VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MBI KONFLIKTIN MAXHORANCË-PRESIDENCËNga ALFRED ÇAKO

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 01:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
MBI KONFLIKTIN MAXHORANCË-PRESIDENCË
Nga ALFRED ÇAKO

E Martë, 03.11.2014, 10:38am (GMT+1)



Këto gjashtë muaj kemi venë re, herë hapur e herë me diplomaci, herë më fort e herë më lehtë, një kundërvënie të dukshme edhe nga syri i një diletanti politik, midis shumicës qeverisëse në Kuvend dhe Presidentit të Republikës. Më e dukshme kjo përplasje ka qenë për mosaprovimin e emrave zëvendësues të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që iu ka mbaruar mandati në fund të janarit, për çështjen e riemërimit si gjyqtare e Apelit të ish-Prokurores së Përgjithshme, Znj.Ina Rama, nga ana e KLD të kryesuar nga Presidenti, për çështjen e debatuar të shkarkimit të kryetares së ILDKP dhe caktimit në vend të saj të kryetarit tashmë në detyrë, Z. Sh.Ganaj dhe sidomos mosaprovimi i Presidentit për aksionin që kanë ndërmarrë disa deputetë të majtë në Komisionin e Sigurisë kundër kreut të SHISH, Z. V.Ajazi. Këto duket se janë fërkimet më kryesore, pasi ka edhe probleme të tjera permanente mes maxhorancës dhe stafit të Presidentit. Le t'i shohim me radhë e të përpiqemi të hedhim pakëz dritë mbi shkaqet e këtyre konflikteve dhe cilat mund të jenë synimet apo interesat e palëve në to.

1- Dihet nga opinioni publik se Presidentit Nishani, në fund të janarit 2014, Kuvendi i rrëzoi dy emrat e propozuar për anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, konkretisht kandidatët P.Çeno e Gj.Përnocaj. Po kështu, më 25 shkurt, me një votim të fshehtë, që ka përfunduar me rezultatin 8 me 4, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar kërkesën e ish-kryeprokurores Ina Rama, për rikthim të saj në punë. Anëtarët e KLD janë ndarë në diskutimin që kanë bërë lidhur me kërkesën e Ina Ramës. Pas këtij debati, një pjesë e tyre kanë qenë dakord për miratimin e kërkesës, ndërkohë që pjesa tjetër ka qenë për rrëzimin e kësaj kërkese, për shkak se ish-kryeprokurorja Ina Rama, në kërkesën e saj ka kërkuar rikthimin në punë në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe jo në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, institucioni ku ka qenë e punësuar para se të merrte detyrën e Prokurores së Përgjithshme nga Parlamenti. Nga ana tjetër, kërkesa ligjore e ish- Kryeprokurores bazohet te neni 7 i Ligjit për Prokurorinë, ku shprehimisht thuhet se: "Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barazvlefshëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose për akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit të Përgjithshëm".

2- Duket se është e pafalshme për KLD që një ish- Kryeprokuror i Republikës të dënohet prej saj, të ngelet i papunë e pa imunitet, pas ballafaqimeve të fuqishme që ai ka me kriminelë të kalibrave të ndryshëm ordinerë a politikë, çka jep me domosdo një mesazh përunjësie të tyre ndaj shefave kryesorë politikë, ose një përunje të kreut të pushtetit të akuzës publike ndaj kreut të pushtetit të dytë (Qeverisë) të radhës. Gjithashtu, ky shembull përbuzjeje i KLD ndaj ish-Kryeprokurorit për ta riemëruar atë në një detyrë me prestigj, aq më tepër buracakëria e KLD ndaj figurës dinjitoze të një femre siç është Znj. Rama, sjell si pasojë që në të ardhmen të ketë një ulje të dëshirës për të marrë përsipër këtë detyrë decizive nga juristë me eksperiencë, që kanë detyra të tjera stabile në gjyqësor, prokurori a avokati. Bllokimi i ambicieve të saj profesionale nga Presidenti dhe një KLD politike duket qartë nga gjithkush se është një shembull tribal e harbut dhe një zgjatim i luftës politike të ish-kryeministrit Berisha ndaj Kryeprokurores që nuk pranoi të ishte një marionetë e pushtetit që e zgjodhi.

3- Por si konstituohet KLD-ja? Ja çfarë thotë neni Neni 147/1 i Kushtetutës: "Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme". Dihet gjithashtu se një peshë të madhe teknike për çështjet e diskutuara në KLD ka edhe zëvendëskryetari i KLD, për të cilin në Kushtetutë, po në këtë nen, por pika 3, thuhet se: "Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar. Ky organizon veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Presidentit të Republikës". Ndërsa në pikën katërt thuhet se: "Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë e tyre disiplinore sipas ligjit". Dihet se sot, këtë detyrë e mban Elvis Çefa, i cili kur është zgjedhur ka patur shumë debate në një seancë në Kuvend më 12 prill 2012, pasi Z.Çefa, i cili ka qenë edhe në detyra të tjera në administratën e Z.Berisha, konsiderohet si një skifter i PD dhe beniamin i ish-kryetares së Kuvendit, Znj. J.Topalli. Nëse do të shohim vendimet e fundit në KLD, duket se rreshtimet janë gjithmonë të njëjta, çka tregon se KLD është kthyer në një organ politik nga të dyja krahët dhe për çdo vendim të tyre, anëtarët e saj janë të motivuar në mënyrë antiligjore politike në një raport 2:1 në favor të interesave të PD-së. Është e çuditshme se si një libohovit mund të keqpërdoret kaq shumë duke u bërë palë dhe duke u përpjekur të dalë kundër vullnetit absolut popullor për t'i prerë fijet pushtetit autoritarist të Z.Berisha, i cili ka hedhur rrënjë e përpiqet të ushtrojë autoritet ekzekutiv edhe përkundër verdiktit popullor! Të jesh i ekuilibruar do të thotë të bashkëpunosh për të ruajtur pavarësinë e institucioneve për të mos i kapur politika, as e maxhorancës e as e opozitës. Këto institucione duhet të jenë të pandikuara e të pavarura nga politika.

4- Por, a mundet kryeministri i sotëm, nëse nuk e ka për show, që të zhvillojë një betejë ku të ballafaqojë me drejtësinë, e cila ka kohë që dominohet nga ngjyra blu e politikës, të gjithë ish-zyrtarët e korruptuar, sfidë të cilën ai e ka bërë disa herë publikisht? Por a i falet këtij kryeministri që e ka marrë shumë shtruar, të mos përdorë gjithë atë fuqi në kartonët që i dha sovrani, për të ushtruar pushtetin e nevojshëm në të gjitha drejtimet që e ka për detyrë qeveria? A mundet pushteti i tretë, sidomos një Gjykatë e Lartë me lidhje me politikën, të japë drejtësi për ish-zyrtarët me imunitet të akuzuar në procese të bujshme gjatë viteve të kaluara, të cilët ia kanë hedhur pa lagur? Cili është çelësi i zgjidhjes që, nga qafa e pushtetit të tretë të largohen kularët e artë të robërisë dhe, ai të fitojë besimin e publikut e të çlirojë nga vargojtë e korrupsionit veten e vet, pushtetin e dytë dhe krejt shtetin? Sepse një nga shkaqet kryesore është pikërisht ky korrupsion i ish-qeveritareve që sot i mban në dyshekë paratë e zeza të përfituara nga përqindjet e tenderave me fondet e investimeve kapitale të buxhetit dhe ankandeve, dhënies së lejeve e licencave, etj., që ka krijuar deflacionin e monedhës ose mungesën e parave të nevojshme në qarkullim, duke shkaktuar papunësi dhe mungesë konsumi e prodhimi në ekonominë tonë. Imagjinoni që vetëm ky fond investimesh kapitale në 8 vjet ka qenë rreth 2.7 miliardë Euro dhe 20 % e tij është vjedhur nga pushtetarët, pra rreth 550 milionë Euro që e shumëzuar me multiplikatorin e përdorimit vjetor, sjell një mungesë të madhe në gjakun financiar të ekonomisë. Është e trishtueshme kur shikon shembujt e keqqeverisjes së disa qeverive të korruptuara qysh pas vitit "˜97 në Shqipëri, të cilat futën si "vlerë themelore" etjen materiale dhe sollën si rezultat një shoqëri të pabalancuar, të polarizuar shpejt e në mënyrë të panatyrshme nga pasuritë dhe me nivele të ulëta të zhivës së shpirtit. Këto 23 vjet, shoqëria jonë grabitqare, e ndikuar nga një shtet i korruptuar, ngjan me Kaliforninë e viteve 1840 kur fundërrinat e Evropës shkuan për të kërkuar ar me thikë ndër dhëmbë në brigjet e lumit Sacramento.

5- Dihet se një betejë e ashpër ka filluar mes maxhorancës në Kuvend dhe kryetarit të SHISH, Z. V.Ajazi, të zgjedhur në këtë post në vjeshtë të vitit 2012. Dihet se mbi këtë zyrtar peshojnë në publik disa faje, së paku morale: Z. V.Ajazi e ka vendosur Shërbimin Informativ në shërbim të politikës dhe ish-kryeministrit Berisha dhe sot së bashku me Presidentin e Republikës, këta po e tregojnë veten, fatkeqësisht, si kamikazë të tij, duke vepruar politikisht, që një grup i vogël politikanësh të kësaj partie të ruajnë avantazhet e siguruara politike dhe ekonomike, të ruajnë vilat e tokat e tyre, të ruajnë paret e korrupsionit dhe kontot e majme bankare. Ne këtë mënyrë, këta u janë kundërvënë nëpërmjet postit të tyre politik interesave të gjera të publikut, kanë krijuar e po mbrojnë premisat që Shqipëria të mos jetë një shtet demokratik i shanseve të barabarta, por një shtet autokratik, i padrejtë, me ngjyrime të forta drejt pushtetit diktatorial të një klase me lidhje thelbësore krahinariste e nepotike, e cila me çdo kusht duhet të neutralizohet nga ndikimi përcaktues i mëtejshëm ndaj fateve të vendit. Ju do të thoni se ku e bazoj unë këtë akuzë ndaj kreut të SHISH, z.V.Ajazi? Po ja, nga të gjithë drejtorët e drejtorive, vetëm dy nuk kanë lëvizur nga detyra e tyre nga koha e B.Shaqirit. Sapo erdhi në detyrë, Z.Ajazi Lika ndërroi afro 8 drejtorë dhe të rinjtë janë të gjithë nga një zonë e përafërt edhe me vendlindjen e ish-ministri të Brendshëm, Flamur Noka, i cili ka qëndruar disa muaj në Serbi në fillim të viteve "˜90: Luma, Dibra, Tropoja dhe një drejtor nga Shkodra. Vërtet mendoni se toskët nuk e duan sa ju Shqipërinë, bre Z.Lika? Si shpjegohet që të gjithë drejtorët janë nga zona që ka qenë në kufi me ish-Jugosllavinë? A ju kujtohet Z.Lika se çfarë ka thënë për këto zona në lidhje me aktivitetin e shërbimit serb ish-ministri i Mbrojtjes, S.Zhulali? Po pyetjet që i kanë bërë në Parlament ish-Presidentit serb Milosheviç në lidhje me dhjetëra miliona dollarë të caktuara për aktivitetin agjenturor e bashkëpunëtorët e Serbisë në zonat kufitare me Shqipërinë, a ju kujtohen, z.Lika? Paçka se ju ndërruat drejtorët, si shpjegohet që ju morët në detyrë një personel nga SHIK-u i diskretituar e jo profesionist i kohës së B.Gazidedes, disa prej të cilëve u shpërblyen nga Z.Berisha me poste të rëndësishme në krye të Tatimeve të Përgjithshme? A e dini ju Z.Ajazi Lika se SHIK-u në vitin "˜94-"˜97 ngjante, më shumë sesa me një institucion shtetëror laik, me një xhami, pasi në shumicën e zyrave dhe automjeteve të saj, në vend të Kushtetutës gjendej libri i shenjtë i Kuranit dhe vendet e faljes, duke përzierë personalen me detyrat kushtetuese? A do ta falë kryeministri kreun e SHISH për mosbashkëpunimin e institucionit të tij me Ministrinë e Rendit kundër fenomeneve të ashpra të tritolit që kanë cenuar sigurinë e jetës në vend? A do ta falë atë për ngatërrimin e qëllimshëm të kompetencave për të përgjuar krerët e policisë, të cilët duhet t'i survejojë me ligj SHKB-ja (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm), me përjashtime të veçanta e në dijeni të kryeministrit? Është naive që kryeministri të tregohet altruist me zyrtarë të tillë. Në nenin 92/f të Kushtetutës thuhet shprehimisht: Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: f) me propozim të kryeministrit, emëron drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Pra, nëse për kreun e SHISH Kuvendi i gjen të arsyetuara gabim-fajet e z.Visha Lika, e shkarkon atë dhe Kryeministri i propozon Presidentit për ta emëruar një emër të ri. Dhe në këtë rast nuk ka rëndësi asfare se çfarë udhëzimesh do të marrë Presidenti nga mentori i tij në Gjirin e Lalzit.

6- Dikush do të thotë se përse unë mbaj një qëndrim të tillë "të njëanshëm"? Sepse kapja e pushtetit nga S.Berisha duhet të çmontohet, duhet të çmontohet me çdo kusht si imperativ për të shpëtuar sistemi, pasi pikërisht për këto veprime të tij gjatë 8 vjetëve, ai u ndëshkua me 1 milion vota kundër dhe këtë lexim duhet të dijë ta bëjë edhe Presidenti e të mos vazhdojë ta turpërojë pozicionin e vet. Por askush nuk duhet të mendojë se unë i them Presidentit të bëhet palë me PS dhe kryeministrin Rama, përkundrazi, duhet të luftojë me çdo kusht e me çdo mënyrë për të krijuar institucionet e pavarura për të cilat ai ka kompetencë si dhe në çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit e t'i kundërvihet çdo tentative të PS për të uzurpuar të gjitha pushtetet, siç bëri S.Berisha. Sepse në një shtet nuk ka individë të këqij e të mirë. Ka shtet juridik dhe shtet etatist. Pra, mbrojtja e njerëzve politikë si Znjsh. Z.Xhuka në krye të ILDKP, Z. V.Ajazi Lika në krye të SHISH, e gjyqtarëve emrat e të cilëve publiku i identifikon me mbrojtjen e interesave të grupit të vogël të S.Berishës e me pushtetin e tij të dënuar nga verdikti popullor, lipset të zëvendësohet nga Presidenti me emra personalitetesh të paanshëm, me karakter e cilësi në profesionin e tyre. Sepse Presidenti e di mirë që mes punonjësve të rëndësishëm në trekëndëshin Presidencë-SHISH- ish-Ministrinë e Brendshme të F.Nokës, ka pasur lidhje të forta nepotike, e krahinariste, po se po. Emrat e propozuar prej tij duhet të jenë, me çdo mënyrë, as njerëz të lidhur me partitë politike të maxhorancës e lidershipin e tyre. Nëse Presidenti nuk do të jetë vegël as e ish-kryeministrit Berisha, as e kryeministrit Rama, ai do të mund të luftojë si luan për të ruajtur funksionet e ndarjes dhe balancës së pushteteve, të cilat i kanë përcaktuar me aq zgjuarsi baballarët ideologjikë të këtij sistemi politiko-institucional me tre-katër pushtete (së bashku me mediumet) dhe me institucione laike, si Hobsi, Locke dhe sidomos Monteskieja i madh te Fryma e Ligjeve. Z.Nishani ka një karrige të tij në historinë e institucioneve tona. Unë nuk po them që ai të shkojë të ulet tek prehri i Ramës. Jo! Kjo do na sillte nga shiu në breshër dhe do të ishte e tmerrshme. Unë po them të çohet nga prehri i Gjirit të Lalzit e të ulet në karrigen e tij, në karrigen që ka mbetur e lirë nga koha kur u largua me dinjitet e i papërkulur Z.Topi, në karrigen e Presidentit. Nëse Presidenti vazhdon të jetë politik, atëherë me të ka nevojë të punojë ambasadori i ri i SHBA për ta vendosur në shina kushtetuese dhe nëse fanatizmi i tij, në dukje i fshehur pas buzëqeshjeve të pafajshme e kinse naive do të vazhdojë, atëherë mund të themi me plot gojën se ai është një kamikaz që do e futë gjithë politikën në një ngërç të fortë. Të paktën për disa muaj.

ALFRED ÇAKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
15 VJETORI I SHËRBIMIT SHQIP TË RADIOS EUROPA E LIRËNga FRANK SHKRELI (03.11.2014)
NJË BRENGË E VJETËR PËR PRINC VILHELM VIDINNga PËRPARIM KABO (03.10.2014)
NJË FEDERATË E RE APO NJË DEMAGOGJI E RE BALLKANIKE?Nga ALFRED ÇAKO (03.09.2014)
SHOQËRIA CIVILE TEK NE NUK KA VDEKUR, SEPSE NUK KA EKZISTUAR KURRËNga DRITAN HILA (03.08.2014)
NJË PËRGJIGJE PËR PUTININNga ZBIGNIEW BRZEZHINSKI, ish Këshilltar për Sigurinë (03.07.2014)
Në kuadër të 40 vjetorit të rëniesNË VEND TË HOMAZHIT PËR FAMILJEN SEJKONga RESHAT KRIPA (03.06.2014)
KORRUPSIONI DHE TË DREJTAT E NJERIUTNga FRANK SHKRELI (03.06.2014)
PS TË MOS IMITOJË PD-në, PD TË MOS IMITOJË PS-nëNga SKËNDER BUÇPAPAJ (03.05.2014)
FUNDI I NJË EUROPE TË TËRË, TË LIRË DHE NË PAQË?Nga FRANK SHKRELI (03.03.2014)
KUSH FSHIHEJ PAS PALLTOS SË RUGOVËSNga GANI MEHMETAJ (03.02.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]