VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

POLITIKA GREKE NË BALLKAN
Nga FRANK SHKRELI

E Premte, 02.21.2014, 09:05am (GMT1)


 
Këtë javë, zëvendës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Greqisë,  Zoti Evangelos Venizelos po bën një turne në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kapacitetin e tij si President i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.  Zoti Venizelos, sipas Ministrisë së jashtme greke, vizitoi të hënën Beogradin ku u takua me udhëheqsit më të lartë të Serbisë, dhe një ditë më vonë ai qëndroi në Podgoricë për takime me udhëheqsit malazezë.  Ai gjithashtu vajti në Sarajevë dhe u ndalua edhe në Prishtinë për një vizitë të shkurtër ku u takua me Kryeministrin, Zotin  Hashim Thaçi dhe me Ministrin e Jashtëm, Zotin Enver Hoxhaj. Nga Prishtina, zyrtari i lartë grek shkoi në Shkup ku zhvilloi takime me udhëheqsit e atij vendi, përfshirë edhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zotin Ali Ahmeti.   Nga Shkupi ai udhëtoi për në Tiranë ku, sipas Ministrisë së Jashtme greke,  ai do të takohet të premten me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare, përfshirë Kryeminstrin Edi Rama, "vetëm për vetëm", ose "kokë më kokë", sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme greke, e që do të pasohet me takime të tjera përfshirë Ministren për Integrimin Europian, Klajda Gjosha, presidentin, Zotin Bujar Nishani,  kryeparlamentarin, Zotin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demorkatike në opozitë, Zotin Lulëzim Basha.    Në njoftimin e Ministrisë greke të Punëve të Jashtme theksohet gjithashtu  fakti se në agjendën e  zyrtarit të lartë grek në Kryeqytetin shqiptar është edhe darka ku "do të  marrë pjesë Kryepeshkopi  Anastasios i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë", thekson njoftimi i Ministrisë greke. 
 
Duhet pritur për të parë se cilat janë përfundimet e vizitës së Zotit Venizelos në Tiranë, por nga ato që janë njoftuar deri tani nga vizitat e kësaj jave në kryeqytete të tjera të Ballkanit, politika e jashtme greke karshi  këtyre vendeve, sidomos karshi Serbisë dhe shqiptarëve, është e njëjta si gjithmonë, kryesisht në favor të Serbisë dhe jo në favor të shqiptarëve.  Në Prishtinë, ai u deklarua se është në favor të integrimit të Kosovës, por dihet se Greqia  është njëra prej pesë vendeve të Bashkimit Europian (BE) që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ai njëkohësisht tha se vendi i tij nuk do e pengojë Kosovën në rrugën e saj drejtë integrimeve euro-atlantike, ndërsa ai nuk u prononcua se si presidente e BE-së për gjashtë muajt e ardhëshëm, Greqia nuk do e ndihmojë Prishtinën drejtë integrimit europian.   As nuk e pengon as nuk e ndihmon!
 
Ndërsa në Beograd, aty ku edhe e filloi turneun e tij, sipas medias vendase, Zoti Venizelos në takimet e tija me udhëheqësit serbë, tha se Athina do të bëjë çdo gjë të mundur për të ndihmuar Serbinë drejtë integrimit europian, megjithëse, Zoti Venizelos, si president i Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së, e di se një prej kërkesave themelore të BE-së për pranimin e Serbisë është pikërisht normalizimi i marrëdhënjeve të saj me Kosovën.  Në të vërtetë për sa kam mundur të shoh në shtyp, nuk kam parë se në bisedimet e tija në Beograd te jetë  përmendur kund fjala ''Kosovë'', megjithëse ka  mundësi të jetë censuruar nga vet media.  Gjatë vizitës së tij në Beograd, Zoti Venizelos ra dakord me udhëheqsit e serbë, se Serbia nuk ka mik më të madh se Greqinë në Bashkimin Europian dhe njëkohësisht ata theksuan investimet e mëdha që Greqia ka derdhur në Serbi gjatë viteve.  Ata njëherazi njoftuan marrëveshjen për një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, gjatë këtij viti.
 
Ndërkaq, revista e njohur britanike, The Economist njofton sot se akuzat për zbulim korrupsioni në sektorin publik grek vazhdojnë duke thënë se kësaj radhe akuzat i drejtohen Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila sipas  The Economist, ka keqpërdorur fondet e dhëna grupeve jo qeveritare greke që veprojnë jashtë vendit, kryesisht në rajonin e Ballkanit.  Sipas revistës  britanike shumica e këtyre enteve jo qeveritare nën umbrellën e organizatës "Ndihma Helene", u themeluan me aprovimin e ish kryeministrit  Xhorxh Papandreu, nga viti 2000 deri më 2008.  Revista Economist thotë se dyshohet se disa prej këtyre fondeve mund të kenë shkruar drejtë mbrojtjes dhe strehimit të kriminelit  të luftës serbo-boshnjakut  Radovan Karaxhiq, kur ai ndiqej nga forcat e NATO-s për tu arrestuar për krime lufte.  Revista britanike shkruan, për atë që ishte e qartë gjatë luftërave në ish- Jugosllavi se, "aktivistë të Pasokut (Partia e Papandreut) ishin mbështetës të fortë të serbëve gjatë shpërbërjes së Jugollavisë.'', ndërsa shton revista se, "gjatë kohës që Andreas Papandreu (I ati i Xhorxh Papandreut) ishte kryeministër i Greqisë, partia Pasok furnizoi regjimin e Slobodan Millosheviqit me ndihma financiare dhe teknike, dhe se deri në arrestimin e tij, Karaxhiqi pritej me krah hapur nga zyrtarët grekë në Athinë.   Revista The Economist thotë se Xhorxh Papandreu përgnjeshtron të ketë bërë ndonjë gjë kundër ligjore.
 
Duke u bazuar në historinë e re dhe të vjetër të Ballkanit, politika e jashtme greke ka nevojë për një ushtrim vullneti më të mirë dhe për një transparencë  më të madhe në marrëdhëniet me vendet Ballkanit Perëndimor, por sidomos ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, në qoftë se me të vërtetë Athina dëshiron që -- siç tha edhe vet Zoti Venizelos -- të çojë përpara perspektivat europiane dhe euroatlantike për rajonin. Atëherë kjo duhet të bëhet për të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim, si një hap i rëndësishëm  që e kërkon koha tashmë, për stabilitetin dhe paqën në rajon dhe në kon tinetin europian.

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.