E Shtunë, 12.07.2019, 09:21am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
BRUKSELI DHE FANTAZMAT E BANJA LUKËS
Nga SHABAN MURATI

E Hënë, 01.13.2014, 07:45am (GMT+1)


Dhjetëra shoqata të viktimave të luftës në Bosnjë i dërguan në datën 9 janar presidentit të të ashtuquajturës “Serpska republika”, Milorad Dodiç dhe zyrtarëve më të lartë të këtij entiteti serb, një kartolinë me foton e kufomave dhe kockave të nxjerra nga varreza masive e përbashkët, më e madhja që nga Lufta e Dytë Botërore, e zbuluar në Tomashicë në fund të vitit të kaluar. Dicitura e kartolinës ishte: "Nëse festoni ditën e 'Serpska republikës', mos harroni se këto janë themelet e saj". Unë nuk e di nëse organizatorët e këtij akti të bukur civil ua kanë dërguar atë kartolinë edhe kryetarëve të shteteve, që dolën nga ish- Jugosllavia, të shteteve të Ballkanit dhe të Europës, për t'u freskuar kujtesën dhe mësimet e asaj, që cilësohet si lufta më e egër e spastrimit etnik pas Luftës së Dytë Botërore dhe produkt i së cilës është "Serpska republika". Por drejtuesit e shoqatave të viktimave të luftës në Bosnjë do të bënin shumë mirë, nëse do ia kishin dërguar këtë kartolinë edhe Brukselit, Komisionit Europian dhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian.

Do të kishin bërë mirë, sepse fantazmat e genocidit dhe të spastrimit etnik guxuan në mes të Europës të celebrojnë në 9 janar ditën e shpalljes së të ashtuquajturës "Serpska republika" në vitin 1992. Krijimi i "Serpska republikës" ishte shpallja e luftës etnike dhe nisja e konfliktit në Bosnje nga serbët në vitet 1992-1995. Është fjala për kapitullin më të përgjakshëm të konflikteve në ish- Jugosllavi, ku forcat ushtarake të Serbisë dhe të serbëve të Bosnjës shpërthyen agresionin politik dhe ushtarak kundër popujve joserbë të shtetit të saposhpallur të pavarur të Bosnjë-Hercegovinës. Nisi gjakderdhja e madhe, e cila shkaktoi 200 mijë të vrarë në radhët e popullit boshnjak, shpërnguli dy milionë vetë nga shtëpitë tyre. Forcat serbe, për herë të parë nga Lufta e Dytë Botërore ngritën kampet e përqendrimit të tipit nazist, ku u torturuan dhe vdiqën dhjetëra mijëra boshnjakë e kroatë. Me një fjalë, "Serpska republika" është pjellë e genocidit dhe e spastrimit etnik. Një nga dëshmitë më tronditëse është masakra e tmerrshme e Srebrenicës, ku forcat serbe vranë me gjakftohtësi në një ditë mbi 8 mijë burra, fëmijë dhe pleq boshnjakë, faji i vetëm i të cilëve ishte se i përkisnin një etnie tjetër dhe një feje tjetër. Kjo është histori, por nuk është histori as festimi i asaj date dhe as mbajtja e të njëjtit flamur të zi të urrejtjes etnike dhe të prishjes së shtetit të Bosnjë-Hercegovinës nga udhëheqja radikale ultranacionaliste serbe, që drejton sot "Serpska republikën". Ndaj është mirë të ballafaqohen këto zhvillime negative me vendimet dhe qëndrimet që ka mbajtur vetë Europa për "Serpska republikën". Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007 ka shpallur vendimin, që institucionet politike dhe ushtarake të "Serpska republikës" kanë kryer genocid. Kjo do të thotë se "Serpska republika" si entitet politik dhe administrativ është fajtore për krimin e genocidit. Në datën 15 janar 2009 Parlamenti Europian ka marrë vendimin për të shpallur në të gjitha vendet anëtare të BE 11 korrikun si ditën e përkujtimit të genocidit të Srebrenicës. Këtij vendimi duhet t'i binden të gjitha shtetet, që aspirojnë të bëhen anëtarë të BE, duke përfshirë edhe Serbinë. Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës ka përcaktuar se shpallja e 9 janarit si ditë e "Serpska republikës" është inspiruar nga një ngjarje që zgjon kujtime të dhimbshme tek komunitetet e tjera joserbe dhe se ajo u është imponuar gjithë qytetarëve të "Serpska republikës", gjë që nuk është në përputhje me vlerat universale të dialogut, tolerancës, mirëkuptimit reciprok dhe barazisë. Të gjithë ata që e themeluan "Serpska republikën" në 9 janar 1992 janë shpallur kriminelë ndërkombëtarë lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish- Jugosllavi. Presidenti i parë i "Serpska republikës" ka qenë krimineli i njohur i luftës, Radovan Karaxhiç, i cili bashkë me gjithë udhëheqësit e tjerë të "Serpska republikës" gjatë luftës, si Ratko Mlladiç, Biljana Plavshiç, Momçillo Krajishnik, etj. janë që të gjithë të dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, për vrasje masive e përdhunime masive, për krijimin e kampeve naziste të përqendrimit, etj. Dita e shpalljes së kësaj monstre të genocidit me emrin "Serpska republika" u celebrua me pompozitet në datën 9 janar 2014 në Banja Luka, që do të thotë një glorifikim i asaj tragjedie dhe barbarie, që ultranacionalizmi serb shkaktoi në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Festimet kriminale të 9 janarit nuk janë vetëm një turp i atyre vazhduesve të sotëm të së njëjtës ëndërr shoviniste serbe për "Serbinë e Madhe", por janë edhe një sfidë ndaj drejtësisë, ndaj kujtesës historike, ndaj dhimbjes së miliona njerëzve, që vuajtën masakrat e agresioneve serbe në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Ato janë edhe një sfidë ndaj Bashkimit Europian, sepse në zemër të Europës dhe në një shtet, i cili zyrtarisht aspiron që në një të ardhme të bëhet anëtar i familjes europiane, glorifikohet krimi kundër njerëzimit dhe spastrimi etnik. Bruksel i ka mjetet dhe mënyrat për të detyruar kriminelët e djeshëm dhe protektorët e tyre të sotëm që të paktën të heshtin. BE ka përgjegjësinë historike për të mos lejuar ringjalljen e forcave dhe politikave nacionaliste, që kërkojnë ringjalljen e luftërave etnike në mes të kontinentit.
Dita e turpit në Banja Luka ishte festim i përbashkët i çetnikëve të sotëm serbë të "Serpska republikës" me shtetin e Serbisë, njëlloj siç ishte krijimi i "Serpska republikës", vepër e përbashkët e regjimit gjakatar të Serbisë së Sllobodan Millosheviçit me bandat paramilitare të serbëve të Bosnjës 22 vjet më parë. Dhe se sa artificiale është krijesa "Serpska republika", e tregon fakti historik se ajo nuk ka ekzistuar kurrë më parë si entitet politik apo administrativ i veçuar i serbëve të Bosnjës, as në kohën e mbretërisë jugosllave dhe as në kohën e federatës komuniste jugosllave.

Nuk është e rastit që gjithashtu ishte e pranishme dhe protagoniste e festimeve të krimit kisha ortodokse serbe, e cila është e përlyer me gjakun e viktimave në ish-Jugosllavi dhe ka qenë frymëzuesja shpirtërore e të gjitha luftërave agresive të Serbisë kundër popujve joserbë. Dhe tani ajo doli në mbrojtje të pjellës së genocidit dhe patriarku i kishës ortodokse të Serbisë, Irinej, shkoi posaçërisht në Banja Luka për të drejtuar liturgjinë fetare, për të bekuar spastrimin etnik dhe për të frymëzuar serbët e Bosnjës për "unitetin e nevojshëm të Serpska republikës me Serbinë".

Nuk mund të klasifikohet veçse si një paradoks fakti që pikërisht tani, kur BE i hapi dritën jeshile Beogradit për fillimin në 21 janar të bisedimeve për traktatin e pranimit në BE, udhëheqja e Serbisë ndërmerr një hap sfidues, duke marrë pjesë dhe miratuar zyrtarisht festimet e shpalljes së pjellës së genocidit. Qeveria e Serbisë dërgoi në Banja Luka në 9 janar ministrin e Jashtëm, Ivan Mërkiç dhe disa ministra të tjerë, për të demonstruar mbështetjen për politikat nacionaliste të politikanëve radikalë, që drejtojnë "Serpska republikën".

Është e njohur se në kapitujt e traktatit të pranimit në BE, një nga çështjet kryesore janë edhe marrëdhëniet paqësore me shtetet fqinje. Por për çfarë marrëdhëniesh normale dhe miqësore mund të flitet, kur Serbia mbështet një krijesë politike, e cila kërkon hapur prishjen e shtetit fqinj të Bosnjë Hercegovinës dhe bashkimin me Serbinë. Presidenti i "Serpska republikës", Milorad Dodiç, e konfirmoi edhe njëherë në 9 janar objektivin e tij për shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës dhe as delegacioni zyrtar serb në Banja Luka dhe as qeveria në Beograd nuk u distancuan nga këto qëndrime luftënxitëse. Është dëshmuar historikisht se pa implikimin e Serbisë nuk do ishin në gjendje serbët e Bosnjës të organizonin gjithë ato masakra dhe spastrim etnik. Është aksiomë se, pa mbështetjen e Serbisë, "Serpska republika" nuk do ishte në gjendje të ndiqte për 19 vjet atë politikë dhe veprimtari sfiduese të sabotimit të funksionimit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Duhet pranuar se, në një formë apo tjetër, kjo politikë destruktive e Banja Lukës dhe e nxitjes nga Beogradi ka gjetur një element inkurajimi te neglizhenca, toleranca dhe indulgjenca e pamotivuar e Brukselit ndaj Serbisë. Sepse çelësi i trazirave dhe i stabilizimit të Bosnjës, ashtu si dhe çelësi i trazirave dhe i stabilizimit të Veriut të Kosovës, ndodhen në Beograd dhe është Beogradi, që manipulon situatat në të dyja drejtimet.

Deri tani nuk ka informacion nëse në Brukseli ka pasur ndonjë formë reagimi ndaj festimit të pjellës së genocidit dhe ndaj mbështetjes nga Beogradi. Në BE ka pasur një tendencë të gabuar interpretimi diplomatik, që prej fillimit të konflikteve të armatosura nga Serbia në ish-Jugosllavi, duke promovuar opinionin se për luftërat në ish- Jugosllavi janë të gjithë njëlloj fajtorë. E ashtuquajtura doktrinë e simetrisë së fajit shërbeu si vonesë për zgjidhjen e krizës jugosllave, si inkurajim për vazhdimin e luftërave dhe sot si një alibi për ultranacionalistët, që duan ta ringjallin spastrimin etnik. Nuk mund të përjashtosh efektin e këtij interpretimi të gabuar të BE në atë, që ndodh sot. Nëse fantazmat e Banja Lukës janë gjallëruar deri në shkallën që po sfidojnë hapur edhe vetë Europën, kjo të çon tek mendimi se Brukseli ka nevojë të rivlerësojë historinë se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë mund të ndodhë në Ballkan. Nuk do të jetë hera e parë, që nga gabimet nuk mësohet siç duhet dhe fantazmat e Banja Lukës të kërkojnë revanshe të reja.

SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RIBASHKIMI SHQIPTAR, PSENjë coptim me forcë lind një qëllim të përhershëmNga SAIMIR LOLJA (01.12.2014)
MESAZH PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE TË AMERIKËSNga ARTUR VREKAJ (01.11.2014)
SHQIPTARËT JANË NJË NË TROJET E VETANga FRANK SHKRELI (01.09.2014)
ROLI I FESË NË POLITIKËNga FRANK SHKRELI (01.08.2014)
RD - NJË LOJË E PARDESYBARDHËVE DHE ISH MEGAFONËVE TË REGJIMIT TOTALITARISTNga ELIDA BUÇPAPAJ (01.07.2014)
MEMORIALE PËR TË VRARËT E VITIT TRAGJIK 1914!Nga SHABAN MURATI (01.06.2014)
SHQIPTARËT E SELANIKUT NË SHEKUJT XVIII-XXEsé nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA SHBA (01.05.2014)
NJË PERANDORI VDES NGADALËNga JOHN LLOYD, Reuters (01.04.2014)
POPULLI SHQIPTAR I KOSOVËS PO - E MERITON ÇMIMIN NOBEL PËR PAQENga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.02.2014)
GËZUAR VITI I RI 2014Nga FRANK SHKRELI (12.31.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]