VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HISTORIA PËRMES FATIT E ARTIT TË ARTISTITNga Dr. PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 08:53am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
HISTORIA PËRMES FATIT E ARTIT TË ARTISTIT
Nga Dr. PËRPARIM KABO

E Enjte, 04.03.2014, 01:19pm (GMT+1)



Historia mban si peng fate sistemesh, kulturash, civilizimesh, pushtetesh e individësh, sepse pa to historia do ishte thjesht udhëtim datash dhe kronike. Porse historia rrëfehet dhe e kontrollon fatin e saj edhe me faktorë ekstra-historiografik, madje në periudha të ndryshme për atë që ndodhte dhe prirje në ecuri, për njeriun dhe zhvillimin, për të tashmen dhe sfidat, për të ardhmen dhe lirinë, mund të jepte përgjigje më korrekte dhe linja zhvillimi, kultura, adresuar më drejtpërdrejt nga arti. - Duke lexuar veprën e shkrimtarit Honore de Balzak, mësova më shumë për historinë se sa nga veprat e historianëve -mëtonte një filozof i kohës së tij. Historia e gjykuar si ngjarjet dhe përjetimet, ngado që të sillen, kalojnë nga fati i individit dhe antropologjisë, ndaj po qe se historiani ngelet në çarkun e rrëfenjës së historisë së sistemeve politike dhe kapriçove të pushtetit, të raporteve social-ekonomike dhe fatkontributit të pushtetarëve, për pasojë mund të përftohet një historiografi e varfër, uniforme, sterile dhe jo e plotë për fat të keq. Historia mund të shihet edhe përmes një këndvështrimi tjetër, që vlen si pikërëndesë thelbësore, dhe e tillë është LIRIA. E formuluar ndryshe. Atë mund ta quajmë "Historia e Lirisë". Kohërat epokale kanë dhënë në mënyrë domethënëse argumentet e pakundërshtueshme, se kryesfida njerëzore në gjithëkohësi ka qenë mbrojtja dhe zgjerimi lirisë. Në renesancë arti dhe kultura, mekanika dhe profesionet e lira, largimi nga "anthropologic incest" dhe zgjerimi social i tregut, sfiduan Mesjetën dhe errësirën e saj vetëm në emër të lirisë. U vu në qendër njeriu edhe në kushtet kur mjetet shprehëse ende nuk ishin zhveshur tërësisht nga gjuha dhe retorika religjioze. - Ju jeni të trembur - iu tha Xhordano Bruno persekutorëve inkuzicionistë, sepse ai e donte më shumë lirinë e zbuluar prej tij. Arti shkruan histori lirie, politika shkruan histori pushteti. Artisti i vërtetë nuk e tradhton artin e tij, sepse e ka oksigjen të qenies dhe personalitetit. Politikani e zhvesh kostumin e pikëpamjeve "overnight", sepse e ka si mjetin që përdor për të fituar personalitet. Artisti e parasjell të ardhmen, duke zbuluar me artin e tij prirjet e thella që janë zhvillimi i vërtetë i shoqërisë dhe mbërrin atje mes frymës së frymëzimit. Politikani do fatalisht të sotmen, sepse nesër nuk është i sigurt nëse do të jetë apo jo në karrigen e pushtetit. Artisti mund të jetë kritik dhe inovator me artin e tij, madje i revoltuar mund edhe ta prishë e ta fillojë nga e para, ose të thotë, "˜jo nuk mundem, kjo nuk bën'. Ndërsa politikani kurrë nuk thotë se "˜politika ime ishte gabim', se "˜pushteti që më ka ulur në kolltuk' si pushtetar duhet shkatërruar, ose se duhet një tjetër mënyrë drejtimi për më shumë liri për njeriun, për zhvillimin dhe për të ardhmen. Ka ndodhur kështu, sepse historia e njerëzimit është gjithëdëftonjëse për theroritë që politika dhe pushteti ka bërë ndaj artistit dhe jetës së tij, deri me gjyqe të kobshme. Në të kundërt, nuk ka asnjë rast që artisti apo artistët të kenë ndërtuar një gjykatë ku të kenë gjykuar për mëkatin kundra lirisë, një politikan dhe ta kenë shpënë atë në "turrën e drurëve"! Arti dhe artistët, edhe në regjimet autoritariste, totalitare dhe antidemokratike, duke mos braktisur atë që kanë pasur brenda edhe kur janë detyruar të "bëjnë kompromise", kanë krijuar në kushtet tejet të vështira të asaj që parapëlqej ta quaj "kriptokultura". Ndërsa e fshehura, nënshtresorja, e patreguara, është tek politika si edhe ka qenë gjithnjë: kurthi, intriga, komploti, thika pas shpina, helmi në gotë, pabesia e shëmtuar vetëm e vetëm që të mbaj pushtetin. Kriptokultura është shprehje e një udhëtimi dikotomik në kushtet e censurës dhe "gijotinës" vrastare, që politika u ka siguruar pa mëdyshje dhe me cinizëm njerëzve të artit dhe kulturës; sepse liria e kërcënuar është përpëlitur, është mbështjellë me cipën e kohës pushtetore, porse nuk u braktis nga artistët e vërtetë, nga ata që jashtë artit dhe protestës e përmes tij, nuk kanë pasur dhe nuk kanë tjetër fuqi ndryshimi. Ja përse në kohët më të errëta dhe më paliri, ka pasur artistë dhe art protestant e protestues. E para kundra idolave ideologjike, e dyta kundra pushtetit inkuizitor dhe antidemokratik, që veç autoritetit të vetes, nuk pranon tjetër model dhe shembull, ndaj edhe nuk ndalet, që me ideologji dhe me persekucion të shkatërrojë jetën e artit dhe artistëve. Arti kur triumfon i bën gjyqin barbarisë dhe barbarëve, tiranisë dhe tiranëve, diktaturës dhe diktatorëve, por jo në gjykatën e ligjit. Artisti ka mirësinë e frymës dhe të gjykon duke të thënë me artin e tij se liria mund të rrëzohet, nëpërkëmbet, poshtërohet dhe pështyhet nga autoritarizmi, por se nuk mund të vritet. Thjesht për faktin se njeriu dhe liria janë një binom sa vazhdues aq dhe derivues. Ndaj, nëse politika kërkon të shpjerë në varreza lirinë, atje ka hapur gropën për të shkuar vetë. Pa artin dhe artistët, njerëzimi do ta kishte humbur fillin e gjenezës, udhën e ëndrrës dhe fatin e mirësisë. Politika të urdhëron si të sillesh, të shtrëngon edhe për të mos folur, ose të flasësh me porosi e nën urdhër. Ndërsa arti ndihmon të kuptosh kush dhe pse je, si dhe ku duhet të shkosh, çka brenda teje që bota, njeriu, ndjenjat, dashuria, puthja, fryma, jeta të jenë më të begata, të jenë të tuat dhe të njerëzve që e gjejnë lumturinë tek vlerat humane dhe liria.

* * *
E gjithë kjo tiradë arsyetimi dhe parashtrim argumentesh, më erdhi e u mblodh në një sintoni arsyetimi dhe respekti, duke lexuar më shumë se një herë, e duke mbajtur shënime mbi punimin antropoartistik dhe polemizues shpjegues, të artistit të shquar të Teatrit, Mihal LUARASI, në librin me titullin: "Korbi Korbit nuk ia nxjerrë sytë", me nëntitull (Shënime mbi librin e Todi Lubonjës "Nën peshën e dhunës").Para ca kohësh në skenën e Teatrit Kombëtar, dramaturgu dhe regjisori Mihal Luarasi vuri në skenë dramën e tij "Korbi Bardhë", në të cilën goditej korrupsioni dhe krimi i organizuar, ku atakohej pushteti politik e ai gjyqësor që ishin të përfshirë në afera të thella korrupsioni. Salla ishte plot dhe publiku mjaft entuziast, i përfshirë në këtë realitet të prekshëm dhe të dhimbshëm që jetohet nga njeriu në realitetin tonë çdo ditë, paçka se ka hyrë në dekadën e tretë të tranzicionit demokratik.

Në një nga shfaqjet, një politikan i legjislativit që, dikur kishte krijuar në art, por që e braktisi atë për pushtetin, i tha me qesëndi dhe jo pa nënkuptim: "Mihal Luarasi, mbete gjithë jetën kundra pushtetit"... Dukej sikur i thoshte se diktatura komuniste të futi në burg, por se atëherë ishe i ri dhe ia dole, tani nuk të kursejnë edhe me një të shtypur me makinë në trotuar apo një plumb qorr, ndaj mos u merr me këto punë kaq të thella dhe kaq delikate. Por se artisti nuk kishte ndërmend ta shiste lëkurën tani në këtë moshë dhe ta përdhoste shpirtin e revoltës në dekadën e 9-të të jetës, ndaj është në këmbë dhe me mend në krye, me penë që ende shkruan dhe me shpirt që ende revoltohet dhe krijon art. Ai nuk u tremb 40 e kusur vite të shkuara, kur diktatura, gjyqet e saj inkuizitive i quante "Plenume të Komitet Qëndror të PPSH-s" dhe retorika ishte, cili është më i rrezikshëm "Liberalizmi apo Konservatorizmi"?! Kur ata që duheshin eliminuar në kupolë quheshin nga diktatori (Kryeinkuizitori) "rufjanë politikë" (ky ishte etiketimi që Enver Hoxha u bëri Fadil Paçramit e Todi Lubonjës) dhe artistët Mihal Luarasi, ky antifashist që në moshë të re me armë në dorë dhe Minush Jero, më një biografi familjare me kontribute në luftën Nacionalçlirimtare, etiketoheshin si pa të keq të deklasuar, po prej tij. Mihal Luarasi mund të akuzohej se ishte kundra politikës së luftës së klasave dhe diktaturës së proletariatit vetëm në një sens, në atë që ai u lidh pas artit të protestës me qëllimin e vetëm, që të mbronte njeriun në identitetin e tij civil, që ai të mos zhbëhej dhe denigrohej si dele e tufëzuar ideologjike, që nuk mund të mendonte me kokën e saj dhe që nuk do të duhej të kalonte as edhe me ëndërrime "gardhin me tela me gjemba" të pushtetit popullor. Fati i artistit dhe artit të tij tregojnë se çfarë historie jetonte atdheu, populli, njeriu, liria. Gjithçka në atë kohë, në hyrje të viteve "˜70-të të shekullit XX filloi me dramën e F.Paçramit "Çështja e inxhinier Sajmirit" (që në një semantik tjetër post factum do duhet të lexohet "Çështja e regjisor Luarasit", sepse me të fillon lufta pushet komunist kundra artistit jokonformist, ose diktaturë vs liri). Ja si shkruan Mihal Luarasi në librin e tij tronditës dhe aq joshës në mënyrën e rrëfimit. "Me këtë spektakël, filloi për Luarasin një "˜sezon' jo i zakonshëm inskenimesh e "˜dështimesh', njëri pas tjetrit. "˜Inxhinier Saimiri...' në Teatrin "˜A.Moisiu', të Durrësit verë 1971; në vjeshtë, Festivali i 10; në janar 1972 kryevepra e Verdit në Opera; në maj, në Teatrin Popullor, "˜Armiqtë' e Shpëtim Ginës, që u ndalua me urdhër; në shtator, në "Teatrin e të Rinjve" dramën e Dritëro Agollit "Mosha e Bardhë" dhe fillon përgatitjet për Festivalin e 11; në nëntor, fillon "Orfeu zbret në ferr", i Tenessi Williamsit në Teatrin Popullor. Gjashtë spektakle në harkun e një viti e gjysmë. Të gjitha të kritikuara, të anuluara apo të gabuara për "gabime të rënda ideologjike". (Ndryshe lexo-kundra vijës së Partisë së Punës ndaj edhe kundra Pushtetit Popullor,PK) "liberalizëm"( Mihal Luarasi është dishepull i lirisë dhe skllav bujar vetëm i saj-PK) dhe "modernizmit"( lexo- tejkalimi i realitetit të asaj vetëmbyllje gati fatale dhe të një klaustrofobie sociale ekonomike, kulturore e shpirtërore). Dhe e mbyll rrëfimin e tij Mihal Luarasi me këto fjalë: "I përmenda këto për të kuptuar se specialistët e kësaj sfere të pushtetit nuk gabuan kur e caktuan Luarasin, si të përshtatshëm për të qenë një "˜kokë turku' mbi të cilën të goditej për ca kohë". (Citimet janë marrë nga libri përmendur faqe 192; botime "˜Onufri').

Sa modestisht rrëfehet Mihal Luarasi, pa vetëmburrje, pa kërkim dekoratash, pa vetëshpallje si i përndjekur dhe i persekutuar, e mbi të gjitha pa thënë se unë shkova në burg prej këtij personi apo atij tjetrit. Jo, ai është i qetë dhe me një krenari të përligjur, që nuk pranoi bashkëpunimin e ofruar nga kupola dhe që mbase do t'i "falte" mos-humbjen e lirisë. Ai që kishte mbrojtur diplomën në Budapest dhe në Tiranë me himnin e dinjitetit të njeriut "Intrigë e Dashuri" të Shilerit, e blatoi dashurinë për teatrin jo si "season flirt", por si "mënyrë jetese". Sa mjerane duken sot ato që shkruan në librin e tij Todi Lubonja, se atë e shpunë në gabime artistët që e tërhoqën në atë rrugë. Në fakt, ai është pjesë e dekorit të kupolës komuniste dhe e gjyqit të plenumit të 4-t, ku ishte dorëzuar fatalisht. Todi jo pa qëllim nuk shkruan në librin e tij të 1993-shit asgjë për plenumin. Faktet e zbuluara së fundit tregojnë se atje në atë plenum, Todi Lubonja ishte dorëzuar deri në një gjunjëzim turpëronjës para Enver Hoxhës, para atij që ai nuk ndalej të thoshte se: "Mua mund të më gjykoj vetëm Enver Hoxha". Enver Hoxha nuk kishte nevojë që të gjente dëshmitarë për të prerë majtas dhe djathtas kundra armiqve në gjirin e Partisë. A nuk i tha ai Fadil Paçramit se këtë pyetje se cili është më i rrezikshëm Liberalizmi apo Konservatorizmi, ne na e bëjnë armiqtë?! Kur Partia të dënonte, hetuesia bënte vetëm detyrën, kështu i tha kryehetuesi Lubonjës në prezencë të Luarasit në hetuesi, "nuk të kam dënuar unë, por Partia". Këtu ndryshon artisti nga politikani. I pari pranon hapur çdo gjë, se ai do artin e tij që e krijon vetë me energjinë dhe shpirtin e tij. I dyti futet në spërdredhjen e fshehjes nga e vërteta, duke sajuar "argument të rinj" (lexo gënjeshtra të reja) sepse është nën yshtjen e zjarrtë që të rimarrë pushtet, i cili në diktaturë ishte uzurpim prej posedonjësve antidemokratikë. Artisti nuk vuan nga gabimet e tij dhe devijimet, kur ato e largojnë nga skema, klisheja dhe metoda dogmatike. Përkundrazi, atje dhe ashtu ai e zgjeron lirinë e tij. Ndërsa politikani rënkon kur gabon në këtë sens, sepse humbet besueshmërinë e komandës dhe nuk e ka më ofiqin. Tek e pasmja, artisti nuk mund të lërë trashëgim artin e tij tek fëmijët si profesion. Kurse politikani nuk largohet dot nga instikti i hershëm, që ta lërë pushtetin trashëgim, që "sakrificat e tij, të sjellin shpërblimin tek gjenerata që pason. Në mos i ati, së paku i biri. Ju duket se kanë lindur vetëm të udhëheqin. Ka soj, soj. Pas viteve "˜90-të, Fadil Paçrami mbeti dinjitoz, ndërsa Todi Lubonja u afrua me atin shpirtëror Ramiz Alia. Pse? "Ndoshta, Todi ka shpresuar... që PPSH-ja, që është ende në këmbë, paçka se me emër të ndryshuar, do ta afronte dhe do t'i jepte vendin e merituar, se me të vërtetë ai mund të jepte kontribute me vlera në rilindjen e rinovimin real të atij formacioni politik.

"Por kjo s'ndodhi...(libri cituar faqe 193). Duke studiuar librin e Mihal Luarasit, mëson se çfarë ka ndodhur, si edhe pse me cilët protagonist dhe bashkëpunëtorë, me cilët viktima dhe të përdhosur. Si pa u vënë re, në librin në fjalë kemi ballë për ballë rrëfimin e historisë nga dy subjekte, nga një artist, Mihal Luarasi dhe nga një politikan, Todi Lubonja. Bie në sy që Luarasi rrëfen i dizinteresuar për të gjetur shfajësime dhe alibi, skenarë alternativë dhe llagëme ku fsheh të vërtetën, e gjithë kjo e sjell rrëfenjën e tij të kthjellët, të rrjedhshme e mbi të gjitha koherente. Ndërsa kur operon me data historike, Todi Lubonja e prish radhën, kur operon me fakte i përzien si "karta bixhozi", dhe kur operon me konkluzione, i ndërton ato të tilla që prish diakroninë, duke thënë sot ato që nuk i ka thënë dje, por që i pretendon se i paska thënë në tjetër kohë, dikur. Ky lloj makijazhi me historinë dhe me faktologjinë është tipik për ata që vetëm shpirt arti dhe artisti nuk kanë në qënien e tyre. Marksistët (Todi e shpallte veten njohës të teorisë së Socializmit Shkencor, aq sa ia kalonte dhe vetë Enver Hoxhës) e konsiderojnë veten të pakritikueshëm, sepse e sipas tyre, ata janë të pagabueshëm. Në më shumë se në një rast, falë një polemike të ballafaquar me referenca adresuar tek libri botuar, zoti Luarasi gjen mospërputhje, inkoherenca, dhe ndërrim vendesh për ngjarje dhe data, çka është tipike se si vepron politika dhe politikanët ndaj faktologjisë historike. Vetëm kështu mund të bëhet dallimi dhe kontrasti me të gjitha ngjyrimet që lëshon drita e thyer në prizmin e arsyes. Ka një moment, kur zotit Luarasi, iu kërkua të shkruante një shkrim për Televizionin dhe rolin e tij në shoqëri. Asokohe ai paraqiti një draft-strukturë problemesh për shkrimin të titulluar, "Televizioni-mjet i fuqishëm i komunikimit masiv". Por çfarë ndodhi?! Më mirë le të citojmë librin e zotit Luarasi: "...Lubonja më çuditi me përgjigjen, thuajse me stilin e paraardhësit të tij: nuk e pranoi as titullin e as përmbajtjen e projektartikullit tim. "˜Opinionin publik, e formon partia-tha ai, - dhe titulli duhet të jetë "˜Televizioni-armë e komunikimit revolucionar'.Pas kësaj, "˜hallva' u ftoh dhe artikulli nuk u shkrua".(libri cituar faqe 187) Kuptohet se ku dallon mendimi i lirë nga ai i dogmatizuar, mendja e pavarur nga ajo e kolektivizuar. Sjellja e artistit ndaj jetës njeriut dhe lirisë, me sjelljen e politikanit ndaj jetës, shoqërisë dhe propagandës shtetërore, që është themeli për mendjen e tij.

Të kuptosh historinë kur koha ka rrjedhur dhe ngjarjet kanë kaluar, e për më tepër kur sistemi ka ndryshuar nga ai diktatorial në një të ri demokratik, është diçka e mundur. Kërkimi arkivor dhe dokumentar, por edhe përvjelja e mendimeve të personazheve reale, pjesëmarrëse në to, ndihmojnë në njohjen e thellë korrekte dhe gjithë-informuese. Me rëndësi është të rikthehesh në kohë, atëherë kur ngjarjet kanë ndodhur, duke e rindërtuar dekorin, duke i rirreshtuar ngjarjet, duke i riravijëzuar lakoret historike, me qëllimin e mirë që vlaga të jetë e gjallë dhe përfundimet të shmangin çfarëdolloj retushimi, ose heshtjeje që lë në haresë historinë. Historia e harruar është histori e mohuar. Ose të vërtetat e harruara janë të vërteta të mohuara. Libri i Mihal Luarasit ushqehet nga këto kumte, me maksimën, asgjë të mos harrohet dhe shtrembërohet. Të njihet e vërteta ashtu si ka qenë. Të njihen ngjarjet si kanë ndodhur. Të dallojmë protagonistët dhe kontributet e bëmat e tyre, jo për të dënuar, por për të mos harruar. Të njohim historinë e djeshme, sepse historia që jetojmë sot nuk është se nuk ka lidhje me të, me ata njerëz, me ato mentalitete. Në fund të viteve "˜60 dhe në hyrje të viteve "˜70 të shekullit XX, në Europën Perëndimore dhe në atë Lindore ish-Komuniste, shpërtheu një valë ndryshimi e moderniteti, në art në letërsi në kulturë, në jetën seksuale, në botën e rinisë, në universin femëror dhe lëvizjet e tyre masive. Jehona të tilla konkrete, me kontribute, dishepuj dhe viktima, pati apo jo edhe në Shqipëri? Më thjeshtë. A ka pasur në atë kohë, pra rreth 45 vite më parë edhe në Shqipëri, tendenca konkrete në art për një kuptim ndryshe të jetës, të njeriut, të dashurisë, të seksit, botës, lirisë, të së ardhmes dhe hapësirës globale?! Kur shikojmë pas, me pikë referimi inkuizicionin komunist, është e drejtë të themi se ka pasur. Artistë të burgosur, vepra të ndaluara, krijues që humbën të drejtën e krijimit dhe më keq akoma, vepra letërsie të shpëna për karton dhe në kufijlarg, artistë që kanë djegur veprën e tyre ose eliminuar pa kthim, letërsi, pikturë, skulpturë etj. Një mendje e shkurtër do të thoshte. "˜Po ç'na duhen sot këto fakte. Çfarë lidhje kanë me historinë e sotme?'.

Unë mendoj se ka. Po qe se shoqëria shqiptare do të kishte jetuar me gjallëri dhe me liri atë lloj arti, atë krijimtari, ajo do të ishte më e emancipuar, më e mëkuar me liri, me më shumë njerëz të çideologjizuar dhe me një inteligjencë krijuese, që do të kishte afruar me më pak dhimbje demokracinë. Do të kishim në këta vite të tranzicionit më pak humbje kohe, do të kapnin ritëm më të shpejtë dhe do zotëronim kulturë më të lartë të drejtimit të shtetit. Ne nuk patën Vaclaf Havel si çekët, dhe Arpad Gënz si hungarezët. Pse?! Sepse gjithçka tek ne u shkul nga rrënjët dhe u kokëkëput me frymë otomanë, me motiv "kokën në satër", aq prezente në filozofinë tonë të sjelljes edhe në ditët tona. Ne nuk krijuam dot një inteligjencë të pavarur e aq më tepër, disidencë kulturore dhe ideologjike. Ajo dramë e vënë në skenë në vitin 1969 titullohej "Njollat e Murma". Pjesa ishte e Minush Jeros, porse Luarasi kishte vënë dorë mirë në të. Po a mund të kishte njolla shoqëria socialiste?! Për më tepër dhe të murrme?! U desh që Enver Hoxha ta shikonte shfaqjen enkas, jashtë konkurrimit, ditën e hënë, dhe gjithçka do të përmbysej. Nga zeniti, kur të gjithë u yshtën të shkruanin për vlerat e spektaklit, sepse për herë të parë personazhet thonin hapur në ambientin familjar atë që nuk mund ta thonin dot jashtë shtëpisë, se u pritej gjuha dhe koka, fati dhe karriera, atyre dhe fëmijëve, për të sotmen dhe për të ardhmen; u kalua tek mallkimi dhe shigjetimi sepse udhëheqësi kishte folur për :" Devijime të rënda ideologjike të spektaklit". Dhe veprës iu bë gjyqi, që i tillë rezultoi për autorët, se sa për gjyqtarët komunist ishte kasaphana e shprehjes së besnikërisë. Ndërsa për "besarët" e tyre, që e kishin kthyer pllakën "tëk fëk", ishte tragjikomedi. Nxori kështu krye "konvertimi", më i vjetri dhe më i shëmtuari tipar i antropoindividit tonë. Ja si e sjell këtë realitet historik Luarasi në librin e tij, e citoj: "Ata burra që ishin ulur në atë sallë, shkrimtarë, regjisorë, dramaturgë, drejtorë teatrosh, aktorë, kritikë, punonjës të kulturës, intelektualë të shquar, studentë të letërsisë dhe të arteve, ishin thirrur aty për të mohuar vetveten e para disa ditëve. Anëtarët e jurisë që dhanë çmimet rrinin mbledhur shuk në një qoshe, "dridheshin" si të akuzuarit kryesorë, siç ma ka pohuar njëri nga anëtarët, regjisori Dhimitër Anagnosti. Dihej se diktatura i kishte zhburrëruar edhe njerëzit me trima e më të ndershëm, por atë ditë kjo u demonstrua në mënyrë të drejtpërdrejtë e të dhimbshme.

Dyzimi i personalitetit të "njeriut të ri"....në atë sallë vazhdonte drama me personazhe reale, dyfytyrësia e emrave të njohur të letërsisë dhe artit shqiptar, zhburrërimi i tyre. Ishte teatri i tetarit... Gjelat prej teneqeje në majë të çatisë së "artit socialist shqiptar" vërtiteshin nga frynte era. Asaj ere nuk mund t'i rezistonte kurrkush, se ishte Era e Partisë". (Libri cituar i Mihal Luarasit, faqet, 173, 174). E keqja është se dhe sot e kësaj dite, dëshmitarë dhe protagonistë të epërm të asaj kohe dhe të atyre gjëmave, që janë ende gjallë, nuk flasin, heshtin dhe hedhin fall duke thënë, inshalla harrohen ato punë të poshtra që ne bëmë asaj kohe kundra artit dhe kolegëve, sepse ato kanë qenë thika kundra një historie ndryshe, jashtë dhe larg asaj të pushtetit. Arti shpaguan në një tjetër sens. Por jo si politika me denigrim. Në librin e tij Todi Lubonja nga faqja 137 e deri tek e 154-ta, ku flitet për "Njollat e murrme" ... "zbraz një mllef e urrejtje të pashpjegueshme. Ironi, sarkazëm, tallje. Madje, sajon edhe një "˜profeci' tallëse... thotë se kjo dramë duhet të shkojë të shfaqet dhe në Paris:" (po aty 178,179). Por ja që arti e çau udhën dhe kështu shpagoi ndaj mosmirënjohjes së politikës, sepse në hyrje të viteve 1990 "Njollat e murrme" shkoi në Paris. Dhe Luarasi i thotë pa shumë koment: "Todi, më vjen keq, por kjo është historia". Ja ky është shpagim me art dhe prej artisti. Ndërsa kritika franceze do të shkruante: "'Njollat e murrme' do të mbetet në historinë e teatrit shqiptar si një vepër sinjifikative dhe simbolike, që denoncon mënyrën me të cilën regjimet totalitare do të mbërrinin në vrasjen e artit, të thyenin artistët, të asfiksonin shpirtin modern dhe novator dhe të bënin të heshtej mbi të vërtetën. Jeta e këtij autori në gulagun shqiptar është një shembull kuptimplotë", (po aty faqe 179). Pyetja që unë shtroj është e thjeshtë: "Nga cila anë është Luarasi, artisti dhe sfidanti me liri dhe nga cila anë është Lubonja, politikani "˜sfidanti i artistit', atij që kritika frënge e quan, "˜shpirt modern dhe novator', që duhej bërë të heshtte për të vërtetën?!".

Artisti është nga ana e historisë me frymë lirinë. Politikani mbeti mjerisht nga ana ku liria mungon, ose më keq akoma, kur është klima për zgjerimin e lirisë vrapon të fusë "lugën në pjatë", porse sa kuptohet se vjen stuhia, e përmbys sofrën dhe del në kahjen tjetër, në atë të parimeve ideologjike dhe interesave të pushtetit (në komunizëm të partisë-shtet). Historia e artit dhe artistit vazhdoi me Festivalin e 11 të këngës në Radio Televizion dhe sërish kjo dyshe artist-politikan, Luarasi-Lubonja, porse qëndrimet dallojnë. Artisti konsekuent dhe nuk e ndërron fatin e tij. Politikani kalon nga formulimi- "bombone të veshura me sheqer që mbajnë brenda helm" - ky ishte vlerësimi që Ramiz Alia i tha Todi Lubonjës tek dilnin nga salla e shfaqjes së festivalit (dhe ky nuk e refuzoi) tek deklarata e Alisë në librin e tij se, "Todin e mashtruan artistët". Por zoti Lubonja, plaku, kur nuk i tha Ramiz Alisë dhe të tjerëve, nuk i tha historisë së djeshme dhe të së ardhmes, se mua nuk më mashtroi askush, unë isha me atë frymë dhe me atë art që do të sillte një ndryshim të madh dhe në ato kushte të regjimit diktatorial. Libri me titull "Korbi korbit nuk ia nxjerr sytë" i "˜Artistit të Popullit' Mihal Luarasi është shkruajtur jo si përjetim emocionesh, por si peng përgjegjësie, qoftë edhe për një miqësi të dikurshme që ai e do, e vlerëson, paçka se ajo është ciflosur, porse dhe në kohë të ndryshme Luarasi nuk thotë të tjera gjëra për të nga ato kanë ndodhur. Madje, në më shumë se në një rast Mihal Luarasi del hapur në mbrojtje të Todi Lubonjës nga epitete dhe tipare të paqena, që Enver Hoxha i vesh personalitetit të tij. Një sjellje e tij është kulturë. Vetë Todi Lubonja ka deklaruar në Plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë se: "Kam shkelur vijnë e Partisë, meritoj dënimin më të rëndë, jam gati të jap dhe jetën veç të mbetem komunist në radhët e Partisë së Punës".

Madje thotë se kanë qenë dy armiq që e futën në këtë rrugë, armiqtë e jashtëm dhe artistët që e tërhoqën në këtë rrugë. Politikani Lubonja nuk mendoi me sa duket se nga cila anë e historisë do të ishte dhe nuk e vlerësoi se ky pozicion nuk zgjidhet, por meritohet. Individi mund të shpallë se ku e sheh pozicionin e tij historik, porse ai gjykohet nga fati historik, i cili ia cakton vendin dhe kontributin. Artisti Luarasi e lidhi jetën me artin dhe punoi për historinë pa interes dhe paramendim. Ai e rrezikoi jetën për artin e kulturën dhe nuk garantoi kurrë se e falte jetën për Partinë. Historia mësohet edhe përmes fatit të artit dhe artistit, duke njohur të vërtetat dhe duke kuptuar se ç'është liria. Politikani nuk përbën modelin sa kohë që prish marrëveshjen më të vërtetën.

Dr. PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ZGJEDHJET E PARA PLURALISTE NË SHQIPËRI MARS/PRILL 1991Nga FRANK SHKRELI* (04.03.2014)
KOMENT RRETH TAKIMIT RAMA-MERKEL - Të rejat e vjetra - Gjermania pret që qeveria Rama të zbatojë reformat, s’ka alternativë tjetër - Nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.02.2014)
MOSDËNIMI I MASAKRAVE GREKE NË SHQIPËRINË E JUGUT MBUSHI 100 VJETNga ARTUR VREKAJ (04.01.2014)
GJENDJA E SHTETIT SHQIPTAR, 2014 - JASHTË KONTROLLITNga ROMEO GURAKUQI, Universiteti Europian i Tiranës, Instituti i Historisë Bashkëkohore (03.31.2014)
NGJASHMËRITË E METËS ME XOHAXOPULOSNga ALFRED ÇAKO (03.31.2014)
KUR TAKOHEN PAPA DHE PRESIDENTINga FRANK SHKRELI (03.30.2014)
REFORMA EDHE SI MJET PËR TË DËBUAR ÇIFLIGARËT VENDORËNga MENTOR KIKIA (03.29.2014)
NIKOLIÇI DHE DAÇIÇI S'BËHEN DOT AS DE GOL, AS HELMUT KOHLNga Prof. dr. ESHREF YMERI (03.29.2014)
DREJTËSI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMITNga FRANK SHKRELI (03.28.2014)
KRIMEA DHE KOSOVA - APO KOSOVA DHE KRIMEA?Nga ALFRED ÇAKO (03.28.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]