VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AS NOSTRADAMUS NUK DINTE ASGJË PËR 17 DHJETORIN E TRETË TË SHQIPTARËVE
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Enjte, 12.12.2013, 08:03am (GMT1)



1. Ndoshta as Nostradamus nuk mund t'ia parashikonte Shqipërisë në këto 101 vjet tri përkime datore historike të tilla si kjo e 17 dhjetorit. E para, edhe për nga randësia, ishte 17 dhjetori 1912, kur pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër i dha Shqipërisë, si të thuash, një "status kandidati" për njohje ndërkombëtare si shtet i pavarur e sovran, si një principatë, si "Shqipëri Londineze". Kjo u aktkrye më 29 korrik 1913 E dyta, tepër jetike, ishte 17 dhjetori 1920, kur Shqipëria pranohet antare e Lidhjes së Kombeve me 35 vota pro e 7 abstenime. Ishte vendi i 43-të që hynte në "OKB" e asaj kohe. E treta, si domosdoshmëri, po vjen këto ditë, kur më 17 dhjetor 2013 Shqipëria pritet të marrin Statusin e shumëpritur të Vendit Kandidat për në Bashkimin Europian. Këto janë data që i ka sjellë Historia për ne Shqiptarët dhe që, ne, Shqiptarët, i kërkuam nëpër Histori, ashtu sikurse edhe 28 nëntorët e Shqipërisë Arbërore e Natyrale.

2. Në koftë se flasim për firmëtarët e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare më 28 nëntor 1912 duhet të themi se ata janë krenari kombëtare e papërseritshme, që pa tepri mund të krahasimohen edhe me 56 firmëtarët e Pavarësisë së Amerikës më 1776. Këta firmëtarët e 1912-tës janë realisht Rilindja e Shqipërisë dhe jo Qeveria me 21 antarë e Edi Ramës që shumicës së tyre nuk ua dijnë emrat përveçues as në Gardë e as në Aeroportin e Rinasit dhe shumë kësish u banë të njohur vetëm kur u shpall kabineti qeveritar. Të mos harrojmë faktin se kur Shqipëria u njoh më 17 dhjetor 1912 nga Fuqitë e Mëdha në Londër ishte Kryeministër e ministër i Jashtëm, Ismail Qemal Bej Vlora, "babai i Pavarësisë", themeltari i Shtetit Shqiptar. Ndërsa në dhjetor 1920 në Gjenevë, kur Shqipëria u antarësue në Lidhjen e Kombeve, kryetar i Delegacionit Shqiptar ishte Fan S. Noli, i ditur e i shetitur në katër kontinente, i diplomuar në Universitetin e Harvardit, kryetar i Vatrës në Amerikë, etj. Ndoshta duhet thirrë kujtesa historike: Qeveria e parë e Shqipërisë, Qeveria e Përkohshme e pas shpalljes së Pavarësisë (4 dhjetorit 1912-janar 1914) kishte personalitete kombëtare të larta: Ismail Qemal Bej Vlora (kryeministër e ministër i Punëve të Jashtme, Dom Nikollë Kaçorri e Preng Bibë Doda (zv/kryeministër), ndërsa ministra: Hasan Beg Prishtina, Mehmet Pashë Dërralla, Mit'hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Myfit Libohova, Abdi Toptani, Fejzi Alizoti, Lef Nosi, Petro Poga, Pandeli Cale, Esad Pshë Toptani, etj. Kjo Qeveri e Ismail Qemalit e çoi Shqipërinë në njohje ndërkombëtare të saj më 17 dhjetor 1912, qyshse në muajin e parë të Pavarësisë. Edhe Qeveria e Kongresit të Lushnjës, që e çoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, kishte personalitete kombëtare të larta: Sulejman Delvina (kryeministër), Mehmet Konica ministër i Punëve të Jashtme, Ahmet Zogu ministër i Brendshëm, Eshref Frashëri (zëvendsues përkohor si kryeministër, ministër i Punëve Botore), Ndoc Çoba ministër i Financave, Sotir Peci ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja ministër i Luftës, dhe ministra pa portofol me mandat përkohor: Bajram Curri, Hysen Vrioni, Spiro J. Koleka (kuptohet: në Byro Politike të Enverit ishte një tjetër Spiro Koleka). Këto dy qeveri kombëtare shqiptare, Qeveria e Pavarësisë (1912) dhe Qeveria e Kongresit të Lushnjës (1920) kishin, secila prej tyre, jo ma shumë se 11 vetë në kabinetin qeveritar, ndërsa Qeveria e Edi Ramës, Qeveria e 101 vjetorit të Pavarësisë, i ka 21 veta (!). Ndaj, në koftë se Shqipëria nuk e merr Statusin e Vendit Kandidat në bashkimin Europian në 17 dhjetorin e saj të Tretë, atëherë kjo Qeveria e Edi Ramës, për shumë arsye, duhet me iu hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme në vendin tonë.

3. E keqja e madhe është se Edi Rama nuk është aq i besuar në Bruksel, sepse Edi Rama nuk i beson as vetëvetës, nganjëherë mbetet disi kontradiktor edhe me vetëveten. Një ditë ma parë thotë se do i ulim taksat në 95 për qind, ndërsa në faqen zyrtare të Kryeministrisë publikon me deçiturë "foto-galeri"se ulim taksat për 97 për qind të taksapaguesve. Edi Rama është njeri vendimmarrës, po "bomba" e armëve kimike siriane i plasi në dorë. Për të tregue një farë forcë dobësie e duke shprehë dobësi fitoreje, ai po don me ia atribue Statusin mazhorancës së sotme të majtë. Ndaj e sulmon opozitën e djathtë, mazhorancën e djeshme, me luftë bio-politike, me të gjitha mjetet e mënyrat antidemokratike, me diversion politik aleancor të deputetëve, me kërcenime me fletë-arreste, etj. Përndryshe: Qeveria e Edi Ramës duhet të mësoj të sillet para fitores së Statusit dhe pas 17 dhjetorit 2013, veçanarisht me opozitën e lidershipin e saj, me ata personalitete zyrtare që e çuan Shqipërinë drejt Brukselit, në NATO e në BE, sepse mund të pësoj fatin jo të mirë të Qeverisë së vitit 1920, pas të cilës, për një vit erdhën e ikën në pushtet 7 qeveri dhe në vitin 1922 pati kryengritje drejt Tiranës. Qeveria e Edi Ramës nuk mund të flasin për "Rilindje" pa marrjen e Statusit të Vendit Kandidat në BE. Diçka duhet ta dijnë zoti Rama: Statusin e vendit Kandidat në BE, nuk shkojmë as "ta marrim" dhe nuk presim as "të na e japin", por po e fitojmë ndër vite, edhe me arritjet progresive të mazhorancës së djathtë në tetë vite qeverisje. 17 dhjetori 2013 është i Historisë, është i Shqiptarëve, është edhe i Europës. Është i Treti 17 Dhjetor në historinë moderne shqiptare. Qoftë i Bekuar! Ardhtë i Bardhë!

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.