VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DY PËRPLASJE TË MËDHA GJEOPOLITIKE BE-RUSINga SHABAN MURATI

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 03:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
DY PËRPLASJE TË MËDHA GJEOPOLITIKE BE-RUSI
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 12.09.2013, 11:36am (GMT+1)


Viti po mbyllet me dy përplasje të mëdha gjeopolitike mes Bashkimit Europian dhe Rusisë. E para është përplasja për Ukrainën, e cila kufizohet në perëndim me katër shtete anëtare të BE dhe në lindje me Rusinë. Kulmi i saj publik arriti në samitin e BE në Vilnius, në 28-29 nëntor, ku ishte vendosur bashkërisht nga Brukseli dhe Kievi të nënshkruhej marrëveshje tregtare dhe e asociimit mes BE dhe Ukrainës, dhe presidenti ukrainas refuzoi nënshkrimin e asaj marrëveshje, sepse ashtu ia kërkoi Rusia. Është një sjellje tipike bizantine e presidentit dhe e qeverisë së Ukrainës, të cilët pasi bisedojnë gjashtë vjet me Komisionin Europian dhe bien dakord për një paketë dokumentesh të përbashkëta, të cilat peshojnë pesë kile e gjysmë, kthejnë timonin nga rruga për në BE dhe ikin mbrapsh tek Rusia.

Rusia nuk e pat të vështirë presionin mbi presidentin prorus Viktor Janukoviç, madje e shprehu publikisht kërkesën ndaj Kievit që të mos nënshkruajë marrëveshjen me BE, duke demonstruar edhe një sfidë force ndaj BE. Pas refuzimit ndaj integrimit europian, presidenti i Ukrainës zhvilloi një takim të palajmëruar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në 6 dhjetor në Soçi, nga bisedimet e të cilëve erdhën dy njoftime të ganxhave të reja ruse të qafën e Ukrainës. Këto janë marrëveshja e re e partneritetit strategjik me Rusinë dhe aderimi i Ukrainës në bllokun e stilit sovjetik të krijuar nga Moska, të quajtur "Unioni doganor", ku bëjnë pjesë Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani. Refuzimi i papritur i presidentit Janukoviç për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me BE shkaktoi një stuhi revoltash dhe protestash masive të miliona njerëzve në vend, që përkrahin integrimin me BE dhe sheshi i pavarësisë në Kiev ka marrë pamjet e revolucionit të portokalltë të vitit 2004, që kërkonte integrimin e Ukrainës me Perëndimin dhe që pengoi këtë president prorus të vinte në atë kohë në pushtet.

Është e natyrshme që sjellja e padenjë ndërkombëtare e presidentit të Ukrainës të shkaktonte pakënaqësi në Bruksel, si ndaj Kievit, ashtu dhe ndaj Rusisë, e cila u akuzua hapur për ndërhyrje në punët e brendshme të Ukrainës. Operacioni gjeopolitik "Ukraina", i organizuar nga Kremlini, duket se ia doli ta lidhë përfundimisht atë vend pas qerres së influencës ruse.

Përplasja e dytë ka të bëjë me gazsjellësin rus "South Stream", i cili është një operacion tjetër gjeopolitik i Moskës në disa shtete të kontinentit europian dhe nisi të ndërtohet në Bullgari në 31 tetor dhe në Serbi në 24 nëntor, për të siguruar një dominim më të madh energjitik të Rusisë në Europë dhe një vartësi më të madhe të vendeve europiane nga gazi rus. Komisioni Europian shpalli në 4 dhjetor në parlamentin europian qëndrimin se marrëveshjet shtetërore që Rusia ka nënshkruar me shtatë vende, ku do të kalojë gazsjellësi, me Bullgarinë, me Serbinë, me Hungarinë, me Kroacinë, me Slloveninë, me Austrinë dhe me Greqinë, janë në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe si të tilla duhen rinegociuar nga e para. Madje Klaus-Dieter Borchardt, drejtor i tregjeve energjitike në Komisionin Europian, deklaroi në parlamentin europian se nëse shtetet përkatës nuk i rinegociojnë këto marrëveshje, Komisioni Europian i ka mjetet edhe mënyrat që t'i detyrojë të veprojnë kështu.

Gazsjellësi rus "South Stream" është projekt i madh energjitik rus, i cili u projektua nga Rusia që të kufizojë monopolin e Ukrainës në tranzitimin e gazit rus për në Europë dhe të shtrijë rrjetin dhe ndikimin e saj energjitik edhe në Europën Juglindore. Shtrirja e rrjetit rus të gazit në Ballkan dhe në Europën Qendrore është një plan energjitik strategjik i Kremlinit, i cili synon që të mbulojë gjeografikisht sa më shumë territore, degë ekonomie dhe shtete në kontinentin europian dhe t'i bëjë ata gjithnjë e më të varur nga Rusia. Në planin juridik kjo epërsi dhe monopol i Rusisë sanksionohet edhe në marrëveshjet shtetërore të nënshkruara prej saj me secilin shtet tranzitues në projekt. Pikërisht këtë synim strategjik dhe gjeopolitik të Rusisë, Bashkimi Europian synon ta pengojë, duke i kërkuar që marrëveshjet e secilit shtet me Rusinë të jenë konform legjislacionit dhe politikës energjitike të BE. Qëndrimi i BE është një veprim i drejtë për mbrojtjen e interesave strategjike të BE si organizatë dhe si masë preventive ndaj planeve gjeopolitike antieuropiane të Moskës.

Qëndrimi i BE për rinegocimin nga e para të marrëveshjeve dypalëshe të secilit shtet me Rusinë për gazsjellësin shkaktoi zemërim në Moskë, ku autoritetet zyrtare deklaruan se "Gazprom"-i do të vazhdojë realizimin e projektit të tij, pa i rishikuar marrëveshjet e nënshkruara. "Gazprom", e cila është një kompani shtetërore dhe një instrument i rëndësishëm i Kremlinit në politikën energjitike ndërkombëtare të tij, në një komunikatë të lëshuar në 6 dhjetor mbrohej me argumentin absurd se shtetet përkatëse nuk i kanë nënshkruar marrëveshjet shtetërore me "Gazprom"-in dhe nuk kanë efekt mbi të. Dy shtetet ku ka nisur ndërtimi i gazsjellësit rus, dhe ku Moska ka një ndikim të madh, po kërkojnë të manovrojnë me mënyra, ku duket qartë presioni rus. Ministri i jashtëm i Bullgarisë, K.Vigenin, deklaroi në 7 dhjetor se ndërtimi i gazsjellësit "South Stream" nuk varet nga Komisioni Europian, por nga marrëdhëniet bilaterale mes "Gazprom"-it dhe vendeve të BE. Bën përshtypje sidomos qëndrimi i Serbisë, e cila në mënyrë sfiduese deklaroi se ajo do të vazhdojë me ndërtimin e gazsjellësit, pavarësisht qëndrimit të Brukselit. Madje Serbia sulmoi hapur Bashkimin Europian nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm të kompanisë shtetërore "Serbijagas", Dushan Bajatoviç, i cili në 6 dhjetor deklaroi se nuk do të ketë negociata të reja për gazsjellësin rus dhe se Serbia "nuk duhet të lejojë këtë lloj çështjeje politike dhe mbështetjen e verbër për zyrtarët e BE dhe atë që ekziston në ligjet e tyre, që të ndikojnë në interesat tona". Ky qëndrim i Serbisë është vërtet i habitshëm nga një shtet, i cili ka marrë statusin e shtetit kandidat dhe po pret datën e hapjes së bisedimeve për traktatin e pranimit të tij në BE dhe që është i detyruar të konformojë legjislacionin dhe marrëveshjet e tij ndërkombëtare me legjislacionin dhe politikën energjitike të BE.

Të dyja këto ballafaqime të mëdha mes BE dhe Rusisë kanë një përmbajtje të qartë gjeopolitike. Çështja shtrohet nëse BE do të tolerojë valën e re të ofensivës strategjike të Kremlinit për konsolidimin dhe zgjerimin e influencës së tij në kontinentin europian. Kjo ofensivë e Rusisë, qoftë në Ukrainë, në Gjeorgji, apo në shtete të tjera, qoftë në fushën energjitike, cenon të drejtat sovrane të shteteve të kontinentit europian për të përcaktuar lirisht zgjedhjen e tyre në orientimet e politikës së jashtme dhe të aleancave.

Nga këto dy përplasje të tanishme mund të nxirren disa mësime, të cilat evidentojnë nevojën dhe domosdoshmërinë e një intonimi të ri të diplomacisë së BE përballë agresivitetit në rritje të politikës së jashtme të Rusisë. Rusia nuk është shtet demokratik, i cili respekton normat dhe liritë e shteteve të pavarura dhe sovrane. Rasti i Gjeorgjisë, ndaj të cilës Rusia ndërmori në vitin 2008 një agresion ushtarak dhe i pushtoi disa territore, të cilat i mban edhe sot, duhej të kishte sugjeruar në diplomacinë e BE një sistem më të sofistikuar dhe më efikas alarmi. Rusia nuk është shteti, i cili respekton dorezat e bardha të diplomacisë europiane. Edhe vetë Ukraina duhej të kishte shërbyer si një mësim i madh për diplomacinë europiane. Sepse revolucioni i portokalltë dhe orientimi perëndimor i Ukrainës vdiqën pikërisht nga Rusia. Sepse ishte Rusia, e cila shkaktoi çarjet dhe përçarjet në strukturat qeveritare të revolucionit të portokalltë dhe solli në pushtet, me forcë dhe me mekanizmat e shërbimeve të saj të fshehta, në vitin 2010 presidentin e sotëm Viktor Janukoviç. Është ky president, i cili sapo erdhi në pushtet miratoi doktrinën e "neutralitetit" si një mënyrë e shkëputjes nga orientimi atlantik i vendit, duke refuzuar integrimin në NATO. Është ky president, i cili menjëherë i dha lejen Rusisë të mbajë edhe pesëdhjetë vjet të tjera bazat e saj ushtarake në Ukrainë, në një kohë që qeveria e revolucionit të portokalltë e kishte paralajmëruar Moskën se në vitin 2017 duhej të largonte bazat, trupat dhe luftanijet nga territori i Ukrainës. Në këtë optikë, mendoj se askush në diplomacinë e BE nuk duhej të habitej nga prishja e kontratës së Ukrainës me BE, nga ndarja e saj me integrimin europian dhe vrapi i saj i shpejtë në vathën e Rusisë. Diplomacia e BE, e cila kishte parë se si Rusia mbyti revolucionin e portokalltë, revolucionin e trëndafilave, të tulipanëve, etj., nuk duhej të shfaqej e papërgatitur për atë që ndodhi në Vilnius dhe ndoshta të gjitha hallkat dhe mekanizmat e saj duhet të kishin qenë më aktive për të neutralizuar në një formë apo tjetër operacionin gjeopolitik rus në Ukrainë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gazsjellësin gjeopolitik rus "South Stream". Është një projekt, për të cilin Moska ka nënshkruar që para gjashtë a shtatë vjetësh marrëveshjet shtetërore dypalëshe në nivelet më të larta me shtetet europiane pjesëmarrëse në këtë projekt. Brukseli ka qenë në dijeni edhe për përpjekjet e Moskës për të sabotuar projektet europiane të gazsjellësve në Europën Juglindore me emrin Koridori Energjitik i Jugut. Rusia përfitoi, së pari sepse nuk u manifestua një kohezion i politikës energjitike të vendeve anëtare të BE si një mekanizëm unik i mbrojtjes nga metodat e njohura bizantine të Rusisë për përçarjen dhe nxitjen tek shtete të veçanta anëtare të BE, të frymës së individualizmit dhe të interesit të ngushtë nacional. Kjo pati si rezultat fenomenin, që njeri apo tjetri shtet europian të përpiqej të siguronte furnizime me gaz rus për veten e vet, pa u shqetësuar se çfarë pasojash kishte kjo lidhje tek shtetet e tjera dhe se çfarë niveli të ri të dominimit energjitik rus në Europë krijonte.

Dy përplasjet e mëdha gjeopolitike mes BE dhe Rusisë evidentojnë disa fenomene të reja. Së pari, që lufta gjeopolitike mes qendrave të fuqisë në kontinentin tonë, përplasja mes Perëndimit dhe Lindjes, vazhdon dhe ajo merr herë pas here edhe forma të ashpra. Së dyti, që BE duhet të rishikojë disa qëndrime dhe forma të bashkëpunimit të saj me Rusinë, për të parandaluar vulnerabilitetin e shteteve të ndryshme europiane përballë presionit dhe shantazhit rus. Së treti, konstatohet një shkallë jo e koordinuar e sistemit të alarmit gjeopolitik në mesin e shteteve anëtare të BE. Shtetet e BE, të cilat kanë qenë në kohën e luftës së ftohtë pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik dhe i kanë provuar në kurrizin e tyre shtypjen dhe metodat shtrënguese të Moskës, kanë një sensibilitet dhe një sistem alarmi gjeopolitik më të avancuar se sa shtetet e vjetra anëtare të BE. Zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe gjeostrategjike në kontinentin tonë dhe ambiciet globale të shprehura nga presidenti rus për influencë të re në Europë, në Mesdhe dhe në Lindjen e Mesme, dëshmojnë se sistemi i alarmit gjeopolitik të BE duhet apdejtuar më mirë me sensibilitetin e shteteve të reja anëtare.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REABILITOHET ENVER HOXHANga FRANK SHKRELI (12.09.2013)
PRESIDENTI KUKULLNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.07.2013)
DY FJALË PËR NJË VRASJE NË SHKOLLË DHE NJË SHOQËRI NË KRIZËNga MENTOR KIKIA (12.05.2013)
PROTESTUESIT UKRAINAS - PO EUROPËS, JO RUSISËNga FRANK SHKRELI (12.04.2013)
LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS BUJAR NISHANIJO AMBASADOR NË ZVICËR BIRIT TË XHELIL GJONIT, NJËRIT PREJ PERSEKUTORËVE TË DIKTATURËSNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.03.2013)
TË PALËKUNDËSHME JANË MARRËDHËNIET AMERIKANO-SHQIPTARENga FRANK SHKRELI (12.02.2013)
KUSH E PENGON NJË BASHKËKUVENDIM TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS?Nga ARTUR VREKAJ (12.02.2013)
Ribotim me rastin e ditëlindjes së Presidentit RugovaIBRAHIM RUGOVA - NJË EPOKË E PANDËRPRERËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (12.02.2013)
KOSOVËS NUK I DUHET 'GAZPROMI'Nga SHABAN MURATI (12.02.2013)
TIRANA, METROPOLI SHQIPTAR NUK KA ELITË (UPDATED)Esé nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.01.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]