E Djelë, 11.17.2019, 06:44pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DREJTËSIA E KORRUPTUAR SI FATKEQËSI KOMBËTARE
Nga MENTOR KIKIA

E Shtunë, 11.30.2013, 08:29am (GMT+1)


Normalisht, ne e dinim dhe e dimë se si drejtësinë mund ta blesh me para. Pra, duhet të paguash për të fituar të drejtën edhe kur të takon, por edhe për të fituar mbi ligjin kur je fajtor. Ne gjithashtu e dimë se si funksionon edhe skema. Janë sekserët ata që bëjnë pazaret me prokurorin e gjykatësin, që në pjesën dërmuese të rasteve janë avokatë. Por në Pukë nuk ka çështje të mëdha, s'ka "peshq të mëdhenj" thuhet në terminologjinë popullore, për të akuzuarit e mëdhenj, trafikantë, zyrtarë, biznesmenë të "zinj", që për t'i shpëtuar ndëshkimit paguajnë aq shumë para, sa duhet të vihet tërë administrata e gjykatës në punë për t'i numëruar. Pra, meqë në Pukë nuk ka çështje të mëdha, edhe pazari është i vogël dhe sekserin e bën vetë prokurori, ndërsa kancelarja shërbente si arkëtare dhe kujdesej që valuta të merrej me kursin ditor të këmbimit.

Të gjitha këto ne i dinim, por kur e shikon me zë dhe figurë, se si njerëzit e drejtësisë, gjykatës, prokurorë dhe kancelarë të një gjykate marrin ryshfete për të favorizuar një shkelës ligji, apo akoma më keq, për t'i dhënë drejtësinë një njeriu që i takon, dhe i ndajnë paratë tamam si një grup hajdutësh ordinerë pasi kanë sulmuar prenë e tyre të radhës, ndjen neveri. Ndjen neveri për shkallën ku ka përfunduar sistemi i drejtësisë në këtë vend, ku ka përfunduar ligji dhe se si ata që duhet të jenë modeli i zbatimit, janë bërë varrmihësit më të mëdhenj të tij.

Padyshim që nuk do ia vlente jo më një investigim i gjatë televiziv si ai i "Fiks Fare", por as edhe këto radhë, nëse kjo do të ishte një çështje e lokalizuar në një gjykatë periferike si ajo e Pukës. Por ne e dimë se ajo që u filmua të ndodhte në Gjykatën e Pukës është vetëm një thërrime, pasi në këtë derexhe është katandisur e tërë drejtësia në këtë vend. Dhe, për këtë arsye, treguesi i sondazheve që nxjerrin drejtësinë si mekanizmin më të korruptuar të shtetit, nuk është fare një perceptim i gabuar i popullit.

Por çështja që shtrohet është se si mund të luftohet ky korrupsion. Këtu kemi të bëjmë me një rreth vicioz, pasi organet që duhet ta luftojnë korrupsionin, brenda tyre përbëhen nga njerëzit që janë edhe më të korruptuarit. Përtej të gjitha teorive të propozuara, duke përfshirë edhe rritjen e pagës, unë mendoj se është vetëm njëra rrugë efektive. Futja në burg, kur arrihet të provohet mitmarrja dhe heqja e së drejtës së profesionit dhe e drejta e punës në çdo sektor të administratës shtetërore, kur provohen shkelje të tjera. Gjykatësit dhe prokurorët duhet të mësohen t'i zënë vendin një krimineli kur e nxjerrin atë nga burgu, apo një të pafajshmi, kur e lënë në burg për t'i marrë paratë.

Kryeministri Rama e cilësoi si emergjencë kombëtare situatën e territorit, duke justifikuar vënien në përdorim edhe të eksplozivëve për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje. Por, është në përmasat e një fatkeqësie kombëtare situata në sistemin e drejtësisë. Është kjo burimi i të gjitha të këqijave, pasi drejtësia është Zoti ku njerëzit presin të drejtën. Por "Zoti" është një batakçi.

Deputeti Fatmir Xhafaj tha në parlament se, në kushtet kur shteti nuk funksionon, është "Fiksi" që po bën punën e shtetit. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço u bëri thirrje njerëzve që të bashkëpunojnë për të luftuar korrupsionin në drejtësi. Unë mendoj se nuk ka qytetar të ndershëm që nuk do ta luftojë korrupsionin. Por si? Çfarë mund të bëjmë ne për të luftuar korrupsionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve? Atë që bëri "Fiksi" me kamerën e fshehtë mund ta bënte vetë prokuroria, apo organe të tjera ligjzbatuese, por qytetarët ankohen më shumë në media sesa institucionet e shtetit, sepse nuk kanë besim.
Dhe kanë të drejtë. Cili prokuror do ta drejtojë këtë operacion në Pukë, ai që ndante paratë me gjykatësin? Korrupsionin duhet ta luftojnë po vetë prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët kanë dëshmuar një aleancë të fortë brenda llojit. Këtë e tregoi rasti i gjyqtarit Neritan Tabaku, gjykatësi i Durrësit që mbante mbi një vit dosjet e pazbardhura, falë të cilave u pengua edhe apelimi i vendimit për një vrasës, i cili i mori jetën edhe një komisari policie më pas. Kolegët e tij e cilësuan shkeljen e tij, thjesht si kundravajtje.

Por dhe mbi të gjitha, lufta kundër korrupsionit në drejtësi nuk mund të mbështetet vetëm në denoncimin e qytetarëve, sikundër apelon edhe reklama e Ministrisë së Drejtësisë. Pasi korrupsionin më të madh e prodhojnë ata qytetarë që kanë probleme me ligjin e japin ryshfet për të fituar mbi ligjin, dhe padyshim që këta nuk denoncojnë. Ndërsa "peshqit e mëdhenj", prokurorë, gjykatës dhe avokatë me emër që bëjnë sekserin, nuk janë aq budallenj sa prokurori i Pukës dhe kancelarja, që numëronte paratë në zyrë si të ishte shitëse bulmeti.

Ndërsa akuzojmë në tërësi sistemin e drejtësisë, ne duhet të dimë se ka mes tyre gra e burra të ndershëm, që zbatojnë ligjin e nuk janë të korruptuar. Në kushtet kur hajduti nuk e kap kurrë hajdutin, duhet që këta elementë të ndershëm të tërhiqen dhe mbështeten, si një resurs shumë i vlefshëm për drejtësinë. Ndërkohë që ligjvënësit duhet të vendosin që hetimet brenda drejtësisë të mos bëhen nga të njëjtat struktura drejtësie. Ka nisma për të kaluar në Prokurori dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda çështje të korrupsionit në tërësi. Por është e nevojshme që të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me vetë drejtësinë të kalojnë së paku pranë kësaj gjykate, duke përfshirë edhe vepra të tjera përveç korrupsionit.

Vetë lidershipi i Prokurorisë, KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë duhet të dëshmojnë vullnet dhe besim, dhe të afrojnë pranë kësaj gjykate elementët më të mirë që ka sistemi. Ligjvënësit duhet të krijojnë të gjithë mekanizmat e mundshëm për të garantuar lirshmërinë e hetimit dhe veprimit, duke përfshirë përgjimin e fshehtë, si rruga më e mundshme e sigurimit të provave. Dhe, në fund duhet që ata njerëz të bëhen shembull i ndëshkimit. Duhet të aprovohen masa speciale ndëshkimi. Le të mos na duket herezi. Vërtet një zyrtar i korruptuar i bën dëm shtetit, por është shumë herë më i rrezikshëm një prokuror dhe një gjykatës i korruptuar, sepse falë tyre do të vazhdojë të ketë gjithmonë zyrtarë të tjerë të korruptuar. Një gjyqtar që toleron një vrasës, a nuk është edhe ai po kaq vrasës, në mos më i rrezikshëm? Ndaj duhet një ndëshkim më i rëndë për këtë kategori të korruptuarish.

Nuk po flitet për një gjyqtar futbolli që anuloi një gol pasi nuk e pa mirë pozicionin jashtë loje, por për një gjyqtar që me koshiencë të plotë bën pazar. Këta njerëz, që kanë nxjerrë në treg ligjin sikur ta kishin mall të tyrin, duhet të mësohen të kenë frikë, frikë nga ajo që bëjnë në shkelje të ligjit. Ndërsa dëgjojmë, veçanërisht ndërkombëtarët, të flasin çdo ditë për pavarësinë e sistemit nga politika, duhet të dimë se sot sistemi është i varur katërcipërisht nga paraja.

MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JO 29 NËNTORIT - E MAJTA TË MOS RILINDË ME RETORIKË, POR ME VEPRA!Nga Elida BUÇPAPAJ (11.29.2013)
PËRGJIGJE BASHKËVUAJTËSIT TIM AGIM HAMITINga RESHAT KRIPA (11.28.2013)
DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË DHE MIRËNJOHJA E NJË SHQIPTARO-AMERIKANI NDAJ KËTIJ VENDINga FRANK SHKRELI (11.28.2013)
PËRVEÇ MESILA DODËS, PD HARRON TESTAMENTIN E OLLDASHIT DHE VAZHDON STILIN QË DENONCOI SOKOLI MË 14 NËNTORNga ELIDA BUÇPAPAJ (11.27.2013)
GËZUAR 28 NËNTORIN – DITËN E FLAMURIT, DITËN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISËNga FRANK SHKRELI (11.26.2013)
ANTIAMERIKANIZËM NË SHQIPËRI? UNË DYSHOJNga SAMI REPISHTI (11.26.2013)
RUSIA PO MBUSH VAKUMIN GJEOPOLITIK NË LINDJEN E MESMENga SHABAN MURATI (11.25.2013)
50-VJETORI I VRASJES SË PRESIDENTIT XHON F. KENEDINga FRANK SHKRELI (11.21.2013)
TË MOS SHNDËRROHEMI NË HORDHINga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.20.2013)
A ËSHTË KY BREZI I NDRYSHIMEVE?Nga FRANK SHKRELI (11.17.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]