VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Triptik shqiptar malli dhe meditimesh në Lozanë
Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

E Premte, 11.27.2009, 06:40pm (GMT1)




Fotot e mëposhtëme i takojnë shfaqjes që dhanë fëmijët shqiptarë nga Lozana me rrethina me rastin e Ditës së Flamurit















Parathënie


Lozana është po ajo, gjithnjë mbresëlënëse. E lartuar përgjatë liqenit Leman. Si gjithnjë, me të njëjtën lehtësi, ajo ngre apo ul siparin prej mjegulle apo dielli. Të tillë e kemi lënë dhe e kemi gjetur Lozanën sa herë kemi kaluar nëpër këtë qytet dhe sa herë që kemi qëndruar këtu.


Vijmë për të kushedisatën herë në Lozanë. Nuk mund të harrojmë kurrë se këtu kemi takuar për herë të fundit mikun e shtrenjtë,  piktorin, intelektualin dhe strategun e UÇK-së  Agim Ramadani, i cili në verën e vitit 1997, do të na ftonte të merrnim pjesë në hapjen e ekspozitës të tij të pikturave, ku dominonte e kuqja dhe e zeza, e kuqja e flamurit shqiptar dhe e zeza e zhgabës dykrenore.


Në Lozanë jeton një pjesë e komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, i cili integrimin e tij e sheh të lidhur edhe me ruajtjen e identitetit shqiptar të brezit dhe gjeneratës më të re, atë të fëmijëve.


Dhe nuk mund të ketë identitet kombëtar pa gjuhë amtare, ashtu si nuk ka gjuhë amtare pa mësim të saj. Dhe nuk ka gjuhë amtare pa mësuesit e gjuhës shqipe, ashtu si nuk ka gjuhë amtare pa interesimin e madh të prindërve për të çuar tek këta mësues fëmijët e tyre. Dhe nuk ka gjuhë amtare dhe identitet kombëtar pa interesimin e të gjithë intelektualëve dhe të gjithë komunitetit për përfshirjen e fëmijëve në shkollat e gjuhës shqipe, ashtu si nuk ka gjuhë amtare, pa shkollat shqipe, të të gjitha niveleve, prej shkollës fillore, shkollës nëntëvjeçare, gjimnazeve dhe shkollave të mesme profesionale, deri tek univeristetet shqiptare. Dhe, më në fund, nuk ka gjuhë amtare, identitet kombëtar dhe integrim në Zvicër, pa angazhimin e të gjithë komunitetit shqiptar, duke filluar prej organizimit familjar deri ai kantonal dhe në plan të të gjithë konfederatës.


Duke qenë shqiptar i kulturuar, i arsimuar dhe me identitet njëherësh do të jesh edhe një zviceran i përkushtuar për të ruajtur dhe çuar më tej vlerat e vendit që t'u bë strehë e atdhe i dytë apo edhe atdhe i parë.


Javën që shkoi ne kaluam tre ditë të paharruara në Lozanë.


Nuk ishte vetëm bukuria e qytetit, ndërtuar mbi lartësitë e një kodre prej nga shihet bukuria e Liqenit, që na kujton pa prâ Liqenin e Ohrit dhe qytetin e Pogradecit, me ato stinët e magjishme të verës. Nuk ishte Liqeni Leman, kaltërsia e tij qiellore që të bën të mos dallosh dot se ku bashkohet e ku ndahet qielli me liqenin. Këto ishin padyshim, por të paharruar Lozanën kësaj here na e bënë një grup fëmijësh, prindërish dhe
mësimdhënësish shqiptarë, të cilët në mënyrë idealiste i janë përkushtuar me një shpërblim minimal por me dashuri e pasion, gjuhës shqipe.


Së pari janë fëmijët. Dua t'i kujtojmë këtu emër për emër: Drenusha, Fiona, Loreta, Thëllënza, Blerina, Narti, Arjana, Brikena, Besjana, Altini, Egzona, Marigona, Toskani, Antigona, Denisi, Ari, Edisoni, Miridoni, Nebahati, Adriani, tanarja, Graniti, Gonxhja, Anjeza, Mehmeti, Learti, Egzoni, Kosovarja, Argjendi, Fjola, Aurela, Artini, Lora, Besarta, Luljeta, Rezearta, Skënderi, Endriti, Elsa, Nuhi, Leona, Albiona, Ernisi, Erza, Agona, Flamuri...


Ata e kanë prejardhjen nga Ferizaj, Rugova, Tetova, Shkupi, Shtimja, Vitia, Kumanova, Shqipëria, nga të gjitha trevat shqiptare ku flitet dhe këndohet shqip..


Janë fëmijë shqiptarë nga Lozana dhe rrethina , kryeqendër e kantonit tëi Vaud-it, të cilët frekuntojnë pesë shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të shpërndara në qytet me qëllim të përfshirjes së sa më shumë nxënësve.


Në Lozanë dhe rrethinë janë rreth 102 (prej tyre 32 të përfshirë në një projekt të shkollës zvicerane - ELCO) nxënës shqiptarë që mësojnë në shkollën shqipe nga gjithësejt 1517 fëmijë të moshës shkollore sa janë në Lozanë dhe rrethinë. Pra shkollën shqipe e frekuentojnë vetëm 7 % e tyre. Këtu statistikat e bëjnë të qartë realitetin therës. E kur do të vijë ajo ditë që në Lozanë të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe  100 për qind nxënësit shqiptarë të moshës shkollore? A do të vijë ajo ditë ?



Po, sikur të jemi të gjithë aq të vendosur sa prindërit e atyre fëmijëve që e frekuntojnë mësimin plotësues të gjuhës amtare, të cilët nuk lodhen kurrë duke sjellë dhe duke marrë fëmijët në shkollë, pasi e kuptojnë se fëmijët e tyre duke mësuar gjuhën amtare do ta kenë më të lehtë integrimin e tyre në shoqërinë zvicerane. Do të deshnim që t'i për mendnim këta prindërit emër për emër, dhe do të donim që lista e emrave të tyre të ishte aq e gjatë sa të përfshinte të gjithë prindërit shqiptarë në mbarë Zvicrën. Por kësaj here nuk do të harrojmë Mehmetin, (i cili vitin e kaluar dhuroi 25% të të ardhurave që siguron shkolla e mësimit plotësues në Lozanë), as Rrahimen, Hasimin, Fadilin, Lulin, Shkëlzenin ...


Ishte e gëzueshme kur mësuam se në Lozanë zhvillojnë aktivitetin e tyre 200 sipërmarrje që kanë pronarë shqiptarë, por e trishtueshme kur mësuam sa pak kontribute japin ata për shkollën e gjuhë plotësuese shqipe...


Ne asistuam në një mbedhje prindër-mësues e cila zhvillohej në lokalet e Beqir Beqës, një biznesmeni shqiptar i sukseshëm në Lozanë. Prindërit dhe mësuesit ishin të shqetësuar për fatin e mësimit plotësues të shkollës shqipe. Si do të shkohet  më tutje? A do ta ruajnë fëmijët identitetin apo do të asimilohen ? A do ta ruajnë fëmijët gjuhën amtare, kulturën, traditat e bukura, që dëshmojnë për rrënjët e shqiptarëve, apo do të mbeten pa rrënjë e degë, me rrënjë e degë të thara, të destinuar për asimilim...


Në fillim përmendëm fëmijët, të na falin ajo pjesë e madhe të cilët nuk arritëm të përmendim emër për emër,  pastaj prindërit, të cilët kujdesen që fëmijët e tyre të ndjekim mësimin e gjuhës amtare, dhe së treti po përmend mësuesit, pa të cilët shkolla shqipe dhe mësimi plotësues i gjuhës amtare nuk do të kishte jetë, dhe këta fëmijë nuk do të arrinin t'i cicëronin aq bukur fjalët e Rilindasve që ata nxënë prej mësuesve të tyre..


Ata janë pjesë e rreth 120 mësimdhënësve të gjuhës shqipe në Zvicër, të cilët me dinjitet dhe përkushtim, larg interesave të ngushta e grupore, bëjnë gjithçka për të përçuar sa më mirë tek fëmijët gjuhën amtare.


Natyrisht që do të deshëm që t'i sillnim në këtë reportazh të gjithë: Vetonin në Bernë, Safetin në Basel Land, Sylën, Nurien në Valis, Nexhmijen në Jura, dhe të gjithë mësuesit shqiptarë që japin kontributin e tyre në të gjithë Zvicrën, por rasti na e dha që të ndalemi në Lozanë, për të ndjekur fatin e mësimdhënies së gjuhës shqipe këtu. Dhe nuk kishim si të mos takoheshim me Isniun, Shpresën dhe Hasimen.


Isniu na tregoi për përpjekjet që bëheshin për të tërhequr sa më tepër nxënës në shkollën shqipe. Si u duhej të luftonin me mentalitetin se mësimi i gjuhës shqipe pengon mësimin e gjuhës frënge. Në këtë pikë ne do të ndaleshim për të nënvizuar se mësimi i gjuhës amtare i ndihmon fëmijët për të mësuar gjuhën frënge, gjermane, italiane dhe gjuhët e tjera të huaja. Sa më mirë që fëmijët të mësojnë gjuhën amtare, aq më mirë ata do të njohin gjuhët e huaja.


Isniu na tregoi për iniciativën e shkollës shqipe në Lozanë, e cila organizonte një herë në javë mësimin me nxënës shqiptarë të cilët kanë nevojë për ndihmë në lëndët e mësimeve që ata ndjekin në gjuhën frënge. Ai përmendi studentët shqiptarë si Ardiani, Iliriana dhe Tropoja të cilët pa asnjë ndihmë financiare me plot përkushtim dhe seriozitet për çdo javë ndihmojnë nxënësit shqiptarë në Lozanë në vijimin sa më të mirë të shkollës frënge, në lëndë të ndryshme ku ata kanë vështirësi. Rasti na ra që të takoheshim edhe me Ardianin, i cili në mënyrë shëmbullore, ashtu si Iliriana dhe Tropoja ndihmojnë fëmijët shqiptarë që ata të kenë mbarëvajtje në shkollat frënge ku vazhdojnë mësimet.


Çfarë mund të shtonim ne, veç mund të thoshim se kjo metodë është e mrekullueshme, dhe që ia vlen të merret shembull edhe në kantonet e tjera, dhe numri i nxënësve të mos jetë 22 sa ishte në klasën e Lozanës, por këtij numri t'i shtohen mbrapa disa zero. Sepse këta studentë bëjnë atë që nuk mund ta bëjnë dot pa prindërit, të cilët e kanë për detyrë ta ndjekim mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre në shkollë. Shumë nga prindërit nuk e bëjnë pasi mjerisht u mungon arsimi përkatës, por ka edhe nga ata që nuk e bëjnë për arsye që nuk duam t'i përmendim në këtë raportazh, por që diaspora i di shumë mire.


Të shtunën më 21 Nëntor, Isniu na kërkoi që mundësisht të ishim në shkollën shqipe, ku bëheshin përgatitjet për koncertin për festën e 28 Nëntorit, rreth orës nëntë. Më vonë Shpresa do të na sqaronte se si ajo nga dritarja e klasës ndiqte kur vinin fluturim si pëllumba fëmijët drejt klasës, ku ata ndiqnin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, sikur gjuha shqipe t"˜i tërhiqte si një magnet.


Ndërkohë ne hymë në klasë, kur aty ishte duke u kënduar një këngë e mrekullueshme për Shkollën Shqipe. Hapëm veshët me kujdes, duke ndjekur fjalët e këngës, që shoqëroheshin me një ritëm edhe hip-hop, edhe rok. Pyetem njëri-tjetrin se kush do të ishte autori i kësaj kënge kaq të vyeshme, të cilën nuk kishim pasur rastin ta dëgjonim asnjëherë. Dikur iu afruam Isniut dhe e pyetëm. Është Shpresa autorja, na tha ai. Mbetëm me gojë hapur. Kënga është e mrekullueshme. E pyetëm Shpresën nëse kënga është e orkestruar. Na tha jo, por se shpresonin që ta orkestronin. Është një këngë që jo vetëm duhet të këndohet nga fëmijët e diasporës por edhe nga të gjithë fëmijët shqiptarë në të gjitha trevat shqiptare.


Ora e mësimit që ndoqëm, ishte një orë model. Fëmijët ishin duke përgatitur si punë dore flamurin kombëtar me shtizë, ndërsa recitonin vjersha me motive atdhetare dhe tregonin legjenda që nga koha e Skënderbeut. Ishte një orë mësimi model, e cila do të ishte e tillë edhe në shkollat ngado në vetë trevat shqiptare. Laicizimi i shkollës, që është i domosdoshëm, mjerisht shoqërohet me një përpjekje për ta mbajtur shkollën larg elementëve "patriotikë", sipas mendësisë tejet të gabuar që patriotizmin orvatet ta barazojë me nacionalizmin.


Edhe një herë na del detyra të themi se shqiptarët si komb asnjëherë nuk kanë shfaqur prirje nacionaliste, ndërsa Rilindja dhe Rilindasit shqiptarë me filozofinë e tyre, që ndriçohej nga "dritë e diturisë", i kanë siguruar mbijetesën kombit shqiptar, i cili nga presionet e fqinjëve rrezikonte të zhbëhej dhe shuhej.


FESTA E 28 NËNTORIT


Është një traditë shumë e bukur kremtimi i 28 Nëntorit, që festohet nga shqiptarët në Zvicër, pa dallim, se e kanë prejardhjen nga trevat në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi apo Lugina e Preshevës. Mjafton të jesh shqiptar që kjo festë të jetë pjesë e përkatësisë tënde, ose thënë më shkoqur pjesë e identitetit tënd.


Kremtimi i 28 Nëntorit fillon të festohet dy javë përpara, zakonisht weekende-ve dhe festimet shkojnë dy deri tre javë pas.


Nga të parët që i kremtuan festimin e 28 Nëntorit, duke kurorëzuar sivjet 97-të vjetorin e pavarësisë, kur Plaku Ismail Qemali ngriti Flamurin tonë në Vlorë, ishin fëmijët shqiptarë që vijojnë mësimin në Shkollën Shqipe, prindërit dhe mësuesit e tyre nga kantoni i Vaud-it, ku bën pjesë Lozana dhe rrethina, si Rolle, Yverdon, Vevey, Morges dhe Nyon. Ftesa për pjesëmarrje u vendos në kohë në gazetën elektronike të LAPSH-it, e cila drejtohet me shumë profesionalizëm nga Isni Idrizi, është shumë e pasur për nga informacionet.


Në manifestim përveç prindërve dhe të afërmve të fëmijëve merrnin pjesë edhe shumë të ftuar, midis tyre kryekoordinatori i LAPSH-it, Z.Mahir Mustafa, një personalitet i diasporës me background akademik, aktivistë të shkollës shqipe në Zvicër, si dhe gazetarë nga diaspora dhe Shqipëria


Festa u zhvillua më 22 Nëntor në "Salle de Grand-Vennes", një sallë të madhe me kapacitet rreth 700 veta, e cila u mbush plot e përplot. Ishte një kënaqësi e madhe t'i shihje familjet shqiptare, veshur si për festë që rrezatonin shëndet dhe bukuri, duke mos të shpëtuar mendimi se ne shqiptarët jemi një komb i bukur, i fortë dhe vital. Por padyshim që ata që rrezatonin dritë ishin fëmijët. Në krah të fëmijëve ishin mësueset dhe mësuesit e tyre, si Burbuqe Alaj-Ahmetaj, Hamit Demiri, Minavere Krasniqi, Merita Ajeti, Taibe Feka, Hasime Nishori, Shpresa Idrizi dhe Isni Idrizi.


Skena ku u dha shfaqja shoqërohej në sfond nga flamujt e Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës, ku shquheshin Skënderbeu, Rilindasit dhe luftëtarët e Rilindjes Kombëtare, si Ismail Qemali, Naim Frashëri dhe Is Boletini, ndërsa një pllakatë banderolë uronte festën e flamurit.


Në një kënd të sallës, po në kuadrin e festimeve, ishte hapur ekspozita me punimet vizatimore të fëmijëve të Shkollës Shqipe, në drejtimin e piktorit profesionist Samedin Asllani, ndërsa në anekset e ambjentit ku mbahej festa poetët Besnik Camaj, profesor i informatikës në Universitetin e Yverdonit, dhe Fatime Kalimashi bënë promovimet e librave të tyre poetikë. Një poezi të z.Camaj u deklamua me mjeshtëri edhe nga një fëmijë gjatë koncertit.



Fëmijët e filluan koncertin me Hymnin Kombëtar, duke bërë që e gjithë salla e mbushur plot e përplot të ngrihej në këmbë, dhe më pas drejtuesit e shfaqjes, Drenusha dhe Narti, dy nxënës me rezultate të shkëlqyera si në shkollën në gjuhën frënge, ashtu edhe në atë të shuhës shqipe, filluan të bënin anoncimet e para, ndërsa Loreta një vajzë e bukur me sy të kaltra, edhe kjo me rezultate të shkëlqyera lexoi fjalën e rastit për Ditën e Flamurit.


Repertori ishte i larmishëm dhe tepër i pasur. Nga recitali në këngë, pjesë teatrale, recitime, dhe përsëri këngë, valle, këngë me intonacione popullore, numër baleti, gjimnastikë ritmike etj.. Një moment i bukur ishte interpretimi me violinë i një grupi fëmijësh shqiptarë nën drejtimin e mësueses të tyre zvicerane, që vinin nga Qendra për Studime e Muzikës nga Ecublens-i, të cilët interpretuan me virtuozitet pjesë nga repertori i muzikës shqiptare. Pastaj përsëri këngë, poezi, ku për shkak të ditës të shënuar, dominonte motivi patriotik, i atdhedashurisë, ku shquhej dashuria për atdheun, për nënën, për Rilindasit, Skënderbeun, Nënë Terezën, shkollën dhe gjuhën shqipe.


I gjithë manifestimi zgjati rreth tri orë, por askujt prej të pranishmëve nuk i shkoi mendja të shihte orën sepse koha rridhte pa u ndjerë, prej virtuozitetit dhe magjisë së interpretimit të fëmijëve, të cilët çdo fjale shqip i jepnin një tingëllim të veçantë, që vjen kur ky tigëllim buron nga zemra.


Manifestimi do të përmbyllej me këngën e mrekullueshme të mësueses Shpresa Idrizi kushtuar "Shkollës Shqipe Naim Frashëi" e cila u këndua kësaj here prej të gjithë nxënësve. Kjo këngë, për vlerat e saj artistike, shpesojmë që të orkestrohet dhe të fillojë e të këndohet gjerësisht si prej fëmijëve të diasporës ashtu edhe prej fëmijëve shqiptarë në trevat shqiptare, sepse një këngë e tillë i mungon repertorit të edukimit shkollor.


Ne do t'i propozonim Zonjës Shpresa që ta paraqiste këtë këngë edhe në Festivalin e Këngës për fëmijë që zhvillohet në Shkodër apo në Prishitnë, duke besuar se do të fitojë një çmim.


Në përmbyllje të këtij shkrimi, tekstin e këngës po ia sjellim menjëherë edhe lexuesit të nderuar, duke i uruar ekipit prind-nxënës-mësues të Lozanës dhe në nivel të gjithë Zvicrës që vitin e ardhshëm, kur të kremtohet festa e Flamurit, numri i nxënësve shqiptarë që do të vijojnë mësim plotësues të shkollës shqipe të jetë në përpjesëtim me vullnetin, dashurinë dhe përkushtimin e mësuesve, prindërve dhe nxënësve më të dalluar të LAPSH-it. Që do të thotë se ky numër duhet të paktën të disafishohet. Sepse duke qenë shqiptarë të mirarsimuar me kulturën dhe gjuhën shqipe, fëmijët tanë do të jenë edhe shqiptaro-zviceranë të suksesshëm.


SHKOLLA SHQIPE "NAIM FRASHËRI"  - ZVICËR


1.

Sikur zogj, kah dera jote

Me nxitim fluturojmë,

Ti na pret me krah"˜ të hapur

Shkollë e gjuhës sonë.

Kush e bëri Alfabetin,

Ndriti Kombin tonë ?

Kush punoi për Mëmëdhe ?

Tek ti do të mësojmë.


Refreni:

Shkolla shqipe, Shkoll"˜ e dashur,

Vatër e gëzimit,

Larg Atdheut ti na mbledh,

Si n'shtëpinë e gjyshit.

Lavdi paç o shkoll"˜ e dashur

Që na farkon shpirtin,

Edhe zemrat na i kalit

Me amanet të gjyshit !

 

2.

Ti mban emrin e Naimit

Gjuhës që i këndoi,

Dashurin"˜ e Nënë Terezës

Kombin që lartësoi.

Te ti gjejmë krenarinë

Që jemi shqiptarë,

te ti hapim një dritare

T'na njoh'bota mbarë.



Në foto: Mësuese Shpresa dhe fëmijët duke kënduar këngën  "Shkolla Shqipe Naim Frashëri"

Pasthënie


KUR DO TË ORGANIZOHET KOMUNITETI I SHQIPTARËVE NË ZVICËR  ?!


Në Zvicër jeton një komunitet i madh shqiptarësh ardhur nga trevat e tyre në Ballkan, ndoshta i dyti ose i treti në Evropë, vendosur këtu bashkë me familjet, pjesë e të cilave janë edhe fëmijët. Kur pyetet për statistikat, vështirë të gjesh një shifër të saktë, kur dihet se një pjesë e madhe e këtij komuniteti është natyralizuar, por gjithsesi është fjala për 400 500 mijë, ndofta edhe më tepër, prej të cilëve 58 mijë janë fëmijë prej moshës të klasës të parë fillore deri në klasën e nëntë.


Atëhere lind natyrshëm pyetja, se çfarë bëhet me këta fëmijë ? A janë të integruar këta fëmijë në shoqërinë zvicerane, duke ruajtur rrënjët prej nga vijnë ? Apo janë asimiluar, në mënyrën më të ëmbël të mundëshme, kur kihen parasysh kushtet optimale për shkollim që ofron shteti zviceran, apo më të egër të mundshme, duke kryer apo mos kryer shkollën e detyrueshme, për të kthyer në krah pune për atë treg pune që nuk kërkon aspak ose fare pak kualifikim, duke u përfshirë në komunitetin e Secondos-ave, rini e lindur në Zvicër por jo me prejardhje zvicerane.


Imazhi në Zvicër për komunitetin e Sekondos-ave, ku hyjnë midis tyre edhe shqiptarët, nuk është më i miri, duke pasqyruar mangësitë dhe vështirësitë që kanë kaluar shoqëritë nga ata e kanë prejardhjen, si dhe kushtet aspak optimale që ofron komuniteti shqiptar, i cili është i gërryer nga problemet e shumta, duke reflektuar edhe tranzicionet e vështira të shteteve prej nga vijnë, ku futet Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës dhe Bujanocit.


Por në këtë shkrim do të jemi të përqëndruar tek gjeneratat e fëmijëve shqiptarë, të cilat nëse nuk i nënshtrohen një edukimi të shëndoshë si në shkollën zvicerane, ashtu edhe në shkollën shqipe, rrezikojnë  të kthehen në kontigjent për ushtrinë e Sekondos-ave


Për të treguar se shqetësimi i këtij shkrimi lidhet me një shkak real, shumë ulëritës, po i sjell lexuesit këtë statistikë, ku nga 58 000 fëmijë shqiptarë të moshave nga 6-16 vjeç, në shkollat shqipe mësojnë vetëm 3 000, dmth, 5%.


Statistika shumë shqetësuese flasin edhe për pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në gjimnazet, shkollat e mesme profesionale dhe universitetet zvicerane.


Edukimi dhe arsimimi luajnë rol parësor në përparimin dhe të ardhmen e një shteti. Dhe të ardhmen e një shteti e përbëjnë fëmijët, gjeneratat e reja, të cilat kanë të ardhme të sigurt vetëm kur kalojnë nga bankat e klasës të parë deri në auditoret e Universiteteve më të mira të botës, duke mbrojtur tituj e grada shkencore, që pastaj t'i venë në shërbim të vendit dhe shoqërisë prej nga vijnë dhe ku jetojnë.


Meqë ra fjala për shkollat shqipe në Zvicër, të cilat i frekuentojnë vetëm 5 % e fëmijëve, këto shkolla sot përfaqësohen nga LAPSH-i, një organizëm joqeveritar që funksionin prej 20 vjetësh nën patronazhin e një bashkëpunimi shumë serioz prindër-mësuesor. E megjithatë shifrat kryeneçe akuzojnë.


Nuk do të rrekemi të gjejmë fajtorët, por sa iu përket viktimave, ata janë fëmijët tanë, të cilët kanë vuajtur dhe vuajtur mosfunksionimin e njërit prej komuniteteve më të mëdha në Zvicër.


Sot kur Kosova, ka fituar pavarësinë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Maqedonia po ashtu shkon drejt integrimeve Euro-Atlantike, komuniteti i përçarë shqiptar shpreson se institucionet e shteteve përkatëse do të veprojnë me atë përgjegjshmëri që operojnë sot vende të tjera, Anglia, për shembull, e cila ka të organizuar në Zvicër shkollimin e fëmijëve me rrënjë angleze në të gjitha nivelet prej atij fillor e deri tek ai universitar.


Nëse do të ishim pak realistë, periudha e tranzicionit që kalojnë këto vende nga i kanë rrënjët shqiptarët, na bën të mbetemi pesimistë, jo se këto vende nuk duan që të ndihmojnë diasporën, por se dëshirat e tyre mbeten si kështjellat prej rëre kur kihen parasysh buxhetet që kanë.


Por Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi mund të luajnë një rol të rëndësishëm nëse do të shtrijnë bashkëpunimet biletarale me shtetet përkatëse, ku ndodhet edhe diaspora, siç është Zvicra për shembull, e cila nga ana e vet shpesh herë ka inicuar projekte ku shteti zviceran ka mbuluar financiarisht për periudha të gjitha shkollat shqipe në kantone të ndryshme, si është duke mbuluar edhe shkollën shqipe në Zürich.


E megjithatë kjo nuk mjafton, nëse do t'iu ktheheshim statistikave kokëforta se vetëm 5% e fëmijëve i ndjekin këto shkolla, mbarëvajtja e të cilëve varet nga pagesat e prindërve apo të atyre biznesmenëve zemërmirë, të cilët shpesh herë japin kontribute financiare për mbarëvajtjen e mësimit të këtyre 3000 fëmijëve, ndërsa 55000 fëmijë të tjerë mbeten në mëshirën e fatit, ose për të populluar kontigjentin e Secondos-ave ose për t'u asimiluar ëmbël ose për t'u asimiluar në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, ku të çon shkollimi i pakët apo edhe analfabetizmi.


Këtyre ditëve me një ftesë të kryekoordinatorit të LAPSH-it, Z.Mahir Mustafa, siç e përmendëm më sipër, një personalitet i diasporës me background akademik, i cili jep leksione në Universitetin e Zürichut dhe është punonjës shkencor në Fondacionin Pestalozzi, morëm pjesë në një mbledhje të koordinatorëve të LAPSH-it, në ambjentet e Ambasadës të Kosovës në Bernë, të cilat na i kishte rezervuar Ambasadori Naim Malaj.


Z.Mustafaj, duke u nisur nga statistikat në fjalë është i mendimit, me të drejtë, për një reformim të plotë të LAPSH-it, por mbledhja në fjalë, mjerisht u përqëndrua në tema anësore, të cilat nuk mund t'i shërbejnë interesit të përgjithshëm të shkollës shqipe në Zvicër.


Kështu, megjithë arritjet e saj këta 20 vjet, të cilat janë për t'u vlerësuar, gjendja e shkollë shqipe sot në Zvicër, lë shumë për të dëshiruar, dhe është koha për t'iu rënë kambanave të alarmit sa nuk është tepër vonë.


Për të ilustruar sadopak shqetësimin tonë, i cili kemi bindjen se është shqetësimi jo vetëm i gjithë intelektualëve shqiptarë në Zvicër, por edhe pjesës më të madhe të prindërve, do të sjellim këtu shqetësimin e Paul Krugman, autor i New York Times i cili vitin që shkoi mori çmimin Nobel në Ekonomi.


Në tetor të këtij viti ai boton tek NYT, shkrimin me titull "Amerikani i Paarsimuar", ku midis të tjerave shkruan se: Nëse do të duhej të shpjegonit suksesin ekonomik të Amerikës me një fjalë të vetme, ajo fjalë do të ishte "arsim". Në Shekullin e 19-të, Amerika e hapi rrugën në arsimin bazë universal. Pastaj, teksa vendet e tjera e ndoqën pas, "revolucioni i shkollës së mesme" i fillimit të Shekullit të 20-të, na ngriti ne në një nivel krejtësisht të ri. Dhe në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika konsolidoi një pozicion prijës në arsimin më të lartë."


Krugman vë alarmin për krizën ekonomike, duke bërë thirrje, që kjo krizë nuk duhet të cënojë aspak çka lidhet me edukimin dhe arsimimin sepse e shkuara dhe e ardhmja e Amerikës është pazgjidhshmërisht e lidhur me nivelin e lartë të mësimdhënies dhe të edukimit të gjeneratave të reja.


"Prandaj" thotë Krugman, "Ne duhet të shpërgjumemi dhe ta kuptojmë se një nga çelësat e suksesit historik të vendit tonë është tani një terren djerrë. Arsimi e bëri Amerikën të madhe; neglizhimi i arsimit mund ta përmbysë procesin."


Kur ky shqetësim ngrihet për vendin me ekonominë  dhe demokracinë më të zhvilluar në botë, merrni me mend se sa të shqetësuar duhet të jemi ne prindërit që jemi duke rritur në Zvicër fëmijët tanë, në një vend demokratik, i cili aq sa është i interesuar për integrimin e fëmijëve të huaj në shoqërinë zvicerane, aq është i interesuar që këta fëmijë të njohin gjuhën amtare prej nga e kanë prejardhjen.


Të mirat e Zvicrës, si vendi i mundësive, i tolerancës dhe konkordancës, duhet të ndikojnë që komuniteti shqiptar të gjejë gjuhën dhe rrugën e përbashkët për t'u integruar në shoqërinë Zvicerane si qytetarë dhe shtetas, por edhe për t'u faktorizuar si një komunitet dije-dhe-arsimdashës. Pasi dija dhe arsimimi të hapin vetëm dyert e një të ardhmeje të prosperuar dhe plot dinjitet.


Dhe një gjë është e sigurt, nëse komuniteti shqiptar në Zvicër do ta njëjtësojë vetveten me traditat më të mira të kombit prej nga vjen Skënderbeu dhe Nënë Tereza, integrimi i tij në shoqërinë zvicerane do të jetë në mënyrë të natyrshme dhe pa plagë, ku fati i fëmijëve tanë të mos njëjtësohet me atë të Sekondos-ave, por me atë të zvicerano-shqiptarëve ose shqiptaro-zviceranëve.


Organizimi i komunitetit të shqiptarëve nuk fillon as nga partitë dhe as nga organizatat politike apo ideologjike, ai fillon nga elita e diasporës, e cila duhet të ndihmohet si nga komuniteti i biznesit të shqiptarëve këtu, ashtu edhe nga shtetet në Europën Juglindore nga e kanë prejardhjen shqiptarët këtu. Ky organizim është emergjent, jetik dhe integrues.

 

 

Elida Buçpapaj, Skënder Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.