VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NIKOLIÇI DHE DAÇIÇI S'BËHEN DOT AS DE GOL, AS HELMUT KOHL
Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

E Shtunë, 03.29.2014, 07:52am (GMT1)


    Në faqen internetike të gazetës "Shqiptarja.com" të datës 26 mars 2014, ishte botuar një njoftim befasues me titull:
"Gratë serbe në të zeza: Kërkojmë falje shqiptarëve për krimet serbe".

 Ky njoftim m'u duk befasues për faktin se tradicionalisht, që prej Kongresit famëkeq të Berlinit dhe Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës, kur u vendos që trojet etnike shqiptare të copëtoheshin me thikën e pamëshirshme të kasapëve evropianë, për të kënaqur epshet shoviniste sllavogreke, me përkrahjen kriminale të shovinizmit rusomadh, gjatë tërë kohës që Serbia dhe Greqia kanë masakruar shtazërisht popullin shqiptar të Kosovës dhe të Çamërisë, ka rënë në sy një unitet i paimagjinueshëm i popullit serb dhe i popullit grek me qëndrimin shovinist të Beogradit dhe të Athinës ndaj etnisë shqiptare.

Kjo është edhe arsyeja që në një sërë shkrimesh të mëparshme, popullin dhe kombin serb dhe grek unë i kam quajtur popull dhe komb shovinist.

Pavarësisht se nga ç'motive janë nisur ato gratë serbe, të cilat, të organizuara nga zonja Stasa Zajoviç, qenë grumbulluar për t'u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe në Kosovë, duhet pasur parasysh ajo çka ato deklaruan në protestën e tyre:
""˜Gratë serbe në të zeza...kërkojnë nga qeveria e ardhshme e Serbisë të zbulojë të vërtetën dhe të dhënat për të zhdukurit gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe të hapë varrezat masive në të cilat janë mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova. Nëse nuk e bëni këtë do të konsiderojmë se e gjitha është frazë boshe dhe se Marrëveshja e Brukselit në fakt paraqet instrument për mbetjen në pushtet të elitës".

Nga kjo deklaratë rezulton se Brukselit, të përfaqësuar nga zonja Eshton (Catherine Margaret Ashton - 1956), as që i ka rënë ndër mend ndonjëherë që, para se të kërkonte arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit, t'i shtronte këtij të fundit kërkesën e prerë jo vetëm për zbulimin e varreve masive me eshtrat e kosovarëve të zhdukur, por edhe për daljen me një pendesë publike për të gjitha krimet e rënda që kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës. Brukseli nuk e shtroi dhe nuk ka ndër mend ta shtrojë një kërkesë të tillë, sepse fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përballuan 80% të shpenzimeve për ndëshkimin e Serbisë, morën anën e kësaj të fundit. Këtë e pranon haptas ish-shefi i UNMIKU-ut Lamberto Zanieri, i cili pati deklaruar:
 "Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë" (Citohet sipas faqes së internetit. 16.04. 2011).

Dhe domosdo që kërkesat e lartpërmendura Brukseli nuk mund t'ia shtrojë Serbisë, përderisa Hashim Thaçi dhe Prishtina zyrtare janë vënë në rolin e shurdhmemecit para kërkesave të tilla, duke braktisur veprën madhore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës. Hashim Thaçit i intereson simpatia e Brukselit dhe jo kërkesa për zbulimin e së vërtetës për varret masive të kosovarëve të vrarë barbarisht, as kërkimi i pendesës prej Beogradit për barbaritë që kreu në Kosovë, as kërkesa për kompensimin tërësor të të gjitha shkatërrimeve në mbarë Kosovën që e çuan ekonominë e kësaj të fundit shumë vite prapa. Beogradi duhej të përmbushte fillimisht këto kërkesa, pastaj Hashim Thaçi të pranonte të ulej në bisedime me Daçiçin në Bruksel. Por Hashim Thaçit i intereson të prezantohet si një djalosh simpatik dhe i bindur para Brukselit, si plastelinëpolitikan, se kështu, sipas mendjes së tij, ai siguron vazhdimësinë e pushtetit të vet, se kështu ai fiton "kredi" në sytë e Bashkimit Evropian, i cili, nën zë, i nxjerr gjuhën dhe tallet me të. Brukseli, në qendër të marrëveshjes me Thaçin dhe me Daçiçin, ka interesat e serbëve të Kosovës, të cilët kërkojnë krijimin e komunave-minishtete brenda territorit të Kosovës, duke e shndërruar pavarësinë e kësaj të fundit në një të ashtquajtur pavarësi dhe sovranitetin e saj në një të ashtuquajtur sovranitet. Thaçi e ka braktisur veprën madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Domosdo, se ai nuk e ka ndier erën e barutit. Prandaj edhe para ca kohësh ai deklaroi në Euronews:  
"Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike" (Citohet sipas faqes së internetit "Indeks". 13 shkurt 2014).

Me këtë deklaratë të palavdishme, Thaçi të kujton Enver Hoxhën, për të cilin, në plenumin e Beratit të vitit 1944, Sejfulla Maleshova, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: "Shikojani koburen që mban në brez, i ka zënë ndryshk".

Prandaj populli shqiptar i Kosovës le të vazhdojë të shtrojë kurrizin para Thaçit dhe vetëm të rrijë e të soditë përkujdesjet shembullore të tij për pakicën serbe, e cila gjatë viteve të luftës u bë mbështetje e fuqishme e bandave ushtarake të Millosheviçit për masakrimin dhe poshtërimin e popullsisë së pambrojtur kosovare.

Grupi i grave serbe mirë bëri që doli në atë protestë për t'u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe, por problemi është se kërkimi i faljes apo pendesa e tyre nuk ngre kurrfarë peshe, nuk ka kurrfarë vlere juridike, sepse me pendesë publike duhet të dalë Beogradi zyrtar, duhet të dalë parlamenti serb, duhet të dalë presidenti Nikoliç dhe kryeministri Daçiç. Ata, madje, nëse Nikoliçi dhe Daçiçi do të ishin, qoftë edhe njÑ‘ grimë, politikanë të nivelit evropian, fillimisht, duhej ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe paskëtaj duhej të bënin kërkesën për të ardhur për vizitë në Prishtinë dhe në Tiranë. Dhe kur të zbrisnin nga shkallët e avionit, të përuleshin me respekt para tokës shqiptare dhe të kërkonin ndjesë botërisht për qëndrimin e egër, armiqësor, për krimet e rënda që shovinizmi serbomadh ka kryer kundër kombit shqiptar gjatë një periudhe mbinjëshekullore. Kjo pendesë publike do të hapte një faqe të re në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte dhe të fqinjësisë së mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. Por ata s'mund ta bëjnë dot një gjë të tillë, se ata s'janë politikanë të këtij niveli, se ata janë pasardhës të Millosheviçit, janë mbetje të shovinizmit serbomadh. Prandaj ata s'mund ta vënë dot veten në rolin e de Golit (Charles André Joseph Marie de Gaulle  1890-1970), i cili, kur zbriti nga shkallët e avionit në Algjer në vitin 1961, iu drejtua algjerianëve që ishin grumbulluar aty:
"Ju kërkoni pavarësi? Merreni, e gëzofshi!"

Nikoliçi dhe Daçiçi nuk mund ta vënë dot veten as në rolin e kancelarit Helmut Kohl (Helmut Josef Michael Kohl - 1930), i cili, në emër të Gjermanisë, bëri pendesë publike dhe kërkoi ndjesë për krimet që nazizmi gjerman kreu kundër popujve evropianë dhe sidomos kundër hebrenjve.

Santa Barbara, Kaliforni
27 mars 2014

Prof. Dr. ESHREF YMERI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.