VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JASHTË EUROPËS - PËR LIRINË, LIGJIN DHE DEMOKRACINË E DEFORMUAR
Nga ROMEO GURAKUQI,Instituti i Historisë Bashkëkohore,Universiteti Europian i Tiranës

E Shtunë, 12.28.2013, 08:59pm (GMT1)

Shqipëria mbeti serish jashtë kuadratimit në Europën e Bashkuar dhe këtë radhë me një refuzim të vendosur, me nota të qarta paralajmëruese për një rrugë të gjatë, të artikuluara drejtëpërdrejt nga politikanët më të rëndësishëm të Unionit. Në fakt, kjo pritej: trashëgimia e lënë pas nga qeveria pararëndëse në aspektet e cilësisë së Shtetit, seriozitetit dhe vërtetësisë së bindjeve europiane, konfuzionit juridik të krijuar dhe menaxhimit të financave publike, ishte zhgënjyese. Këtij zhgenjimi të Europës dhe Publikut të thjeshtë shqiptar për pararëndësit, iu shtua aktiviteti politik e teknik krejtësisht diletant i ekipit të ri administrativ në këto tre-katër muaj: pa garancitë përbërëse për ndryshim, pa qartësinë e nevojshme për aspektet ku do të duhej të përqendrohej, pa projektin e detajuar dhe ekspertizen e nevojshme për korigjimin e sistemit e institucioneve të degraduara, pa kujdesin e nevojshëm për të integruar të gjithë administratën shqiptare në një aksion të përshpejtuar korigjues, pa një skedë reformash legjislative që do të mbeshtesnin korrigjimin, skedë e cila ende sot nuk është dërguar në axhenden e Parlamentit; pa kujdesin minimal për të ringjizur unitetin e brendshëm në popull, madje duke bërë të kundërtën: duke nxitur urrejtjet politike, krahinore deri edhe në sulme krejtësisht të përcaktuara ndaj klasës së të përsekutuarve politikë dhe krahinave tradicionalisht antikomuniste të Shqipërisë. Mbi të gjitha, përpjekja për të lënë në harresë të vërtetën në tërësi, për të "shitur" në tregun politik të BE, si të rinovuar Shqipërinë aktuale të vjeshtës 2013, e bëri establishmentin e ri, të ngjajë tepër qesharak e për rrjedhojë i refuzuar prerë nga partnerët europianë.

Kulmi arriti kur u muar vesht zyrtarisht lajmi: u fol përqartë, me nervozizëm duke kërkuar armiq të jashtëm, në një kohë që e keqja e madhe është brenda nesh: një vend i rrethuar me ligësi, mediokritet, riciklim, konvertim dhe me shkelje masive të lirive civile, mungesë të garancisë të lirisë së fjalës dhe shtypit dhe lënie e qytetarëve të pambrojtur para ekipeve jakobiniste që po bëjnë kërdinë mbi jetët e njerëzve të thjeshtë. Ndaj kemi të drejtë të pyesim:

Pse beni sikur nuk kuptoni? Nuk e dinit ju qe me atë përbërje shumë komplekse të Parlamentit dhe te institucioneve më të larta të Shtetit, me atë trashëgimi në disa prej emërimeve të administratës, nuk do të merrnit dot asgjë nga vendet kampione të lirisë? Nuk e dinit ju se me procesin purifikues të administratës, me procesin terrorit politik e ekonomik që keni ndermarrë ndaj jetes së punonjësve të thjeshtë të ketij vendi, ndaj jetës së familjeve që ngriten Shqipërinë, do të mund të pranoheshit nga vendet perëndimore si të barabartë me ato në të njëjten tryezë ? Nuk e dinit ju që me emerimet e hetuesve të diktaturës në poste të larta do të besoheshit që operimi i Shtetit të Ligjit dhe parimi i barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit do të ishte funksional dhe kjo do t'ia mbushte mendjen Kancelares mike të shqiptarëve Angela Merkel, se jeni seriozë? A mendoni ju se fjalimi i parë kryeministror i stilit laburist, ka neutralizuar procesin e matutjeshëm verifikues të kabinetit të David Cameron, mbi ato çfarë keni bërë në këto tre muaj qeverisje, mbi shkatërrimin e të gjithë parametrave gjithpërfshirës të qeverisjes dhe deformimit të qendrimit të qeverisë si gjykatëse e kthjellët e rendit shoqëror? Si menduat që goditja e profesionistëve të administratës, të shkolluarve në universitetet perëndimore, të punësuar gjatë qeverisjeve pararëndëse, purifikimi i profesionalizmit, ekspertizës dhe normalitetit, do të kalohej pa u vënë re nga diplomatët perëndimorë? Nuk e dinit ju se përseritja e purifikimeve që bëri administrata pararëndëse në segmente të caktuara kohore, do të përbënte noten negative në vlerësimin e mendësisë suaj të njejtë? A e dini ju se goditja e korrupsionit ka një radhë; ajo nuk është përzgjedhore, e paragjykueme, por fillon nga vetja, nga qeverisja jote dhe nga segmentet e qeverisjes tande qe kanë qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, me notat më negative të mundshme? Si e menduat që shkatërrimi i të gjitha investimeve të BE dhe organizmave të tjerë ndërkombëtare, në ndertimin e një administrate profesioniste, shkatërrimi i të gjitha programeve strategjike dhe planifikimeve makro të sistemit administrativ shqiptar do të anashkalohej nga ndërkombetarët, për shkak të kostos së largimit të një qeverie të mëparshme të konsumuar? Nuk e kuptoni ju se dekoratat dhe çmimet e lirisë nuk mund të dorëzohen përmes dorës së atyre që e kanë shkallmuar lirinë, ligjin dhe drejtësinë në mandatin pararëndës, dhe se asnjë maskë e këtij lloji nuk mund të bëjë riciklimin e tyre para syve të shqiptarëve të thjeshtë dhe as të vendeve mike që presin me aq vemendje një demokratizim të njimendtë të vendit tonë? Nuk e dinit ju se përdorimi i forcës në segmente të caktuara të elektoratit shqiptar nga grupet të paautorizuara në qendrat e votimit, është një "shfaqje" që nuk është kaluar pa u vënë re nga vëzhguesit ndërkombëtarë? A mundet një vend që renditet pas Mongolisë në cilësinë e shtypit, mekanizmin e kontrollues të cilësisë së lirisë, të pretendojë të ulet aq lehtësisht në Bruksel?

Shqipëria ndodhet në një moment kur liritë civile po shkelen në mënyrë masive, të programuar dhe të paramenduar, nga ekipe paralele që operojnë frontalisht në të gjithë administratën e shtetit shqiptar, nën justifikimin e spastrimit të administratës nga korrupsioni, tarafi, politizimi, por që po tejkalojnë çdo parashikim dhe çdo arsye njerëzore dhe ligjore. Stili operacional është i ngjashëm me atë që kanë vënë në jetë dikur hetuesit dhe persekutorët e djeshëm të Ancient Regime të Enver Hoxhës, e në ditët më të këqija të qeverisjes demokratikase. Administratorët e rinj e këtij vendi nuk e kuptojnë ende se, dikasteret kryesore të shtetit, Parlamenti Shqiptar etj. janë institucione të një shteti pluralist dhe jo institucione të para vitit 1990, ku punësoheshin vetëm të besuarit e PPSH. Parlamenti i Republikës së Shqipërisë është një parlament pluralist dhe për rrjedhojë edhe administrata e ketij intsitucioni, perveçse pluraliste, është edhe një administratë e depolitizuar, në të cilën ka vend edhe për njërezit pa parti, të cilët përbëjnë shumicen e qytetarëve Ata duhen respektuar dhe mbrojtur. Ju takon juve zoti kryeministër ta bëni këtë, në të mirë të Shqipërisë dhe Qytetarëve të saj. Dhe kur ju nuk e bëni, a mendoni se mund të jeni i krahasueshëm dhe në lartësinë për të qenë pjesë e sistemit europian të mendimit dhe veprimit?

Me atë çfarë po ndodh çdo ditë, me duhet të them se sjellja europianiste e ekipit tuaj qeverisës është për momentin e vdekur edhe zyrtarisht, dhe vendi po kalon një prej periudhave më të rrezikshme përsa i përket përçarjes se brendshme të unitetit kombëtar, gërryer nga urrejtja politike, krahinore deri edhe kulturore. Jo rastësisht sulmi kryesor i establishmentit të sotëm politik është i drejtuar ndaj Shkodrës dhe pjesës më të përsekutuar të shoqërisë shqiptare, nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Nuk mund ta fshehni dot këtë akuzë, me emërimet në vend të tyre të pinjollëve të atyre që u shërbyen si bazament udhërrëfyes, komandantëve që ushtruan dhunën dhe terrorin në Shqipërinë e Veriut. Jo rastësisht në shenjestër të spastrimeve dhe shkeljeve masive të lirive civile janë vendosur pinjollët e familjeve me të njohura që ndërtuan themelet e Shtetit, të Shqipërisë, të sistemit arsimor shqiptar, të shkences, kulturës dhe kujtdo që i mbijetoi terrorit të kuq, dhe u përpoq pak këto 23 vite të merrte pak frymë e kompensim.

Une e kuptoj se mekatet e administratës pararëndëse, sidomos në operimin e shtetit të së drejtës dhe luftës ndaj korrupsionit janë faktori kryesor i ngeljes së Shqipërisë nga disa vende më tipike skeptike ndaj Shqipërisë, që mbajnë vazhdimisht pranë një skanër krejtësisht cilësor ndaj trupit të sëmurë të shtetit shqiptar. Por njëkohësisht duhet të keni kurajon të pranoni se zgjerimi i hartës së skepticizmit ndaj nesh, nga vende tradicionalisht stimuluese të progresit dhe pranimit tonë, është rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e ricikilimit të një pjese të asaj të keqe nga ana e juaj, rezultat i një politike foshnjërake të ndjekur me dritëshkrutësi në këto tre muaj qeverisjeje. Kjo politikë çoi në dhunimin masiv të të drejtave të njeriut, dhunimin e lirive civile, në shkatërrimin e njësueshmërisë nacionale, në dhunimin e patriotizmit dhe në jakobinizimin e politikës shqiptare pozitare, në një sens hakmarrjeje pa dallim, duke imituar qendrimet më puniste të politikës shqiptare të tranzicionit. Ju nuk e shihni, por ne që jemi jashtë rrethit tuaj të marrëzisë së paranojes pushtetare, e shohim këtë veprimtari kulimash të papërgjegjshëm për standardet që duhet të ketë Shqipëria europiane.

Veprimi operacional me anën e të cilit po kryhet ky proces është ndër më të pangjashmit që ka përjetuar politika shqiptare dhe faktori numër një i ngecjes së Shqipërisë në klasën europiane e muajit dhjetor 2013. Akti i ndërhyrjes underground i ekzekutivit në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese, përmes një procesi shkëmbimi interesash që po çon në zvarritjen procedurale të një vendimi që do të ishte prioritar, është lexuar me mjaft vëmendje nga opinioni publik i brendshëm dhe ai politik europian. Ai përbën ndërhyrjen e parë të Ekzekutivit në Gjyqësor, dhe pikërsisht në institucionin më të rëndësishëm dhe më të shquar në mbrojtjen e të Drejtave të Qytetarit dhe Shtetit. Legjitimitetit i Aktit Normativ qeveritar, do të duhej të ishte shqyrtuar dhe zbardhur me përparësi dhe të interesuarit e parë për zbardhjen e këtij vendimi, duhej të ishin qeveritarët shqiptarë. Kjo ndodh në vendet me qeveri të përgjegjshme dhe të shpjegueshme që duan t'i shkurtojnë vuajtjet financiare publikut. Në Shqipëri kjo nuk ndodhi, ndërkohë që në vendet demokratike, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, një rast i tillë zgjidhet brenda orësh nga Gjykata Kushtetuese. Kështu, vendi ndodhet në një situatë absurdi përsa i përket legjitimitetit të administratës: a. Një qeveri që vepron administrativisht me urgjencë dhe panik për të operuar mbi administratën pa u sqaruar situacioni i së drejtës; b.një ligj mbi administratën civile që Gjykata Kushtetuese bëri dy muaj e gjysëm për të marrë vendim, dhe që ende nuk është zbardhur dhe nuk dihet kur Kryetari i saj ta vendosë në rend të ditës, zbardhjen; c.rrëzimi i aktit normativ të qeverisë presupuzon kthimin e legjitimitetit dhe veprimin e Ligjit të ri mbi Administratën Civile, nga data 1 tetor 2013; d. ekipe operacionale që operojnë me një shpejtësi dhe nxitim për të bërë fakt të kryer purifikimin e administratës dhe mbushjen e saj me militantë majtistë; e.akte nënligjore për zbatimin e Ligjit mbi Shërbimin Civil ende të papërgatitura; f.një faturë financiare që i peshon buxhetit që tani nuk do të duhet të paguajë më dy administrata, por tre të tilla; g.një Listë Pritjeje që me ligjin e ri mund t'i peshojë me vite të tëra buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, për shkak se nuk ezkiston më në parashikimet ligjore; Kush mban përgjegjësinë për këtë ngutje dhe mungesë kërkese për të nxitur veprimin e shpejtë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese? Shefat operativë të spastrimeve? Apo establishmenti i ri administrativ? Ju takon ju zoti  kryeministër t'ua bëni të qartë këtë anëtarëve të Publikut, sepse ai do e paguajë koston financiare të aventurës së radhës së politikës shqiptare.

Menyra se si keni vendosur ndarjen e pushtetit dhe se si e keni ndërtuar the principal agent of government, na bën me mendue se edhe më tutje Shqipnia do të jete e zotnueme nga skuadra që luftojnë me njëra- tjetren për interesa të ngushta të pushtetit e të përfitimeve materiale prej tij. Ju po përfitoni në këtë rrjedhë tuaj të ngjarjeve, nga gjendja në të cilën ndodhet populli që po qeverisni, i cili prej shumë kohësh nuk ka qenë në gjendje të prodhojë një përfaqësi të mirë qeverisjeje progresiste. Ju u ngarkuat nga ai popull, jo për ta lënë pa kokë, por për të qenë në ballë të bashkimit të tij, për të korrigjuar lengatat e së djeshmes. Ndërsa ju përndryshe, së paku po përkrahni, ose po i leni të lirë përçarësit brenda agjencisë tuaj governative, sepse nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë sipërmarrje që po godet të përsekutuarit politikë, shtresat qytetare dhe shtetasit normale të këtij vendi; sepse nuk mund të kuptohet ndryshe zëvëndësimi i profesionistëve me njërez të diplomuar në universitete false, që ju aq shumë i keni kritikuar. Ishte kjo një propagandë e asaj kohe?

Shqipëria po lëngon nën peshën e paaftësisë për bërë ripërtëritje, për të rilindë vertetë, për shkak se Rilindja nuk ështe kuptuar si rilindje e një populli marrë në tërësi, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë krahinore e kulturore, drejt lirisë, por rilindje e politikave të marrëzisë së përçarjeve, konfiktit, segregacionit dhe e shkeljes së lirisë. Një establishment që nuk gjeneron dot lirinë e garantuar, që godet liberalizmin dhe klasen e mesme që në momentin e saj të parë të ngjizjes dhe konsolidimit, me nisma utopike kursimtare, që nuk meson nga gabimet e fajet e së shkuarës, së afërt e të largët, nuk ka ta ardhme. E keqja është se ajo mund ta fundosë vendin në kaos dhe armiqësi të mëtejshme. Viti 2013 ishte një vit i mbrasht degradimi për Shtetin dhe problemi është se Viti i Ri mund të mos sjellë ndaljen e tatëpjetës, sepse drejtuesit nuk kanë një plan udhëtimi në të ardhmen dhe mbi të gjitha janë të privuar nga filozofia e lirisë, e tolerancës, nga atdhedashuria e patriotizmi dhe për rrjedhojë nga qasja gjithpërfshirëse. Pse ende Shqipëria duhet të ecë me hijën e punizmit, edhe 23 vite pas rënies së fasadës së kësaj ideologjie e politike?


Shkoder, Tiranë 28.12.2013

ROMEO GURAKUQI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.