VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
'MASAKËR DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT' Nga FRANK SHKRELI E Enjte, 01.16.2014, 03:26pm (GMT1)
Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, "Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile." Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar. Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova. Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë. Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje. Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si "Paralajmërimi i Krishtlindjeve'', një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 -- vija e kuqe -- e që ishte një telegram shumë i shkurtë dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: "Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë." Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër. Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi
këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që
zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe
të botës mbarë, e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së
Xhorxh Bushit të parë me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund
të zbatohej. Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në
historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin
ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në
Kosovë. Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës? A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak. Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak. Unë besosj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to. Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se "˜sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen'. Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet. Por jo! Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat.
Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që NATO të vendoste që të bënte diçka për t'i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë. Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet! FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |