnë atë."

Më datën 3 korrik 2007 kam botuar përsëri një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Sali Berisha ku, midis të tjerave, theksoja:

"Një miku im para disa ditësh më tha se kjo është rezultat i politikës së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë të tillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre, për të vrarët nga regjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të këtij kallëpi, për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri."

Le t'i hedhim një vështrim shkrimit tjetër me titull " A po zbatohet Katovica?" botuar në gazetën "Metropol" datë 14 qershor 2012:

"Një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë, qysh në marsin e vitit 2010, të dënonte krimet e komunizmit. Po për këtë qëllim, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë i kërkuan Sekretares së Përgjithshme për Drejtësinë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zonjës Vivian Reding, dënimin e këtyre krimeve por që, për fat të keq, kjo kërkesë nuk u përkrah nga Ministri ynë i jashtëm."

E pra Ministër i Jashtëm ishte pikërisht zoti Ilir Meta,

Tani dua të flas lidhur me grevën e urisë të shpallur nga një grup të përndjekurish politikë, nga të cilët një pjesë ishin me të vërtetë të tillë. Megjithëse për këtë grevë unë kam rezervat e mia që nuk ia vlen t'i shpreh tani, po ju paraqes një fragment nga shkrimi im, botuar në gazetën "Metropol" datë 29 tetor 2012 me titull: "Greva e urise, media dhe të përndjekurit politikë" që bën fjalë pikërisht për qëndrimin e qeverisë për këtë çështje:

"Le të flasim për menaxhimin që i bëri qeveria kësaj greve. Mendoj se ai nuk ishte i drejtë. Ajo ra në grackën e përgatitur nga organizatorët e grevës dhe zëdhënësit e saj dhe u kthye në një shkëmbim batutash jokorrekte midis tyre. Ditët e fundit Kryeministri deklaroi se ligji do të zbatohej një për një, se dëmshpërblimi do të përfundonte pikërisht në vitin 2017, se në ligj do të bëheshin edhe përmirësime dhe shtesa të tjera. Kjo është një gjë e mirë të cilën shoqata e jonë e ka kërkuar prej kohësh. A nuk do të kishte qenë më mirë që këto deklarata t'u ishin bërë të ditura grevistëve qysh në ditët e para të saj? A nuk do të kishte qenë më mirë që një përfaqësues, për shembull, i Ministrisë së Financave, t'u kishte bërë të ditur atyre të dhënat mbi përfitimet në privatizime e të tjera, që më vonë u publikuan nëpërmjet organeve të medias?"

E pra këto janë vetëm një pjesë e shkrimeve të shkruara nga unë lidhur me çështjet që u përkasin të përndjekurve politikë Shkrimet e mësipërme flasin vetë për të kundërtën. Ne jemi një shoqatë e të përndjekurve politikë dhe nuk mund të heshtim kur kryhen veprime që bien erë komunizëm nga cilido krah qofshin. Ne kemi konstatuar dhe konstatojme ende se të dy krahët e politikës vazhdojnë të mbështeten në elementë, dosjet e të cilëve sikur të ishin hapur, nuk do të guxonte njeri t'i emëronte në detyra kyçe të pushtetit. Fjalën këtu e kam më tepër për ish punonjës të Sigurimit të Shtetit, prokurorive, hetuesive dhe gjykatave të regjimit komunist. Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim asnjë herë për këto raste. Jemi i vetmi vend i Europës Lindore ku individë të këtij kallëpi i gjen në majat e politikës shqiptare.

Ky është qëndrimi i shoqatës tonë, i nderuar zoti Hamiti. Nëqoftëse për ju ai nuk qenka antikomunist, kjo është puna juaj. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë, pamvarësisht nëse do t'i pëlqejë dikujt apo jo. Një fjalë e urtë popullore thotë:
"Le të jetë oxhaku i shtrembër, tymi të shkojë drejt!"

Unë ju siguroj se tymi ynë gjithmonë do të shkojë drejt një Shqipërie me të vërtetë demokratike.

Tani le të përqëndrohemi në pjesën e dytë të shkrimit tuaj, në atë që bën fjalë direkt për personin tim. Qëndrimi im në këto 23 vjet pluralizmi tashmë njihet nga të gjithë. Njihet nga shkrimet e mia. Në asnjë prej tyre nuk i kam bërë "Hosana" askujt, pamvarësisht nga detyra që kanë patur. Në rast se ju nuk i dini këto, nuk është faji im. Sa për veten time unë ju njoh shumë mirë si juve ashtu edhe veprat tuaja dhe kam ruajtur një respekt të veçantë për to. Në rast se ju nuk e keni nje gjë të tillë, mua nuk më intereson. Ju keni mendimin tuaj dhe unë timin.

Në fillim dua të përqëndrohem në krijimin e degës së shoqatës së të përndjekurve politikë në rrethin e Vlorës në vitin 1991. Ju thoni se ajo u zgjodh në mënyrë klandestine. Gaboheni i nderuar zotni. Në konferencën e krijimit të kësaj shoqate morën pjesë më tepër se 100 ish të përndjekur politikë nga gjithë rrethi i Vlorës. Përse nuk ishit ju, këtë e dini vetë. Unë mund t'u them se brenda një periudhe prej vetëm një viti mundëm të krijonim seksionet e saj në çdo lagje të qytetit dhe në çdo fshat të rrethit. Në rast se edhe këto nuk i dini përsëri nuk është faji ynë. Ju harroni, apo bëni sikur harroni, se ishte pikërisht kjo shoqatë që më 28 nëntor 1991, nëpërmjet anëtarëve të saj Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu grisën yllin komunist nga flamuri kombëtar dhe ngritën, nëpërmjet duarve të Altin Kokoshit, djalit të të burgosurit politikë Burim Kokoshi dhe nipit të nënshkruesit të aktit të pavarësisë më 1912 dhe udhëheqësit të luftës së Vlorës më 1920, Qazim Kokoshit, flamurin kombëtar pa yll, në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë nuk e kishte vendosur ende një gjë të tillë. Atë ditë ju nuk u patë gjëkundi. Arsyen e dini vetë dhe unë nuk dua të hy në supozime.

Ju harroni gjithashtu se ishte pikërisht kjo shoqatë që me nismën e saj bëri të mundur çvarrosjen dhe rivarrimin dinjitoz të 18 nacionalistëve të shquar të pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1945, grupin e pushkatuar në Bishtin e Kalldrëmit ku bënin pjesë figura të tilla të shquara si Tasim Bonjaku, Hambi Çeprati, Muharrem Sharra e të tjerë dhe grupin e pushkatuar në vendin e quajtur "Ura e Ballistave" të përbërë nga martirët Shahin Nuredini, Abdyl Kuçi e të tjerë. Edhe në këtë ceremoni dinjitoze të zhvilluar më 29 janar 1992 ju nuk ishit prezent. Edhe këtë e dini ju dhe do t'ju lutesha të na bënit me dije përse?

Shoqata e vazhdoi rrugën e saj, gjithmonë në mbrojtje të interesave të të përndjekurve politikë në veçanti dhe të interesave të nacionalizmit shqiptar në përgjithësi. Por juve, i nderuar, paska filluar t'ju punojë fantazia. Një gjë e tillë bën që të përgojoni edhe figura të tilla që zor se mund t'i vinë këtij vendi. Nuk e kam fjalën për veten time por për dy prej tyre, kryetarin e shoqatës Hysni Alimerko dhe nënkryetarin Burim Kokoshi. I pari ish ish kuadro i organizatës së Ballit Kombëtar me 20 vjet burg në shpinën e tij dhe i dyti anëtar i rinisë së Ballit Kombëtar që kishte shkuar për të luftuar për Shqipërinë Etnike deri në Kosovë dhe me dy herë dënime politike nga regjimi komunist. Nuk është e moralshme nga ana e juaj të përgojoni figura të tilla, aq më tepër kur ata sot nuk jetojnë më. Kjo do të ishte një fyerje e ulët nga ana juaj për këto dy figura të shquara të nacionalizmit shqiptar.

Ju njoh shumë mirë, i nderuar zoti Hamiti. Kam pasur gjithmonë konsideratën më të lartë për ju, ashtu si dhe për gjithë bashkëvuajtësit e tjerë. Në praktikën e aktivitetit tim gjatë këtyre 23 vjetëve nuk kam sulmuar asnjë nga bashkëvuajtësit e mi edhe kur ndonjë prej tyre e meritonte një gjë të tillë. Këtë e kam bërë pasi mendoj se lufta jonë duhet drejtuar kundër atyre që na vranë dhe denigruan dhe që një pjesë e tyre ende vazhdojnë të jenë të krye të shtetit shqiptar. Do t'ju këshilloja edhe juve: Mos u merrni me bashkëvuajtësit tuaj por merruni me kriminelët që i persekutuan ata. Në rast se do të vijë ndonjë ditë që ujët të rrjedhë në vaun e tij atëherë keni të drejtë të merreni me ata që sipas jush e paskan "tradhëtuar" kauzën.

Në përfundim dua t'ju them se unë vërtet po i afrohem të tetëdhjetave dhe nuk e di se sa do ta kem fatin të jetojë ende (meqënëse kjo u paska mbetur merak), por dua t'ju theksoj se edhe nëqoftëse iki nesër jam i kënaqur që kam lënë një gjurmë të mirë në favor të kombit tim. Për t'u bindur, lexoni, po mundët, mbi 200 artikujt e mi të botuar në shtypin e përditshëm dhe në internet, mbi 50 kumtesat e mbajtura në konferenca të ndryshme përkujtimpore dhe shkencore, në librat botuara prej meje (Një libër me tregime: "Një tregim për mikun tim", një libër me kujtimet e rinisë: "Rini e copëtuar", katër romane: "Shkallët e Ferrit". "Sekreti i varrit të vetmuar", "Meditim", "Një dahuri e tillë", një përmbledhje me poezi "Dhimbje" dhe një monodrame "Mos harroni!") Ky jam unë, i nderuar. Mjerë ata që ikin pa lënë asnjë gjurmë.

RESHAT KRIPA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.