VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË

E Martë, 12.17.2013, 04:29pm (GMT1)


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë.

Ndërsa shumica e tyre janë në favor, burime diplomatike i thanë Zërit të Amerikës, se pesë shtete anëtare Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së sotme një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që Statusi të jepet qershorin e ardhshëm.
 
"Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani", lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian.
 
Ajo që bie në sy në këtë propozim është se kërkohet edhe që Komisioni europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për cështjen e Statusit.

"Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar", përfundon teksti i propozuar, i cili parashikohet të shoqërohet me debate gjatë mbledhjes së pasdites së sotme dhe komplikon dukshëm situatën.

Javën e shkuar tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të Statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj.
 
Vendimi përfundimtar duhet të merret nga Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare, por që pritet të pasqyrojë të njëjtat qëndrime të ministrave të jashtëm.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.