VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

CAR DUSHANI VJEN NË SHKUP SI PAJË KALITROJE E PANSLLAVIZMIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Hënë, 12.16.2013, 06:06pm (GMT1)


Kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanovski, gjatë putranimit politik në Tiranë doli në të ftohtin e dhjetorit nga selia e Kuvendit të Shqipërisë dhe deklaroi ballë mediave (ndër)kombëtare: "Kemi për detyrë që shteti maqedonas të japë kontribut sa më të madh për marrëdhëniet ndëretnike të cilat nuk duhet të vlerësohen nga një hap apo nga vendosja e një përmendoreje".

Kësisoj, ky i derguar jo rastësisht, e pranoi "de fakto" në sy botës se djallpolitika maqedonase e kishte pru shpejtas, zyrtarisht e hjeksisht në Shkup në mesnatën e fill dhjetorit të sivjetëm monumentin e Car Dushanit të Serbisë të shek. XIV.
Pas kësaj, politika zyrtare maqedonase nuk duhet të vazhdoj të luaj në guzhina e ballkone të institucioneve shtetërore me kartën Car Dushani si tek ajo loja fëminore: mbylli sytë, prit të gjuej shplakë, ndal ta fshehi dorën, tashti gjeje se kush të goditi ty nga njerëzit përreth teje(!)

Djallzore duket ministre e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, teksa hiqet si shenjtore, si krejt e pastër, si e pa përbaltun. Pse e themi këtë? Kjo zyrtare e lartë ishte dhe përshendeti në emër të partisë në pushtet VMRO-DPMNE në Kongresin e V të Partisë Serbe në Maqedoni (9 nëntor 2013), kur kryetari i kësaj partie serbe, Ivan Stoilkoviç, paralajmëroi ngritjen së shpejti në Shkup të Monumentit të Car Dushanit, stërgjyshi i tij etno-politik. Pra, kjo ministre ishte në dijeni paraprake të stuhisë politike shovene të ngritjes së monumentit. Për ma tepër: Kryeshefja e policisë maqedonase luan kukamsheftas rolin e të paditunes keqanike, ndërkohë që e ka rrethatue Car Dushanin me roje me e pa armë tue e ruejt ditëenatë këtë monument "klandestin". Në kësi rasti dredhanik m'u kujtua një vjershë humoristike për fëmijë: një gic i përbaltun donte të fitojnë konkursin "Mis Pastërtia".

Disi sherrajkë e jo pak prapshtajkë del në (prapa)skenë ministre e Kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kamçevska Milevska, e cila nxjerr gjuhën e fjalëve të bardha dhe fsheh dhëmbët e zi të kërcenimit prosllav me monumentin e Car Dushanit. Pra, na hiqet si "ëngjëllore", ndërsa strucon sikur institucioni i saj që merret drejtpërdrejt me të këtilla punë: Kjo ministre deklaron se ministria e Kulturës "nuk është as porositës, as vendosës, dhe as nuk ka ingerenca për ndërtimin e përmendoreve" (4.12.2013). Si mund të shfajësohet kjo ministre kur monumenti i Car Dushanit është lartangrit në një vend të përzgjedhur si për figura mesjetare, bash aty tek Muzeu Arkeologjik i Shkupit.

Një rebus politik, një farë mbrapshtie tipike sllave-maqedonase, më duket sikur po shkrryen, kalkulon e kapton kryetari i ri i komunës Qendër (Shkup), Andrej Zhernovski, i cili "nuk e ditka" se kush e ngriti monumentin e Car Dushanit në territorin administrativ komunar të tij, e cilëson atë si "ndërtim pa leje" dhe po e degdis këtë çështje të nxehtë për ta ftohë e zvarrit në kalandat greke duke sipërmarrë formimin e aktivizimin e një komisioni hetimor për të zbardhë të vërteten (të vërtetat), që i vetëdijnë qyshse në nisje zanafillore. Kryekomunari Zhernovski i opozitës maqedonase, e pati ngrit edhe sivjet në gusht 2013 një komision hetimor të dështuar, të nënshtruar e të mohuar për statujat e vendosura në vargimin "Ura e Civilizimeve", sipas "Projektit Shkupi 2014". A thue të njëjtin fat do të ketë edhe ky komisioni hetimor i dhjetorit 2013 për monumentin e Car Dushanit, etj.?!

Këta tre zyrtarë të pozitës e opozitës maqedonase nuk ditkan kurrgja për monumentin e Car Dushanit: as ministre e Punëve të Brendshme, as ministre e Kulturës, as kryekomunari i Qëndres në Shkup (!) Atëherë, patjetër, duhet të dijnë ma shumë, ma fort, tërësisht, "tre të mëdhenjtë" e FYROM-it: kryeministri Nikola Gruevski, presidenti Gj. I. dhe kryeparlamentari T. V. Të tre këta janë në kryevende të larta shtetërore si kandidatura përfaqësuese të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, kryetari i të cilës është "cari i vogël", Gruevski kundërshqiptar.

E keni parë kryeministrin maqedonas Gruevski teksa i haparav krahët drejt shqiptarëve në pozitë e opozitë për t'i lakafyt me shovizmin e vet të egër, të fshehtë, të sprovuar dhe, njëherash, iu fut stërkambsha për me i keqalanë shqiptarët autoktonë deri në cofani politike e etnike, pa kokë e pa tokë, siç po vepron edhe tashti me ngritjen e monumentit të Car Dushanit në qendër të Shkupit dardan, kryeqyteti i sotëm i Maqedonisë ballkanike.

Një diçka a e mirëdijnë këto tri kryekoka të nxehta të shovinizmit sllavo-maqedonas (Gruevski me dy të tjerët) se monumenti i Car Dushanit në Shkup është si tërmeti gjeo-politik i pesëdhjetë viteve ma parë, tërmeti shkatërrimtar i 26 korrikut 1963, kur u shpërngulën forcërisht e pabesisht shumica shqiptare nga ky kryeqytet i Jugosllavisë së Dytë(RSFJ). Dridhjet e tërmetit të ri politik shoven po ndihen përgjatë këtij dimri, valët goditëse të të cilit do të bien tmerrësisht mbi shqiptarët jo vetëm në Shkup.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar.

Krejt msheftas Vardarit e Atlantikut, në mes të ftohtit ballkanik, nga terrovina mesjetare e Nemanjiqëve të Serbisë, somnabulon e mafiozon monumenti i Car Dushanit, në Shkupin dardan, kryeqytetin e sotëm të Maqedonisë, bash tek dritarja e hapur e kryeministrit shoven Gruevski.

Car Dushani (Stefan Urosh V Dushani) vjen në Shkup me putrat putiniane, me simbole ortodokse lindore, me veshje bizantine lindore, me kurorë nga manastiri i Çetinës në Cerrngore.

Po ma e rrezikshmja: vjen si pajë kalitroje e pansllavizmit në Ballkanin Perëndimor, si hijenë e pritshme dhe e frikshme e Jugosllavisë së Katërt, si ngucamë gurgace ndaj Europës së Bashkuar,
 

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.