E Premte, 04.19.2024, 11:53am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
AKSIDENTET RRUGORE - OSE NGA T'IA NISIM MË PARË
Nga MENTOR KIKIA

E Enjte, 02.13.2014, 11:15am (GMT+1)


Qeveria ka bërë të ditur ditët e fundit marrjen e disa masave, 60 në total, që do të synojnë të frenojnë numrin e madh të aksidenteve rrugore. Në këtë nismë janë përfshirë Ministria e Brendshme dhe ajo e Transporteve, për të kuruar, sa kuadrin ligjor, aq edhe situatën problematike në sistemin rrugor.

Fundjava që u mbyll ishte mjaftueshëm tragjike, me 11 të vdekur e 9 të plagosur, për të justifikuar edhe më tej masat drastike që të martën u lançuan pjesërisht nga ministrat Tahiri dhe Haxhinasto, ku një ndër kryesoret ishte ndalimi i transportit të udhëtarëve përmes furgonëve.

Sa herë numri i viktimave e tejkalon "normën" dhe të gjithë japim alarmin, policia derdhet nëpër rrugë duke vendosur postblloqe në çdo 1 kilometër. Por pyetja që bëhet është kjo: A frenohen aksidentet rrugore vetëm me policë me blloqe gjobash në duar? Edhe pse mendoj se kjo është një mënyrë për të disiplinuar qarkullimin, kjo nuk është e mjaftueshme. Madje kjo është sipërfaqësore dhe më shumë përdoret, pasi është masa më e shpejtë që mund të merret dhe masa që prodhon më shumë imazh. Për këtë arsye, masat që qeveria ka planifikuar të marrë duhen përshëndetur. Megjithatë është koha që të bëhet një analizë e problemeve që shfaqen realisht dhe që prodhojnë këtë situatë dhe që, padyshim, nuk zgjidhen vetëm me forcime të ligjit, siç parashikohet edhe në disa prej masave që qeveria po harton.

Po rendisim disa, ndoshta jo për nga shkalla e rëndësisë.

- Mënyra e pajisjes me lejen e drejtimit. Në Shqipëri është bërë e modës që mund ta blesh diplomën e një universiteti, si tek privati, ashtu edhe tek publiku. Padyshim që kjo i shkakton dëm vendit, pasi mbushen zyrat me njerëz të paaftë. Por, po ashtu, në mos më keq, janë shitur për vite e vite me radhë, lejet e drejtimit të automjeteve, ose patentat, siç u themi ne. Autoshkolla që licencohen pa asnjë kriter dhe që veprojnë pa asnjë kontroll, u shndërruan në tregtare patentash dhe i mbushën rrugët, jo thjesht me njerëz të paaftë, por me vrasës. Shoferët e vjetër e dinë mirë se çfarë kursesh duhej të ndiqnin për ta marrë patentën në kohën e tyre. Ndërsa ata që jetojnë jashtë Shqipërie, e dinë se sa përgatitje duhet për ta marrë në vendet e tjera. Në këto kushte, nuk mjafton kontrolli policor për të parë nëse e ke patentën apo jo, pasi ai nuk vërteton dot se si e ke marrë atë. Pikërisht, në këtë drejtim, është e nevojshme që ashtu siç po punohet për të rankuar shkollat e larta, të bëhej edhe rankimi i autoshkollave.

- Licencimi i transportit të udhëtarëve. Shoferi që shkaktoi tragjedinë në Kukës ishte vetëm 21 vjeç. Pyetja e parë që të vjen në mendje është se, kush e licencoi atë si shofer për transportin e udhëtarëve? Derisa ka një kategorizim të lejeve për drejtimin e veturave, furgonëve, autobusëve, kamionëve, trenave..., përse një çunak lejohet të mbushë furgonin me njerëz e të udhëtojë? Ai, ose ka pasur një leje abuzive, ose nuk ka pasur hiç. Qeveria ka vendosur të ndalojë furgonët në linjat ndërqytetase, por në zonat rurale ata do të jetë mjeti i vetëm i transportit publik.

- Cilësia e automjeteve. Shqipëria vazhdon të jetë ende një vend që përdor makinat e vjetra të Europës, pasi kushtet ekonomike nuk na lejojnë të blejmë të reja. Por shteti duhet të kujdeset që këto hekurishte të mos përdoren, së paku, edhe si furgonë apo autobusë. Po ashtu, përtej një kontrolli teknik një herë në vit, ne e dimë të gjithë që vendi është mbushur me "servise" ku çdokush që "i vjen për duarsh" kjo punë, hap një ofiçinë dhe ofron shërbimin e riparimit të automjeteve. Shteti kujdeset që t'i marrë vetëm taksën atij si biznes i vogël dhe nuk kujtohet të pyesë nëse ai ka personelin e duhur inxhiniero-teknik për ta ofruar këtë shërbim. Është njësoj si ai që hap një spital, dhe duhet patjetër të ketë mjekë e kirurgë në organikë. Edhe ai që ka në pronësi servisin e makinave është pak a shumë një spital. Në Shqipëri mund ta riparosh makinën dhe askush nuk të jep një certifikatë garancie për atë që është riparuar.

- Shoqëritë e transportit të udhëtarëve. Edhe këto janë biznese që mjafton të paguajnë taksat në shtet dhe janë në rregull. Kur në Himarë një autobus doli nga rruga dhe shkaktoi 12 viktima, policia e përkufizoi si gabim njerëzor. Shoferi vdiq dhe bashkë me të edhe gabimi. Më pas mediat treguan se familjarët e shoferit kishin thënë se në mbrëmje vonë ai ishte kthyer nga Korça dhe në mëngjes herët u nis për në Sarandë. Shoferi mund të ketë qenë i lodhur, dhe padyshim që po, por pronarit nuk i intereson lodhja, ai e mban në punë atë 18 orë. Ndërsa në Tiranë, nga një kontroll teknik rutinë, kishte rezultuar se gati gjysma e autobusëve të transportit publik kishin pasur probleme teknike, pasi ose janë të vjetër, ose nuk mirëmbahen për arsye kostosh.

- Cilësia e rrugëve. Ky është edhe problemi më i debatueshëm, sepse këtu futemi në zonën e politikës. Investime elektorale, apo punime shkel e shko për t'u prerë shiritin në prag zgjedhjesh. Rrugë, në Shqipëri, quhet një sipërfaqe toke e mbuluar me asfalt dhe me dy viza anash e një në mes, e ku sinjalistika është një luks. Ndërsa për ndriçim as që bëhet fjalë. Rrugët janë në përdorim, edhe pse janë ende në ndërtim dhe natën kudo mund të hasesh në gropa, pirgje zhavorri, blloqe e pengesa betoni, pa e ditur që janë aty. Madje pasi përplasesh me to, kupton se duhej të kishe ndërruar korsi, sepse në atë që ti udhëton po bëhen punime. Pra shkurt, në vend të një shenje që të bëjë dritë natën e të tregojë se aty punohet, të vënë përpara një metër kub beton të ngrirë. Në Tiranë, para pak vitesh humbi jetën një natë prefekti i Vlorës, makina e të cilit hasi në një pirg betoni e zhavorri në mes të rrugës, ku po ndërtohej një mbikalim. Asnjë shenjë që aty kishte një pengesë. Policia tha se ai ishte me shpejtësi. Po në Tiranë, në hyrje të lagjes Kombinat një i ri humbi jetën, një natë, pasi makina e tij ra në një gropë që kishin hapur punëtorët e Elektrikut. Asnjë shenjë paralajmëruese se aty kishte një gropë. Sërish raporti i policisë tha se fajin e kishte shpejtësia. Edhe pas kësaj, askush nuk u penalizua, askush nuk vuri sërish sinjalistikë dhe gropa u mbyll pas disa javësh, kur mbaroi punë ndërmarrja elektrike dhe kur në gropë kishin rënë edhe të tjera makina, por pa fat tragjik. Ata që jetojnë jashtë Shqipërie e dinë se edhe kur punëtorët në rrugë hapin kapakun e një pusete për të riparuar një kabllo, paralajmërojnë së paku 300 metra përpara. Sikur të mos mjaftojnë këto, ne i japim të drejtë vetes që nëse na duhet të shtrijmë një kabllo elektrike për lokalin e ri në anë të rrugës, e hapin aty për aty një kanal mes përmes rrugës, sikur ajo të ishte oborri i shtëpisë sonë.

- Papërgjegjshmëria qytetare. Kjo u vë kapak të gjitha arsyeve që renditëm më lart. Njerëz që pinë dhe s'e kanë për gjë të marrin edhe familjen e të nisen për udhë, të bindur se nuk janë të dehur (asnjëherë i dehuri nuk e pranon se është i dehur). Njerëz që e dinë se kanë makinën me defekt, por nisen për udhë "me kësmet" se do të më shtyjë edhe kësaj radhe. Njerëz që nxitojnë të hipin në një furgon udhëtarësh edhe kur e shikojnë se shoferi është një adoleshent, apo qelbet erë alkool, me arsyetimin se, ata që kanë hipur ndërkohë, nuk janë budallenj. Në fakt janë të gjithë të tillë.
Disa prej këtyre problemeve mund dhe duhet të zgjidhen nga policia rrugore, por shumica jo, nuk zgjidhen as me postbllok, qofshin edhe me armë, e as me blloqe gjobash. Kjo gjendje e rëndë është tregues i një shteti që nuk funksion në shumë mekanizma të tij. Vetë shteti është si një makinë e vjetër, së cilës i kërcasin të gjithë hekurat dhe që duhet zbërthyer e montuar nga e para.

MENTOR KIKIA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Polemikë për 4 shkurtinREPLIKË ME NJË 'HISTORIAN'Nga RESHAT KRIPA (02.12.2014)
SHPEND MOS U ÇMENDNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.12.2014)
DY MUNGESA SHQIPTARE NË UASHINGTONNga RAMIZ LUSHAJ (02.12.2014)
PËRRALLA PËR NËNË TEREZËN DHE KODRËN E TRIMAVENga GANI MEHMETAJ (02.11.2014)
KONGRESI AMERIKAN GJITHMONË PRANË KOSOVËSMe rastin e 6-vjetorit të PavarësisëNga FRANK SHKRELI (02.11.2014)
PUSHTETARËT PO E MBYSIN KINEMATOGRAFINËNga GANI MEHMETAJ (02.10.2014)
QË JETA JONË TË MOS JETË NË DORËN E MAFIESNga AFRIM KRASNIQI (02.09.2014)
A ËSHTË UKË RUGOVA DJALI PLANGPRISHËS?! DYSHOJ!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.07.2014)
GAZETARËT E PËSOJNË KEQ NË UKRAINËNga FRANK SHKRELI (02.07.2014)
MALËSIA NËN MAL TË ZI KA ME SHPËRTHYE SI “MITROVICË”APO DO TË KTHEHET NË ÇAMËRI?! JANUSI DYFYTYRËSH NË PORTËN E ULQINITNga RAMIZ LUSHAJ (02.05.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]