VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ÇKA ISHTE TAKIMI I 11 JANARIT NË PRIZREN?!
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Mërkurë, 01.15.2014, 07:30am (GMT1)



1.
Dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama e Hashim Thaçi, sëbashku me qeveritë e tyne, duhen përshendetur edhe sikur të shtunën e 11 janarit 2014 të ishin takue sëbashku me pi veç nga një kafe në Prizren, "në të bukurin vend", përndryshe: në qytetin e nëntë në botë për nga bukuria (sipas një publikimi ndërkombëtar). Aq ma mirë kur këto dy qeveri shqiptare flasin e nënshkruajnë Marrëveshje për një Partneritetit Strategjik midis tyre, kur i hedhin sytë e çojnë dorën edhe nga Lugina e Preshevës (Kosova Lindore). Mirëpo, me i gjykue se çka do të bajnë në bashkëri këto dy qeveri ende është herët, por për me këndvështrue se si e u krye nis e sos ky takim është disi vonë.

Çështja ma kryesore që do çekim është keqpërdorimi i simbolikës së Prizrenit si kryeqyteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si kryeqyteti i parë zyrtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si kryeqyteti i parë i shtetit të parë modern shqiptar.

Nistue nga simbolika e Prizrenit historik, kap tek përvoja franko-gjermane, rrekja për me imitue apo iniçue modelin Skandinav apo Beneluks, i shtyni qeveritë shqiptare me seli zyrtare në Tiranë e Prishtinë me u tubue në mes të dimnit në Prizren e në pranverë në Vlorën e Flamurit. E keqja ma e madhe është keqpërdorimi i tyne politik si "kryeqytete të dyta", çka e dëshmoi Prizreni edhe përtej pesë orëve të takimit të përbashkët të 11 janarit 2014. Përveç asaj që Menduh Thaçi i PDSH në Maqedoni e cilësoi takimin një "marketing politik", ishte diçka tjetër ma ndryshe, ma randë, ma keq: një "lojë politike" me Çështjen Kombëtare Shqiptare. Pra, kemi një takim të përbashkët të dy qeverive, po jo një Shqipëri të Përbashkët.

Aty u harrue me fol për Çështjen Shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi, këto dy shtete në dy krahët e Prizrenit legjendar, andej maleve të Sharrit e përtej në Alpet Shqiptare. Vetëm nën Malin e Zi, nga koha para e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në Konferencën e Paqes në Londër më 1913, janë futur forcërisht 9.112 km2 nga trevat etnike shqiptare, ndërsa në FYROM, Maqedoninë e sotme, janë mbi 15.000 km. Pra, sa dy Kosova...
 
Nëse u fol e pati dy-tre angazhime politike e financiare për Toplicën, ma ngushtas për Luginën e Preshevës, u la krejt në harresë Sanxhaku Shqiptar (Novi Pazari). Në fakt, këto dy treva etnike shqiptare jo larg Prizrenit, si Toplica dhe Sanxhaku, kapin 11.149 km 2, pak ma shumë se Kosova e sotme.

Në paraditen e 11 janarit 2014, tek hotel "Theranda" në Prizren, kur hynë aty dy qeveritë shqiptare për takimin sensacional, me çka pashë në televizione e lexova në media të Tiranës një qytetar i Kosovës, Den Plava, ndoshta për nga origjina i ardhun nga krahina etno-historike e komunare e Plavë-Gucisë nën Malin e Zi, përmes disa letrave iu bante thirrje kryeministrave Rama e Thaçi, që të bashkohen me popullin shqiptar i cili kërkon një shtet të vetëm në Ballkan, mirëpo u arrestua forcërisht nga policia e Kosovës. Mjafton vetëm ky fakt për të dëshmue se si u morën me Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan dy qeveritë shqiptare të Tiranës e të Prishtinës.

Shumëkush, edhe eksponentë nga politika zyrtare shqiptare, u përpjekën me e cilësue takimin e Prizrenit të 11 janarit 2014 si një "Lidhje Dytë e Prizrenit", ndërkohë që historia flet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878 dhe për Lidhjen e Dytë të Prizrenit në vitin 1943, e cila edhe pas ripushtimit jugosllav të Kosovës më 1945 jetoi e veproi edhe në diasporë, biles funksiononte si shoqatë në Amerikë deri në kapërcyell të shek. XXI.

Faktikisht ky Takimi i Prizrenit nuk është as Lidhja e Dytë, jo se jo, po as Lidhja e Tretë e Prizrenit, hiç se hiç. Ma së shumti e ma keqas është një "lojë politike", përndryshe: loja politike e krijimit të një "kryeqyteti të dytë", pos Tiranës e Prishtinës. Sipas gjasave, kryehere, organizatorët e përzgjodhën fillimisht si të tillë Prizrenin në breg të Drinit e, kah pranvera, edhe Vlorën në bregdetin Adriatiko-Jonian.

2.
Krijimi politik i "kryeqyteteve të dyta", pos atyre zyrtar, pothuajse astenjiherë nuk na ka fatsjellë mbarësi shqiptarëve trojenik në Ballkan. Kësisoj, kësaj here, as Prizreni ynë në këtë janar 2014 dhe, njejtësisht, as Vlora jonë nesër në muajt e ardhshëm. Këto dy qytete historike kombëtare të Lidhjes së Prizrenit e të Shpalljes së Pavarësisë po keqpërdoren si "kryeqëndra politike" të tubimeve propogandistike, enigmatike e problematike të dy qeverive shqiptare: të Tiranës e të Prishtinës.

E keqja ma e madhe është se dy kryeministrat shqiptarë të Tiranës e të Prishtinës po folnojnë, provokojnë e trumbetojnë si "kasnecë" të bashkimit kombëtar shqiptar, ndërkohë që me tubimin e 11 janarit 2014 në Prizren dhe në të pritshmin në Vlorë, po kthehen në turbullnajë e mjegullnajë e çështjes kombëtare shqiptare, me e pa dashje po kthehen në "kallukanxha" e tij.

Kjo është një "lojë politike" e, fatkeqësisht, një farë "loje" sa enigmatike edhe problematike me Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Diasporat Shqiptare në Botë. E kjo nuk është lojë si të gjitha lojat, pasi është "loja e kryeqyteteve". Këso loje, Shqipëria Londineze ka provue në rebelimin e çprishtë të vitit 1997, kur përveç Tiranës zyrtare u ngrit edhe një tjetër "kryeqytet" në Vlorë, ku u arrit deri atje e aty sa të demonstrohet edhe simboli serb i tundjes së tre gishtave, të kërciste përgjakshëm kallashnikovi rus, të ngulej në ashtin shqiptar thika helene. Vlora ishte "kryeqytet i revoltave", "kryeqytet i fajdeve", etj.

Çështja arriti deri aty saqë sikurse austriaku negociator Vraniski vinte në Tiranë, edhe negociatori tjetër italian, kryeministri Romano Prodi, shkonte në Vlorë. Rebelët e armatosur e të çartallosun e gjuajtën me tri plumba edhe portretin e Ismail Qemalit në muzeun e Vlorës. Njëkohësisht, po në vitin 1997, u synue ngritja edhe një tjetër kryeqyteti, në Tropojën alpine, "kryeqytet i rebelimit politik të armëve" e, në vazhdimësi, "kryeqytet i eksodit të shqiptarëve të Kosovës" e, në anën e këndejme të kufinit, "kryeqytet i Luftës së Kosovës", etj. Kësokohe, në shtator 1998, u vranë edhe Azem Hajdari lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit '90 e i Pluralizmit Politik Shqiptar dhe Rexhep Krasniqi, ministri i Luftës i Qeverisë së Kosovës.

Nëse rrjedhoja e pasoja të "lojës së kryeqyteteve" të dekadës së fundit të shek. XX i ndjejmë ende edhe në fillime të shekullit të ri, pak kush mund ta dijnë qyshse në stard se çfarë kostoje do të paguajnë më 2014 e në vite të mapasme Shqiptarët në Ballkan, në "kazanin e dreqnive"të pandaluna, në këtë "fuçi baroti" të pa fikun, nga "loja me dy kryeqytetet" - në Prizren e në Vlorë?!

3.
Dhe, ende ma keq, Rama e Thaçi po i duan politikisht të dy qytetet historike, edhe Prizrenin, edhe Vlorën, si "kryeqytete të tyre"(!) Po i hipotekojnë politikisht. Kjo nuk ka nevojë për kujtesë historike, pasi ndodhitë janë tepër të afërta në kohë. Hala nuk janë motake.

Kryeministri i Kosovës euro-atlantike, Thaçi, e ktheu Prizrenin në "kryeqytet elektoral" aqsa thirri aty tribunal, kambëkryqas e deri brryltas, "vllain" turk, Rexhep Taip Erdogan, kryeminister i Turqisë e mikun e tij, Edi Rama, kryeministrin e Shqipërisë Londineze, vetëm e vetëm për me e zgjedh një kandidat nga partia thaçjane (PDK) kryetar komunal të Prizrenit.

Hashim Thaçit nuk jam ka i vnoj kurrnji fije faj pse nuk ia kujtoi publikisht Erdoganit se Turqia, të paktën në vitet '50 '60 të shek. XX i ka shpërngulë nga Prizreni në marrëveshje me Beogradin mbi 3.200 familje shqiptare, që matematikisht, po të ishin tashti në Prizrenin e vet, do ua kalonin shumërisht komunitetit ardhacak turk (të njoftun gjithata sish edhe si boshnjakë!). Po Thaçi ka ba keq deri në fajësi që nuk ia kujtoi vllait të tij, Erdoganit, se shteti i ri i Kosovës ka standarde euro-atlantike të këtilla sa edhe në komunën e Gjilanit me 1.3 për qind të popullsisë turke turqishtja njihet si gjuhë zyrtare, që edhe në Prizren ( me 6.9 për qind turqë) dhe në Mitrovicë (me 3 për qind turq) e në Gjilan ka shkolla në gjuhën turke, ndërsa në Turqinë euro-aziatike nuk lejohen gjuha shqipe, shkolla shqipe, botime në gjuhën shqipe, etj. (!)

Kryeministri i Shqipërisë Londineze, Edi Rama, e ktheu dhe po e kthen politikisht Vlorën, ku është i (vet)zgjedhur deputet, jo veç në "kryeqytet elektoral", në "kryeqytet i dytë i kryeministrit", por edhe ndryshe: në "kryeqytet të tritolit", etj.

Si për koinçidencë: të dy kryebashkiakët, ai i Prizrenit dhe ai i Vlorës, kanë probleme me drejtësinë, kanë mbetur në dyert e gjykatave për të dëshmue ligjërisht (pa)fajësinë e vet. A thue kryeministrat e këtyre dy "kryeqyteteve" politike i duan të tillë kryebashkiat?! Kjo është çështje e tyre, po këta dy kryeministra shqiptar, me të tilla "tubime historike"(!) nuk kanë pse ta çojnë në gjyq të historisë e të politikës për 11 janarin 2014 as Prizrenin dhe as Vlorën.

4.
Në shek. XIX e fillimet e shek. XX, Rilindasit e vërtetë e të hershëm të Kombit Shqiptar kërkuan kryeqytet kombëtar për Shqiptarët në Ballkan e na i lanë kryeqytete të përjetshme të Flamurit të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare si Prizrenin e vitit 1878 edhe Vlorën e vitit 1912.

Tevona, në mesin e shek. XX, "rilindasit"(!) e vitit 1944, nëse do të ishin ma shumë kombëtar e jo tepër internacionalist, nëse do të ishin plotërisht për bashkimin kombëtar shqiptar do të kryenin të paktën një akt të tillë: 17 nëntorin 1944, ditën e njëkohshme të çlirimit me sakrifica të mëdha të Tiranës e të Prishtinës (kësokohe kryeqytet i Kosovës deri më 1947) do ta zyrtarizonin si Datë të Çlirimit të përbashkët. Disa shtete të botës e kanë ditë të çlirimit të tyre ditën e çlirimit të kryeqytetit të vet. Po "rilindasit", edhe me frymën e ndikuar, diktuar e të kultivuar titiste e shoviniste të malazezit Miladin Popoviçi e të serbit Dushan Mugosha e ndonjë tjetri nga emisarët titistë jugosllav, nuk mund t'ia hisenonin këtë akt historisë shqiptare. Bashkëthemeluesi titist i PKSH, sllavi M. Popoviçi ("Aliu") për motivimin e veprimet e tij kundërshqiptare mjaftonte edhe një fakt i vetëm si ai i vitit 1879 kur shqiptarët e Plavë-Gucisë e të LSHP e vranë edhe mixhën e tij në Luftën e Nokshiqit (Luftën e Ultinës së Epërme të Limit). Mirëpo "rilindasit" e Enverit e zgjodhën 29 Nëntorin 1944 si Ditë e Çlirimit të Shqipërisë Londineze, e cila përkon dyshimtë me 29 Nëntorin 1943 të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ-it në Jajcë, përkon me këtë Ditë Ndërkombëtare të Jugosllavisë së Dytë të Titos.

Hije dyshimi të mëdha për tubimet politike në Prizren e, së shpejti, në Vlorë, të krijon edhe fakti tjetër i zhingosun dhe i pazbardhun: Nuk ka as dhjetë muaj nga "Beslidhja" në mes PS e LSI, që u lidh në Shkodër në dorzani e kumbari të kryeministrit socialist malazez, Millo Gjukanoviç, ish presidentit serb, socialistit Boris Tadiç, etj. Kjo "beslidhje" (besfyemje!) u lidh më 22 prill 2013, pikërisht në ditën e 100 vjetorit që Esat Pashë Toptani ua dorëzoi malazezëve Shkodrën, pas gjashtë muajve qëndresë të rrallë në rrethim nga deti, fusha e mali.

Kodet e takimeve të njëpasnjishme të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç, me monitorim ndërkombëtar të baroneshës Ashton, bisedimet aktnore e aktore në mes tyre, mbeten ende të padeshifruara krejtësisht për institucionet e Kosovës, për shqiptarët kombëtarë në Ballkan.

"Rilindasit e Luftës" të Enver Hoxhës e të Fadil Hoxhës krahasimue me "Rilindasit e Paqes" të Ramës e të Thaçit po thuhet se nuk kanë ndonjë ndryshim aq të madh ndërveti, aqsa po na duket sikur në vend të malazezit Miladin Popoviçi e të serbit Dushan Mugosha e ndonjë emisari tjetër jugosllav, për disa arsye e arsyetime të (pa)thëna, të jenë në kit' "lojë" edhe malazezi Millo Gjukanoviç, edhe serbi Ivica Daçiç, edhe ndonjë tjetër si serbi Boris Tadiç e malazezi Filip Vujanoviç...
 
5.
Komuniteti Ndërkombëtar Euro-Atlantik e kishte në dorën e vet që të ishte përcaktor në datën e Pavarësisë së Kosovës. Po nuk u përzgjodh një 28 Nëtor i Tretë apo i Katërt për Shqiptarët. E gjeti pikërisht 17 Shkurtin 2008, ditë e bekuar, ditë e dielë. Fitimtarët shqiptarë e euro-atlantik të lirisë e pavarësisë së Kosovës deshën që Kosova si shtet i ri të kishte datën e vet historike.

Shqiptarët trojenik në Ballkan shpesh herë në histori kemi rend pas njejtësimit të datave. Kjo ma së forti prej vetit e nganjëherë edhe prej të tjerëve. Plaku i madh i Vlorës, Ismail Qemal Bej Vlora, e kishte të përcaktuar në axhendën e tij që Shpalljen e Pavarësisë ta akt-kryente edhe me 4 Dhjetor 1912, po si duket ai e përshpejtoi edhe për faktin që të simbolizonte edhe 28 Nëntorin 1443 të ngritjes së Flamurit në kalanë e Krujës historike nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndoshta po të ngrihej Flamuri i Pavarësisë në Vlorë më 4 Dhjetor 1912 disa gjana do të ishin ndryshe për historinë.

Shqipëria, ngaqë nuk e caktoi 17 Nëntorin 1944 si datë të çlirimit të vet, ende ngërçohet në debatin politik e historik: të jetë 28 Nëntori i Tretë (pas Skënderbeut e Ismail Qemalit) apo 29 nëntori 1944 që përkon me një datë e histori sllave, etj.
Kësisoj na ndodhi edhe me 2 korrikun 1990, kur Shqiptarët në dy anët e kufinit ishin ndërgjegjësue për veprim kombëtar e demokratik. Në Shqipëri u thye Muri i Berlinit, shqiptarët hynë në amabasadat e huaja në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Kosovës shpalli në Prishtinë Deklaratën Kushtetuese gurthemel i Pavarësisë së Kosovës. Këto dy data të njëkohshme duket se na i përcaktuan edhe të tjerët, pasi thuhet se sinjalet i dhanë ta huajt euro-atlantik: në Tiranë një i huaj që po dilte nga hotel Dajti me paketën e duhanit në dorë dhe në Prishtinë një zonjë me një qenë përdore teksa kaloi "rastësisht" nga kuvendmbajtësit e Kosovës të nxjerrë me dhunë serbe nga salla zyrtare e Kuvendit. Pas kësaj, Shqiptarët e Shqipërisë kërkuan 8 Dhjetorin 1990 në Qytetin "Studenti" në Tiranë dhe Shqiptarët e Kosovës kërkuan 7 Shtatorin 1990 në Kaçanik, ku miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Enigmë nëse ishte e (pa)qëllimtë "Tubimi Historik i Prizrenit" më 11 janar 2014 në 68 vjetorin e Shpalljes së Shqipërisë Republikë Popullore, e përfshirë në kampin socialist të Stalinit, të sllavo-ortodoksizmit. Kjo nuk ka kurrfarë lidhjeje me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Përkundrazi, një tubim i tillë "ringjallës" i një date, të një kohe, të një historie të tillë, ia hjekson sadopak simboliken e vlerat Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Diçka po them, aq sa di: më 9 prill 1961 ndrroi jetë në mërgim, në Francë, Mbreti i Shqiptarëve, Ahmet Zogu I dhe gati një çerek shekulli ma vonë, po në të njëjten datë, më 9 prill 1985 ra në koma, në vdekje klinike, udheheqësi shqiptar i kohës, Enver Hoxha, të cilit ia zgjatën dy ditë "afatin" e vdekjes, deri më 11 prill 1985, për të vetmin fakt, për të vetmen arsye: të mos ndrronte jetë në një ditë me Mbretin e Shqiptarëve, me admiruesin e hershëm e kundërshtarin e tij politik të përhershëm.

Ndoshta tubuesit e të shtunës të 11 janarit të Prizrenit nuk iu shkon keqas mendja e me e ba tubimin e dytë të Vlorës të shtunën e 24 majit 2014...

6.
"Rilindasit" e sotëm të shek. XXI, përndryshe: "rilindasit" e Edi Ramës të Tiranës e Hashim Thaçit të Prishtinës po kërkojnë, stimulojnë e praktikojnë politikisht si "kryeqytete rilindjeje"(!) të politikave të tyre Prizrenin (Theranda antike) e Vlorën (Aulona antike).

Kurrgja nuk prodhoi "Takimi i Prizrenit" i 11 janarit 2014.

As ide për t'u përqafuar nga (ndër)kombëtarët.

As doktrinë për t'u bazue Shqiptarët e shek. XXI në Çështjen e Bashkimit Kombëtar.

As Marrëveshja për Partneritet të Përbashkët (!) nuk prodhoi asgja, pasi deri më sot janë hartue e firmue plot 50 të tilla në mes të Kosovës e Shqipërisë, prej nga viti 1999 deri më 2014, të cilat janë në të gjitha fushat: në çështje të kufinit e doganeve, të turizmit, të ekonomisë e financave, të kulturës e sporteve, etj. Ndoshta është shpejt me e akuzue Qeverinë e Edi Ramës që sapo i kapërceu 100 ditë jetë, ashtu sikurse është tepër vonë me e kritikue Qeverinë e Hashim Thaçit, i cili e udhëheq Kosovën, përveçse në vitet 1999-2000, edhe tashti, prej vitit 2008 e dekterit më sot, më 2014.

Kaq marrëveshje shtetërore, 50 sish, në mes Shqipërisë e Kosovës në këto 15 vitet e fundit, ndoshta nuk janë hartue e firmue as mes Amerikës e Mbretërisë së Bashkuar në dy anët e Atlantikut, të çilët kanë një lidhje të vecantë ndërveti.
Çka do të bajnë dy qeveritë me një Marrëveshje Partneriteti, me një Deklaratë të Përbashkët, etj., ndërkohë që në fundvitin 2012 në totalin e tregtisë së jashtme të Shqipërisë, volumi me Kosovën nuk zenë as 5 për qind (!) Shqipëria eksporton në Kosovë 124 milionë euro mallra dhe importon 40 milionë euro.

Qyshse nga viti 2008 deri më 2012, ndër shtetet e rajonit të Ballkanit, në volumin e eksporteve drejt Kosovës Shqipëria zenë vendin e parë e ndjekun nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi. Vetëm në vitin 2012 Shqipëria arriti të jetë vendi i katërt pas Maqedonisë, Serbisë dhe Turqisë, po me një volum katër herë ma të vogël se Serbia.

Çështja shtrohet: kur do të ndryshojnë këto raporte partneriteti tregtar në mes Shqipërisë e Kosovës, pasi demonstrimi i partneriteti politik Rama-Thaçi në Prizren nuk i duhet kurrkujt përveçse atyne që i kanë tifozë politik. Kaq shumë u fry në propogandën politike ky Takimi i Prizrenit i 11 janarit 2014 saqë e mori lumi i Drinit para se t'i cojnë "të korrat"(!) e tij në Prishtinë apo Tiranë.

Ma së forti ky Takimi i Prizrenit ishte për Thaçin një "prolog" i zgjedhjeve parlamentare të Kosovës në fundpranverën 2014 si dhe një demonstrim politik (ndër)kombëtar i Ramës pas humbjes së tij ma shumë se politike për armët kimike.

Këto dy qytete simbolike kombëtare, Prizreni e Vlora, s'ka arsye e mundësi të përdoren e as të jenë si kamardare shpëtimi politik apo valvul shkarkimi politik, as për njanin e as për tjetrin.

Nëse duam realisht një bashkim kombëtar shqiptar ka ardhë koha që të heqim dorë nga lojra të tilla politike, veçanarisht nga "loja me kryeqytetet" politike, siç po ngjet së fundmi me Prizrenin dhe me Vlorën.
-
@ Autori. Nuk lejohet publikimi në internet apo media pa leje me shkrim nga autori.

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.