E Enjte, 03.28.2024, 10:23pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
MENDIME MBI BAZËN RUSE NË MAL TË ZI
Nga SHABAN MURATI

E Djelë, 12.29.2013, 12:11pm (GMT+1)




Agjencia kroate e lajmeve "Hina", agjencia bullgare "Fokus" dhe shumë agjenci dhe portale rajonale dhe ndërkombëtare transmetuan në datën 19 dhjetor njoftimin e gazetës malazeze "Vijesti", të botuar po atë ditë në 19 dhjetor, për refuzimin e qeverisë malazeze ndaj kërkesës së qeverisë ruse për t'i dhënë lejen e ndërtimit të një baze ushtarako-detare të Rusisë në shtetin e vogël të Adriatikut. Gazeta malazeze u referohej burimeve të larta qeveritare, sipas të cilave Moska prej disa muajsh i kishte kërkuar qeverisë së Malit të Zi, që të lejohej ndërtimi i një baze ushtarako-detare ruse në portin e Tivarit.

Është interesant se rreth njëzet ditë më parë, gazeta e mirinformuar në Tiranë, "Gazeta Shqiptare", në datën 1 dhjetor botoi një intervistë të saj me ambasadorin e Rusisë, të akredituar në Shqipëri, të cilit i drejtoi në mënyrë direkte pyetjen: "Në portet e Malit të Zi janë zhvilluar disa herë vizita të luftanijeve ruse. A përfshijnë planet e Rusisë një prani të përhershme detare në detin Mesdhe dhe ngritjen e një baze detare në Tivar të Malit të Zi?". Është e kuptueshme se ambasadori do të shmangej t'i përgjigjej në mënyrë pohuese një lëvizjeje, e cila ishte në atë kohë një informacion i klasifikuar diplomatik. Por pas njëzet ditësh konfirmohet se edhe informacioni, edhe interesimi i "Gazetës Shqiptare", e kishin një përligjje.

Kërkesa e qeverisë së Rusisë drejtuar Malit të Zi për të pasur një bazë ushtarako-detare në portet malazeze është një zhvillim i ri dhe interesant, i cili duhet të tërheqë vëmendjen e shumë vendeve dhe shumë institucioneve të specializuara, si rajonale, ashtu dhe atlantike. Në radhë të parë duhet përshëndetur qëndrimi i qeverisë së Malit të Zi, e cila ka refuzuar kërkesën e Rusisë për një bazë ushtarake. Qeveria e Malit të Zi i ka bërë një shërbim të madh sovranitetit dhe interesave kombëtare të vendit të vet, ashtu dhe sigurisë së vendeve fqinje dhe të gjitha vendeve të pellgut Adriatiko-Ballkanik.

Është e qartë për të gjithë se lejimi i ndërtimit të një baze ushtarako-detare ruse në detin Adriatik do të sillte ndryshime të rëndësishme dhe negative të ekuilibrave, qoftë gjeopolitikë, qoftë ushtarakë, në detin Adriatik. Po të kemi parasysh se rajoni i detit Adriatik u përket katër shteteve të NATO-s, dhe i pesti, Mali i Zi, është kandidati numër një për anëtarësimin në Aleancën Atlantike, kuptohet se një bazë ushtarako-detare ruse dhe prania e flotës luftarake të Rusisë në portin e Tivarit do t'u kundërvihej interesave të sigurisë së të gjitha shteteve që lagen nga deti Adriatik. Ajo do të përbënte një instrument të fuqishëm dhe të përhershëm të presionit dhe të influencës ruse në shtetet e rajonit.

Në këtë kuadër, një bazë ushtarake ruse në Mal të Zi do të cenonte në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e Shqipërisë. Mali i Zi është shtet fqinj, që kufizohet me Shqipërinë si në hapësirën tokësore, ashtu edhe në hapësirën detare dhe prania e flotës ruse në atë shtet do të sillte për sigurinë e Shqipërisë komplikacione dhe burime të reja të kërcënimit të drejtpërdrejtë.

Pavarësisht se me refuzimin zyrtar të qeverisë së Malit të Zi për lejimin e ndërtimit të një baze ushtarako-detare ruse në bregdetin malazez, kjo vatër kërcënimesh u mënjanua, çështja e kësaj baze ruse nuk duhet të konsiderohet e mbyllur nga qeveritë e shteteve të rajonit. Ajo hap shumë pikëpyetje dhe ngjall disa sinjale alarmi mbi objektivat dhe ambiciet e pareshtura të politikës ruse në pellgun e Adriatikut dhe në Ballkan. Nuk është nevoja të shfletosh në histori për të provuar se dalja në detin Adriatik ka qenë një ambicie obsesive strategjike e politikës ballkanike të Rusisë gjatë gjithë shekujve dhe gjatë gjithë regjimeve. Një projekt dhe një ëndërr gjeopolitike, e cila nuk ka reshtur as në ditët tona, madje është ringjallur më me forcë me aktivizimin e ambicieve të reja globale të presidentit rus, Vladimir Putin, për influencë në të gjithë rajonet e globit, nga deti Arktik në detin Adriatik.

Ajo që bën përshtypje është sidomos fakti se Rusia po këmbëngul për të dalë në Adriatik, ndonëse në kuptimin politik, organizativ dhe strategjik, deti Adriatik mund të konsiderohet një det i mbyllur i interesave të Aleancës Atlantike. Rusia me kërkesën e saj ndërmerr një sfidë gjeopolitike dhe ushtarake ndaj NATO-s, një përpjekje për të ndryshuar raportet e forcës në detin Adriatik, sepse të gjithë shtetet, përfshirë edhe Malin e Zi, i përkasin orientimi strategjik euroatlantik dhe spektrit të sigurisë dhe përkatësisë atlantike. Në qarqet diplomatike është i njohur presioni i madh dhe i vazhdueshëm, që Moska ka ushtruar mbi Serbinë edhe mbi Malin e Zi, për t'i ndaluar të anëtarësohen në NATO. Me Serbinë, Rusia ka pasur sukses dhe ajo arriti që t'i imponojë Beogradit të ashtuquajturën doktrinë të neutralitetit, e cila në fakt ishte thjesht një bllokim i hyrjes në NATO. Përfaqësuesit më të lartë politikë dhe diplomatikë rusë e kanë bërë të qartë publikisht se për Moskën anëtarësimi i Serbisë në NATO është vija e kuqe e marrëdhënieve mes dy vendeve. Serbia i është bindur kësaj strategjie ruse. Përsa i përket Malit të Zi, Moska është përpjekur ta pengojë dhe sabotojë integrimin atlantik të Malit të Zi, me presione të drejtpërdrejta ose të tërthorta politike, ekonomike, energjitike, ushtarake, fetare, etj. Në këtë kuadër duhet parë edhe kërkesa e Rusisë drejtuar Podgoricës për të lejuar një bazë ushtarako-detare ruse në Mal të Zi. Sepse është e qartë se ndërtimi i një baze ushtarako-detare ruse do të ishte fundi i çdo perspektive të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

NATO nuk mund të pranojë si anëtar një shtet, që ka baza ushtarake ruse në territorin e vet.

Tentativa e Rusisë për të pasur një bazë ushtarako-detare në Mal të Zi sugjeron mbajtjen në nivele të larta të sistemeve të alarmit dhe të proteksionit nga format e ndryshme të presionit dhe të ndërhyrjes së Rusisë në shtetet e ndryshme të pellgut të Adriatikut. Nuk duket rastësi interesimi i menjëhershëm, që demonstruan biznesmenë dhe kompani serbe dhe ruse për bazën ushtarake shqiptare të Bishtit të Pallës, të cilën me mendjelehtësi qeveria e mëparshme e listoi në planet e privatizimeve. Format e sofistikuara të penetrimit dhe të rritjes së pranisë ekonomike, energjitike apo të pronave të patundshme ruse buzë Adriatikut nuk janë aq "teknokratike" sa ç'kërkojnë t'i reklamojnë përfaqësuesit e lobit rus.

Rusia është në kërkim të ndërtimit të bazave të reja ushtarako-detare në vendet e Mesdheut. Së pari, ajo ka krijuar tani, për herë të parë pas 20 vjetësh, një prani të përhershme të flotës së saj ushtarako-detare në detin Mesdhe. Tani flota ushtarako-detare ruse është e pranishme nëpër ujërat e Mesdheut, jo thjesht si simbol i fuqisë ushtarake ruse, por edhe si pretendim i një roli të saj në çështjet e Mesdheut dhe të popujve mesdhetarë. Së dyti, Rusia është e shqetësuar nga perspektiva jo e sigurt e bazës së saj ushtarake në Tartus të Sirisë, ku një përmbysje e regjimit prorus të satrapit Bashar Al Asaad mund të çojë në situatën e largimit të asaj baze. Ndaj Rusia po nxiton që të sigurojë pika mbështetjeje dhe baza në vendet e tjera. Deri tani duket se ka arritur të piketojë baza në Egjipt, ku në sajë të juntës së gjeneralëve, që erdhi në pushtet në muajin korrik me një grusht shteti, janë krijuar kushtet e një kthese të timonit strategjik drejt Rusisë dhe në shkëmbim të kredisë prej katër miliardë dollarë për të blerë armatime ruse, junta do të lejojë krijimin e bazave ruse, siç kanë pasur dikur në kohën e Naserit. Një drejtim tjetër, ku u organizua ofensiva diplomatike ruse për bazat, ishte deti Adriatik dhe konkretisht Mali i Zi, ku kërkoi ndërtimin e një baze në portin e Tivarit, por që nuk pati sukses për shkak të vendosmërisë së qeverisë së Podgoricës për vazhdimin e kursit të integrimit euroatlantik. Në një komunikatë të saj në datën 19 dhjetor, Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi theksonte se qeveria e Malit të Zi është e angazhuar në mënyrë të paekuivok në prioritetet strategjike të vendit për integrimin euroatlantik. Një mesazh i qartë në adresën e duhur.

Refuzimi i qeverisë malazeze për pranimin e një baze ushtarako-detare ruse në bregdetin malazez është një shërbim i madh për interesat e popullit malazez, për interesat e shqiptarëve që jetojnë atje, por edhe për interesat e paqes dhe të stabilitetit të të gjithë popujve dhe vendeve të pellgut të Adriatikut.
SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË EVROPË, SI ALEATË TË AMERIKËSNga SKËNDER  BUÇPAPAJ (12.29.2013)
PËRPLASJE TË REAJ RUMANI BULLGARI PËR KUFIRIN DETAR Nga SHABAN MURATI (12.29.2013)
JASHTË EUROPËS - PËR LIRINË, LIGJIN DHE DEMOKRACINË E DEFORMUARNga ROMEO GURAKUQI,Instituti i Historisë Bashkëkohore,Universiteti Europian i Tiranës (12.28.2013)
Triptik nga dita e djeshme mediatike tiranase: MALARJA - EDI RAMA TEK TOP STORY I SOKOL BALLËS - ZONJA E PARË ODETA NISHANI Nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.28.2013)
BUKURIA E PËRBASHKIMIT TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS FRYMËZON QËNDRIMIN KOMBËTAR TË SHTETEVE SHQIPTARENga ARTUR VREKAJ (12.28.2013)
QOSJA PËRSËRI GABON - ENVERI ISHTE HITLERNga ANDREA STEFANI (12.28.2013)
U NGUTËT TË NDERUAR KONGRESMENËNga FRANK SHKRELI (12.27.2013)
Triptik nga dita mediatike e djeshme në Tiranë - MALARJA -KM EDI RAMA I FTUAR TEK TOP STORY I SOKOL BALLËS - ZONJA E PARË ODETA NISHANI NGA ELIDA BUÇPAPAJ (12.27.2013)
TI QYTETAR I BOTËS JE REFUGJAT Nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.26.2013)
Mahalla e muhaxherëveNËPËR LABIRINTET E FRIKSHME TË INSTITUCIONEVE TË KOSOVËSNga GANI MEHMETAJ (12.26.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart�]