VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRAJLI I RI, KRYEMINISTRI GJUKANOVIÇ, NGJALL NË KËTË JANAR, NË ULQININ SHQIPTAR, KRAJL NIKOLLËN E VJETËR
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Shtunë, 01.25.2014, 12:46pm (GMT1)


1.
Ky i katërti shekull kalendarik që nga Gjiri i Kotorrit, që nga Çetina, gjuajnë mbi Shqipërinë ballkanike me rrufe flakë e gjak edhe ditën për diell dy nga politikanët ma jetëgjatë në historinë e Malit të Zi: Krajl Nikolla I (i vjetri) i cili sundoi si princ (1860-1910) e si mbret (1910-1918) dhe pasuesi përngjasues i tij, i (vet)thirruni "krajl i ri", Milo Gjukanoviç, i cili sundon prej vitit 1991 me një mandat presidencial (1998-2002) dhe shtatë mandate si kryeministër.

Gjukanoviçi, kryeministër e kryetar i PDS (partia kryesore në pushtet), së fundit, më 22 janar 2014, në mitingun me 800 pjesmarrës për elektoriadën lokale për komunën bregdetare në Ulqin, ndihet mjaft aktiv në piksynimin për të marrë shumicën e këshilltarëve, në mos të vetëm me një apo dy parti politike shqiptare.

Ky, njeriu ma i fuqishëm i Malit të Zi në tri dekadat e fundit, ridëshmoi në këtë miting ulqinak se në filozofinë e tij teorike e praktike kundërshqiptare është njësoj si krajl Nikolla I. Ndryshe nga partitë e tjera konkuruese (në pushtet apo opozitëë) në sfond e në ballë të sallës së madhe edhe me llozha duket ashiqare deviza elektorale e Gjukanoviçit: NAPRIJED PËRPARA! e cila në realitetin historik, nacional, politik, prej nga shek. XIX, është një hymn e veprim malazez shoven kundërshqiptar.

Fakti është tepër tronditës, pasi kjo devizë thirrtore aksiometrike e krajlëve të vjetër e të rinj malazezë përcillet për herë të parë në mënyrë publike, zyrtare, mafioze në dy gjuhë: në Malazeze dhe në Shqip. Dhe, ma keqaz, akt-kryhet pikërisht në "komunën shqiptare" në Ulqin, ndër 22 komunat e Malit të Zi ma e madhja për nga numri (mbi 8.000) e për nga përqindja (mbi 70) e popullsisë etnike shqiptare.

2.
Krajl Nikolla I është djali i vojvodës Mirko Petroviç-Njegos i Çetinës, djalë i një krimineli të pafytyrë e të pashpirt, i cili kreu masakra çnjerëzore të pashembullta ndaj shqiptarëve etnikë si në Kuç, një prej fiseve të lashta shqiptare të Malësive të Veriut nga Ulqini deri në Rrafshin e Dukagjinit, Bosnjë-Hercegovinë, Fushë-Dardani, etj.

Në skej detit e mes malit, në një truall të tillë me urrejtje agresive gjakatare antishqiptare të jashtëzakonshme, u rrit Krajl Nikolla, i cili sikurse i ati ishte poet, biles libraria e vetme e Çetinës raftohej kryesisht me librat e të dyve atë e bir (Mirko e Nikolla) apo ato të mikut të tij në vite të rinisë e të luftës, vojvodë Mark Milani, ushtarak prijtar në Luftën e Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit) në dhjetor 1879- janar 1880.

Princi poet, Krajl Nikolla I (si edhe i ati) ishte i dhanun pas kangëve (kollo) saqë kishte krijue hymne për çdo fis jo vetëm të Gjinit të Kotorrit me rrethina, po edhe për Vasovejivçët, Palabardhët (Bjellopavliçët), Kuçët, etj., të cilat i këndonin masivisht në festa të tyre fetare, lokale e fisnore apo edhe në oda të kullave në pikapjekje vllaznie e miqasie. Jo rrallë kollot (kangët) e poetëve të derës princore të Petroviç-Njegos kanë përcjellë edhe pështjellime lamshore të historive të derisotme për prejardhjen, shtegtimet, degëzimet e ecurinë e fiseve të lashta shqiptare të (pa)asimilueme edhe nga bregdeti tivar-ulqinas, në brigjet e Zetës, Moraçës e Cemit, në lartësi alpine në Plavë-Guci, Beranë, Kolashin, Andrejavicë, Mojkovac, Zhabjak, Savnik, Bjello-Polje, Pljevlja e Rrozhajë.

Në vitin 1867, mbi një dekadë para Kongresit të Berlinit, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Luftës së Nokshiqit (Lufta e Ultinës së Epërme të Limit), Krajl Nikolla I, e krijoi një kangë hymn për principatën e tij të vogël, kangën "Përpara!" Në tetë strofa të saj flitet për hakmarrje shqiptare në emër të humbjes sllave në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë) pasi më 15 qershor 1389, ngrihet kult për Kishën Ortodokse të Deçanit (dikur kishë katolike shqiptare), synohet për të ngulë në Prizren kryeqytetin e principatës malazeze (tevona, mbretni, më 1910-1918), etj.

Mjaftojnë për shembëllim veç dy vargje të strofës së dytë të hymnit "Përpara, Përpara!", e çdokush e sheh dhe e ndjen shovinizmin sllavo-ortodoks të Malit të Zi:
"... Përpara, përpara që të shoh Prizrenin,
Se është i imi, do shkoj në shtëpinë time..."

3.
Në pesëvjetorin e Hymnit malazez të Krajl Nikolla I, në vitin 1871 princi Dolgorukov (derë princore e shek. XVDukati i Madh i Moskës) shkoi në Çetinë me detyrë misionare nga Perandori autokrat i Rusisë, Aleksandri II i Romanovëve (1855-1881) i martuar me Katerina Dolgorukov. Ky princ rus kur kalonte rrugëve të Çetinës iu hidhte lekë në ajër e përtokë malazezëve të ekzaltuem në kulm tue këndue Hymnin e Krajl Nikollës, hymnin malazez "Përpara!", që ishte kthye ma popullor se Hymni i njohur sllav, Shën Sava.

Një ditë pas Serbisë, më 1 korrik 1876 edhe Mali i Zi, me ndihma në ushtarë, armatime e të holla nga Perandoria Ruse, i hapën luftë Perandorisë Otomane me një aksion të përbashkët disa vjeçar. Kësokohe, Mali i Zi i Krajl Nikollës, pushtoi trevat shqiptare Tivarin (10 janar 1878), Ulqinin (19 janar 1878) dhe brenda javës nëpër Ultinën Bregdetare të Podgoricës dolën në brigje të liqenit të Shkodres e të lumit Buna, Një vit ma vonë, më 4 dhjetor 1879, iu vërsulen edhe Plavë-Gucisë me objektiv strategjik gjeo-politik e ushtarak me dalë në Prizren.

Në koft se rrugët e qytetit të lashtë shqiptar të Ulqinit bregdetar e kanë harrue hymnin "Përpara, Përpara" të Krajl Nikollës në ditën e pushtimit më 19 janar 1878, atëherë, fatkeqësisht e triumfalisht, ua kujtoi plot 136 vjet ma vonë "krajli i ri" i Malit të Zi, kryeministri malazez, Milo Gjukanoviçi, me tubimin e 22 prillit 2014 në Ulqin.

Në Ulqin gjatë mitingut të mbyllur nuk u këndue Hymni i Krajl Nikollës, po ngadoqë Gjukanoviçi (i konvertuari i Nikshiqit) e kthente kokën në atë sallë, kur rrinte në rradhët e para apo doli në foltore, dukej deviza krajliane malazeze "NAPRIJED PËRPARA!" e cila po e (ri)pushton Ulqinin komunar shqiptar edhe në shek. XXI.

4.
Hymni "Përpara!"(1867) me tekst të malazezit krajlit poet, Nikolla I (sipas gjasave, kompozitori çetinas me origjinë çeke, Franjo Vimer, u frymëzua nga muzika e kangës të luftëtarëve të shqiptaro-italianit Xhuzepe Garibaldi që çliroi e bashkoi Italinë) ka pothuaj një shekull e gjysmë që është mjaft popullor e aktiv, gjithnjë në veprim shoven kundër shqiptarëve.
Krajl Nikolla I tue ndejt kambulun në votren e vet në Çetinë, tue pi duhan me kamish e venë me gështenja të pjekuna, në prani të shoqes së tij, princeshës Milena apo të fëmijëve të vet, e këndonte këtë Hymn malazez, aqsa edhe familjarët e vet ia quanin tepri e utopi. Ky Hymn në vitet 1876-1880 ishte një kangë e përditshmërisë malazeze, si më 1877 kur i morën Hercegovinës Nikshiqin (vendlindjen e Milo Gjukanoviçit), në janar 1878 kur pushtuan trevat etnike shqiptare të Tivarit e Ulqinit, etj. Ky Hymn në ditët e Kongresit të Berlinit, kur u miratuan tetë nene (26-33) për aneksime të padrejta territoriale të tokave etnike shqiptare si kazaja e Plavë-Gucisë, etj. këndohej në ekzaltim gjatë ditës e netëve të vona, jo vetëm në kryeqëndren Çetinë, po edhe në qytete e fshatra të tjera, në çdo manastir e kishë ortodokse (në të cilat binin këmbanat pa ia nda,zhvilloheshin luftje fetare e tedeumet kishtare), duke kcye e këndue, duke lëshue batare pushkësh, etj. Ky Hymn këndohej ato ditë nga malazezët deri edhe në kufi me kazanë e Plavë-Gucisë (në "granicën" Maja e Vizitorit, Murinë, Maja e Mokrave), po edhe në treva të tjera etnike shqiptare, edhe në Ulqinin e sapo pushtuar atë vit nga malazezët.

Historia fjalaflet për qëndresën luftarake të Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës, Ulqinit e Tivarit në ato vite të pas Kongresit të Berlinit e të veprimit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjersa në vitin 1882, me kërkesë të Krajl Nikollës dhe ndërhyrje të ndërkombëtarëve (sidomos Rusia, Franca, etj.) tek Porta e Lartë (Stamboll) iu dha Malit të Zi me koncesion për 100 vjet qyteti-port i Ulqinit. Ky mandat ka mbi tre dekada që i ka skadue afati, ndal organizma civile kombëtare si LSHN prej kohësh kërkojnë që si hap i parë qyteti i Ulqinit të jetë "Qytet i Lirë në mes Shqipërisë e Malit të Zi".
Kjo është një ndër ato arsyet që kryelideri malazez, Milo Gjukanoviçi, erdhi me devizën "elektorale" politike shovene "Naprijed Përpara!" në Ulqinin shqiptar, me tokë e popullsi etnike shqiptare, në përvjetorin e 136-të të pushtimit të tij të parë nga Mali i Zi, nga Krajl Nikolla (19 janar 1878).

Gjithësesi më keqvjen që ministri i Jashtëm i Shqipërisë Londineze, paraqitur si pasardhës i dinastisë i Bushatllinjëve të Shkodrës, me pesë degë krahëhapta dendur, gjen "kohë absurde"(!) të vijnë për vizitë zyrtare në kryeqëndren e Malit të Zi, në Podgoricë, më 23 janar 2014. E para, vizita e tij përkon me 136 vjetorin kur Mali e Zi e pushtoi Ulqinin (19 janar 1878) e brenda javës ndalen në brigje të Bunës të Shkodrës. E dyta, ndoshta jo rastësisht, vjen një ditë pas mitingut elektoral të Gjukanoviçit në Ulqin, që kërkon t'ua marrin pushtetin lokal shqiptarëve të atyshëm etnik në Ulqin...

5.
Ajo devizë krajliane shovene antishqiptare e Gjukanoviçit në Ulqin në mitingun elektoral të 22 janarit 2014 nuk është rastësi, po strategji rreth një shekull e gjysëm e shprehur në mendim e veprim tek Hymni malazez i Krajl Nikollës ("Përpara!", 1867).

Jo vetëm malazezët e serbët, po edhe boshnjakët (komunitet ardhacak e një pjesë shqiptarë të asimiluem) në Mal të Zi një variant të Hymnit "Përpara" të krajl Nikollës e (për)kthyen në boshnjakisht në fillim të shek. XX dhe e kishin Hymn si kangë e veprim për të çlirue edhe Sanxhakun Shqiptar nga Hasburgët. Sa për dijeni, në shek. XXI, Sanxhaku Shqiptar (Tregu i Ri), tokë etnike shqiptare, gati sa Kosova e sotme, keqndahet në dy shtete: komunat Plavë-Guci, Rrozhaja, Plevlje, Bijello Polje, Berana, Petnjica në anën e shtetit të Malit të Zi dhe komunat Pazari i Ri, Tutini, Sjenica, Prijepolje, Nova Varosh në anën e shtetit të Serbisë.

Ky Hymn është këndue nga pushtuesit e Malit të Zi në tetor 1912 kur sulmuan përgjakshëm jo vetëm Bregdetin Ulqinak, Ultinën e Podgoricës, po edhe në rrethimin e gjatë të Shkodrës e në Portin e Shëngjinit, si edhe Grupimi i Lindjes i serdar Janko Vukatiç (ish kryeministër i mbretërisë së Malit të Zi nga 8 maj 1913 deri 16 korrik 1915) që pasi pushtoi Majkovacin, Bijello-Poljen, Beranën, Plavë-Gucinë, Pejën dhe në fillim të dhjetorit 1912 hynë në Gjakovë po u detyruan me e nda në dy zona influence me serbët, biles serbët e Beogradit ua ndalën edhe turrin për me e pushtue Prizrenin e ëndrrës së tyne krajlnore për me e kthye në kryeqendër të Malit të Zi.

Deviza e Gjukanoviçit "Përpara", në dukje elektorale, po gjithësesi devizë shovene ndaj shqiptarëve nga krajl të vjetër e të rinj malazezë të të gjitha kohërave historike e ngjyrave politike, nga Krajl Nikolla, nga tre mbretërit serbë të dinastitë të Karagjorgjeviçëve, nga J.B. Tito e, në tre dekadat e fundit, Milo Gjukanoviçi.

Në kohën e Titos, më 13 korrik 1946, Podgorica (Titogradi) u kthye zyrtarisht në kryeqënder të Republikës së Malit të Zi, çka edhe Gjukanoviçi, pas Referendumit të 21 majit 2006 për shpalljen shtet sovran i pavarur, me nenin 5 të Kushtetutës së re të 19 tetorit 2007 e sanksionoi Podgoricën si "qytet kryesor" (ku ndodhet selia e Kryeministrisë) dhe Çetinën si "qytet i Fronit" (ku ndodhet Presidenca e Kuvendi).

Natyrisht, "qyteti i Fronit", Çetina, na kujton Krajl Nikolla I, autori i Hymnit "Përpara!", i cili ia rriti me rreth 10.000 km2 sipërfaqe territorin principatës e mbretnisë së tij të Malit të Zi. Kurse "Qyteti kryesor", Podgorica, është selia e "krajlit të ri", Milo Gjukanoviçit, i cili e ka kryefjalë politike shovene Hymnin e Krajl Nikollës, siç duket faqe botës edhe në mitingun e para disa ditëve në Ulqin.

Nuk ka asnjë ndryshim në mes tyne: Krajl Nikolla I me politikat e tij të shumfishta ia mbrrini të pushtojë e aneksojë gjeo-politikisht territoret etnike shqiptare, ndërsa Gjukanoviçi ka të njëjtat politika: don t'i asimilojë shqiptarët etnikë nën Malin e Zi. Kjo duket në orvajtjen e prejkohshme edhe atë të 22 janarit 2014 në Ulqin për marrjen e këshillit komunal të Ulqinit. Kjo duket në hapat vendomor për ndamjen e Plavë-Gucisë në dy komuna në shkurtin e këtij viti. Kjo duket me lojën me statusin komunal të Tuzit nën Podgoricë. Kjo duket në çdo hap e fjalë, në çdo kohë e veprim të kryeministrit e kryesocialistit Milo Gjukanoviç.

Hymni krajlnikollian "Përpara!" është ende në veprim solid e aktiv nga politika malazeze gjukaniviçiane, është kryefjalë e kryehap i shovinizmit malazez ndaj shqiptarëve nën Mal të Zi e drejt Shkodrës të Shqipërisë Londineze, drejt Prizrenit në Kosovën euro-atlantike, drejt Tregut të Ri (Sanxhakut Shqiptar) në Serbinë e sotme.

Hymni krajnikollian "Përpara!" është sot Hymni i Partisë Popullore, ma e vjetra parti në Malin e Zi, e themelueme në vitin 1980 dhe e rindërtuar më 1990 e 1997, ish aleate e hershme e Gjukanoviçit, antare në ndonjë organizëm europian, përkrah Dinastinë Petroviç-Njegos të Krajl Nikollës, e konsiderojnë Malin e Zi shtet kombëtar serb, etj.

Jo ma larg se në vitin 2009 në Kampionatin Boëtror të Vaterpolit në Romë, në ndeshjen në mes Malit të Zi dhe Kinës tifozët malazezë e kënduan masivisht Hymnin krajlnikollian "Përpara!".

Gjukanoviçi e dinë fort mirë se në vitin 1992 kur ishte kryeministër i Malit të Zi në Jugosllavinë Federale (drejt shpërbërjes) u krye një orvajtje, e para pas Rënies së Murit të Berlinit, për ta kthye Hymnin "Përpara!" të Krajl Nikollës në hymn zyrtar të Malit të Zi. Prapë Gjukanoviçi e dinë fort mirë se në vitin 2003 u krye orvajtja e dytë zyrtare për ta kthye Hymnin "Përpara!" në Hymn të Unionit Serbi e Mali i Zi. Sigurisht Gjukanoviçi e dinë fort mirë se ende në shtetin e Malit të Zi ka forca të caktuara të politikës e shoqërsie civile që e duan Hymnin krajlnikollian si Hymn zyrtar të Malit të Zi. Biles, Gjukanoviçi, kryeministri mandatshtatë, është pjesë e kësaj "loje politike", e mban ende të gjallë, e hedh në veprim politik shoven si në rastin e fundit më 22 janar 2014 në komunën shqiptare në Ulqin. Krajl Nikolla i ri. Gjukanoviçi, lideri i përkdhelun i Europës Perëndimore e Lindore, i Tiranës e Prishtinës; në "emër të demokracisë", me forcen e pushtetit të tij politik e ekzekutiv apsolut, me demagogjinë e dredhitë e tij ndaj fqinjëve e ndërkombëtarëve, tue shfrytëzue në maksimum servilizimnin politik të disa politikanëve e disa partive politikake shqiptare nën Malin e Zi; po e ringjall në Ballkanin e ultranacionalizmave shpërthyes edhe shovinizimin e përjetshëm malazez ndaj shqiptarëve etnikë nën Malin e Zi, po e ringjall Krjal Nikollën e vjetër jo vetëm me hymnin e tij krajlnikollian.

RAMIZ LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.