VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zgjedhjet e parametrave perëndimorë i japin fund tranzicionit në Shqipëri
E Martë, 01.27.2009, 05:25pm (GMT1)

 

 

Editorial (Voal-online) Shqipëria e ka siguruar tashmë pranimin në Paktin e Atlantikut Verior (NATO). Pas pak më shumë se dy muajsh ky vend do të jetë anëtar me të drejta të plota i aleancës ushtarako-politike më të madhe e më të suksesshme të të gjitha kohërave.

Miratimi i Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit (MSA) të Shqipërisë me Bashkimin Europian (BE) nga ana e 27 vendeve anëtare të këtij institucioni përbën një hap tjetër të madh drejt integrimeve të mëtejshme perëndimore. Këto janë dy arritje të matëshme dhe konkrete të Shqipërisë, të kurorëzuara vitet e fundit. Si të tilla kanë rëndësi dhe peshë edhe që vendi të shkojë i sigurt drejt përmbylljes së fazës së tranzicionit, e cila ka zgjatur aq shumë dhe është shoqëruar me dhimbje sa në asnjë vend tjetër europian të ish kampit komunist. Por ato nuk e përfshijnë në kuadrin e vet përmbylljen e mirëfilltë të këtij tranzicioni. Vetëm nëse zgjedhjet e qershorit zhvillohen në parametrat më të kënaqshëm perëndimorë, atëherë de fakto Shqipëria i jep fund trazicionit. Pastaj pritet që vetëm de jure kjo fazë të marrë fund dhe Shqipëria të jetë përfundimisht anëtare e familjes së madhe europiane dhe veriatllantike. Zgjedhjet e parametrave perëndimorë janë plotësisht të realizueshme në Shqipëri. Nuk ia mohon askush klasës së sotme politike të vendit që, në tërësi, të krenohet se, sado vonë, ky vend po hedh hapain vendimtar të premtuar shqiptarëve në dhjetorin e vitit 1990. Nëse kjo klasë politike nuk e sheh zhvillimin e tillë të zgjedhjeve të qershorit dhe nëse secili faktor e sheh këtë përsëri si rast të leverdishëm thjesht për partinë, klanin apo cilëndo përkatësi tjetër në krye a në përbërje të të cilit ndodhet ai (faktor), atëherë në klasë ngelet Shqipëria. Përpjekjet për përfitime segmentare, si ato të derisotme, do ta vonojnë edhe më tej tranzicionin dhe anëtarësimi në NATO apo kandidimi për në Bashkimin Europian nuk do të sjellë asnjë nga dobitë e pritura prej shqiptarëve gjatë këtyre rreth njëzet viteve tashmë në tranzicion.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.