E Djelë, 09.22.2019, 04:58pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
QYTETARIA KËRKON LIDERIN
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Shtunë, 02.22.2014, 08:15am (GMT+1)



    1.
    Marshimi i protestës qytetare me 20 shkurt 2014 eci nga krye Sheshi Skënderbej, në dy krahët e Hotel Tirana International, drejt Bashkisë së Tiranës, metropolit shqiptar, tue ndal hap çvendosjen për rreth saj. Si asnjëherë tjetër. Aty ndalen tepër gjatë, ashtu në heshtje të pazakontë. Asnjë thirrje kundër Atij, Enverit, që ia rrëzuan shtatoren dhe e tërhoqen zvarrë 23 vite ma herët. Asnjë thirrje as kundër Këtij, të riut, Edit, që ka plot 23 javë si kryeministër i të majtës qeverisëse. Asnjë thirrje as pro opozitës.

    Kodi ishte i lexueshëm. Simbolika e qartë.  Akti i hapur. Qytetarët dhe Qytetaria, si një të vetëm, mbi 150 mijë protestues po kërkonin liderin e tyre: Lulzim Bashën.

Qytetaria e metropolit shqiptar, pas këtij 20 shkurti 2014, po iu bante të ditun kohës e demokracisë dhe (ndër)kombëtarëve se lideri Lulzim Basha nuk është i vetëm përballë mazhorancës apo kujtdo tjetër, se nuk munden t’a fusin në rrethime e rrethatime as (o)pozita e sotme, se e duam sa më shpejt në ballë të pushtetit...

    Qytetaria kërkon Lulzim Bashën, si personalitet i dimensioneve euro-atlantike dhe si  kryetar i opozitës së sotme. Një privilegj për çdo lider në dy anët e Atlantikut. Një realitet për Lulzim Bashën, kryebashkiak i Tiranës, “Qytetar Nderi” i Prishtinës, “Qytetar i Lirë” i Londrës, një “Yll në ngjitje”, “Golden boy i Demokracisë”, “princ i integrimeve euro-atlantike”.

    2.
    Triptiku politiko-demokratik euro-perëndimor: marshim-protestë-miting i 20 shkurtit 2014, veçmas për liderin Lulzim Basha e kryesisht për Partinë Demokratike të pas 23 qershorit  dhe 22 korrikut 2013, sidomos edhe për Opozitën e Bashkuar, ishte nevojë e pakapërcyeshme e kohës, provë e vështirë e politikës, barometër i (pa)pritun, lartësi e re qytetare e politike, etj.

    Kuota e standardet e këtij Triptiku të 20 shkurtit 2014 formojnë një mal opozitar që nuk mund të thyhet e kapërcehet lehtë nga mazhoranca qeverisëse problematike, e cila duhet t’i bajnë llogaritë mirë e shpejt për Vete e për të Tjerët, përpara përballjes me qëndresën popullore, me ortiqet demokratike.

    Mazhoranca e sotme qeverisëse Rama-Meta ka mbetë duke hapë “gropa” kombëtare, demokratike, diplomatike, politike, sociale, financiare, etj., duke këput “ura” të bashkëpunimit, konsensusit, etj. me opozitën, ndaj të cilës kryen politika përjashtuese, pushtuese, diversioniste dhe një luftë bio-politike e “gene-politike”.

    Historia ka shembujt e vet: 20 shkurti 1991 çoi tek marsi i parë i brishtë i ’91-shit dhe tek marsi i dytë qëndrestar e popullor i ’92-shit. Njejtësisht, edhe 20 shkurti i vitit 2014 mund ta çojnë maxhorancën e majtë tek një tjetër qershoriadë e dytë, kësaj rradhe një qershor humbës.

    3.
    Bota euro-atlantike pa me sytë e saj se Marshimi i Protestës në kryeqëndren shqiptare, në Tiranën zyrtare, ishte krejt ndryshe nga ato në vende Euro-Lindore si në Ukrainë apo në vende Euro-Mesdhetare si në Greqi, krejt ndryshe edhe nga shtete ballkanike si Bosnje-Hercegovina e Mal të Zi, të cilat kanë pasë protesta e përplasje politike ekstreme e të përgjakshme.

Shumkush, në analiza e komente ndërplanetare nistuan me iu vnue emra nga ma të ndryshmit si “Pranvera Ballkanike”, etj., por Marshimi i Protestës i 20 shkurtit 2014 ka vetëm një emër, atë të liderit të ri demokrat, emrin e Lulzim Bashës.
Kjo për tri arsye themeltare e lartimore: kishte Frymën Basha, paraqiti Imazhin Basha, i dha kohës Modelin Basha.
Nuk është hera e parë që lideri Lulzim Basha ia dëshmon qartas e ballas  kohës politike (ndër)kombëtare këta tre elementë palcor e ashtnor të figurës së tij politike të afirmuar. Kjo ka ndodh disa herë në vitet e fundit si në Elektoriadën 2011 për kryetar bashkie i Tiranës dhe në Elektoriadën 2013 për kryetar i PDSH, etj. Kjo ngjau edhe kësaj here më 20 shkurt 2014, me Marshimin e Protestës e deri me fjalën e Lulzim Bashës, liderit të Opozitës së Bashkuar.

4.
Ky Marshim-Protestë-Miting i opozitës arriti standarde të larta të demokracisë perëndimore duke i tejkalue vështirësitë e mëdha, të shpeshta e të shumta të mazhorancës qeverisëse.

Një nga vështirësitë e mëdha ishte edhe fakti aktual se 20 shkurti, edhe pas 23 vitesh, jep gurgac për akte ekstreme nga individë, nga grupe e kategori të caktuara. Mazhoranca e majtë qeverisëse e ka prit 20 shkurtin e sivjetëm me provokacione politike-ideologjike. Në ma pak se dy muaj kohë, më 29 nëntor 2013, dolën publikisht me portret stërmadh të Enverit tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Pak ditë ma parë, më 4 shkurt 2014, Ilir Meta (për të disaten herë) sëbashku me liderin e PDS provokuan me emrin e Enverit e të kohës së tij. Në Tiranë e ndonjë rreth tjetër ka pasë deklarata e demonstrime për rivlerësim të figurës së E.Hoxhës.

Shkalla e vështirësisë rritej ma shumë duke pasë parasysh: shpërdorimin politik të pushtetit nga mazhoranca qeverisëse, një shpërdorim deri në pushtllek; dënimet kolektive në shkarkimet në administratë e penalizimet kolektive në biznese; keqpërdorimi i 84 votave të shumicës së majtë në Parlament duke krye diversion e presion ideo-politik e ekonomik ndaj opozitës së djathtë, etj.

Mazhoranca qeverisëse, (krye)liderët e saj, e tejkalojnë çdo cen e cak demokratik, deri në shpërfytyrim politik, duke recetue klishe apo modele të sjelluri politik ndaj tyre për Lulzim Bashën, liderin e PDSH e të Opozitës së Bashkuar. Njejtësisht i kërkojnë harbutçe qëndrestarit polemist e stoik Sali Berisha – institucion i trefishtë (ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar i PDSH), “senator” i Parlamentit Shqiptar, që “të shkojnë në shtëpi”(!), etj. Kësisoj, si në këta dy shembuj, sillej dikur kjo (o)pozitë e djathtë edhe ndaj Liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, kryetarit të Komisionit Nismëtar të PDSH, tribunit e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Perëndimi euro-atlantik përballë këtij revanshi bio-politik të mazhorancës keqpërdoruese të instrumentit (jo)popullor të 84 votave në Parlament, etj. ndaj Opozitës së Djathtë të Lulzim Bashës ndihet i obliguar në misionin e vet historik e demokratik ndërplanetar e global që t’iu japin mbështetjen e vet disi të munguar a të vonuar Presidentit të Republikës si garant unitar i shtetit e kohës problematike, të mbajë  edhe Sali Berishën në lartësitë e personalitetit e institucionit të tij të trefishtë si një garanci ndihmatare për unitetin e veprimtarinë e  opozitës, etj.

Lideri i ri Lulzim Basha, që i priu këtij Marshimi Proteste, para 23 vitesh ishte gjimnazist 17 vjeçar kur rrëzohej Monumenti i Enverit, veprimtar i PD-së gjersa shkoi për studime universitare në Hollandë, në një nga universitetet ma të hershëm të Europës, u kthye si zyrtar i randsishëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në përbamje të UNMIK-ut në Kosovë e një nga themeluesit e Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës, erdhi si kordinator i KOP e zëdhënës i fushatës së PD, antar kryesie e deputet i saj më 2005, ministër i Transporteve, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Brendshëm e kryebashkiak i Tiranës, e së vonit, prej 22 korrikut 2013 edhe kryetar i PDSH.

20 shkurti 1991 e tërhoqi zvarrë Enverin, ndërsa 20 shkurti 2014 e mbrojti opozitën e djathtë që të qëndronte në kambë përballë kësaj qeverisjeje PS-LSI ma të keqe se edhe ajo e Esat Pashë Toptanit në kryeqëndren Durrës (05.10.1914-27.01.1916).

5.
Në historinë politike shqiptare postkomuniste është hera e parë që pesë muaj pasi një forcë politike në mazhorancë formon qeverinë e saj pritet me një Marshim-Proteste të tillë: i madh në pjesmarrje, në vlerat e tij demokratike, në kulturën e tij, etj.

Ndër të tjera, kjo ka edhe arsyet e veta politike tragjike e komike të Korrupsioni Politik të mazhorancës qeverisëse, që është tritol kundër demokracisë. Në asnjë vend të botës euro-atlantike, biles as në shumicën e vendeve aziatike e afrikane, nuk gjen një shembull të tillë të ngjashëm si ky i Shqipërisë me premtimet elektorale gjithëfarëshe të së majtës e moszbatimin e tyre pas ardhjes në pushtet. Një korrupsion politik i keqthurun me korrupsionin ekonomiko-financiar, me korrupsionin në çështjen kombëtare shqiptare, etj. Parlamenti i sotëm, dy forcat kryesore të mazhorancës PS dhe LSI, kanë të pa arkivuara e të pa rrëzuara akuzat publike për “mandate të vjedhura e të blera”, për trafikim deputetësh në Parlamentin e pas 23 Qershorit 2013, etj. Sikur të mos mjaftonte kjo histori kulmore po vazhdon ende korrupsioni i mazhorancës me Aktin Normativ për Statusin e Nëpunësit Civil edhe pas rrëzimit të tij nga Gjykata Kushtetuese, në pushtimin e institucioneve të pavarura, etj., etj.

Qeveria Rama-Meta mundet të përfitojnë pas 20 shkurtit 2014 edhe 150 milionë dollarë apo euro, po nuk mundin t’i marrin këta mbi 150 mijë protestues të Tiranës, ndër të cilët ka edhe protestues të majtë të zhgënjyer nga politikat e mazhorancës qeverisëse.

Në koftë se PDSH dinë e mundet t’i mbajnë afër vetes me shpresë e besë këtë elektorat të Marshimit të Protestës atëherë pasardhësi i Lulzim Bashës  për kryetar bashkie i Tiranës do ta ketë ma të sigurtë fitoren. “Thirrja nën armë“ e Topit nga Edi Rama është përpjekje me ua hup demokratëve Tiranën po edhe presion ndaj LSI të Ilir Metës me ia ul oreksion politik jo vetëm për Tiranën në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

6.
Mazhoranca qeverisëse duhet ta lexojnë mirë, shqiptarisht, këtë Marshim-Protestë-Miting, sepse viti 2014, për shqiptarët e Shqipërisë Londineze, të Kosovës Euro-Atlantike, të Malit të Zi të diktaturës së bardhë të Gjukanoviçit, të Maqedonisë të diktaturës së zezë të Gruevskit, të Çamërisë në rrjetën shovene helene, është viti nga ma të vështirët në historinë shqiptare në Ballkan qyshse nga koha kur zjarri prodhoi hinin e toka e rriti lisin.

Ky lexim duhet të jetë i qartë dhe i saktë, pasi 20 shkurti 2014 sikurse edhe 20 shkurti 1991, janë vijë ndarëse e Lindjes me Perëndimin, janë barometër i demokracisë.

Një lexim demokratik i organizimit të 20 shkurtit 2014 në nivele perëndimore euro-atlantike dëshmon edhe diçka tjetër esenciale: përgjegjësi kryesor i 21 janarit 2011 është vet Edi Rama i PS, kryeministri i sotëm. Nuk duhet dënue ky lider i të majtës, po duhet ta kuptojë e reflektojë mesazhin e 20 shkurtit 2014 në kuptimin demokratik e juridik: të mos vazhdojë “lojën politike” me 21 janarin 2011.

Ky Marshim-Protestë-Miting i 20 shkurtit 2014 kishte kodin e tij, Kodin “B”. Ashtu sikurse qytetarët e Bathorës e të Babrrusë me mbi dy dekada integrim në metropolin shqiptar morën pjesë edhe qytetarët e “Bllokut” (të Udhëheqjes Komuniste të 44-tës) në Tiranën e Re. Ashtu sikurse qytetarët e Brrakës skej Unazës e Stacionit të Trenit dhe qytetarët e Barrikadave (mbrapa Pallatit të Madh të Kulturës) të rrugës së vjetër me luftëra e me ndërtesa tipike tiranase, ku sot ngrihen 9-katëshet.

Kryeopozitari i sotëm, Lulzim Basha, lider me klas, me brumë kombëtare e me frymë euro-atlantike, që po i jep në vazhdimësi modelin e tij politikës mbarëkombëtare shqiptare, botës e kohës shqiptare, që mbetet i vlerësuar nga presidentët amerikanë Bush e Obama e nga Merkel në Gjermani, pas 20 shkurtit 2014 nuk ka rrugë të mesme përveçse alternativës: ose të ecin në tërhjekje politike opozitare: “Lulzim Basha në kërkim të Lulzim Bashës” ose t’i përgjigjet thirrjes së kohës (ndër)kombëtare “Qytetaria kërkon Lulzim Bashën” për të qënë në ballë të opozitës fitimtare, në krye të mazhorancës së djathtë qeverisëse, në kryevendin kryeministror të pushtetit.


    








RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
POLITIKA GREKE NË BALLKANNga FRANK SHKRELI (02.21.2014)
NUK VENDOSET QERRJA PARA KALITNë përgjigje të replikë së zotit Alban DaciNga ESHREF YMERI (02.19.2014)
SAMI FRASHËRI: SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DUHET TË BËHETNga FRANK SHKRELI (02.18.2014)
RIINTEGRIMI DHE RISHKËPUTJA E KOSOVËS, MALËSISË DHE E TREVAVE LINDORE, 1941-1945(Kumtesë në Konferencën e Akademisë Shqiptare të Arteve e Shkencës kushtuar 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)Nga Prof. Dr. ROMEO GURAKUQI (02.18.2014)
DY SIMBOLIKA TË PANGJASHME TË 20 SHKURTITNga ALFRED ÇAKO (02.18.2014)
GRAMOZ PASHKO NUK MUND TË JETË SIMBOL I EKONOMISËNga MENTOR KIKIA (02.18.2014)
Këndi këtuSI TË UROJMËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.17.2014)
NJOHJET E KOSOVËS SI STATUS SUBJEKTI TË PAVARUR NDËRKOMBËTARNga SHABAN MURATI (02.17.2014)
BURAT E SHQIPËRISË ME FLOKË TË SAPOLYERA IA KANË ELEMINUAR GERMËN E 25-TË ALFABETIT TË SHQIPES Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.16.2014)
MIQTË E SHQIPËRISË DHE MIQTË E PARTISËNga AFRIM KRASNIQI (02.16.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Shtator 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]