VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË KËRKIM TË MODELEVE PËR NJË SHOQËRI NË KRIZË
Nga MENTOR KIKIA

E Martë, 01.28.2014, 03:34pm (GMT1)


Cili është modeli, kush është njeriu-model apo grupi-model që duhet t'i shërbejë sot shoqërisë? Kush është idhulli i të rinjve dhe çfarë ofrojmë ne sot përmes medias, filmit apo formave të tjera të komunikimit masiv?

Pjesën dërrmuese të kohës në këto mjete komunikimi e zënë politikanët, madje ai soj të cilit edhe kur i thua që je akuzuar se ke vjedhur apo kë bërë këtë e atë, ai zgërdhihet, pasi nuk ka më asnjë lloj cipe. Por jo vetëm. Ne ofrojmë edhe kriminelët. Besoj e kujtoni të gjithë sesi në faqet e para të gazetave tona janë shfaqur me radhë intervistat me elitën e të burgosurve si Zani Çaushi, Gaxhai, Jaho Salihi, Dritan Dajti etj., etj., e deri së fundmi një pervers që deklaron nga burgu se sa gra ka përdhunuar dhe sa femra ka pasur dashnore. Në ndihmë të medias vihet edhe filmi, televiziv apo kinematografik. Edhe pse i gatuar me paratë e taksapaguesve, me fonde të shtetit pra, në qendër të këtyre filmave, në pjesën dërrmuese për të mos thënë tërësisht, janë historitë tragjike me emigrantë, histori me trafikantë droge e prostitutash, histori të vajzave të shfrytëzuara e dhunuara, histori me personazhe ca dhëndurë që martohen me shkuesi e daulle në fshatin e tyre, e më pas e fusin gruan në skuadrën e femrave të rrugës në Milano a Paris.

Por edhe muzika. Po, edhe këtu devijimi moral është derdhur rrugëve. Kushdo mund të bëhet këngëtar i suksesshëm. Mjafton të vjedhësh një tekst dhe një muzikë nga ndonjë palo "producent" që i shet për 3 mijë euro dhe teknologjia të mundëson edhe përpunimin e zërit dhe ja ku u bëre edhe këngëtar. Ca para mënjanë edhe për moderatorin e një emisioni televiziv, dhe ja ku u bëre edhe i famshëm, pra VIP. Mjafton të bësh edhe ca foto kur je në plazh, i dërgon direkt në redaksinë e gazetave edhe del edhe në suplementet e të dielave, me dashnoren apo dashnorin e ri, sikur të kanë fotografuar paparacët. Edhe ky është një soj modeli tjetër që i ofrohet sot shoqërisë. Modeli i vjedhjes dhe blerjes së imazhit.

I gjithë ky deformim është sot shkaktari kryesor i një krize morale që ka mbërthyer shoqërinë tonë, dhe veçanërisht brezin e ri. Për këtë arsye sot si model nuk shërben njeriu i suksesshëm, i aftë dhe i ndershëm, por ai maskarai që përmes trafikut, vjedhjes, korrupsionit apo çfarëdo gjejë tjetër, arrin të pasurohet shpejt dhe ndërron makinat çdo muaj. Shërben ajo femra që suksesin e arrin përmes trupit dhe jo mendjes. Përmes kësaj menuje që ofron e gjithë ushtria e mjeteve të komunikimit masiv, kemi deformuar pikërisht modelin njerëzor e social të referimit.

Këtij deformimi që kemi prodhuar edhe ne mediat, po i ndihmon fort edhe mjedisi që ka prodhuar vetë politika. Shumica e adoleshentëve sot në gjimnaz nuk mendojnë se duhet të mësojnë, të ndjekin universitetin, të specializohen, të gjejnë një punë që të bëhen të zotët e vetes. Jo, jo, shumica mendojnë se rruga më e shkurtër drejt suksesit është të futen në Forumin Rinor të PS-së, LSI-së apo PD-së dhe kështu mbarojnë punë edhe me masterin edhe me specializimin. Sepse shumica e njerëzve që sot gëzojnë një vend pune komod dhe një status publik e kanë siguruar jo përmes zotësisë, por pikërisht përmes përfshirjes në politikë.

E riktheva trajtimin e kësaj teme, pasi të shtunën në mbrëmje, në televizionin "ABC News", kolegu ynë Ferdinand Dervishi kishte sjellë në vëmendje një histori shumë emocionuese. Stafi i Bankës së Kursimeve në Sarandë, në vitin 1997, kur shteti ra dhe vendi ishte nën terrorin e bandave të armatosura, kishte ndërmarrë një aventurë të çmendur, për të shpëtuar paratë e bankës, pra kursimet e qytetarëve. Punonjësit e saj, pasi kishin firmosur një procesverbal, kishin lidhur në trup, ashtu siç kamikazët lidhin eksplozivët, tufat e parave duke veshur rrobat përsipër dhe i kishin nxjerrë nga banka për t'i fshehur. Ndërsa drejtori, i veshur si hallexhi e duke imituar një njeri me probleme mendore, fut në një thes të lyrosur valutën (dollarët) dhe duke vënë kokën në rrezik, kalon përmes bandave nga njëri fshat në tjetrin dhe arrin t'i depozitojë paratë në bankën greke në Janinë. Për t'u ardhur në ndihmë pensionistëve që kërkonin pagat, po ky drejtor ndërmerr aventurën për t'i sjellë paratë nga Tirana ku duhej të kalohej sërish përmes bandave. Një polic i plagosur rëndë për këtë arsye dhe një qytetar që kishte venë shtëpinë në dispozicion të bankës, pasi vetë banka ishte djegur.... Dhe në fund paratë ishin kthyer në bankë pa asnjë humbje dhe shërbimi njerëzve nuk i mungoi.

Këta ishin heronjtë që sillte kolegu Dervishi. Në fakt gazetarët kishin sjellë në vëmendje shumë histori me kriminelët e 1997-ës, sa dhe si kishin vrarë. Por në fakt na kishin munguar të tilla histori, na kishin munguar të tillë njerëz. Ky është modeli i shoqërisë që duhet të na shërbejë, ky është modeli që duhet ofruar për të treguar se shoqëria nuk është përbërë e tëra nga llumi, edhe pse llumi është më i dukshëm, pasi qëndron në sipërfaqe për shkak se ka dendësinë më të vogël.
Këta janë edhe personazhet që duhet të shpallen qytetarë nderi nga bashkitë e komunat dhe jo politikanët, para dhe pas vdekjes. Historitë e këtyre njerëzve duhet të bëhen publike që të frymëzojnë të rinjtë që mendojnë të jetojnë në këtë vend, por edhe për t'ia përplasur në fytyrë politikës, që një njeri që ka vënë kokën në rrezik për të shpëtuar bankën e shtetit, e flak në rrugë sepse nuk kishte teserën e partisë që mori pushtetin pas vitit 1997.
MENTOR KIKIA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.